Duke qortuar popullin e Basrës (I)
Ju u bëtë ushtria e një gruaje e u vutë nën komandën e një krijese katërkëmbëshe.
Kur gërthiste ajo, ju i bënit jehonë, e kur u plagos ajo,ju morët arrati. Karakteri juaj është i ulët. Besa juaj është shkelja e saj. Feja juaj është hipokrizia. Uji juaj është i njelmët. Kush rri me ju, molepset me mëkate, dhe kush ju braktis ju, fiton mëshirën e Zotit. Sikur e kam përpara syve xhaminë tuaj madhështore: Si kuvertën e një barke, që Zoti i ka dërguar ndëshkim nga lart e poshtë saj; kush është në të, tashmë është i mbytur.
Një version tjetër:
Për Atë Zot, unë s’dyshoj që qyteti juaj do mbytet në ujë; sikur e kam para syve xhaminë e tij, si pjesën e sipërme të një anieje, apo si një struc unjur më bisht.
Në një version tjetër:
… Si kraharorin e një pulëbardhe në detin e thellë.
Një tjetër version:
Qyteti juaj është më i ndyri i të gjithëve për nga balta,më i afruari me ujin e më i larguari me qiellin.
Nëntë në dhjetë gjëra të tij janë ligësi. Kush futet në të, mbytet në mëkatet e tij, dhe kush del prej tij, gëzon ndjesën e Zotit. Shoh ujin tek e gllabëron këtë banesë tuajën (II) , aq sa nga ajo s’duket më gjë, veç xhamisë që del mbi valë si gushë zogu në det të thellë.
......................................
(I) Ibn Mejthemi shkruan që, tre ditë pasi mbaroi beteja e Xhemelit, Imam Aliu dha faljen e mëngjesit në xhaminë qendrore të Basras. Pasi mbaroi ritin, qëndroi në krahun e djathtë të vendit të lutjeve, mbështetur për muri, dhe mbajti një fjalim, ku stigmatizoi karakterin e ulët e të pabesë të banorëve të Basras, sidomos faktin e rebelimit të tyre nën nxitjen e të tjerëve, pa pasur vetë asnjë shkas, si dhe vënien nën komandën e një gruaje, hipur majë një deveje. Pasi ishin betuar për besnikëri, ata e thyen besën dhe nxorën në shesh natyrën e tyre të ligë e hipokrite dhe karakterin e tyre të ulët. Në këtë ligjëratë ‘gruaja’ nënkupton Aishen, kurse ‘krijesa katërkëmbëshe’– devenë, ku ajo kishte hipur, nga e cila mori emrin dhe vetë beteja.
Kjo betejë u zhvillua në këtë mënyrë: Siç dihet, Aisheja e kishte kundërshtuar gjithmonë Uthmanin sa ishte gjallë, bile shkoi në Mekë, megjithëse kundër tij kishte shpërthyer një rebelim; në këtë pikëpamje ajo rezulton pjesëtare në vrasjen e tij, për të cilën do flitet me hollësi në një vend tjetër më të përshtatshëm. Kur kthehej nga Meka në Medinë, dëgjoi nga Abdullah bin Samai që, pas Uthmanit, betimi i besnikërisë si kalif i ishte dhënë Aliut. Papritur ajo kish shpërthyer: “Në qoftë se i është dhënë Aliut betimi i besnikërisë, atëhere qielli u përmbystë mbi këtë dhé. Unë po kthehem përsëri në Mekë”. Dhe u kthye për në Mekë duke thënë: ”Për Atë Zot, Uthmani u vra pa pasur asnjë përkrahje. Unë do t’ia marr gjakun patjetër”. Kur pa gjithë këtë ndryshim të menjëhershëm, Ebu Salma i tha: “Çfarë po thua kështu? Ti vetë je shprehur kush e di sa herë ‘vrajeni këtë Nadhal; ai është bërë kafir’.” Kësaj ajo iu përgjigj: ”Jo vetëm unë, por të gjithë kemi folur kështu; por leri këto gjëra e dëgjo çfarë them tani, sepse kjo është më e mirë dhe meriton më shumë vëmendje. Sepse është vërtet e çuditshme, që në fillim iu bë thirrje të pendohej, pastaj u vra, në vend që t’i jepej rasti të pendohej”. Kur dëgjoi këto fjalë, Ebu Salma recitoi në adresë të saj këto vargje:
Po ti vet e nise.
