Kushtetuta e politikës Islame

Autori i tij është Imam Aliu, dijetari më i shquar i Ligjit Hyjnor, pas Profetit, ai që ka vepruar më shumë se çdokush tjetër mbi bazën e këtij Ligji

 

 

 

Kjo letër përbën ungjillin e principeve të administrimit sipas Kur’anit, që ka për synim vendosjen e një qeverisjeje të mirë e njerëzore. Kodi që ajo përmban, hedh dritë mbi aspektet e ndryshme të drejtësisë, ndihmës sociale dhe mëshirës; ai është një ligj i bazuar në logjikën e qeverisjes së arsyeshme e të devotshme, ku njerëzve u jepet drejtësi e mëshirë pavarësisht nga klasa, meritat dhe raca, ku varfëria nuk është as turp e as disavantazh, dhe ku drejtësia nuk paralizohet nga nepotizmi, favoritizmi, provincializmi dhe fanatizmi fetar; së fundi, ai është një përmbledhje vlerash morale. Duke diskutuar për këtë letër, filozofi, shkrimtari, poeti dhe juristi i famshëm kristian Abdul-Mesih el-Anthaki, i cili ka vdekur aty nga fillimi i shekullit të 20-të, thotë: “Ajo përmban një kod shumë më të mirë e më të përpunuar se ai që na kanë lënë Moisiu dhe Hamurabi. Ky kod tregon se si duhet të jetë një administratë e njerëzishme dhe si duhet të funksionojë; ai përligj pretendimet e muslimanëve, sipas të cilave Islami kërkon të vendosë një administratë të perëndishme - të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit; dhe ai kërkon që sundimtari të sundojë jo për përmbushjen e ambicjeve e të kënaqësive të tij, por për t’u sjellë shtetasve lumturi, gjë që nuk është synuar nga asnjë fé tjetër përpara Islamit. Aliu duhet përgëzuar që futi parime dhe praktika të tilla në qeverinë e tij, si dhe për faktin që i hodhi në letër për brezat e së ardhmes”. 

 

Me Emrin e Zotit, të Dhembshurit, Mëshirëplotit. Kjo është ajo që shërbëtori i Zotit, Aliu, Prijës i Besimtarëve, i urdhëron Malik bin Harith el-Eshterit në qarkoren që i drejton, me të cilën e bën governator të Egjiptit për administrimin e të ardhurave të tij, luftimin e armiqve të tij, mirëqenien e popullit të tij dhe lulëzimin e qyteteve të tij. Ai e porosit t’i përkushtohet Zotit, të pëlqejë bindjen ndaj Tij dhe të përmbushë ç’është urdhëruar në Kur’an përmes porosive të Tij të detyrueshme e të këshillueshme, prijëset e vetme për në virtyt, pa u bërë i ashpër kurrë, përveçse kur luftohet e padrejta dhe shpërfillet e drejta, dhe pa ia kursyer Zotit të Lavdishëm mbështetjen me anë të zemrës, dorës e gjuhës, sepse Zoti ka marrë përsipër me Emrin e Tij të Madh që të ndihmojë këdo që e mbështet dhe të mbrojë këdo që e përkrah Ai e porosit gjithashtu që ta shqitë zemrën nga pasionet dhe ta mbajë nën kontroll sa herë që ato ndizen e gjallërohen, sepse zemra të shpie drejt së keqes, po të mos ketë Zoti mëshirë.

 

Njeriu me pushtet

 

Pra dije, o Malik, se të kam caktuar në një vend ku ka patur qeverisje dhe përpara teje, si të mira ashtu dhe të këqija. Tani njerëzit do shohin çfarë bën ti, ashtu si ke parë ti sundimtarët para teje, dhe do të të qortojnë, ashtu si ti ata. E dihet se të virtytshmit njihen nga fama që Zoti ua ka përhapur gojë më gojë në popull. S’ka dyshim që kamjen e vërtetë mund ta sjellë vetëm bollëku i punëve të mira. Prandaj, mbaji pasionet nën kontroll dhe mos e ler zemrën të bëjë atë që s’të lejohet të bësh. Se zemrën do mund ta mbash në zap, vetëm kur t’i qëndrosh së mesmes mes asaj që ajo do, dhe asaj që ajo nuk do.

 

Mësoje zemrën me mëshirë për shtetasit dhe dhembshuri e mirësi kundrejt tyre. Mos u sill me ta si ato bishat gjakësore, që ndihen të nginjura vetëm pasi shqyejnë. Se njerëzit janë dy llojesh: Ose vëllezër të tu në fé, ose të ngjashëm të tu në krijim. Ata edhe do shkasin e futen në udhë të gabuar dhe mund të bëjnë të këqija sepse s’bëjnë kujdes, apo edhe me qëllim. Pra, jepua faljen dhe ndjei me po atë arsye që të shtyn t’i kërkosh Zotit falje dhe ndjesë për vete, sepse ti je mbi ta siç është Imami yt mbi ty, ndërkohë që Zoti është mbi ty dhe mbi atë që të ka caktuar ty. Ai të ka besuar mbarëvajtjen e punëve të tyre dhe të ka vënë në provë përmes tyre.

 

Mos e shko ndërmend t’ia kalosh Zotit në prestigj e të guxosh t’i dalësh kundër, sepse nuk ke fuqi të shmangësh dot Ndëshkimin e Hakmarrjen e Tij dhe nuk mund të bësh dot kurrë pa Ndjesën e Mëshirën e Tij. Mos u pendo kur fal, dhe ji i mëshirshëm në ndëshkim. Mos vepro nxitimthi kur je me inat, po gjej njëherë mënyrën, si të qetësohesh. Mos thuaj, ‘mua më është dhënë autoritet, pra duhet të më bindeni kur urdhëroj’, se kështu thyen zemrat, shthur fenë dhe rrënon veten.

(Ky pretendim të detyron të kërkosh mbështetje në forca të tjera, jo nga Zoti. Natyrisht, Zoti nuk mund ta pëlqejë një gjë të tillë. Këto forca të tjera mund të jenë qeveria, partia apo grupe të ndryshme personash, që, në këto kushte, do mund të shndërroheshin në qeveri, parti e grupe servilësh. Në fakt, kjo është rruga e vendosjes së diktaturave personale ose e rënies në kaos e shthurje, gjë që përbën regres e rrënim edhe për vetë sundimtarin)

E nëse pushteti që ke të bën krenar e arrogant, shiko pushtetin e pafund që Zoti ka mbi ty e që ti nuk e ke as mbi veten. Kjo do ta frenojë vanitetin tënd, do ta kurojë sëmundjen tënde dhe do ta kthejë mbrapsht urtësinë që të ka ikur. Ki kujdes, mos e mat veten me Zotin në Madhështinë e Tij e mos e përqas veten me Zotin në Pushtetin e Tij. Zoti mëgjunj këdo që do pushtet, dhe përul këdo që ndihet kryelartë. Jepja Zotit hakun dhe jepua njerëzve hakun njësoj si vetes tënde e atyre që ke më pranë, apo atyre, për të cilët ndien simpati. Po të mos bësh kështu, do kthehesh në tiran. Dhe kur njeriu tiranizon krijesat e Zotit, armik i tij bëhet vet Zoti, jo më krijesat e Tij. Dhe kur Zoti armiqësohet me dikë, nuk i njeh më përligjje, por e lufton deri sa të jepet e pendohet. Asgjë s’e kthen më shpejt në mllef mëshirën e Zotit e s’e bie më afër shpagimin e Tij, sa vijimësia e shtypjes. Zoti e dëgjon lutjen e të shtypurit dhe e mban tiranin në vëzhgim të paprerë.

