55. SURETUL - EN’AM (6)

(165 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. E tërë lavdia i takon Allahut, që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithëkëtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan i barazojnë (idhujt) me Zotin e tyre.

2. Ai është, që ju krijoi nga balta, e mandej ju caktoi një afat (për vdekje) dhe një afat është i caktuar pranë dijes së Tij, dhe pas (gjithë kësaj të vërtete) ju dyshoni.

3. Ai është Allahu (që adhurohet e madhërohet prej çka ka) në qiej e në tokë; Ai i di fshehtësitë dhe publikimet tuaja dhe Ai e di atë që bëni.

4. Nuk ka argument, që iu vjen atyre nga argumentet e Zotit të tyre, e që ata nuk i shmangen.

5. Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur u erdhi, e më vonë do ta kuptojnë lajmin e asaj me të cilën talleshin.

6. A e vërejtën ata, sa gjenerata para tyre i shkatërruam, e që Ne iu patëm mundësuar atyre (komoditet) në tokë çfarë juve nuk ju mundësuam; iu patëm lëshuar nga qielli shi me bollëk dhe iu patëm bërë, që të rrjedhin lumenj ndër ta, e për shkak të mëkateve të tyre i shkatërruam dhe pas tyre sollëm breza të tjerë.

7. Edhe sikur të zbritnim ty një libër të shkruar në letër, e ta preknin atë me duart e tyre, ata që mohuan do të thoshin: “Kjo nuk është tjetër përveç një magji e qartë”.

8. E pastaj thanë: “Pse të mos i zbret atij (Muhamedit) një engjëll (të na thotë për Muhamedin, se është i dërguar)”. E sikur të zbritnim Ne një engjëll çështja do të merrte fund, duke mos iu dhënë atyre afat.

9. Sikur ta bënim Ne atë (të dërguarin) engjëll, atë do ta bënim (në formë) njeriu e do t’ua përzienim (ngatërronim) atyre atë, që i përzien ata vetes së tyre.

10. Edhe të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.

11. Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i përgënjeshtruesve. 12. Thuaj: “E kujt është e tërë kjo në qiej e në tokë?” Thuaj: “Vetëm e Allahut”. Ai ia përcaktoi mëshirën Vetes. Ai do t’ju tubojë në Ditën e Gjykimit, gjë për të cilën nuk ka dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë.

13. Vetëm e Tij është gjithçka, që pushon e lëviz natën e ditën. Ai është Dëgjuesi i çdo gjëje dhe është i Gjithëdijshmi.

14. Thuaj: “A pos Allahut, Krijues i qiejve dhe i tokës, që ushqen të tjerët, ndërsa vetë nuk ushqehet, të pranoj Zot tjetër?” Thuaj: “Unë jam i urdhëruar të jem i pari që bindem dhe (urdhërohem): të mos bëhem kurrsesi nga idhujtarët.

15. Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem dënimit të Ditës së Madhe, nëse nuk i përulem Zotit tim”.

16. Kush mënjanohet atë ditë nga ai (dënimi), atë Ai e ka mëshiruar dhe ai është shpëtim i qartë.

17. Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë pos Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo send. 18. Ai është Mbizotëruesi mbi robërit e Tij. Ai është më i Urti dhe Njohësi i thellë i çdo gjëje.

19. Thuaj: “Cili send ka dëshminë më të madhe?” Thuaj: “Allahu është Dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kuran që me të t'ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në Ditën e Kijametit). A ju po dëshmoni se pos Allahut ka të adhuruar të tjerë që meritojnë adhurimin?!” Thuaj: “Unë nuk dëshmoj!” Ai është i Vetmi i Adhuruar me të drejtë, dhe unë jam i pastërt nga ajo që ju i shoqëroni!”

20. Atyre që Ne iu kemi dhënë librin, e njohin atë (Muhamedin) sikurse i njohin bijtë e tyre. Janë ata që asgjësuan vetveten, prandaj nuk besojnë.

21. Kush është më mizor se ai, që ndaj Allahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S’ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim.

22. Përkujto ditën kur Ne i tubojmë të gjithë dhe iu themi atyre që i shoqëruan (Allahut të adhuruar të tjerë): “Ku janë ata të shoqëruarit tuaj që i trillonit?”

23. Atëherë (pas atij sprovimi) përgjigje tjetër s’u mbetet përveç të thonë: “Për Allahun, o Zoti ynë, ne nuk ishim idhujtarë!”