Tani kthen fletën e shkreh rrufé. dhe kokën ti ia kërkoje, kur e mallkoje si të pafé. gjaku i tij u derdh,
po ju qetë që urdhrin e dhatë, ju ishit shpata dhe gjuha-helm, ju ishit që e vratë.
Po ende ka yje përmbi ne, s’shuhen diell’ e hënë, se jetën dhe nderin e besën në dorë ia kemi lënë,
atij që e mban hasmin larg me forcë e madhështi, që di t’i kthejë goditjet, se si t’i mbrojë njerzit e tij, di se si t’i prishi nyjet dhe si ta thyej’ kundërshtarin, dhe di t’i mbajë armët gati për ta luftuar tradhtarin.
Aisheja arriti në Mekë e etuar për hakmarrje dhe nisi t’i ngrejë njerëzit më këmbë për t’i marrë gjakun Uthmanit, duke hapur thashetheme rreth vrasjes së tij. I pari që iu përgjigj thirrjes së saj ishte Abdullah bin Amir Hazrami, që kishte qenë governator i Mekës nën mbretërimin e Uthmanit, pastaj me të u bashkuan Merwan bin Hakami, Sa’id bin Asi dhe Umejjadë të tjerë. Nga ana tjetër arritën nga Medina dhe Talha bin Abdullahu dhe Zubeir bin Ewami, kurse nga Jemeni erdhën Xheuhleh bin Munabehu, që kishte qenë governator gjatë kalifatit të Uthmanit, si dhe governatori i mëparshëm i Basrës, Abdullah bin Amir bin Kureizi.
Pastaj filluan të gjithë bashkë të përgatitnin planet. U vendos të shpallej luftë dhe diskutimet u përqendruan për vendin, ku duhej dhënë ndeshja.
Aisheja sugjeronte që beteja të jepej në Medinë, po këtë ide e kundërshtoi një pjesë, duke thënë se ishte vështirë t’u dilej medinasve përballë. Më në fund, pas shumë diskutimesh, u vendos që të kërkohej një vend tjetër për fillimin e luftës dhe fillimisht të marshohej mbi Basra, ku ndodheshin shumë njerëz që mbështesnin çështjen e tyre. Për realizimin e këtij plani u ngrit një ushtri tridhjetë mijë vetëshe, që u pajis më së miri, falë pasurisë së pamatshme të Abdullah bin Amirit e dhuratës prej gjashtëqind mijë Dirhamësh e gjashtëqind deveshë të Xheuleh bin Munabehut. Rrugës për në Basra ndodhi një incident i vogël, për shkak të të cilit Aisheja nuk donte të ikte më tutje. Ajo dëgjoi diku ulërima qensh dhe e pyeti heqësin e devesë se si quhej vendi ku ndodheshin. Heqësi i tha se quhej Hawab. Kur dëgjoi këtë emër, ajo u kujtua për paralajmërimin që i kishtë bërë Profeti gjatë një bisede me gratë e tij: ”Do doja të dija se cilës prej jush do t’i lehin qentë e Hawabit”.
Aisheja e kuptoi që ajo grua paskej qenë vet, prandaj ndaloi devenë, e uli më gjunjë, duke e goditur lehtë me dorë, dhe tha se nuk mund ta vazhdonte më tej marshimin. Por bashkudhëtarët e saj e shpëtuan me marifet situatën që po përmbysej. Abdullah bin Zubeiri u betua që ky vend nuk ishte Hawabi dhe Talhai e mbështeti, pastaj gjetën dhe nja pesëdhjetë persona të tjerë, të cilët dëshmuan për të njëjtën gjë. Të gjithë ishin në një mendje dhe i jepnin të drejtë njëri-tjetrit, pra, ç’mund të bënte më me kundërshtimin e saj një grua e vetme?! Në fund ia dolën që ta bindnin dhe Aisheja e rinisi marshimin me të njëjtin entuziazëm, që kishte pasur në fillim. Pohohet se këta pesëdhjetë njerëz kanë qenë të parët që janë betuar rrejshëm në Zot, në tërë historinë e Islamit.