 

Arti i drejtimit

 

Lakmo të ecësh më shumë në rrugën që është më e paanshme në lidhje me të drejtën, më e gjithanshme në bërjen e drejtësisë, dhe më e favorshme në sigurimin e mbështetjes së popullit; se pakënaqësia e njerëzve të thjeshtë nuk do t’ia dijë për argumente, ndërkohë që kundërshtimi i pak njerëzve të rëndësishëm edhe mund të shpërfillet, po qe se ndjen pas shpine mbështetjen e njerëzve të thjeshtë. Sepse asnjë shtetas tjetër nuk është për sundimtarin më i bezdisshëm në çështjet e jetës së përditshme, më pak i gjendur në vështirësi, më armiqësor ndaj trajtimit të paanshëm, më i ngjitur në kërkimin e favoreve, më pak mirënjohës në kohën e shpërblimit, më i paqartë në shkaqet e mospranimit dhe më i paqëndrueshëm në çaste delikate, sesa njerëzit e elitës. Janë njerëzit e zakonshëm të shoqërisë shtyllat e fesë, fuqia e vërtetë e muslimanëve dhe mburoja kundër armiqve. Prandaj simpatitë e tua duhet të jenë për ta dhe prirja jote duhet të jetë drejt tyre.

 

Midis shtetasve, më larg prej teje dhe më i keqi në sytë e tu duhet të jetë ai që merret me zhbirimin e të metave të të tjerëve. Të gjithë njerëzit kanë të meta, por sundimtar është ai që di t’ua mbulojë. Mos nxirr në dritë çdo gjë që të rri fshehur, sepse detyra jote është të ndreqësh atë që mund të shikosh, sepse me të fshehurën merret vet Zoti. Pra, mbuloua sa të mundesh të metat, e Zoti do fshehë për ty të metat që nuk do doje t’i dinin të tjerët. Zgjidhi të gjitha nyjet e urrejtjes në popull dhe shkul nga vetvetja çdo rrënjë që pjell mëri. Shtiru si i paditur për gjërat që s’i ke ende të qarta.

Mos nxito t’u shkosh llafeve pas avazit,(Mos nxito t’u besosh lajmeve që ata të sjellin, apo këshillave që ata të japin.) se përgojuesi bën hile, ndonëse të hiqet dashamirës.

 

Bashkëpunëtorët

 

Mos bëj këshilltarë të tu njerëz zemërvegjël, që ta presin hovin e bujarisë me frikën e varfërimit, as njerëz të tromaksur, që të bëjnë të ndihesh i squllët në drejtim, as persona të pangopur, që ta bëjnë të bukur mbledhjen e pasurive në rrugë të padrejta; sepse kopracia, frika dhe lakmia janë cilësi të ndryshme, por kanë të njëjtin thelb në pikëpamje të idesë së gabuar që krijojnë për Zotin.

 

Më i keqi ministër për ty do të ishte ai që u ka shërbyer atyre që drejtuan keq përpara teje e që u bashkua me ta në mëkat; prandaj mos e bëj një të tillë njeriun tënd të rëndësishëm, sepse do t’u bëhet të ligjve krah dhe tiranëve vëlla. Gjej në vend të tij një që ka zellin dhe autoritetin e tij, por jo dhe mëkatet e veset e tij; gjej atë që s’i ka ndihmuar kurrë tiranët në tiraninë e tyre, as mëkatarët në mëkatin e tyre; atë që do t’i kursejë shqetësimet dhe do të bëhet mbështetja jote më e mirë; atë që do të ketë respektin më të lartë ndaj teje e s’do ta mbajë mendjen tek të tjerët. Pra, të tillë t’i zgje-dhësh bashkëpunëtorët e tu më të ngushtë, si në jetën private dhe në atë publike.

 

Më të mirët për ty midis tyre do jenë ata që ta thonë hapur të vërtetën e që nuk të përkrahin në ato punë që Zoti ua ndalon njerëzve të Tij, dhe jo ata që të vijnë pas qejfit e që pajtohen me çdo gjë që bën e thua ti. Mbaj pranë ata që i druhen Zotit e që e duan të vërtetën. E, më në fund, mos mëso njeri të të lëvdojë e lajkatojë për veprime që nuk i ke bërë, sepse teprimi në lavde shpie në krenari dhe krenaria shpie në arrogancë.

 

Mos u jep të njëjtin pozicion e trajtim njerëzve të virtytit e të vesit, ndryshe i virtytshmi zvjerdhet prej virtytit, ndërkohë që perversi gjen mbështetje për vesin e tij. Jepi secilit vendin që i takon. Ajo që i jep më shumë nam të mirë sundimtarit midis shtetasve të tij është sjellja e mirë ndaj tyre, lehtësimi i vuajtjeve të tyre dhe shmangia e sakrificave të mëdha prej tyre. Prandaj ec rrugëve që lënë përshtypje të mirë tek njerëzit, se kjo t’i lehtëson problemet e mëdha. Dhe ta dish, që opinioni më i besueshëm është i atij, ndaj të cilit nuk ke qenë dhe aq i ëmbël.

 

Mos i prish traditat e mira, që kanë krijuar njerëzit e hershëm të komunitetit, në sajë të të cilave ata lulëzuan e ndërtuan bashkim të fortë. Mos fut në jetën e tyre praktika që mund t’i cenonin, përndryshe mirënjohja do t’u shkonte vetëm krijuesve të tyre, kurse ty do të të mbetej vetëm barra e zhdukjes së tyre. Mbaj përherë kontakte me dijetarët e të urtët dhe diskuto me ta, si të lulëzohet vendi e të pasurohet përvoja që i dha jetë veprës së brezave të shkuar.

 

Shtresat shoqërore Dije që popujt përbëhen nga grupe që përparojnë vetëm me ndihmën e njëri-tjetrit e që s’ekzistojnë dot pa njëri-tjetrin. Në ta bëjnë pjesë ushtria e Zotit, drejtuesit që qeverisin punët e njerëzve të thjeshtë, së bashku me nëpunësit e tyre, pastaj ata që bëjnë drejtësinë e punojnë për ligjet dhe rendin, mbledhësit e taksave e të ardhurave nga muslimanët e thjeshtë dhe paganët që janë nën mbrojtjen e Islamit, tregtarët dhe njerëzit e prodhimit dhe, së fundi, klasa më e ulët e nevojtarëve dhe mjeranëve. Zoti e ka fiksuar pjesën e secilit me Librin e Tij (Ne Kur'an) e praktikën e Profetit të Tij, duke shpallur të drejtat dhe detyrat e çdo grupi në një rregullore që duhet respektuar e mbajtur parasysh.