24. Shih se si bëjnë gënjeshtra kundër vetes dhe si u shkoi huq ajo që trillonin!

25. Ka prej tyre që ty të dëgjojnë (kur lexon Kuranin). Po, Ne kemi krijuar mbulesë mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë dhe në veshët e tyre sajuam shurdhim, dhe edhe sikur t’i shohin të gjitha faktet, ata nuk besojnë, derisa kur vijnë te ti e të polemizojnë. Ata që mohuan thonë: “Nuk është tjetër ky (Kurani) vetëm se mit i hershëm.

26. Ata ndalojnë (të tjerët) nga ai dhe vetë largohen prej atij (Kuranit), e me atë nuk shkatërrojnë tjetër vetëm se veten, dhe nuk e hetojnë.

27. E sikur t’i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: “Ah sikur të ktheheshim (në Dunja), që të mos përgënjeshtrojmë faktet e Zotit tonë e të bëhemi nga besimtarët (atëherë me të vërtetë do të shihje tmerr për ta)!”

28. Jo (s’është ashtu siç thonë ata), po atyre iu doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata, do ta përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s’ka dyshim, ata janë gënjeshtarë.

29. Ata thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm kjo jeta jonë në këtë botë, dhe ne nuk do të ringjallemi”.

30. Dhe sikur t’i kishe parë ata kur të ndalohen para Zotit të tyre e iu thuhet atyre: “A nuk është kjo (ringjallja) e vërtetë?” Ata thonë: “ Po, për Zotin tonë!” Thotë: “Shijoni pra dënimin për atë që mohonit!”

31. Ata që përgënjeshtruan se do të takohen me Allahun (në Ditën e Gjykimit) kanë humbur. Derisa t’u vijë Momenti (Kijameti) befas, e atëherë do të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam” (nga punët e mira në Dunja), dhe ata do t’i bartin gabimet e veta në shpinë. Sa e shëmtuar është ajo që bartin!

32. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S’ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni?

33. Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të akuzojnë për gënjeshtar, por ata mizorë mohojnë argumentet e Allahut.

34. Janë përgënjeshtruar të dërguar para teje, e duruan atë përgënjeshtrim dhe u torturuan përderisa iu erdhi ndihma Jonë, prandaj s’ka kush që ndryshon fjalët (premtimet) e Allahut. E ti je i njohur me disa nga ngjarjet e të dërguarve (edhe ti do të ndihmohesh sikurse ata).

35. Por nëse refuzimi i tyre të është bërë brengë e madhe, ti kërkoje, nëse ke mundësi ndonjë vrimë në tokë, ose shkallë në qiell e t’u sjellësh atyre ndonjë argument (po ti s’mund ta bësh këtë). Të kishte dashur Allahu i kishte tubuar në rrugë të drejtë; po ti mos u bëj nga të padijshmit (dhe mos u brengos) .

36. Vetëm ata që kanë dëgjim të shëndoshë i përgjigjen (ftesës). Të vdekurit (ata që nuk dëgjojnë dhe nuk besojnë) Allahu i ringjall, e pastaj tek Ai kthehen (u jep atë që e meritojnë).

37. Dhe thanë: “Përse të mos i zbret atij (Muhamedit) një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “S’ka dyshim se Allahu ka fuqi t’ia zbresë një mrekulli, por shumica e tyre nuk e dinë (se çka do t’i gjente më pas).

38. Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturon me dy krahë, e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga Evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.

39. E ata që i bënë të rreme faktet Tona janë shurdhmemecë të mbetur në errësira. Allahu e humb kë të dojë dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do.

40. Thuaju: “Nëse iu vjen dënimi nga Allahu, ose iu vjen Kijameti, më tregoni, nëse jeni të sinqertë, a do të thirrni dikë tjetër pos Allahut (për ndihmë)!”

41. Jo, vetëm Atij (Allahut) do t’i luteshit, e nëse do Ai, ju heq atë për çka i luteni, e do t’i harronit ata (zota) që ia shoqëronit.

42. Ne kemi dërguar (pejgamberë) edhe te popujt para teje (e derisa nuk dëgjuan), i dënuam me skamje e mjerim, ashtu që të përulen. 43. E pse të mos përuleshin, kur ju erdhi atyre dënimi jonë? Por zemrat e tyre ishin ngurosur, po edhe djalli ua hijeshoi atë që bënin.