Kur arriti ushtria në Basra, njerëzit u habitën tek shihnin kafshën ku kishte hipur Aisheja. Xharia bin Kudameh i doli përpara dhe i tha:
“O Mëmë e Besimtarëve, vrasja e Uthmanit ishte tragjike, po tragjedia më e madhe është që ju keni ikë nga shtëpia majë kësaj deveje të mallkuar, duke dëmtuar nderin e prestigjin tuaj. Është më mirë të ktheheni mbrapsht”.
Por tashmë atë nuk e kishin kthyer prapa as incidenti në Hawab, as urdhri Kur’anor ‘rrini nëpër shtëpitë tuaja’ (33:33), prandaj nuk mund të pritej ta bënte këtë punë vetëm për hir të Kudames. Kështuqë s’ia vuri veshin as këtij paralajmërimi.
Kur u përpoq ushtria të hynte në qytet, i doli përpara për ta ndaluar governatori i Basras, Uthman bin Huneifi. Të dy palët u ndodhën ballë për ballë, shpatat dolën nga milli dhe u lëshuan kundër njëra-tjetrës. Pasi u vranë shumë njerëz nga të dyja anët, ndërhyri Aisheja me autoritetin e saj dhe të dy grupet u morën vesh që administrata ekzistuese dhe Uthman bin Huneifi të ushtronin funksionet e tyre, deri sa të vinte Imam Aliu. Por vetëm pas dy ditësh rebelët bënë një sulm tjetër nate, vranë dyzet njerëz të pafajshëm, rrahën Uthman bin Huneifin, i qethën kokën, ia shkulën qimet e mjekrës një nga një, pastaj e lidhën kokë e këmbë dhe e burgosën.
Pas kësaj sulmuan dhe plaçkitën thesarin publik, duke vrarë në vend njëzet veta dhe duke arrestuar pesëdhjetë të tjerë, të cilëve u prenë kokat. Dhe nuk u mjaftuan me kaq, po sulmuan edhe depot e drithit, ku një fisnik basarit i thyer në moshë, Hakim bin Xhebele, nuk mundi më ta kontrollonte veten, e u nis bashkë me njerëzit e tij dhe i tha Abdullah bin Zubeirit:
“Kursé ca prej këtij drithi për popullin e qytetit. Në fund të fundit, edhe padrejtësia duhet t’i ketë ca kufij. Ju keni mbjellur vrasje e shkatërrim në çdo anë dhe futët në burg Uthman bin Huneifin. Për hir të Zotit, mjaft më me këto punë të mbrapshta, lirojeni Uthman bin Huneifin.
Nuk paska mbetur më frikë nga Zoti në zemrat tuaja?”
Ibn Zubeiri i tha: “Kjo është hakmarrja për vrasjen e Uthmanit”.
Hakimi ia ktheu: ”Këta ishin kriminelët që e vranë Uthmanin? Për Allah, të kisha shokë dhe përkrahës, do t’ua merrja unë gjakun këtyre muslimanëve, që ju i vratë pa asnjë shkak”.
Ibn Zubeiri iu përgjigj: ”Ne nuk e lëshojmë drithin, dhe as Uthman bin Huneifin nuk do ta lirojmë.”
Së fundi midis të dy këtyre grupeve u ndez lufta, por si mund t’ua dilnin disa pak njerëz forcave aq të mëdha? Përleshja përfundoi me vrasjen e Hakim bin Xhebeles, djalit të tij, Eshref bin Hakimit, vëllait të tij, Ral bin Xhebeles dhe shtatëdhjetë vetave të tjerë të fisit të tij. Vrasja dhe plaçkitja mbretëronin në çdo anë. Tashmë askush nuk e kishte jetën të sigurtë dhe nuk kishte asnjë mënyrë se si të ruhej nderi dhe prona.