 

E pra, me vullnet të Zotit, ushtria është fortesa e popullit, stolia e sundimtarëve, fuqia e fesë dhe garanti i paqes. Populli nuk e ruan dot pa të ekzistencën e tij, po dhe ushtria nuk mund të mbahet, veçse me fondet që caktoi Zoti në të ardhurat e tij; me to ajo forcohet për të luftuar kundër armiqve, në to mbështetet për pajisjen e saj dhe ato përmbushin nevojat e njerëzve të saj. Këto dy shtresa nuk mund të bëjnë pa një grup të tretë, që janë gjykatësit, përmbaruesit dhe sekretarët, të cilët marrin vendime për kontratat, mbledhin të ardhurat dhe trajtojnë çështje të veçanta e të përgjithshme.

 

Por pa tregtarët e prodhuesit s’mund të ekzistojë asnjë prej tyre, sepse ata i sigurojnë mjetet e nevojshme, krijojnë tregjet dhe u mundësojnë njerëzve të mos merren vetë me gjithë këto gjëra. (Një koncept mjaft i përpunuar i ndarjes së punës në shoqërinë njerëzore)

Pastaj është dhe shtresa më e ulët e të varfërve dhe mjeranëve. Ndihma dhe mbështetja e tyre përbën detyrim për hir të Zotit, sepse secili nga ata ka pjesë në mjetet e jetesës dhe secili nga ata e ka tek sundimtari të drejtën e tij për çfarë i duhet për të jetuar normalisht. E sundimtari nuk mund ta shfajësojë veten për detyrimet që i ka vënë Zoti në këtë pikë, veçse duke u përpjekur, duke kërkuar ndihmë prej Tij, duke e vënë veten në anën e së drejtës dhe duke bërë durim për gjërat që kanë të bëjnë me këtë çështje, qofshin ato të lehta apo të vështira.

 

1. Ushtria

 

Cakto të komandojë njerëzit e tu (Në ushtri) atë që ti mendon se është besnik i paepur i Zotit, Profetit të Tij dhe Imamit tënd, atë më të dëlirin në zemër e më të lartin në qëndresë, atë që është i ngadalshëm në të zemëruar, që pranon ndjesë, që është i ëmbël me të dobëtin dhe i pamposhtur me të fortin; atë që dhuna s’e shpie në ekstazë dhe dobësia s’e rrëzon në limontí. Të tillët si ky kërkoi në familjet e larta e shtëpitë me virtyte e tradita të hijshme, prandaj mbaj shoqëri me njerëz kurajozë, trima, bujarë e mirëdashës, sepse ata janë bastione të nderit dhe burime të virtytit. E, pasi t’i gjesh, kujdesu për punët e tyre ashtu si kujdeset prindi për fëmijën e tij. Asgjë që ke bërë për të mirën e tyre, s’duhet gjykuar si e madhe, dhe asgjë që ke marrë përsipër të bësh për të, s’duhet gjykuar e vogël (Aq sa pastaj të heqësh dorë prej saj.) qoftë edhe sikur të jetë vërtet e vogël. Kjo do t’i bëjë besnikë të tu për kokë dhe do krijojë mendim të mirë për ty. Mos ler pas dore përkujdesjen për problemet e tyre të vogla, duke u harruar në problemet e tyre të mëdha, sepse për ta kanë vlerë edhe favoret e tua të vogla, kurse angazhimet e mëdha janë vetë të atilla, që nuk mund të shpërfillen.

 

Vendos në postet më të larta ata që ndihmojnë njësoj të gjithë luftëtarët e shpenzoj-në për ta e për familjet e tyre që mbeten pas, që të mos kenë merak tjetër, përveç shkatërrimit të armikut. Vetëm me mirësi do t’i kthesh e lidhësh pas teje zemrat e tyre. Gjëja më e pëlqyer për një prijës është bërja e drejtësisë në sektorin që drejton dhe fitimi i besimit të vartësve; e nëse zemrat janë të pastra (Pa dyshime, pakënaqësi e urrejtje) këto arrihen vetvetiu. Pastaj ata bëhen gardh rreth tij për t’ia mbrojtur jetën me jetët e tyre, duke dëshmuar fisnikërinë e përkushtimit të tyre ndaj tij. Pra, askush s’e sheh si barrë detyrën e tij e s’e pret me padurim ditën kur s’do të jetë më vartës i tij. Prandaj, ji i gjerë në gjërat që duan, jepu zemër e tregoju bëmat e mira të atyre që kanë bërë të tilla, sepse shem-bulli i mirë ngjeth guximtarët dhe trimëron të dobtit. Mate veprën e secilit veç e veç, mos ia vish punën e njërit tjetrit dhe mos e ul shpërblimin nën nivel të punës. Mos i shih si të mëdha punët e vogla të eprorëve të tyre, e si të vogla punët e mëdha të vartësve të tyre. Besoja Zotit e Profetit të Tij (Në zgjidhjen e problemeve këshillohu me Kur’anin dhe praktikën e Profetit të Shenjtë.) problemet e mprehta dhe çështjet e paqarta, sepse Zoti u ka thënë njerëzve që donte t’i shpinte në udhën e mbarë: “O ju që besoni! Bindjuni Zotit, bindjuni Profetit dhe bindjuni të veshurve me pushtet midis jush; e në se pas kësaj nuk do pajtoheni në diçka, drejtohuni për të te Zoti e Profeti, në besofshi tek Zoti e Dita e Fundit” (E Gjykimit të Fundit.) (Kur’ani, 4:59). Këtu, t’i drejtohesh Zotit do të thotë të veprosh në pajtim me atë që shpreh qartë Libri i Tij, dhe t’i drejtohesh Profetit do të thotë të veprosh në pajtim me Sunnetin e tij, të pranuar nga të gjithë.

 

 2. Drejtësia

 

Zgjidh për sheshimin e mosmarrëveshjeve të njerëzve më të shquarit ndër njerëzit e tu. Ai që merret me këtë punë, nuk nervozohet nga problemet që duhet të zgjidhë. Hetimi s’ia sos dot durimin dhe s’është kryeneç (Duke qëndruar në një pozicion të gabuar, vetëm sepse është pozicioni yt ose për shkak të interesave të tua, jo të drejtësisë) nëse tregohet këmbëngulës. Ai s’e ka të vështirë ta pranojë të vërtetën sapo e shquan, lakmia s’ia err sytë e nuk kënaqet me vlerësime të cekëta të çështjeve, por thellohet mirë në to, është i gatshëm të ndalet në pikat e dyshimta dhe tregohet i vëmendshëm ndaj provave. Atë s’e nervozojnë, as e neveritin grindjet e ngatërrestarëve, se është i durueshëm në zhbirimin e mistereve dhe i guximshëm kur vjen koha për vendim. Atij s’i rritet mendja nga lëvdatat, dhe lajkat s’e bëjnë dot të anshëm. Njerëz të tillë ka pak, prandaj vendimet e tyre t’i kontrollosh shpesh e t’i shpërblesh sa të mos kenë shfajësim (Pse nuk kanë qenë të ndershëm) e të mos drejtohen tek ata që gjykojnë për të zgjidhur hallet që kanë. Jepu rang e prestigj në rrethin tënd, që të ndihen të mbrojtur nga kërcënimi i pushtetarëve (Në fakt ky përbën principin e pavarësisë së organeve gjyqësore nga pushtetet e tjera, që është një nga tiparet kryesore të shtetit të sotëm demokratik) të tu e të mos kenë frikë nga hakmarrjet e tyre. Në këto gjëra duhen sy të mprehtë, sepse kjo fé ka qenë peng (Përdorej për të arritur përfitime të natyrave të ndryshme në emër të saj. Në këtë mënyrë krijohen qeveri - monstra, që s’janë gjë tjetër veçse grupime mafioze njerëzish në pushtet, të cilët grumbullojnë pasuri dhe bëjnë një jetë të shthurur në marrëveshje me njëri-tjetrin.) i njerëzve perversë, sa kohë që punët bëheshin pas qejfit dhe kamja ishte e vetmja vlerë e kësaj bote.

