Ligjërata 16

 

 

Mbajtur në Medinë, kur iu bë betimi i besnikërisë

 

Përgjegjësia për çfarë them është e siguruar, sepse jam vet garant i saj. Përkushtimi s’e lë të futet në dyshim atë që i njeh mirë ndëshkimet shembullore të së shkuarës.

Sepse, ta dini, që të këqijat që ju kanë mbërthyer për fyti, janë po ato që kanë ekzistuar në fillimet e misionit profetik.

Për Atë Zot, Që dërgoi Profetin me besimin e të vërtetën! Ju do shëmbeni me tërsëllimë, do shkundeni fort, si në sitë, dhe do trazoheni nga i pari tek i fundit, siç trazohet me lugë nëpër kazanët e gatimit, deri sa më të fundmit e më të ndyrët tuaj të dalin në krye, e ata të kreut të bien në fund, deri sa ata që ishin prapa të arrijnë vendet e përparme, e ata që ishin përpara 

të dalin në vendet e prasme. Për Allah, unë s’kam mbajtur asnjë fjalë të vetme të fshehtë, as kam folur ndonjë gënjeshtër. Unë jam njoftuar për këtë ngjarje e për këtë kohë.

 

Kini mendjen! Mëkatet janë si kali i hazdisur, që nuk duron fré e e flak drejt e në Ferr atë që e ka shaluar, ndërsa përkushtimi është si ai kali i mësuar, mbi të cilin kalëron me frerët mbërthyer fort në duar kalorësi që është nisur për Parajsë. Ekziston e drejta dhe e gabuara e secila syresh ka pasuesit e vet. Kështu ka qenë në të kaluarën, kur zotëronte e gabuara a kur e drejta zinte vend. Rrallë ndodh që diçka e mbetur pas të dalë në ballë.

 

Koment i Sejjid Raziut: Në këtë fjalë të shkurtër ka më tepër bukuri nga ç‘mund të merret me mend dhe shastitë e saj tejkalojnë çdo vlerësim që mund t’u bëhet. Pavarësisht nga ajo që mund të kapim ne, ajo përmban aq shumë aspekte të elokuencës, sa është e vështirë që të rroken të tëra. Asnjeri nuk mund të prekë dot fundin e thellësisë së tyre dhe askush nuk mund t’i kuptojë këto fjalë të miat, veç në e pastë mësuar mirë këtë art e në qoftë familiar me të gjitha sekretet e tij.

“Ato s’i kupton dot kush, përveçse ata që dinë.” (Kur’ani, 29:43).

 

Nga e njëjta ligjëratë 

(Në këtë pjesë Imam Aliu përshkruan tre llojet e njerëzve në shoqëri, si dhe rrugën më të mirë, që duhet ndjekur në jetë. Me sa duket Sejjid Raziu nuk ka mundur ta gjejë të plotë këtë fragment të ligjëratës. Tre dijetarë të tjerë të mëdhenj të gjuhës arabe dhe autoritete në traditat e Islamit, si Alame Ibn Ebi’l-Hadid el-Mu’teziliu, Alame Ibn Methemi dhe Sheikh Ebu Uthman Xhahizi, kanë gjetur një ligjëratë, teksti i së cilës është shumë më i gjerë se kaq. Më poshtë riprodhohen pjesët që mungojnë sipas Ebu Uthman Xhahizit (shikoni dhe shënimet 700; 701 dhe 704 në vazhdim))

 

Kushdo që ka në sytë e tij (Në një version tjetër, më të plotë, kjo frazë paraprihet nga këto fjalë: “Miqtë tuaj ju mëshirojnë e përkujdesin, por kini parasysh: Në fakt, rruga më e mirë për të përkujdesur veten është që t’i trajtosh të tjerët me konsideratë, simpati e mëshirë”.) Parajsë e Skëterrë, nuk synon më, veç të përpiqet e veprojë e ta arrijë suksesin sa më shpejt. Po shpresën mund ta ketë edhe kush kërkon, ndonëse më ngadalë. Kurse kush s’ia del dot e dështon në veprime e detyra, do përballet me mundimet e Ferrit. Rrugët e çoroditjes ndahen majtas e djathtas.

 (Në një version tjetër, më të plotë, kjo frazë paraprihet nga fjalët: “Këto tre grupe përbëhen nga njerëzit e zakonshëm, nga engjëjt, madhështia e të cilëve matet me faktin që kontakti me ta është po aq i largët dhe i privilegjuar, sa dhe me qiellin më të lartë (në kosmogoninë e lashtë dhe në periudhën e kristianizmit të hershëm ky qiell përfytyrohej si një sferë e zjarrtë, ku ndodhej banesa e Zotit); dhe, së fundi, nga profetët, të cilët marrin udhëheqje e ndihmë Hyjnore. Përveç këtyre të pestëve, s’ka më të gjashtë. Është i humbur përjetësisht kushdo që pretendon të jetë Imam apo kalif, përveç nesh, apo kushdo tjetër, që futet verbërisht në këtë udhë”.)

