Ligjërata 11

 

 

Mbajtur në fushën e Betejës së Xhemelit, kur Imam Aliu ia dha flamurin djalit të tij, Muhammed bin Hanefies (I)

 

Malet (II) le të luajnë nga vendi, biri im, por ti nuk do luash nga tëndi. Shtërngoi dhëmbët. Besoja kokën tënde Zotit. Nguli fort këmbët në dhé. Syri të të shohë më të largmin armik  e të mos tutet nga numri i madh i tyre. Dhe mbaj mend, që ndihmë mund të të vijë vetëm nga Zoti i Lavdishëm.

 

...............................................

(I) Muhammed bin Hanefia ishte djali i Imam Aliut, por mbiemrin Ibn Hanefia e kishte nga e ëma. Në fakt e ëma quhej Khula Binte Xha’fer, por njihej më shumë si Hanefia, ngaqë vinte nga fisi me atë emër. Kur fisi i Jemames u shpall femohues, se refuzoi të paguante zekatin, burrat e tij u vranë kurse gratë u sollën në Medinë e u shitën si robina. Së bashku me to erdhi në Medinë edhe kjo zonjushë. Këtë e mori vesh një farefis i saj, i cili shkoi te Imam Aliu e i kërkoi ta shpëtonte nga njolla e skllavërisë e ta mbronte nderin e prestigjin e familjes së saj. Pasi e bleu, Imam Aliu e la vajzën të lirë. Më vonë u martua me të e nga kjo martesë u lind Muhammedi.

 

Shumica e historianëve përdorin si titull (lagab) të tij Ebu’l-Kasem. Autori i el-Isti’abit (Vol. 3, f. 1366, 1367-1368, 1370, 1371-1372) rrëfen mendimin e Ebu Rashid Hafazuhrit, sipas të cilit ai kishte dijeni për katër persona mes bijve të sahabëve. (Të Profetit) që mbanin emrin Muhammed e mbiemrin Ebu’l-Kasem. Këta ishin: Muhammed bin Hanefia; Muhammed bin Ebu Bekri; Muhammed bin Talhai e Muhammed bin Sa’di. Pas kësaj shkruan se vetë Profeti ia kishte vënë këtë emër e mbiemër Muhammed bin Talhait. Ndërkaq, el-Wakidi shkruan se emri dhe mbiemri i Muhammed bin Ebu Bekrit ishin sugjeruar nga Aisheja.

Në fakt, duket se nuk është e saktë që emri i Muhammed bin Talhait të jetë dhënë nga vet Profeti i Shenjtë. Ka disa hadithe, nga të cilat del qartë që Profeti e  kishte ruajtur emrin e tij për një nga djemtë e Imam Aliut. Dhe ky ishte Muhammed bin Hanefia: Për sa i përket emrit të tij, thuhej që Profeti e kishte rezervuar e i kishte thënë Aliut: “Pas vdekjes sime, do të të lindë një djalë, të cilit i kam dhënë emrin dhe mbiemrin tim; pas kësaj, s’i lejohet më askujt prej njerëzve të mi të mbajë emrin e mbiemrin tim së bashku”.

 

Nisur nga kjo traditë, vështirë të jetë e vërtetë që vetë Profeti t’ia ketë dhënë dikujt tjetri emrin e mbiemrin e tij, ndryshe ç’kuptim do të kishte rezervimi i tyre. Përveç kësaj, disa autorë e përmendin emrin e Bin Talhait si Ebu Suleiman, në vend të Ebu’l-Kasem, gjë që e përforcon më shumë mendimin tonë. Nga ana tjetër, nëse mbiemërimi i Muhammed bin Ebu Bekrit në këtë mënyrë bazohet në faktin që emri i të birit ishte Kasem, i cili ishte një ndër teologët e Medinës, atëhere ç‘kuptim ka që ai na qenkej sugjeruar nga Aisheja? Në qoftë se ajo do ta kishte propozuar bashkë këtë emër e mbiemër, si do mund ta toleronte këtë gjë më vonë Muhammed bin Ebu Bekri? Sepse dihet që ai ishte edukuar me kujdesin e Imam Aliut, për pasojë udhëzimet e Profetit nuk kanë qenë të panjohura për të. Përveç kësaj, shumica e autoriteteve e përmendin mbiemrin e tij si Ebu AbdurRahman, gjë që i bën pretendimet e Ebu Rashidit më pak të besueshme.

 

Jo vetëm për këta njerëz, por as për Bin Hanefien s’është provuar që ka mbiemrin Ebu’l-Kasem. Ibn Khalikani pranon se djali i Imam Aliut, për të cilin Profeti ka rezervuar këtë mbiemër, ka qenë Muhammed bin Hanefia. Por Alame Mamghani shkruan: Ibne Khalikani ngatërrohet kur e zbaton këtë hadith për Muhammed bin Hanefien. Në të vërtetë biri i Imam Aliut, përveç të cilit ky emër e mbiemër bashkë s’i lejohet njeriu tjetër, është Imami i fundit i pritshëm (qofshin jetët tona haraçi për shpëtimin e tij). Emri Ebu’l-Kasem s’është caktuar për Muhammed bin Hanefien. Duke mos e ditur qëllimin e vërtetë të Profetit, sunnitë e kanë marrë sikur ai ka pasur parasysh Bin Hanefien. (Tankih ul-mekal, Vol. 3. Pj. I, f. 112)

 