 

3. Aparati ekzekutiv

 

 Pas kësaj, vendos për nëpunësit që merren me zbatimin e vendimeve. Jepe këtë post vetëm si t’i kesh vënë në provë e mos bëj emërime për hatër e favore, sepse kështu vret nderin dhe drejtësinë. Zgjidh nga ata që kanë përvojë e thjeshtësi, pinjollë të familjeve të virtytshme e që janë futur herët në Islam, sepse të tillët kanë nder të pastër dhe dinjitet. Njerëz si këta shohin fundin tek çdo gjë, (Efektet dhe pasojat e tyre) prandaj dhe s’priren drejt lakmisë.

Dhe jepu mjete të bollshme jetese, (Me anë të pagës.) që të përmbahen e të mos shkojnë ndër mend të vënë dorë mbi fondet që kanë nën kontroll. Kështu do kesh një argument kundër tyre, nëse s’u binden urdhrave të tua e nëse shkelin besimin tënd. Mbaje nën kontroll punën e tyre dhe vuru pas shpine spiunë besnikë e të besueshëm, sepse përgjimi është mjeti që i bën të ta ruajnë besën e të sillen njerëzisht. Ruhu nga nëpunësit e pandershëm. Nëse ndonjë prej tyre shtrin duart drejt abuzimit e kjo provohet nga raportet e agjenturës, ato duhen parë si prova të mjaftueshme. Atëhere ndëshkoje trupërisht e merrja prapë atë që ka marrë, pastaj vendose në një vend të turpshëm, (Poshtërimi dhe ndëshkimi i tij duhet bërë publikisht.)  fute në listën e zezë, si të fajësuar për shpërdorim, dhe shtërngoje të mbajë kularin e turpit për krimin që ka bërë.

 

4. Ekonomia

 

Bëj kujdes në mbledhjen e tatimeve. Paguaji mirë nëpunësit e tyre, sepse nga mirëqenia e tyre varet mirëqenia e të gjithë shoqërisë. Askush s’mund të ketë bollëk pa punën e tyre, se shteti mbahet nga tatimet dhe nga paguesit e tyre. E kjo nënkupton që të kujdesesh më shumë për kultivimin e arave se për mbledhjen e tatimeve, se s’ka të ardhura pa bujqësi. Kush kërkon të ardhura në rrugë tjetër, rrënon vendin, mjeron njerëzit dhe shkurton ditët e sundimit të vet.

E nëse ka ankesa për detyrimet, (E taksave.) sëmundjet, mungesën e teprinë e ujit apo varfërimin e tokës, përmbytjet e thatësirat, kthejua prapë tatimet në masën që nevojitet për të ndrequr gjendjen. Mos shpenzo me gjysëm zemre fonde që shkojnë për përballimin e fatkeqësive, sepse ky është investim që rikthehet në formën e lulëzimit dhe përparimit të vendit tënd, përveç që do fitosh nderimin e shtetasve e paqen e drejtësisë që bëre për ta. Ky investim për lehtësimin e halleve të tyre dhe drejtësia që u dhe do të të japin të drejtën të kërkosh prej tyre dhe të gëzosh besimin e tyre. Mund të ndodhë të të nevojitet ndihma e tyre, e ata do të jenë të lumtur të ta japin, sepse mirëqenia përball gjithçka (Vini re konceptin modern të Imam Aliut për rolin përcaktues të ekonomisë në fuqinë e një shteti. Ndofta është hera e parë në historinë e mendimit njerëzor që shoqëria njerëzore shikohet me një realizëm të tillë.) që i kërkon. Kur bujqit varfërohen vendi rrënohet; por ata varfërohen edhe kur nëpunësit e kanë mendjen vetëm t’u marrin taksa, pa kuptuar që kjo shteron çdo shpresë për t’i mbajtur gjatë postet e tyre dhe pa nxjerrë dobi nga shenjat që ndjellin keq.

 

5. Shërbimi burokratik

 

Pastaj kujdesu për bashkëpunëtorët dhe sekretarët e tu. Cakto njerëz të zgjedhur për t’u marrë me punët e tua. Besoja dokumentet e tua një njeriu me karakter të lartë, sidomos ato që kanë sekrete e lidhen me politikën; një njeriu që s’ekzaltohet nga besimi që i jepet, dhe që nuk thotë fjalë që do mund të prishnin punë në mjediset publike. Atij s’i lejohen parregullsitë në paraqitjen e raporteve të zyrtarëve e në përcjelljen korrekte të vendimeve që janë marrë për probleme të ardhurash e pagesash. Atij s’i lejohet të bëjë në emrin tënd ujdira që janë në dëmin tënd. Atij s’i lejohet ngurrimi në mospranimin e marrëveshjeve që janë në dëm tënd. Atij s’i lejohet të mos njohë kompetencat që ka në lidhje me çështje të ndryshme, sepse ai që nuk e di se çfarë i lejohet, është shumë më i paditur kur bëhet fjalë për të tjerët.

Prandaj mos zgjidh me hamendje apo për hir të afërisë e përshtypjes tënde të mirë. Shpesh njerëzit gjykohen nga sjellje të shtira dhe shërbime personale, por kjo nuk ka të bëjë me qëllimet e mira e besimin. (Që i duhen një funksionari shtetëror.) Është më mirë t’i gjykosh nga ç’kanë bërë nën drejtimin e njerëzve të virtytshëm, që punuan me ta përpara teje. Vendos pro atyre me emër të mirë mes njerëzve të thjeshtë dhe me nam për ndershmëri. Kështu do dëshmosh nderimin tënd për Zotin dhe atë, (Imamin tënd.) në emër të të cilit je në atë post. Cakto në krye të çdo seksioni njerëz me dije e përvojë të madhe, që nuk hutohen nga punët e mëdha e nuk shastisen nga moria e telasheve. Nëse nëpunësit e tu bëjnë gabime që ti nuk kujdesesh për t’i shmangur e ndrequr, përgjegjësia e tyre kalon përmbi ty.

