Ligjërata dhe Fjalime të Zgjedhura të Imam Aliut

 

Përzgjedhje e lidjëratave dhe fjalimeve të Prijësit të Besimtarëve

 

Në Këtë Përzgjedhje Përfshihen edhe Mendime që i Ka Shprehur në Fjalime e Biseda të Mbajtura në Takime të Ndryshme, si dhe në Predikime e Raste të Tjera.

Ligjërata 1

 

Në këtë ligjëratë flitet për krijimin e Tokës e Qiellit, si dhe për lindjen e Ademit Qoftë lavdëruar Zoti, të Cilit s’ia përshkruan dot vlerat asnjë gojëtar, të Cilit s’mund t’ia numërojë të mirat asnjë numërues, të Cilit s’mund t’ia njohin kurrë hakun ata që përpiqen t’ia njohin, dhe të Cilin s’mund ta kuptojë e matë asnjë mendje e mençuri, sado e ndritur; lëvduar qoftë Ai, për cilësitë e të Cilit nuk ka asnjë cak, nuk bëhet asnjë përshkrim, nuk mjafton asnjë lëvdatë, nuk ekziston asnjë kohë fillimi dhe nuk është caktuar asnjë kohë mbarimi. Ai e pruri krijimin në qenie përmes Pushtetit të Tij, i lëshoi erërat nga Mëshira e Tij dhe e fiksoi dheun në lëkundje me anë të shkëmbinjve.

 

 

E para gjë në fé janë dijet për TëI ; përsosmëria e dijeve rreth Tij synon dëshmimin e Tij, përsosja e dëshmimit të Tij arrihet me besimin në Njëshmërinë e Tij, përsosmëria e besimit në Njëshmërinë e Tij nënkupton të jesh i ndershëm ndaj Tij, e qenia i ndershëm ndaj Tij e arrin përsosmërinë kur nuk i vishen cilësi, sepse vetë cilësia është një provë e qenies së saj ndryshe prej gjësë së cilësuar, dhe sepse gjëja, së cilës i vishet diçka, është e ndryshme nga vet veshja.

 

Kështu, kushdo që i vesh Zotit tipare, pranon të ngjashmin e Tij, dhe kush i njeh Atij të ngjashëm, e sheh Atë si dy, e kush e sheh Atë si dy, e pranon si të ndashëm; pra edhe të pjesshëm e të paplotë. Por pranimi i paplotësisë së Tij është si ta marrësh Atë tjetër për tjetër, dhe ngatërrimi i Tij tjetër për tjetër kërkon ta dëftosh, por të dëftosh në drejtim të Tij, është njësoj si t’i vësh kufij; dhe t’i vësh Atij kufij do të thotë ta numërosh.

 

Kush thotë në çfarë është Ai, e mendon Atë të përmbajtur, dhe kush thotë se ku është Ai, thotë se Ai s’është diku tjetër. Ai është Qenie, po jo përmes ardhjes në ekzistencë. Ai është, por jo sepse del nga mosqenia. Ai gjëndet në gjithçka, po jo përmes afërsisë fizike. Ai është jashtë gjithçkaje, por jo përmes ndarjes fizike. Ai vepron, por pa vënë në punë lëvizje dhe vegla. Ai e shikon krijimin e Tij edhe kur s’mund të shihet gjë në të. Ai është vetëm NJË; një NJË i tillë, që nuk ka një tjetër si Ai, me të cilin Ai do mundej të mbante shoqëri e të cilit do t’ia ndjente mungesën, po t’i mungonte.

 

 

Krijimi i Universit

 

Ai e solli krijimin në qenie në një mënyrë që s’i ngjan asgjëje tjetër: Pa u munduar për ta menduar, pa asnjë eksperimentim, pa përmirësuar asnjë lëvizje e pa zbatuar asnjë ëndërr intelektuale. Ai i caktoi kohë çdo gjëje,  bëri bashkë në një tiparet e ndryshme të tyre dhe u dha karakteristika e u veshi veti që i njihte që përpara se t’i krijonte, duke bërë fakt kufizimet dhe caqet e tyre dhe duke vlerësuar prirjet e thelbit të tyre dhe ndërlikimet e pritshme, që lidhen me to.

 

Si krijoi volinë e hapësirës, Zoti i Plotpushtetshëm e urdhëroi kupën qiellore të zgjerohej për t’i hapur vend veprimit të erërave, pastaj derdhi në të ujin me tallazet e tij të furishme e me dallgë që pasonin njëri-tjetrin. Erërat e harbuara e shkulmet e dhunshme e morën dhe e shpërndanë e Ai i bëri (erërat) ta mpiksnin përsëri (si pikat e shiut); pastaj e vuri furinë e piklave të mpiksura nën kontroll të erërave dhe u caktoi kufijtë që duhej të respektonin. Kështu, erërat frynin nëpër rrjedhës e ky përhapej vrullshëm mbi shpinë të tyre.