Imam Aliu u informua për marshimin e rebelëve mbi Basra dhe u nis për t’i ndaluar me një forcë ku bënin pjesë shtatëdhjetë prej atyre që kishin luftuar në betejën e Bedrit, dhe katërqind nga bashkëluftëtarët që kishin patur nderin të ishin të pranishëm në Betimin e Ridvanullahit. (Kënaqësisë Hyjnore)
Ndalesën e parë e bëri në Zikar, prej nga dërgoi Hasanin dhe Ammar ibn Jasirin në Kufa, për t’i bërë thirrje popullit të saj të ngrihej për luftë. Si rezultat, nga ky qytet u bashkuan me ushtrinë e Imam Aliut rreth shtatë mijë veta, me gjithë pengesat e krijuara nga Ebu Musa el-Esh’ariu. Imam Aliu caktoi komandantët e tyre dhe vazhdoi të marshonte më tuje. Dëshmitarët e pranishëm thonë se, kur mbërriti kjo forcë në rrethinat e Basras, në krye të saj marshonte një repart ensarësh. Flamurin e tij e mbante Ebu Ejjub el-Ensariu.
Pas tij u shfaq një repart tjetër prej një mijë vetash, komandant i të cilëve ishte Khuzejme bin Thabit el-Ensariu. Pastaj erdh një tjetër repart. Flamurin e tij e mbante Ebu Katade bin Rabije. Pastaj ishte radha e një turme prej një mijë vetash, të moshuar dhe të rinj. Në ballet e tyre dukeshin shenjat e qarta të adhurimit (Faljes në pozicionin shtrirë, gjatë së cilës balli takohet për dheu) dhe në fytyra u lexohej nënshtrimi ndaj Zotit. Dukej sikur këta njerëz po shkonin drejt Lavdisë Hyjnore të Ditës së Gjyqit. Komandanti i tyre ngiste një kalë të zi, ishte i veshur në të bardha, mbante në kokë një turban të zi dhe recitonte Kur’anin me zë të lartë.
Ky ishte Ammar bin Jasiri. Pas tij u shfaq një repart i ri. Flamuri i tij ndodhej në duart e Kejs bin Sa’d ibn Udades. Dhe më pas u shpalos një ushtri tjetër. Prijësi i saj kishte veshje të bar-dhë dhe turban të zi në kokë. Ai ishte aq i hijshëm, sa të gjithë sytë ishin mbërthyer mbi të. Ky ishte Abdullah ibn Abbasi. Ushtrinë e tij e pasonte një batalion me bashkëluftëtarë të Profetit, flamurin e të cilit e mbante Kathm bin Abbasi. Pastaj kaluan njëri pas tjetrit disa reparte të tjera, dhe më në fund u duk një turmë e madhe me një pyll të dendur heshtash, që mbivendoseshin me njëra-tjetrën. Turma marshonte nën hijen e flamurëve të panumërt ngjyra-ngjyra, që valviteshin në ajër gjithë elegancë. Midis tyre shquhej një flamur i madh dhe i lartë, që lajmëronte pozitën më të lartë. Pas tij qëndronte një kalorës i mbrojtur nga Fuqi Sublime e Madhështore.
Muskujt i kishte të zhvilluar mirë dhe sytë i mbante tretur për dheu. Hija e tij e rëndë dhe dinjiteti i tij ishin të tilla, saqë askush s’mund ta shikonte në sy. Ky ishte Luani Gjithmonë Fitimtar i Zotit, Ali ibn Ebu Talibi. Në të djathtë e të majtë të tij ishin Hasani dhe Huseini. Përpara tij ecte Muhammed bin Hanefia, me hapa të ngadalshme e flamurin e ngadhënjimit e të lavdisë në duar, kurse pas i shkonin djelmosha të fisit Hashim, njerëzit e Bedrit dhe Abdullah bin Xha’fer bin Ebu Talibi. Kur ushtria arriti në vendin që quhej Zadijah, Imam Aliu zbriti nga kali, fali katër rekate. (Falje në pozicionin më gjunjë) dhe e lëshoi kokën mbi dhé. Kur e ngriti, dheu ishte lagur nga lotët. Atëhere shqiptoi këto fjalë:
O Mbajtës i Tokës, i Qiellit e i Kupës së Lartë të Gjithësisë!
Kjo është Basra.