 

6. Tregtia dhe prodhimi

 

Dhe tani ca këshilla për tregtarët e zejtarët. Trajtoi mirë këta njerëz dhe këshilloi, qofshin të ngulur, (Tregtarë me dyqane.) shitës ambulantë apo zejtarë, (Zanatçinj e punëtorë të punës së krahut.) sepse prej tyre burojnë të ardhurat dhe vijnë mallrat e nevojshme që nga vende të largëta e të panjohura, në rrugë detare e tokësore, nëpër fusha e male, dhe prej viseve ku të tjerët nuk shkojnë dot e as guxojnë që të nisen. Dhe kjo, sepse janë njerëz paqësorë, s’përzihen në trazira dhe nuk e njohin pabesinë. Kujdesu për ato punë të tyre që kanë të bëjnë me ty, pavarësisht se ku ndodhen në territoret që ke nën kontroll. Po mos harro, ndërkaq, që pjesa e tyre më e madhe janë mendjengushtë, egoistë dhe dorështërnguar. Shpesh heqin mallra mënjanë për të rritur fitimet dhe vendosin çmime të larta. Veprimet si këto u sjellin njerëzve kokëçarje dhe njollosin nëpunësit që janë ngarkuar të merren me ta. Mos i lejo të fshehin mallra, sepse Profeti e ka ndaluar këtë gjë. Shitja duhet bërë me mirësjellje, me pesha e çmime korrekte dhe pa i hyrë në hak asnjërës palë. Kushdo që fsheh mall (Për spekullim.) pasi është ndaluar fshehja e tij, duhet dënuar rreptë për aq sa ka bërë shkelje, qoftë shitës apo blerës.

 

7. Të varfrit

 

Mbaje Zotin parasysh në lidhje me shtresën më të ulët, atë që përbëhet nga njerëz me pak mjete jetese, nga të varfër dhe mjeranë, nga ata që s’kanë grosh në xhep dhe nga të gjymtuar. Kësaj shtrese i përkasin të pakënaqurit dhe ata që vetëm lypin. Për hir të Zotit, përmbushi detyrimet që Ai ka ndaj tyre e që t’i ka lënë ty në dorë. Cakto për ta një pjesë të fondeve publike, si dhe një pjesë tjetër nga prodhimet që vijnë si plaçkë lufte nga vendet e tjera, sepse këto u takojnë njësoj të gjithëve, të largët a të afërt qofshin. Këta njerëz janë ata, për të drejtat e të cilëve ti do përgjigjesh, prandaj as posti dhe as jeta jote private nuk duhet të të mbajnë larg tyre. S’të lejohet të përligjësh lënien pas dore të problemeve të vogla, ngaqë trajton probleme të mëdha. Prandaj, mos ji shpërfillës me ta e mos ua kthe shpinën me arrogancë.

 

Kujdesu për problemet e atyre që s’të afrohen dot, ngaqë kanë pamje të pakëndshme dhe sëmundje të liga, apo sepse mbahen si tepër të ulët. (Sipas vizionit të Imam Aliut, asnjë qenie njerëzore, sado e padenjë për të jetuar në shoqërinë njerëzore, nuk duhet lënë jashtë përkrahjes së shoqërisë.) Caktoju kujdestarë të besuar, të përvuajtuar e të përkushtuar ndaj Zotit dhe kërkoju raport për gjendjen e tyre. Sillu me të mjerët me shqetësimin e përgjegjësisë ndaj Zotit në Ditën kur do t’i dalësh përpara, sepse janë ata që e meritojnë më shumë vëmendjen dhe përkrahjen tënde nga gjithë shtetasit e tjerë. Por mos lër mënjanë as të drejtat e ca mjeranëve të tjerë, për të cilët do përgjigjesh veçmas përpara Zotit. Kujdesu për jetimët dhe të moshuarit, që s’kanë asnjë mjet jetese e që as të lypin s’mundin dot. Nuk është e lehtë për njerëzit e tu që ta përballin këtë detyrë; në fakt, çdo e drejtë është e rëndë, po Zoti ua bën të lehtë atyre që e duan botën tjetër, që durojnë (Vështirësitë.) për hir të saj, dhe që besojnë në përmbushjen e premtimit të Tij.

 

Cakto një kohë për ata që duan të ankohen. Gjatë saj të merresh vetëm me ta, të ulesh pranë tyre e ta ndiesh veten të përvuajtur për hir të Zotit që të ka bërë. Dhe kujdesu që t’i largosh ushtarët, rojet dhe policët, që ai që do të të flasë, të të flasë pa drojtje. Sepse kam dëgjuar Profetin e Zotit të përsëriste shpesh: “Nuk mund të jetë kurrë i pastër një popull, që s’e siguron të drejtën e të dobëtit përmes frikësimit të më të fortit”. Duroje ngathtësinë dhe paaftësinë e tyre në të shprehur, shmange ngushtësinë dhe fodullëkun, dhe kështu do fitosh mëshirën e Zotit dhe shpërblimin e bindjes ndaj Tij. Çfarëdo lloj gjëje që t’u japësh, jepua me gëzim, dhe kur t’u kundërshtosh, bëje me mirësjellje e duke u kërkuar ndjesë.

Por ka dhe disa punë, të cilave nuk mund t’u shmangesh e duhet t’i bësh vetë. Midis tyre janë përgjigjet për letrat e nëpunësve dhe të besuarve të tu, kur kjo është jashtë aftësive dhe kompetencave të sekretarëve të tu. E nëse mëson se njerëzit e tu s’kujdesen sa duhet për hallet e shtetasve, merri ti vetë në dorë problemet e tyre. Mbaroje çdo ditë punën e caktuar për atë ditë, sepse çdo ditë ka punën e saj.

 

Marrëdhëniet me Zotin

 

Ruaj për vete pjesën më të mirë e më të madhe të kohës për t’ia kushtuar adhurimit të Zotit, megjithëse të gjitha këto punë shprehin adhurim ndaj Tij, përderisa bëhen me qëllimin e mirë për t’u ndihmuar krijesave të Tij. Ajo që jep dorë më shumë në mbajtjen pastër të besimit, është përmbushja e detyrimeve që lidhen vetëm me Zotin. Prandaj kushtoi kësaj pune një pjesë të energjive të tua, ditën apo natën, dhe kujto që adhurimi që të jep afërsinë e Zotit, është i plotë e pa të meta e mungesa, sado mundim që të kërkojë. E kur drejton lutjet në publik, kujdesu të mos jenë tepër të gjata, sa të ngjallin mërzi, por jo dhe të shkurtra e sa për sy e faqe; sepse në popull mund të ketë të sëmurë dhe njerëz që s’u pret puna. Kur më nisi për në Jemen i Dërguari i Zotit, e pyeta si t’i bëja lutjet me njerëzit. Ai më tha: “Si më i pafuqishmi midis tyre dhe si përjetues i problemeve të tyre”.