 

Pastaj Zoti i Plotfuqishëm krijoi një tjetër erë, për t’i bërë të përmbajtura lëvizjet e tij dhe të qëndrueshme vendndodhjet e tij. Kështu ia shtoi lëvizjet e i përhapi në çdo pikë, në thellësi e gjerësi. Zoti e urdhëroi erën të ngrinte përpjetë masat e zhytura thellë të rrjedhësit dhe t’i rriste dhe më shumë valët e oqeanit të tij. Dhe kështu era i rrahu valët si rrihet në tundës qumështi kur i hiqet gjalpi, dhe i shtyu vërtik nëpër kupën qiellore, duke e flakur ballin e tyre në thellësira, ndërsa pjesët e amullta i fuste në vorbull, deri sa niveli i tyre erdh’ e u ngjit lart dhe sipërfaqa e tyre u mbush plot me shkumë. 

 

Atëhere Zoti i Gjithëfuqishëm e përhapi këtë shkumë nëpër hapësirën e pamatë të gjithësisë në pajtim me fuqinë e erërave zotëruese e bëri me të shtatë qiejt, nga të cilët më të ulëtit i dha rolin e një vale të qëndrueshme ndërsa më të lartmin e caktoi të ishte tavani mbrojtës i tyre; dhe ngriti kështu një ndërtesë të lartë, pa asnjë shtyllë për pështetje dhe asnjë gozhdë që t’i mbërthente gjërat bashkë. Pastaj i zbukuroi me yje dhe me drita meteorësh, vari nën qiej që rrotullohen leqe diejsh verbues dhe hënash rrezëlluese, tavane që zhvendosen dhe hapësira lëvizjesh shtjellore. 

 

 Krijimi i Engjëjve

 

Pastaj, midis qiejve të lartë krijoi hapje dhe i mbushi me të gjitha llojet e engjëjve të Tij. Disa nga ata rrinë shtrirë, në adhurim, e s’ngrihen as në gjunjë. Ka të tjerë të gjunjëzuar, që s’ngrihen kurrë më këmbë. Disa prej tyre qëndrojnë në rreshta e falen, pa lëvizur për asnjë çast nga vendi. Ca të tjerë madhërojnë përjetësisht e pa u lodhur Emrat e Tij qysh nga Krijimi. Mbi ta s’ndikon as gjumi i syrit dhe përgjumja e të medituarit, dhe as kapitja e trupit apo terri i harresës.

 

Mes tyre janë ata që punojnë si bartës të besuar të Mesazhit të Tij e që shërbejnë si gjuhë shprehëse për profetët e Tij, dhe ata që shpien gjithandej e poshtë urdhrat dhe vendimet e Tij. Mes tyre janë mbrojtësit e krijesave të Tij e rojtarët e dyerve të Parajsës. Ndër ta janë dhe ca me këmbët ngulur përgjithmonë mbi tokë, me kokët që dalin tej për tej qiejve, me gjymtyrë që zgjaten e shkojnë në çdo anë e pikë, me shpatulla si shtylla të Fronit Hyjnor, me sytë që i mbajnë poshtë, rrëzuar, sa herë që ndodhen përpara tij, dhe me krahët lutës të shtrirë drejt tij.Janë ata që mbajnë nderur përpara vetvetes e çdo gjëje tjetër perden që fsheh misterin.Ata s’e kanë nevojën e imagjinimit të Krijuesit të tyre, kur mendojnë për ‘Të, e as i veshin gjëra që cilësojnë krijesat e Tij. Ata nuk e kufizojnë Atë në banesa e vende të ngushta, as e përshkruajnë duke përdorur modele.

 

Përshkruhet krijimi i Ademit

 

Zoti mblodhi argjilë nga dhera të forta, të buta, të ëmbla e të tharta, pastaj e kaloi në ujë grimcë pas grimce, derisa e pastroi fare masën e saj; pastaj e zbrujti me lagështirë, sa erdh’ e u bë fibrore si pejza e rrëshirës. Pastaj mbrujti në masën e saj një formë me trajta të kurbuara, kyçe, gjymtyrë dhe ndarje; pastaj e la të ngurtësohej për një kohë me zgjatje të caktuar e të njohur; pastaj fryu në masën e saj nga Shpirti i Tij e atë çast ajo mori tiparet që ka qenia njerëzore - me mendjen që e drejton, inteligjencën që i sjell dobi, gjymtyrët që i shërbejnë, organet që i japin gjendje të ndryshme, e urtësinë që dallon të vërtetën nga e pavërteta e që shquan aromat, ngjyrat dhe llojet. Kjo qenie është përzierje e argjilave të tipeve të ndryshme, e materialeve që pajtohen mes tyre, e cilësive që kundërshtojnë njëra-tjetrën, si dhe e vetive që ndryshojnë në kohë, siç janë nxehtësia, ftohtësia, butësia dhe fortësia.