 

Vetëm e mesmja është e drejta, e ajo është Libri i Përjetshëm (Kur’ani.)

 dhe traditat e Profetit. Ai (Kur’ani.) është burimi i Sunnetit dhe pika ku rikthehemi çdo herë.

 

Ai që mendon tjetërsoj rrënohet e ai që sajon mashtrime zhgënjehet. Kush e kundërshton (I)  të drejtën e të vërtetën, bie në greminë. Injorancën e atij që s’njeh veten, s’e shton dot më gjë tjetër. Kush hedh rrënjë (II) të forta në përkushtim, nuk bie kurrë në shkatërrim. Dheu i njerëzve të përkushtuar s’thahet asnjëherë për ujë. Strukuni në shtëpitë tuaja (Në një version tjetër më të plotë, kjo frazë paraprihet nga shprehja: “Është caktuar që ndëshkimi e vdekja të jenë shpërblimi për jetën me vese. Prijësat që nuk i ngrenë sytë tek Zoti kurrë e pas të cilëve ju shkoni, nuk do t’ju çojnë dot në ndonjë fat më të mirë”.) e bëni vetveten. (Edukojeni veten, reformojeni)

Pendesa është shpina juaj. Mjafton që të lëvdoni vetëm Zotin dhe të qortoni vetëm veten.

 

................................................

 

(I) Në disa versione, pas shprehjes ‘men abdaa safhatahu lihakka halaka’ janë fjalët ‘inda xhahilet-in-Naas’. Në këtë rast fjalia do të thotë: ‘Kush i bëhet pengesë së drejtës, vdes i vlerësuar veç nga i padituri’.

 

(II) Devocion është emri i zemrës dhe mendjes së pushtuar e të frymëzuar nga Madhështia dhe Lavdia Hyjnore. Ai bën që shpirti i njeriut të mbushet me drojën e Zotit, gjë që shpie pashmangshmërisht në rritjen e adhurimit e shtimin e faljeve. Është e pamundur që zemra të jetë plot adhurim Hyjnor dhe kjo të mos shfaqet përkatësisht në veprimet e në sjelljet e njeriut. E meqë droja e nënshtrimi edukojnë zemrën dhe ushqejnë shpirtin, pastërtia e tyre shtohet, sa më shumë që rritet adhurimi. Ja pse fjala ‘Takwa’ përdoret në Kur’an për të shprehur herë ‘frikë’, herë ‘adhurim’ ose ‘përkushtim’, dhe herë ‘pastërti e shpirtit dhe e zemrës’. Kështu për shembull, në ajetin ‘Faijjeje fetekun’ , ‘Takwa’ është ‘frikë’, në ajetin ‘Wettekullahe hakka tukatihi’, ‘Takwa’ nënkupton ‘adhurim e devocion’; kurse në ajetin ‘men jekhshallaha we jettakhe fauleke humul fa’izun’,  ‘Takwa’ do të thotë ‘pastërti zemre dhe dëlirësi e shpirtit’.

 

Sipas traditave, ‘Takwa’-së i njihen tre nivele. I pari kërkon ndjekjen e urdhëresave dhe përmbajtjen prej gjërave të ndaluara. Përveç këtyre, niveli i dytë kërkon të shmangen gjërat e papëlqyera dhe të zbatohen gjërat e rekomanduara. Kurse niveli i tretë kërkon që të hiqet dorë edhe nga gjërat e lejuara, nga frika e rënies në teprime. Sipas tyre, shkalla e parë është për njerëzit e zakonshëm, e dyta për fisnikët, kurse e treta për dinjitarët e lartë. Zoti u referohet këtyre tri shkallëve në këtë varg:

 

“Atyre që kanë besuar e bërë të mira s’u ngarkohet faj për atë që kanë ngrënë (më parë), sa kohë që janë ruajtur (nga gjërat e ndaluara), kanë besuar e bërë të mira, e sërish ruhen e besojnë më shumë e gjithmonë do ruhen e bëjnë të mira; se Zoti i do ata që bëjnë mirë.

 

Imam Aliu thotë se vetëm veprimi i mbështetur në devocion është i qëndrueshëm, dhe se do lulëzojë e japë fryte vetëm ai veprim, që ujitet nga devocioni. Adhurim është vetëm ai, në të cilin ekziston ndjenja e nënshtrimit. Lidhur me këtë çështje, Zoti thotë: “Si pra!? Është më i mirë kush i ngre themelet mbi frikën e Zotit e Kënaqësinë  e Tij, apo kush i mbjell shpresat buzë një bregu të gërryer, i cili rrëshket së bashku me të drejt e në lumin e zjarrtë të Skëterrës?! Zoti nuk i udhëzon njerëzit mëkatarë.” (Kur’ani, 9:109). Rrjedhimisht, besimi i pambështetur në dije dhe bindje është si ajo ndërtesa e ngritur pa themele, e cila nuk ka forcë dhe qëndrueshmëri, ndërsa çdo veprim që bëhet pa devocion, është si ajo bima që vyshket për mungesë të ujit.