 

Etika e qeverisjes

 

Mos u ndaj për shumë kohë nga shtetasit, sepse kur pushtetari shkëputet prej tyre ngushton këndvështrimin e tij (Edhe sikur një shfaqje e tillë të gjykohet pasojë e krenarisë dhe pompozitetit, në fakt prapa saj qëndrojnë komplekse inferioriteti e vaniteti.) e nuk i kupton më problemet e tyre. Veçimi prej tyre bën që këta të mos i dinë gjërat që duhet t’i dinë, kështu që problemet e mëdha nisin të shikohen si të vogla dhe të voglat si të mëdha, punët e mira gjykohen si të këqija dhe të këqijat si të mira, kurse e vërteta ngatërrohet e nuk ndahet dot më nga e pavërteta. Tek e fundit, edhe governatori njeri është e s’mund t’i dijë gjërat që njerëzit ia fshehin. ( Është fjala për njerëzit në shërbim të pushtetarit. Në raste të tilla, vetëm kontaktet me njerëzit e thjeshtë mund të hedhin dritë mbi të vërtetën.)

E vërteta s’ka yll në ballë, që t’i dallojë nga e pavërteta shprehjet e ndryshme të saj. Për pasojë, ti mund të jesh veç dy llojesh: Ose prijës i zellshëm, i përkushtuar, i sinqertë dhe bujar në përmbushjen e të drejtave të tyre; po pse, atëhere, duhet të ndahesh nga njerëzit, përderisa i ke kryer detyrimet e Zotit ndaj tyre? ose shpirtngushtë e dorështërnguar, armik i çdo forme të bujarisë, i ndrydhur nga frika e përhershme se mos njerëzit ta kuptojnë tipin dhe nuk kërkojnë më prej teje, ngaqë nuk kanë besim se do t’u ndihmosh; harron që shumica e kërkesave s’kanë të bëjnë fare me kuletën tënde, por vetëm me detyrimin tënd për të mos u hapur rrugë padrejtësive dhe për t’i bërë vend të drejtës dhe barazisë. Pse atëhere, u dashka ndenjur larg njerëzve?

 

Çdo governator ka miq e njerëz që kanë lehtësi marrëdhëniesh me të. Shpesh këto lloj lidhjesh shpërdoren e këta lloj njerëzish bëhen arrogantë e s’pyesin fare për drejtësinë. Në patsh të tillë rreth e qark, mos e zgjat, por shkulja rrënjën së keqes së tyre faqe popullit dhe përvëloi farat e saj. Mos u dhuro toka miqve e përkrahësve e mos u ngjall kurrë shpresa se mund t’u japësh prona, që pastaj do mund t’i përdorin për t’u bërë dëm fqinjëve në periudhat e ujitjes e të shërbimeve të tjera. Këta njerëz e kanë zakon t’ua lënë të tjerëve në shpinë barrën e këtyre punëve. Pra, janë ata që përfitojnë, por faji të mbetet ty, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.

 

Jepja të drejtën kujtdo që i takon, qoftë ky i afërm me ty a krejt i panjohur. Në këtë çështje duhet të jesh i vendosur e i kujdesshëm, edhe sikur të kesh punë me farefisin dhe të dashurit e tu. Kujto shpërblimin e asaj, që është vërtet e rëndë në të mbajtur: Vetëm ky lloj shpërblimi është i madh vërtet. E nëse shtetasit të fajësojnë për arrogancë dhe tirani, (Për shkak të masave të rrepta, që mund të merren në raste të veçanta. ) shpjegoua qëndrimin tënd dhe hiqua dyshimin me durim. Kështu do ta ruash fytyrën tënde e do t’i respektosh dhe ata; e kështu do ndihmohen dhe planet e tua për t’i mbajtur njerëzit në udhën e së drejtës.

 

Mos e refuzo paqen, kur ta lyp armiku. Zoti kënaqet me të, se u sjell prehje ushtarëve të tu, lehtësim halleve të tua dhe siguri vendit tënd. Veç tregohu i matur me të dhe vepro me pjekuri: Ruaje dyshimin për armikun edhe pas vendosjes së saj, sepse mund të ndodhë që paqa të jetë kurth për vigjilencën.

 

E nëse bën marrëveshje me armikun e hyn në traktate me të, zbatoi me korrektesë kushtet e saj dhe mbaji zotimet që ke marrë. Bëje veten peng të premtimit, sepse asnjë nga detyrimet që na ka vënë Zoti nuk i bën njerëzit aq të ndjeshëm sa thyerja e premtimit, pavarësisht dallimeve në pikëpamje. Jo më muslimanët, po edhe të pafetë i respektojnë marrëveshjet, sepse dhe ata i kuptojnë rreziqet që sjell shkelja e tyre. Prandaj mos i dil fjale armikut,

 sepse askush nuk mund ta fyejë Zotin, veçse në qoftë pervers e i paditur. Marrëveshjet dhe zotimet e bëra në emër të Mëshirës së Zotit janë simbolet e sigurisë që Zoti u jep njerëzve të Tij. Ato janë streha ku gjendet mbrojtja e Tij dhe kërkohen bekimet e afërsisë së Tij. Prandaj mos fut në to mashtrim, dredhi e hipokrizi.

 

Mos hyr në marrëveshjen që lejon interpretime; po nëse ke hyrë, mos provo të kapesh pas fjalëve të saj të paqarta. (Në mënyrë që duke u kapur pas tyre, të nxirren avantazhe, që nuk ishin parashikuar gjatë lidhjes së marrëveshjes) E nëse një e tillë të vë në gjendje të vështirë, mos kërko ta hedhësh poshtë pa asnjë shkak, sepse është më e mirë paqja e përballjes me problemin, sesa shkelja e marrëveshjes që të tremb. Zoti do kërkojë hesap për të kur të mos mundesh më t’i lypësh ndjesë, qoftë në këtë jetë apo në tjetrën.

 

Shmange gjakderdhjen e kotë, sepse asgjë tjetër s’e ndjell më shumë shpagimin e Zotit, sesa derdhja e gjakut pa asnjë shkak. Pasojat e saj janë fatale në shkatërrimin e bekimeve të Tij dhe në shfarosjen e krijesave të Tij. Prandaj dhe Dit’ e Fundit do fillojë me gjyqin e gjakderdhësve. Mos e rrit pushtetin me derdhje gjaku të ndaluar, (Gjaku i të pafajshmit.) se kjo ta dobëson e ul prestigjin dhe çon në shkatërrimin e zhvendosjen e tij.(Drejt një tjetri)

Ti s’mund të përligjesh para Zotit dhe meje për vrasjet e qëllimshme, sepse për to ka hakmarrje. (Vrasje të tilla duhen ndëshkuar dhe viktimës i duhet marrë haku) Por ndodh që vdekja vjen edhe nga shkaqe të vogla ose shkaktohet gabimisht, nga teprimet në kërbaç apo shpatë dhe ashpërsia në ndëshkim; në këto raste, posti yt si pushtetar s’ta jep të drejtën të mos ua paguash çmimin e gjakut njerëzve të afërm të viktimës.