Pastaj Zoti u tha engjëjve të plotësonin marrëveshjen e Tij me ta, ta përmbushnin zotimin e marrë e të përkuleshin përpara Ademit, në shenjë të njohjes së tij e duke iu përulur pozitës së tij të respektuar. Kështu, Zoti u tha “Mëgjunjuni përpara Ademit,” ((Kur’ani, 2:34; 7:11; 17:61; 18:50; 20:116) dhe ata iu përkulën, me përjashtim të Iblisit, të cilin e mposhtën fodullëku e vesi dhe nuk e lanë të bindej. Ai ndihej krenar ngaqë buronte prej zjarrit dhe e shihte me përbuzje baltën e krijesës së re. Zoti i la kohë që ta vinte në provë  dhe ta meritonte plotësisht zemërimin e Tij, si dhe të përmbushte, kështu, premtimin që i kishte bërë. Dhe i tha:

“Të është dhënë kohë deri në Ditën e Caktuar.”  (Kur’ani, 15:38; 38:81).

 

Zoti e paralajmëroi Ademin për armiqësinë e Iblisit kundrejt tij, pastaj e mori të banonte në Parajsë, ku i siguroi jetë të këndshme dhe qetësi e paqe. Armiku i tij u xhelozua që ai rrinte në Parajsë në shoqëri me të virtytshmit dhe ia doli ta shndërronte bindjen e tij në lëkundje e vendosmërinë e tij në dobësi. Dhe atëhere, Ademi e ktheu në turp prestigjin që gëzonte dhe e këmbeu lumturinë me ankth e frikë. Por Zoti ia dha prapë mundësinë të pendohej, i mësoi fjalët për Mëshirën e Tij, i premtoi rikthim në Parajsë dhe e zbriti atje, ku do duhej t’u shtrohej sprovave dhe të shumonte llojin e tij.

 

Zoti zgjedh profetët e Tij

 

Zoti i zgjodhi profetët midis pasardhësve të tij e u mori premtimin ta bënin fé Mesazhin e Zbulesës së Tij.

Por kaluan kohë e dolën njerëz që e shpërdorën besimin e Tij e s’e përfillën pozitën e Tij, duke i vënë idhuj përkrah. Shejtani i shmangte nga njohja e Tij e i mbante larg adhurimit të Tij. Atëhere Zoti nisi drejt tyre ushtrinë e lajmëtarëve e profetëve të Tij, për t’u kujtuar të përmbushnin zotimet e marra si krijesa të Tij, për t’u sjellë në mend mirësitë e Tij, për t’i këshilluar me predikim, për t’u zbuluar virtytet e heshtura të urtësisë e për t’u dëftuar shenjat e Gjithëfuqishmërisë së Tij. Dhe ata folën për qiellin që lartohet mbi ta, për tokën që kanë nën vete ,  për mjetet e jetesës, që i mbajnë gjallë, për vdekjen që i vdes,për lëngatat që i mplakin e për telashet e fatkeqësitë që u bien mbi kokë njëra pas tjetrës.

 

Zoti nuk e la kurrë krijimin e Tij të mbetej pa profet të dërguar prej Tij, pa libër të zbritur prej Tij, pa argument të pakundërshtueshëm, apo pa thirrje të përhershme e të qartë. Prandaj, lajmëtarët e Tij nuk ndiheshin të vegjël për shkak të numrit të tyre të vogël apo të numrit të madh të atyre që i mohonin. Midis tyre do ndodhej gjithmonë një paraardhës për të emëruar pasuesin e tij, apo një pasardhës i paraqitur nga pararendësi i tij.

 

Profetësia e Muhammedit

 

Kështu kaluan kohë e u rrokullisën epoka, etërit vdisnin, kurse bijtë u zinin vendin, derisa Zoti dërgoi Muhammedin si profetin që do vinte në jetë premtimin e Tij dhe do përsoste Zbulesën e Tij. Ardhja e tij ishte shpallur nga profetët (44) dhe më parë. Tiparet e tij të karakterit ishin të shquara dhe lindja e tij lidhej me një pemë fisnike dhe me një vend të perëndishëm. Në atë kohë njerëzit ishin të grupuar në shumë parti, qëllimet e tyre ishin të ndara e rrugët e tyre ndryshonin. Ata e krahasonin Zotin me krijimin e Tij, shtrembëronin cilësitë e Tij e u besoheshin idhujve, jo Atij. Zoti i udhëhoqi me anë të Muhammedit për të dalë nga udha e shtrembër dhe i nxori nga padija përmes përpjekjeve të tij.