Mbushna prehrin me të mirat e saj dhe mbrona nga të ligat e saj.
Pastaj vazhdoi të ecte përpara dhe zbriti në fushën e betejës së Xhemelit, ku armiku ishte rreshtuar tashmë. Imam Aliu i urdhëroi ushtarët të mos sulmonin, as të merrnin inisiativë. Pasi lëshoi këtë urdhër, doli përballë ushtrisë kundërshtare dhe u tha Talhait e Zubeirit: “Pyeteni Aishen nën betimin në emër të Zotit e të Profetit të Tij, nëse jam apo s’jam i lirë nga fajësimi për gjakun e Uthmanit, nëse kam përdorur ndaj tij fjalët që keni përdorur ju, dhe nëse ju kam detyruar të betoheshit për besnikëri apo u betuat vetë, me vullnetin tuaj të lirë”.
Talhai u tërbua nga këto fjalë, por Zubeiri e përmbajti. Pastaj Imam Aliu u kthye, i dha Kur’anin Muslim Muasheies dhe e nisi te ata për t’u shpallur verdiktin e Kur’anit. Por ata i vunë të dy nën nishan dhe e mbuluan me shigjeta këtë njeri të Zotit. Atëhere shkoi të diskutonte Ammar bin Jasiri, për t’i bindur e bërë të vetëdijshëm për pasojat e luftës, por edhe fjalët e tij u prenë në mes nga breshëria e shigjetave.
Armiku u trimërua nga fakti që Imam Aliu nuk kishte lejuar sulme dhe vazhdonte të qëllonte me rrebeshe shigjetash. Pasi u vranë disa luftëtarë trima, më në fund, në radhët e ushtrisë së Imam Aliut u ndie një farë shtangieje.
Disa nga njerëzit e tij i erdhën me një pjesë të trupave që kishin nën komandë, e i thanë: “O Prijës i Besimtarëve, ju s’po na lejoni të luftojmë, kurse ata po na mbulojnë me shigjeta. Edhe për sa kohë do t’i lëmë t’i bëjnë gjokset tona nishan të harqeve të tyre e ne të mbetemi duarkryq?” Imam Aliu ishte ngrysur në fytyrë, por duke vepruar me durim e vetëpërmbajtje, shkoi drejt armikut ashtu siç ishte, pa veshur armurë dhe i pa armatosur,dhe thirri: “Ku është Zubeiri?” Në krye Zubeiri ngurroi të dilte përpara, pastaj vuri re që Imam Aliu nuk kishte armë e doli dhe ai. Imam Aliu i tha: “O Zubeir, ti duhet të kujtosh se një ditë Profeti të ka thënë se do luftosh kundër meje e se padrejtësia e zullumi do jenë në anën tënde”.
Zubeiri u përgjigj se kështu kishte thënë. Imam Aliu e pyeti: ”Po pse ke ardhur atëhere?” Ai iu përgjigj se e kishte lënë në baltë memorja e se po të ishte kujtuar më përpara, nuk do kishte ardhur në këtë mënyrë. Imam Aliu tha: “Mirë, tani u kujtove”, dhe ai u përgjigj: ”Po”. Si tha kështu, shkoi drejt e tek Aisheja e i tha që po largohej. Ajo e pyeti për arsyen dhe ai iu përgjigj: “Aliu më kujtoi një punë që e kisha harruar. Duket se isha futur në rrugë të keqe, por tani erdha prapë në rrugë të drejtë dhe nuk do luftoj në asnjë mënyrë kundër Ali bin Ebu Talibit”. Aisheja i tha: “Ty të ka zënë frika nga shpatat e bijve të Abdul-Muttalibit”. Ai tha thjesht ‘jo’, pas kësaj tërhoqi kapistallin e kalit të vet e u kthye. (Për më gjatë lidhur me këtë episod, shiko shënimin 668 në ligjëratën 8)
Sigurisht, është për t’u vlerësuar që këtë herë u tregua respekt për thëniet e Profetit,
sepse fjalët e tij u kujtuan dhe në Hawab, por efekti i tyre u shua shumë shpejt.