Sidoqoftë, Muhammed bin Hanefia ishte i shquar në devocion dhe veprim të drejtë, i lartë në vetëpërmbajtje dhe adhurim, i dalluar në dije e arritje dhe trashëgimtar i trimërisë së të atit. Bëmat e tij në betejat e Xhemelit e të Siffinit ia kishin ngritur aq shumë famën midis Arabëve, saqë nga emri i tij dridheshin edhe luftëtarët më të famshëm. Vetë Imam Aliu krenohej me guximin dhe trimërinë e tij dhe e vendoste gjithmonë në ballin e përleshjeve. Sheikh Bahai ka shkruar në ‘Kashkul’ se Ali ibn Ebi Talibi e mbante në krah të vetes në beteja, kurse Hasanin dhe Huseinin nuk i lejonte të dilnin në vijë të parë, duke thënë: “Ai është djali im, kurse këta të dy janë djemtë e të Dërguarit të Zotit”. Një herë një harixhit i tha Bin Hanefies se Aliu hidhte atë në zjarr të betejës, kurse Hasanin e Huseinin i mbante larg tij. Bin Hanefia u përgjigj që ai ishte dora e djathtë e Aliut, kurse Hasani e Huseini - dy sytë e tij; dhe ishte e natyrshme që Aliu t’i mbronte sytë e tij me dorën e tij të djathtë.

 

Alame Mamghani shkruan në Tankih ul-Mekal, që kjo përgjigje e Bin Hanefies ishte në fakt e vetë Imam Aliut. Ai pretendon se në Siffin Muhammedi është shprehur i pakënaqur te Imam Aliu për një gjë të tillë, por ky i paska thënë: ”Ti je dora ime e djathtë, kurse ata janë sytë e mi; dhe dora duhet t’i mbrojë sytë”. Po ka më shumë mundësi që këtë shprehje ta ketë thënë Imam Aliu e më pas dikush tjetër t’ia ka bërë të njohur Muhammed bin Hanefies, i cili e ka përdorur kur i është dashur; kjo për faktin se vështirë të gjesh thënie më elegante sesa kjo, e është pikërisht kjo elegancë e saj që konfirmon se autor i saj është Imam Aliu dhe elokuenca e tij. Duket se Muhammed bin Hanefia e ka përdorur këtë shprehje vetëm më vonë. Sidoqoftë, të dyja këto versione mund të konsiderohen korrekte dhe midis tyre nuk ka të çara.

Muhammed bin Hanefia është lindur gjatë sundimit të Kalifit të Dytë dhe ka vdekur në moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare, gjatë sundimit të Abdul-Malik bin Merwanit. Disa historianë e regjistrojnë vdekjen e tij më 80 H., disa të tjerë në vitin 81 H. Ka mendime të ndryshme dhe lidhur me vendin e vdekjes së tij. Disa thonë që ka vdekur në Medinë, disa në Eila, dhe disa të tjerë në Taif.

 

........................................

 

(II) Kur Imam Aliu dërgoi Muhammed bin Hanefien në fushën e betejës së Xhemelit, e porositi të ngulej përpara armikut si një mal vendosmërie e qëndrueshmërie, në mënyrë të atillë, që sulmi i armikut të mos mund ta shkulte dot dhe që armikun ta mësynte dhëmbështërnguar, sepse dhëmbët e shtërnguar i tensionojnë nervat e kafkës dhe kjo e bën më të ashpër goditjen e shpatës. Këtë gjë Imam Aliu e ka thënë edhe diku tjetër: “Shtërngoni dhëmbët fort, kjo e bën më të mprehtë tehun e shpatës”. Pastaj ai thotë: “Biri im, besoja Zotit kokën tënde, sepse kështu do ta fitosh bekimin e jetës së përjetshme në vend të së këtushmes, dhe se për çdo gjë të huazuar lind e drejta e marrjes mbrapsht të saj.

Prandaj të luftosh i shkujdesur për jetën tënde, sepse po ta kesh mendjen tek jeta, do ngurrosh të shkosh përpara, drejt ndeshjeve vendimtare, dhe kjo do t’i bënte dëm famës e trimërisë tënde. Ki mendjen, mos lejo të hedhësh hapa të pavendosura, se kur të merren këmbët ty, armiku trimërohet. Hapat e tua të pavendosura u japin krahë këmbëve të armikut. Syno në radhët e fundit të armikut, që armiku të tromakset nga madhështia e synimit tënd. Në këtë mënyrë do ta kesh më të lehtë që të çash mes rreshtave të tij, në këtë mënyrë lëvizjet e tij nuk do t’u mbeten të fshehta syve të tu.

Mos i kushto vëmendje epërsisë së tij në numër, sepse kjo mund ta dobësojë guximin dhe trimërinë tënde”. Kjo thënie mund të ketë edhe kuptimin që sytë s’duhen mbajtur tepër të hapur, se verbohen nga shkëlqimi i armëve dhe armiku përfiton nga kjo e hidhet në mësymje. “Dhe mbaj mend gjithashtu, biri im: Fitorja vjen prej Zotit: ‘Në qoftë se Zoti të ndihmon, nuk ka gjë të të mposhtë’. Prandaj, në vend që t’u besohesh gjërave materiale, kërko ndihmën dhe përkrahjen e Tij”.

“Askush nuk ju mposht dot, në qoftë se ju ndihmon Zoti.” (Kur’ani, 3:160).