 

Pastaj Zoti vendosi që ta largonte Muhammedin e pasardhësit e tij nga kjo skenë sprove e u dha lejën të ktheheshin tek Ai për t’i qëndruar pranë, duke i parë si tepër të lartë për të ndenjur edhe më tej në këtë botë. Kështu erdhi koha dhe Zoti e mori pranë Vetes plot me ndere dhe respekte. Dhëntë Zoti të mbulohen me ndere e respekte edhe pasardhësit e tij!

 

Kur’ani dhe Sunneti

 

Por Profeti la ndër ju atë që lanë dhe profetët e tjerë ndër popujt e tyre, sepse ata s’i lënë kurrë popujt në terr, pa një rrugë të qartë e pa një flamur të përhershëm; ky është Libri i Krijuesit tuaj, që shpjegon gjërat e lejuara e të ndaluara, gjërat e detyruara e ato që i lihen maturisë së gjykimit e veprimit, vendimet shfuqizuese e të shfuqizuara, çështjet ku nuk lejohet përjashtimi apo butësia dhe çështjet ku pranohet butësi e ndjesë, porositë që vlejnë për raste e njerëz të veçantë dhe ato që kanë vlerë të përgjithshme,mësimet e shembujt, gjërat me vlera të përhershme e ato me vlera të përkohshme, si dhe gjërat e qarta e të përcaktuara e ato që mbahen fshehur e janë të vështira në të kuptuar.

 

Në të ka ajete që duhen njohur domosdoshmërisht, si dhe ajete, mosnjohja e të cilave nuk është e detyrueshme. Në të gjen atë që sipas Librit përbën barrë të detyrueshme, po që është shfuqizuar  në praktikën që ka ndjekur vet Profeti, dhe atë, që në veprimet e Profetit duket e detyrueshme, por që Libri e lejon të mos bëhet; aty janë gjërat që janë të detyrueshme për një kohë të dhënë, por që nuk mbeten më të tilla, pasi kalon ajo kohë; aty ka shkallëzim dhe dallim për gjërat që ai i ndalon, duke i shikuar disa prej tyre si madhore e duke vënë kanosjen e Zjarrit  për ndalimin e tyre, dhe duke i parë të tjerat si të vogla e duke dhënë shpresë për falje; aty ka dhe gjëra, të cilave u pranohen  pjesë, sado të vogla, e në të cilat njeriut i lihet liri e fushë e gjerë veprimi.

  

Në po këtë ligjëratë flitet për haxhillëkun

 

Zoti jua ka bërë detyrë pelegrinazhin në shtëpinë e Tij të Shenjtë, si pikë kthese për ata që shkojnë drejt saj siç shkojnë drejt ujit gjallërues të burimit bishat e etuara të shkretëtirës, të buta a vrastare qofshin. Zoti i Lavdishëm jua ka bërë këtë detyrim masë të adhurimit tuaj nëpërmjet lutjes, masë të respektit të mendjes njerëzore për Madhështinë e Tij e masë të pranimit të Pushtetit të Tij. Ai zgjodhi nga krijimi i Tij ata që iu përgjigjën thirrjes së Tij me ta dëgjuar, ata që dëshmuan fjalën e Tij e ata që qëndruan në pozicionet e profetëve të Tij. Tek sillen përqark Qabes, ata u për-ngjajnë engjëjve që qarkojnë Fronin e Tij Hyjnor, duke nxituar për faljen që Ai u ka premtuar dhe për bekimet që meritohen nëpërmjet adhurimit të Tij. Këtë shtëpi Zoti i Madhërishëm e bëri simbol të Islamit dhe respekt që e fiton kushdo që niset drejt saj për qetësi, paqe dhe shpresë, si dhe e shpalli detyrim, për përmbushjen e të cilit do përgjigjeni. Lidhur me këtë, Zoti i Lavdishëm ka thënë:

 

“Për hir të Zotit është i detyrueshëm haxhxhi në Shtëpinë e Tij, për këdo që e ka mundësinë e udhëtimit për atje. Dhe kushdo që e mohon ta dijë se Zoti është Suprem, përtej të gjitha botëve  ” (Kur’ani, 3:97).