Pas kësaj bisede, Imam Aliu u rikthye në vendin e tij, ku vuri re se kishte nisur sulmi i armikut mbi krahët e majtë e të djathtë të ushtrisë së tij. Atëhere tha: “Tani argumenti u sos. Thërrisni tim bir, Muhammedin!” Kur ky erdhi, Imam Aliu i tha: “Biri im, tani mund të sulmosh!” Muhammedi përkuli kokën dhe u hodh përpara duke rrëmbyer flamurin. Por shigjetat binin kaq të dendura, sa iu desh të ndalonte. Kur pa këtë, Imam Aliu e thirri të kthehej. ”Muhammed, pse nuk po bën përpara?”
Ai i tha: ”Baba, nuk është e mundur të ecësh përpara nën këtë breshër shigjetash. Të presim sa të qetësohet kjo furi”.
Po Imam Aliu ia ktheu: “Jo. Hidhu në mes të shigjetave e të heshtave dhe sulmo!”
Muhammed bin Hanefia bëri përpara, por harkëtarët e gardhosën aq keq, sa iu desh t’i ngadalësonte hapat. Atëhere në ballin e Imam Aliut mori formë një rrudhë. Pastaj doli përpara, goditi lehtazi me myll të shpatës mbi shpinë të Muhammedit, dhe i tha: ”Ky është ndikimi i gjakut nga nëna jote”. Si tha kështu, ia mori flamurin nga duart, përveshi mëngët dhe bëri një sulm të atillë, sa i futi në pështjellim të plotë radhët e armikut nga kreu deri në fund. Falangat që i dilnin në rrugë qëroheshin dhe bënin prapa dhe çdo hap i lënë prapa mbulohej nga pirgje trupash e koka që rrëkëlleheshin përdhe nën thundra kuajsh. Pasi i shkundi radhët armike në këtë mënyrë, u kthye përsëri në vendin e tij dhe i tha Muhammed bin Hanefias:
“Shiko, biri im, kështu bëhet lufta!”
Pastaj ia dha prapë flamurin dhe e urdhëroi të hidhej në sulm. Muhammedi u vërsul drejt armikut me një detashment ensarësh. Edhe armiqtë u vunë në lëvizje, duke peshuar në duar heshtat e tyre. Por biri azgan i atij ati trim të çartur i korrte radhët e tyre njëra pas tjetrës e, përveç tij, fushën e betejës e mbuluan me lavdi e togje trupash të vdekur edhe luftëtarët e tjerë të tij.
Edhe në krahun tjetër kishte shfaqje të shkëlqyera të shpirtit të vetëmohimit. Trupat e vdekur binin njëri mbi tjetrin dhe luftëtarët vazhdonin të bënin fli me përkushtim jetët e tyre rreth e qark devesë së mallkuar. Përshtypje të veçantë bënin Beni Zabatë, të cilëve gjokset u ishin bërë shoshë e duart cungje në bërryl e poshtë, ngaqë mbanin devenë për kapistalli, e megjithatë vazhdonin të këndonin këtë këngë lufte:
Jemi Beni Zaba, rritim devé, dhe luftën zanat e kemi Sapo vdekja na thërret,
si qengjat manarë pas i vemi.
Për gjakun e Uthmanit flakim shigjeta e tundim shpata,
Në na e dhënçi prap’, luftën presim e ju japim urata.
Karakteri i vrazhdë dhe injoranca fetare e këtyre Beni Zabave mund të kuptohet mirë nga një ngjarje që tregon Medeiniu. Sipas tij në Basra ishte një njeri me një vesh të sakatuar. E kishte pyetur ç’i kishte ndodhur dhe ky i kishte treguar: “Po shikoja fushën plot trupa të vdekur pas betejës së Xhemelit, kur më zuri syri një të plagosur, që e ngrinte kokën herë - herë, pastaj e lëshonte të përplasej për dheu. Iu afrova dhe mezi mora vesh nga buzët e tij këto vargje:
Me qumështin-mjalt’ të vdekjes nëna na mëkoi, Kur na ndau nga gjir’ i saj,
i donim krejt njëlloj, Për fatin tonë të keq, besën ia dhamë Tajemit
Që shpirt prej skllavi kanë e hak kanë Xhehnemin.