44. Meqë lanë pas dore atë me çka u këshilluan (t’i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që iu ishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer,

45. ndaj u zhduk mbeturina e fundit e popullit mizor. Pra, lavdia i qoftë Allahut, Zotit të botëve!

46. Thuaj: “Nëse Allahu ua merr dëgjimin, shikimin dhe ua mbyll zemrat, pos Allahut cili zot tjetër do t’ua sjellë atë?”. Shih se si ua sqarojmë faktet e megjithëkëtë ata nuk ua vënë veshin!

47. Thuaj: “Më tregoni nëse dënimi nga Allahu ju vjen befas ose me parashenja, a shkatërrohet kush tjetër pos popullit mizor?”

48. Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.

49. Ata që i përgënjeshtruan faktet tona, ata i kap dënimi ngase nuk respektuan normat.

50. Thuaj: “Unë nuk ju them juve, se i kam në kompetencë depot e Allahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregoj, se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk ju them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua. Thuaj: “A janë baras i verbri dhe ai që sheh?” A nuk mendoni?

51. Ti tërhiqju vërejtjen me këtë (Kuran) atyre që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre, në mënyrë që të ruhen, sepse pos Tij nuk do të ketë, as mbrojtës, as ndërmjetës.

52. Dhe mos i përze ata që adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, duke pasur si qëllim (me adhurimin e tyre) Fytyrën e Allahut (duke qenë të sinqertë ndaj Tij). Ti nuk përgjigjesh asgjë nga llogaria e tyre e as ata nuk kanë kurrfarë përgjegjësie nga llogaria jote, e po i dëbove ata do të bëhesh nga të padrejtit.

53. Kështu Ne i sprovojmë disa me disa të tjerë (pasanikun me varfanjakun, atë me autoritet dhe atë pa të), ashtu që të thonë: “A këta janë në mesin tonë që Allahu u dhuroi të mira (dhe i udhëzoi në rrugën e drejtë pos nesh)?” A nuk është Allahu më i Dijshmi për ata që janë mirënjohës?!...

54. E kur të vijnë ty ata që i besojnë ajetet tona thuaju: “Selamun alejkum, Zoti juaj ia obligoi Vetes mëshirën. Kush bën prej jush ndonjë të keqe pa dije, e mandej pas asaj (të keqe) pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Shumëfalës dhe është Mëshirues i madh.

55. Ja, kështu Ne i sqarojmë argumentet, në mënyrë që të dalë në shesh rruga e kriminelëve.

56. Thuaj: “Unë jam i ndaluar të adhuroj ata që i adhuroni ju, pos Allahut! Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, pse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarve (në rrugë të drejtë).

57. Thuaj: “Unë i përmbahem të vërtetës (që më erdhi) nga Zoti im. Ju e përgënjeshtruat atë, e ai që kërkoni t'ju vijë më shpejt (dënimi), nuk është në dorën time, vendimi i takon vetëm Allahut; Ai e rrëfen të vërtetën dhe Ai është më i Miri i gjykatësve.

58. Thuaj: “Sikur të ishte në dorën time ai, që kërkoni t’ju vijë më shpejt, çështja mes meje dhe jush do të ishte e përfunduar. Allahu është më i Dijshmi për mizorët.

59. Çelësat e fshehtësive janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është (shënuar) në Librin e Qartë (Levhi - Mahfudh).

60. Ai është që i ngrie (i merr) shpirtrat tuaj natën (kur jeni në gjumë), dhe e di çka vepruat ditën, pastaj ju ngjall-zgjon në të (ditën) deri në afatin e caktuar (vdekje). Pastaj do të ktheheni e do t’ju njoftojë me atë që keni pas vepruar.

61. Vetëm Ai është Mbizotëruesi mbi robërit e vet. Ndaj juve ju dërgon rojë (cakton engjëj) derisa t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë (të tjerë) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi.

62. Pastaj i kthehen Allahut, Sunduesit të vërtetë të tyre. Vetëm i tij është sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i Shpejti i llogaritësve.

63. Thuaj: “Kush ju shpëton prej errësirave (trishtuese) të tokës e të detit, e (nga trishtimi) ju e lutni atë haptas e fshehtas (duke thënë), nëse Ai na shpëton prej kësaj, ne do të jemi (besimtarë) mirënjohës?”