 

Shmange dashurimin e vetes, besimin e verbër në vete dhe etjen për lëvdata të tepruara, sepse këto udhë pëlqen më shumë Shejtani për zhvlerësimin e virtytit. Vraje dëshirën që shtetasit të ta quajnë borxh të mirën që u ke bërë, e mos ua hidh në sy se ia heq çdo vlerë; mos kërko prej tyre të të ngrenë në qiell për punët që ke bërë, se lavdet hedhin terr mbi dritën e vërtetë; (Sepse në fakt çdo vepër e mirë bëhet me hirin e Zotit dhe me fuqinë, aftësinë dhe pushtetin që është dhënë prej Tij) shmangi premtimet që pasohen me shkelje, sepse premtimet që shkelen ndezin zemëratën e Zotit. Sepse Zoti i Lavdishëm thotë: “Zoti urren mbi çdo gjë të thoni gjëra që s’i bëni.” (Kur’ani, 61:3).

 

Mos u ngut në gjërat që s’u ka ardhur koha ende; mos ngurro në punët që janë tamam në kohë; mos ngulmo në çështjet që nuk dihet si do venë; tregohu i palëkundur, kur bëhet e qartë çdo gjë; jepi vendin që meriton çdo problemi; dhe zgjidhe çdo problem në kohën që i takon.

 

Mos e përvetëso gjënë që duhet gëzuar njësoj nga të gjithë, mos shpërfill problemet që dalin nga harrimi pas problemeve të tjera. Shpejt nga sytë e tu do bien të gjitha perdet e ti do duhet të ndreqësh me dëmshpërblim. (Të gjithë ata që mund të jenë dëmtuar apo ndëshkuar padrejtësisht) Mbaje nën kontroll masën e prestigjit, shpërthimin e inatit, fuqinë e krahut dhe mprehtësinë e gjuhës. Bëj kujdes në këto gjëra dhe shmange nxitimin e vonoje veprimin, deri sa inati të fashitet e të rifitosh vetëkontroll. Por ti s’do mund ta mbrosh veten nga këto të meta, në mos u kujtofsh që tek Zoti është rikthimi.

 

Mëso nga përvoja e mirë e prijësve të shkuar, qofshin qeveri, tradita me vlerë, paraardhës të Profetit apo urdhra Kur’anore. Mbaji parasysh e vepro mbi bazën e tyre, ashtu si na ke parë edhe ne të veprojmë. Përpiqu për zbatimin e udhëzimeve të kësaj letre dhe përmbushi deri në një shpresat që kam vënë tek ti, e kështu s’do mund të kesh arsye pse t’i shkosh zemrës pas, nëse ta tundon pasioni.

 

O Zot, jepna prirje të mbara me Mëshirën Tënde të pafund dhe me Pushtetin Tënd të madhërishëm; nxitna të dy të Të japim arsye të qarta, që meritojnë kënaqësinë Tënde e meritojnë lëvdatat e njerëzve të Tu; rritja mirëqenien këtij vendi, përparoje e lartësoja nderin; dhe jepna lejë të dyve të vdesim vdekjen e martirit e të njeriut të virtytshëm. Se ne do të rikthehemi tek Ti, për këtë nuk ka dyshim.

 

Paqja qoftë mbi Profetin e Zotit! Zoti mbuloftë me bekime e të fala të panumërta atë dhe pasardhësit e tij të pastër e të dëlirët! Wes-selam.

--------------------------------------------------------

 

Ky dokument mund të quhet kushtetuta e politikës Islame. Autori i tij është Imam Aliu, dijetari më i shquar i Ligjit Hyjnor, pas Profetit, ai që ka vepruar më shumë se çdokush tjetër mbi bazën e këtij Ligji. Analiza e qeverisjes së vendit sipas principeve të tij, që përshkruhen në këtë letër, shpie në përfundimin se qëllimi i vetëm i Imam Aliut ka qenë fuqizimi i Ligjit Hyjnor, përmirësimi i gjendjes shoqërore dhe ruajtja e sigurisë publike, e jo mbushja e thesarit përmes plaçkitjeve apo përpjekja për zmadhimin e shtetit me mjete të ndershme e të pandershme. Zakonisht qeveritë e kësaj bote hartojnë kushtetuta që synojnë arritjen e fitimeve sa më të mëdha, duke u përpjekur të ndryshojnë ligjet që bien ndesh me këtë që-llim apo që sjellin pengesa në realizimin e objektivave të tyre. Përkundër tyre, çdo nen i kësaj kushtetute të Imam Aliut shërben si roje e interesave të përbashkëta dhe është një mburojë e organizimit kolektiv.

Imponimi i saj nuk bazohet në egoizëm, sepse në të nuk mund të gjesh asnjë shenjë të interesit vetjak. Ajo përmban parime që i hapin udhë përmbushjes së detyrimeve ndaj Zotit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, pa dallim feje e komuniteti, mbrojtjes së të mjerëve dhe të varfërve dhe sigurimit të ndihmës për shtresat e ulëta e të përbuzura. Ato sigurojnë udhëheqje të plotë për përhapjen e së drejtës dhe drejtësisë, për vendosjen e paqes dhe të sigurisë dhe për lulëzimin e mirëqenien e njerëzimit.

 

Imam Aliu e ka shkruar këtë dokument për Malik bin Harith el-Eshterin, kur e caktoi governator të Egjiptit në vitin 38 H. Malik el-Eshteri ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Imam Aliut. Ai shquhej për durim dhe qëndrueshmëri të madhe dhe gëzonte besim e mbështetje të plotë nga Imami. Ai kishte arritur lidhje e afërsi tepër të madhe me të, duke e kalitur sjelljen e karakterin e tij sipas sjelljes e karakterit të Imam Aliut, gjë që mund të kuptohet qartë dhe nga kjo thënie e vetë Imamit: “Ai ishte për mua ashtu si isha unë ndaj Profetit të Zotit”

(Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh, vol. 15, f. 98; el-Alam, vol. 6, f. 131).

 

I frymëzuar nga ndjenja aspak egoiste të shërbimit, Maliku mori pjesë aktive në veprimtaritë luftarake dhe provoi se ishte krahu i djathtë i Imam Aliut në të gjitha betejat e përleshjet. Ai manifestoi akte të tilla guximi e trimërie, që e bënë famën e tij të njohur në të gjithë Arabinë. Por, përveçqë ishte trim, ai ishte i shquar edhe për durim e vetëpër-mbajtje. Lidhur me këtë, Varam bin Ebi Feras en-Nekha’iu tregon se si një herë ai ishte duke kaluar nëpër tregun e Kufas me veshjen e turbanin e tij prej pëlhure të ashpër, kur një dyqanxhi, duke e parë në atë gjendje e të veshur në atë mënyrë, i hodhi mbetje peri-mesh të kalbura mbi kokë; por ai nuk e bëri veten fare për këtë sjellje të pacipë, bile as ia hodhi sytë, por vazhdoi të ecte më tutje. Atëhere dikush i tha këtij shitësi: “A e di ti se ndaj kujt u tregove aq i paturpshëm?”