I thashë që nuk ishte koha të recitonte vargje, po të kujtonte Zotin e të binte në Shehadet. Por ai më hodhi një vështrim të egër, lëshoi një sharje të rëndë dhe ma ktheu: ‘Ti po më kërkon të them Kelime Shehadetin, të frikësohem në këto çaste të fundit dhe ta humbas burrërinë?’ U habita kur dëgjova këto fjalë dhe vendosa të largohesha prej tij pa i thënë gjë tjetër. Kur më pa që po bëja të ikja, më tha: ‘Prit. Do ta them për qejfin tënd, por ma mëso më përpara’. Iu afrova t’ia mësoja Kelimen e ai më kërkoi t’i afrohesha edhe ca më shumë. Kur i erdha më pranë, ma mbërtheu veshin me dhëmbë e nuk ma lëshoi derisa ma shkuli që nga rrënjët. Mendova se nuk kishte kuptim të shfreja inatin mbi një njeri që po vdiste e po bëhesha gati të ikja duke e sharë e mallkuar, kur ai më kërkoi të dëgjoja prej tij edhe diçka tjetër. Pranova ta dëgjoja, se mos kishte ndonjë dëshirë të fundit. Më tha që kur të shkoja tek nëna ime e ajo të më pyeste se kush ma kishte ngrënë veshin, t’i thosha që këtë ma kishte bërë Amr bin Ahlab Zabiu, i cili ishte mashtruar nga një grua që kishte dashur të bëhej kryetare e Islamit”.
Në fund, pasi shkëlqimi verbues i shpatave u kishte marrë jetën mijëra njerëzve e qindra Beni Azre e Beni Zaba ishin vrarë duke mbajtur kapistrën e devesë, Imam Aliu urdhëroi: “Vrajeni devenë, se ajo është Shejtani vetë”. Tha kështu e bëri një sulm të tillë të ashpër, saqë ngado që çante ngriheshin thirrjet ‘Paqe, paqe!’ dhe ‘Ruana Zot!’. Kur arriti pranë devesë, urdhëroi Buxheir bin Nakhelin ta vriste. Buxheiri e goditi fort dhe ajo u përmbys mbi njërën anë të gjoksit, pastaj ra në gulçet e ngordhjes. E sapo deveja u rrëzua përdhé, ushtria kundërshtare ia dha vrapit, kurse heqësi i saj mbeti vetëm dhe i paruajtur, bashkë me Aishenë. Luftëtarët e kapën dhe Imam Aliu urdhëroi Muhammed bin Ebu Bekrin që ta shoqëronte Hazreten (Aishen)
në shtëpi të Safa’ Binte Harithit. Kjo ndeshje ndodhi më 10 të muajit Xhemadi ul-Thani të vitit 36 H., mbasdite, dhe mori fund përpara se të binte mbrëmja. Ushtria prej njëzet e dymijë vetash e Imam Aliut pati njëmijë e shtatëdhjetë të vrarë, megjithëse ka që thonë që të vrarët ishin vetëm pesëqind. Kurse ushtria tridhjetë mijëshe e Aishes la shtatëmbëdhjetë mijë të vrarë, duke vërtetuar plotësisht thënien e Profetit, sipas së cilës, Njerëzit që ia besojnë punët e tyre shtetërore një gruaje, nuk do lulëzojnë kurrë.(Ibn Kutjebe, el-Imame we’l-Sijase; el-Mes’udi, Muruxh udh-Dheheb, Ibn Abd Rabbih, el-Ikd ul-Ferid, et-Taberi, Tareekh).
................................
(II) Ibn Ebi’l-Hadidi shkruan se Basra është përmbytur dy herë, ashtu si kishte parashikuar Imam Aliu: Një herë në ditët e Kadir Bi’l-Lahut, dhe herën tjetër nën mbretërimin e Kaim Be Amri’l-Lahut. Pamja e përmbytjes ishte e njëjtë me atë që ka përshkruar Imam Aliu: I gjithë qyteti ndodhej nën ujë, përveç pjesëve të sipërme të xhamisë, që dukeshin mbi valë si një zog i ulur mbi gjoksin e tij.