Pasi Zoti i dha Imam Aliut fitore (I) mbi armikun në betejën e Xhemelit, një bashkëluftëtar i tij i tha:
“Po të kishte qenë i pranishëm në këtë ngjarje filan e filan vëllai im, do mund të kishte parë me sytë e tij suksesin dhe fitoren që na dha Zoti”.
Imam Aliu e pyeti: “A më mban vëllai yt për mik të tij?”
Ai iu përgjigj: “Po”.
Imam Aliu tha: “Po të jetë kështu, këtu ka qenë, me ne. Në të vërtetë në këtë ushtri tonën kanë qenë të pranishëm edhe ata që ende janë në kryqet e meshkujve dhe në mitrat e grave. Së shpejti koha do t’i thërrasë të vinë në jetë, edhe ata, e nga kjo Besimi do të bëhet më i fortë”.
..........................................
(I) Njerëzit që i shmangen veprimit, pavarësisht mjeteve e pajisjeve që kanë, shfaqin dobësi vullneti. Po nëse u dalin përpara pengesa që s’i lënë ta kryejnë atë veprim, apo jeta u merr fund e ua këput në mes veprimin, Zoti ua njeh shpërblimin, sepse iu futën ndërmarrjes së tij dhe e bënë synim të tyre. Ngritja në qëllim e kryerjes së një veprimi meriton shpërblim në çdo rast, qoftë edhe me rezultat të pjesshëm. Veprimi mund të mos shpërblehet në rast se është kryer sa për sy e faqe të botës apo për shtirje, duke e mbajtur qëllimin e vërtetë fshehur thellë në zemër.
Tjetër gjë është kur në të nuk ka gjurmë shtirjeje apo shfaqjeje. Në këtë rast qëllimi mbetet në të njëjtin nivel sinqeriteti, vërtetësie, përsosmërie e korrektese, ku është realisht, edhe sikur veprimi të mos materializohet për shkak të ndonjë pengese. Por edhe kur nuk jepet rast për formim të qëllimit, ndonëse në zemër ka pasion e zell, njeriu do të marrë shpërblim në përpjestim me ndjenjat që ushqen në zemër. Pikërisht këtë ka dashur të thotë Imam Aliu në këtë ligjëratë: ”Në qoftë se vëllai yt më ka dashur, ai do ndajë shpërblim të njëjtë me ata që dhanë jetën për mbështetjen tonë”