64. Thuaj: “Allahu ju shpëton nga ajo dhe nga çdo brengosje. Megjithëkëtë ju Atij i përshkruani shok.

65. Thuaj: “Ai ka fuqi (t’ju shpëtojë, por edhe) t’ju sjellë dënim prej së larti, ose prej së poshti nën këmbët tuaja, apo t’ju ndajë në grupe e ta luftoni njëri-tjetrin. Shih se si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë”.

66. E populli yt e konsideroi atë (Kuranin) të rremë, porse ai (Kurani) është i vërtetë. Thuaj: “Unë nuk jam roje e juaj”.

67. Çdo lajm e ka afatin e realizimit, e më vonë, ju do të kuptoni.

68. Kur sheh ata se janë thelluar me tallje në argumentet (ajetet) Tona, largohu prej tyre derisa të kalojnë në një bisedë tjetër. Nëse djalli të bën të harrosh (e rri me ta), pasi të bie ndër mend, mos rri me popullin mizor.

69. Për ata (besimtarët) që ruhen (nga tallja) s’ka kurrfarë përgjegjësie (për talljen e mosbesimtarëve), mirëpo këshilloni ata (mosbesimtarët), në mënyrë që të ruhen (nga tallja).

70. Hiqu atyre që e marrin fenë për lojë e dëfrim (në vend që ta respektojnë) dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ti përkujto me të (Kuranin), që të mos bjerë njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s’ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos Allahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan për pije kanë ujë të vluar e dënim të idhët. 71. Thuaj: “A pos Allahut të adhurojmë atë që nuk na sjell, as dobi, as dëm dhe të kthehemi mbrapa (në kufr) pasi Allahu na vuri në rrugë të drejtë, dhe atëherë të bëhemi sikurse ai, të cilin djajtë e kanë rrëmbyer (e kanë bërë për vete), duke e lënë të hutuar në tokë, që edhe pse ai ka shokë, që e thërrasin në rrugë të drejtë (i thonë): "Eja te ne" (ai nuk përgjigjet)? Thuaj: "I vetmi udhëzim është ai udhëzimi i Allahut, dhe se jemi urdhëruar, që t'i dorëzohemi Zotit të botëve. 72. (Na është thënë) Dhe faleni namazin dhe kini frikë prej Tij, se Ai është tek i Cili do të tuboheni.

73. E Ai është që krijoi qiejt dhe tokën, me qëllim të caktuar, e (ruajuni dënimit) ditën kur thotë: “Bëhu”! Ajo bëhet. Fjala e Tij është e njëmendtë dhe Atij i takon sundimi Ditën kur i fryhet “Surit”. Ai është i Dituri i të fshehtës dhe të dukshmes, është më i Urti dhe Njohësi i çdo gjëje me hollësi.

74. Përkujtoju (o i dërguar), kur Ibrahimi i tha babait të vet Azerit: “A statuja (idhuj) adhuron për zota? Unë po të shoh ty dhe popullin tënd në një humbje të sigurt.

75. E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur.

76. E kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll e tha (popullit të tij si argument kundër tyre)! “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi) tha:” Unë nuk i dua ata që humben”.

77. Kur e pa hënën të posalindur tha: “Ky është Zoti im! E kur perëndoi ajo tha: “Nëse Zoti im nuk do të më kishte udhëzuar, unë do të bëhesha prej njerëzve të humbur!”

78. Kur e pa diellin të lindur tha: “Ky është Zoti im, ky është më i madh!”, e kur ai perëndoi tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!”

79. Unë me veten time i drejtohem Atij, që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!

80. Po atë (me Ibrahimin) e polemizoi populli i tij e ai tha: “A polemizoni me mua, rreth Allahut e Ai më udhëzoi?” Unë nuk iu frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godasë, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?”

81. E si t’ju frikohem atyre, që ju ia shoqëruat, e ju nuk frikësoheni për atë që i shoqëruat Allahut pa pasur kurrfarë argumenti. E cili grup, pra, është më i drejtë të jetë i sigurt, nëse jeni që kuptoni?

82. Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.

83. Këto janë argumentet tona, që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngrejmë në shkallë të lartë atë që duam. Vërtet Zoti yt është më i Urti (që çdo send e vë në vendin e vet), dhe është i Gjithëdijshmi (të Cilit nuk i fshihet asgjë).

84. Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. Më parë edhe Nuhun e patëm udhëzuar. E nga pasardhësit e tij (të Ibrahimit) udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë bamirësit.