Ai u përgjigj se nuk e dinte, dhe atëhere i thanë se ai kishte qenë Malik elEshteri. Sapo dëgjoi këtë emër, shitësit i ra të fikët, pastaj rendi pas tij ta gjente e t’i kërkonte ndjesë për sjelljen dhe trajtimin poshtërues, që i kishte bërë. Arriti kështu në një xhami ku e pa duke u falur. Pasi mbaroi, shitësi i doli përpara dhe ra përmbys përpara tij e i kërkoi ndjesë duke qarë e duke u hequr zvarrë. Maliku e kapi për mjekre dhe ia ngriti kokën e i tha: “Për Allah, unë erdha në këtë xhami për t’iu lutur Zotit për ty. Unë vet të fala që atë çast e shpresoj që të të falë dhe Zoti”

(Tanbih ul-khawasir we nuzhatun-nawazir, vol. 1, f. 2; el-Bihar, vol. 2, f. 157).

Kjo butësi e tolerancë vinte nga një luftëtar, nga emri i të cilit dridhej dhe vetë guximi, e që ishte i njohur nga njerëzit më trima të të gjithë Arabisë për mjeshtërinë e tij në shpatë. Kjo, pikërisht, është fytyra e vërtetë e trimërisë: Përmbajtja e vetes atëhere kur do duhej të të mbyste inati e tërbimi, si dhe përballimi i mundimeve me durim e qetësi. Lidhur me këtë, Imam Aliu thotë: “Njeriu më trim është ai që mposht pasionet e tij”.

 

Por përveç këtyre karakteristikave dhe cilësive, ai kishte edhe aftësi të shkëlqyera organizative e drejtuese. Kur njerëzit e Uthmanit filluan të mbillnin në Egjipt farën e shkatërrimit e u përpoqën të përmbysnin ligjin e rendin në vend duke përhapur mosbesim e rebelim, Imam Aliu e largoi Muhammed bin Ebu Bekrin nga governatorati dhe vendosi të emëronte në vend të tij Malikun, që atë kohë ishte governator në Nasibin. Imam Aliu i dërgoi fjalë që të caktonte dikë tjetër më këmbë të tij, kurse vet të paraqitej tek Imami. Me të marrë këtë urdhër, Maliku caktoi Shebib bin Amir Esedin si zëvendës e vet shkoi tek Imam Aliu, i cili i dha letrat e emërimit dhe e nisi bashkë me një urdhër me shkrim drejtuar egjiptianëve, që t’i bindeshin.

 

Mu’avia u shqetësua shumë kur spiunët e informuan për emërimin e Malik el-Eshterit si governator të Egjiptit, të cilin ia kishte premtuar Amr bin Asit shpërblim për shërbimet që ky i fundit i kishte bërë. Mu’avia ishte i bindur se Amr bin Asi mund t’i shkaktonte lehtë disfatë Muhammed bin Ebu Bekrit e t’ia rrëmbente pushtetin nga duart, por ai nuk mund ta imagjinonte kurrsesi që pushtimi i Egjiptit të arrihej me luftë kundër Malik elEshterit. Prandaj vendosi t’i lante hesapet me të përpara se të merrte në dorëzim detyrën e re. Për këtë qëllim, Mu’avia hyri në bisedime me një çifligar nga qyteti Arish, që ky ta vriste në ndonjë farë mënyre, ndërkohë që Maliku shkonte për në Egjipt. Si shpërblim për këtë shërbim, nuk do t’i merrej asnjë taksë nga të ardhurat e pronës.

 

Dhe ashtu ndodhi. Maliku arriti me forcat dhe eskortën e tij në Arish, dhe kryetari i këtij qyteti e priti me entuziazëm, duke ngulur këmbë të rrinte mysafir i tij. Maliku pranoi. Pasi mbaruan së ngrëni, i zoti i shtëpisë i dha për të pirë një shurup mjalti, ku kishte hedhur helm. Efektet e helmimit u ndien në çast dhe ky luftëtar i madh, i njohur për mjeshtërinë e luftimit në shpatë e për dërmën që u jepte falangave armike, shkoi qetësisht në krahët e vdekjes përpara syve të të gjithëve.

 

Kur Mu’avia e mori vesh suksesin e këtij komploti, u gëzua shumë dhe thirri i ngazëllyer: “Zoti ka edhe ushtarët e Tij prej mjalti!” Pastaj tha gjatë një fjalimi: “Ali ibn Ebu Talibi kishte dy duar të djathta. Njëra prej tyre u pre në ditët e Siffinit, dhe ajo ishte Ammar ibn Jasiri; e dyta u pre tani, dhe ajo ishte Malik el-Eshteri.” Kur mësoi për lajmin e vrasjes së Malikut, Imam Aliu u hidhërua shumë e tha i trishtuar:

 

 Ah, Maliku! Po të kishte qenë Maliku gur, do ishte i fortë dhe i pathyeshëm; e po të ishte shkëmb, do ishte i madh e pa të dytë. Më duket se vdekja e tij ka marrë dhe një pjesë të jetës time. Për atë Zot, sirianët janë të lumtur prej vdekjes së tij, e Irakenët ndihen të tronditur. Pastaj vazhdoi: Nuk ka më grua që të lindë një të dytë si Maliku.

(et-Taberi, Tarikh, vol. 1, ff. 3392-3395; Ibn ul-Athir, el-Kamil fi Tarikh, vol. 3, ff. 352-353; el-Jakubi, Tarikh, vol. 2, f. 194; Ibn Abd ul-Berr, el-Isti’ab, vol. 3, f. 1366; Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh, vol. 6, ff. 74-77; Ibn Kethir, el-Bidaje we’n-Nihaje, vol. 7, ff. 313-314; Ebu’l-Fida, el-Mukhteser, vol. 1, f. 179)

Bosanski

Ove knjige su samo jedno skromno djelo. To je prica o putovanju i velikom otkricu, ali ne onom kao u tehnickim ili prirodnim naukama, nego otkricu u polju religije i filozofije. Posto je svaki pronalazak zasnovan, prvenstveno na zdravoj pameti i jasnom razumijevanju - po cemu se ljudi i razlikuju od drugih stvorenja - ove knjige su posvecene svakoj zdravoj pameti. Pameti koja stavlja istinu na provjeru i razlikuje je od zla koje lezi u zabludi.Pameti koja procjenjuje sve sto je receno po mjerilu pravde i uvijek daje prednost logici. Pameti koja poredi rijeci i kazivanja i posjeduje sposobnost da razlikuje izmedju logicnog i onog sto nije bas logicno - da razlikuje izmedju jasnog i zbunjujuceg.

 


Anglais

A call for good faith

O brothers, until when will this disagreement last? What are these enmities and hatred for? Allah, the One and Only, is the Lord of us all. Islam is our religion. The holy Qur'an is the Book of all of us. The Kaaba is our Qiblah. The master of the prophets and the last of the messengers Muhammad bin Abdullah is our Prophet. His sayings and doings are our Sunna. The daily five prayers, fasting Ramadan, zakat and hajj are our obligations.

The permissible things are the things that Allah and His Messenger have permitted and the impermissible things are the things that they have prohibited. The truth is what they have determined as the truth and the untruth is what they have rejected. The guardians of Allah and His Messenger are our guardians and the enemies of Allah and His Messenger are our enemies. The day of Resurrection will come no doubt and Allah will resurrect the dead from their graves

“..so that He rewards those who do evil, according to their deeds, and He rewards those, who do good, with what is best” (Qur’an 53:31).