85. (shpërblyem) Edhe Zekerijanë, Jahjanë, Isain, Ilijasin të gjithë prej të mirëve të përsosur.

86. (shpërblyem) Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit e tjerë. 87. Edhe disa nga prindërit, nga pasardhësit dhe nga vëllezërit e tyre i zgjodhëm (për pejgamberë) dhe i udhëzuam në rrugë të vërtetë.

88. Ky është udhëzim i Allahut, udhëzon me të kë të dojë nga robërit e Tij. E sikur t’i përshkruajnë shok Zotit (edhe ndonjë nga këta) kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepruar.

89. Ata ishin që iu patëm dhënë librin, urtësinë e pejgamberllëkun; e nëse këta (idhujtarët mekas) e refuzojnë këtë (pejgamberllëkun tënd), Ne e kemi siguruar këtë me një popull që nuk e refuzon.

90. Ata (të dërguarit e përmendur) ishin që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj ti merri shembull në udhëzim. Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë (komunikimin e Kuranit) shpërblim prej jush. Ky nuk është tjetër, përveç një këshillë për mbarë njerëzit.”

91. Ata (mohuesit) nuk e njohën Allahun sa duhet njohur Atë, kur thanë: “Allahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu!” Thuaj: “Kush e zbriti librin, me të cilin erdhi Musai, e që ishte dritë e udhërrëfyes për njerëz, e të cilin ju e bëni të shpërndarë në letra, që disa i paraqisni, kurse shumicën e fshihni. Dhe u mësuat çka nuk e dinit ju, as prindërit tuaj Thuaj: (e zbriti) Allahu”. Mandej lëri ata që luajnë në atë kotësinë e tyre.

92. Edhe ky (Kuran) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes, e që t’i tërheqësh vërejtjen (banorëve të) nënës së fshatrave (Mekes), dhe atyre përreth saj (mbarë botës). Ata që e besojnë Ahiretin, besojnë në të (Kuranin), ata edhe e falin namazin rregullisht.

93. E kush është më gabimtar i madh, se sa ai që trillon rrenë ndaj Zotit, ose thotë: “Mua po më shpallet, e nuk i është shpallur asgjë, ose se sa ai që thotë: “Do të thur diçka të ngjashme me atë që e ka zbritur Allahu”. E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoninë e vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (iu thonë): “Shpëtojeni pra veten (nëse mundeni). Tashti përjetoni dënimin e turpshëm, për shkak se thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneçë.” (atëherë vërtet do të shihje një dënim të tmerrshëm).

94. (Allahu do t’u thotë): “Në të vërtetë ju na erdhët një nga një (të vetmuar), ashtu si ju krijuam së pari; keni lënë prapa shpinës atë që iu patëm dhënë, e nuk po shohim se i keni me vete ndërmjetësit tuaj, të cilët i mendonit, se për ju janë ndihmëtarë (i shoqëronit Allahut). S’ka dyshim, është këputur lidhja mes jush, dhe mbaroi ajo çka mendonit (ndërmjetësues apo zota të tjerë).”

95. S’ka dyshim, Allahu është zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës). Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe Ai është nxjerrës i të vdekurit nga i gjalli. Ky është Allahu, e si atëherë shmangeni. (nga besimi)!

96. Ai është krijues i dritës së mëngjesit. Natën e bëri kohë pushimi, e diellin dhe hënën për llogaritje të kohës. Ky (rregull) është caktim i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit.

97. Ai është që krijoi yjet për ju, që me ta të orientoheni në errësira, kur jeni në tokë ose në det. Vërtet Ne i shpjeguam argumentet tona për një popull që di të mendojë.

98. Ai është që ju krijoi (filloi) prej një njeriu; aty (mbi tokë) jetoni (qëndroni) dhe nën të do të pushoni. Ne ia sqaruam argumentet një populli, që di të kuptojë.

99. Ai është që lëshon nga lart shiun e me të nxjerr bimën e çdo sendi dhe prej bimës nxjerrim gjelbërim dhe prej tij (prej gjelbërimit) kokrra të dendura në kallinj. E nga hurmat, nga sythat e tyre kalaveshë të afërt (për t’i vjelë). Edhe kopshte me hardhi, ullinj e shegë të ngjashme (në dukje) e të llojllojshme (në shije). Shikoni pra, frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen (të gjitha këto nga shiu). Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.

100. E (idhujtarët) xhinët ia bëjnë shokë Allahut, e në të vërtetë Ai i krijoi ata (xhinët), dhe duke mos patur kurrfarë dije, ata shpifën se Ai (Zoti) ka djem e vajza. Larg (shpifjeve) është madhëria e Tij e lartë.

101. Ai (Allahu) është, që krijoi (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe tokën (e duke qenë i tillë), e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte?!... Çdo send e krijoi Ai, dhe është më i Dijshmi për të gjitha sendet e krijuara.

102. Ky është Allahu, Zoti juaj, nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, Krijues i çdo sendi, pra adhurojeni Atë; Ai është Mbikëqyrës ndaj çdo sendi.

103. Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshijnë Atë, e Ai i përfshin të parët. Ai është shumë i Kujdesshëm, hollësisht i Njohur.

104. Juve ju erdhën argumente të qarta nga Zoti i juaj, e kush i sheh (kupton) ai e ka për vete, e kush verbohet, ai e ka për të zezën e vet. E unë (Pejgamberi) nuk jam roje e juaj.

105. E kështu Ne i sqarojmë dëshmitë, ashtu që ata thonë: “Ke mësuar ti” (nga librat, po fjalës së tyre nuk i vihet veshi) dhe që për t’ia bërë edhe më të qarta një populli, që di të dallojë (të vërtetën nga e kota).

106. Ti (Muhamed) praktiko atë që t’u shpall nga Zoti yt. S’ka të adhuruar me të drejtë, përveç Tij. Largohu prej idhuj tarëve!

107. E sikur të donte Allahu, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të bëmë përcjellës të tyre, e as që je mbikëqyrës i tyre. 108. Ju mos ua shani ata (zota) që ju luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan.

109. Ata u betuan me një betim të fortë në Allahun, se nëse iu vjen atyre ndonjë mrekulli do ta besojnë. Thuaj: “Çështja e atyre mrekullive është tek Allahu”. E ku e dini ju, ndoshta kur të vijnë ato nuk iu besojnë.

110. Ne i rrotullojmë zemrat dhe të parët e tyre (prej besimit), ashtu sikundër nuk e besuan atë (Kuranin) për herë të parë, dhe i lëmë të bredhin të hutuar në atë mashtrimin e tyre.

111. E edhe sikur t’ua zbritnim Ne atyre engjëjt, t’u flitnin të vdekurit, t’u tubonim atyre çdo send (gjallesë) konkretisht, ata nuk kishin për të besuar, vetëm po të donte Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë (se besimi është dhuratë nga Zoti).

112. Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo pejgamberi i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme, në mënyrë të fshehtë nxisin njëri-tjetrin në mashtrime. E sikur të  donte Zoti yt, ata nuk do ta bënin atë (armiqësi), po ti lëri ata me ato trillime.

113. Dhe (nxisin) që zemrat e atyre që nuk besojnë botën e ardhshme të anojnë (tek ato fjalë mashtruese) dhe që të kënaqen e ngarkohen me atë që janë duke u ngarkuar.

114. (Thuaj) A pos Allahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)! Kur Ai është, që ua zbriti librin në mënyrë të shkoqitur? Atyre që iu dhamë librin e dinë se ai (Kurani) është i zbritur prej Zotit tënd saktësisht, pra mos u bëj prej atyre që dyshojnë.

115. Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është Dëgjuesi i çdo gjëje, i Gjithëdijshmi.

116. Në qoftë se i bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e Allahut. Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se gënjeshtarë.

117. S’ka dyshim, Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai është më i Dijshmi për të udhëzuarit.

118. Ju (besimtarë) hani nga ajo që (është e therur dhe) është përmendur emri i Allahut, po qe se jeni të bindur në faktet e Tij.

119. Ç’keni ju, që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i Allahut, e Ai ju sqaroi juve, se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar (atëherë edhe harami është hallall). Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit). Po Zoti yt është i Gjithëdijshëm për ata që i shkelin dispozitat.

120. Dhe mos bëni mëkate, as haptas, as fshehtas. Ata që bëjnë mëkatin do të ndëshkohen për mëkatin e bërë.

121. Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat. Djallëzitë i nxisin miqtë e vet, që t'ju polemizojnë juve, e nëse i dëgjoni ata, atëherë jeni si ata (idhujtarë).

122. Vallë, a është ai që qe i vdekur, kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë.

123. Dhe ashtu (sikurse në Mekë) në çdo qytet kemi bërë kriminelët e tij pari, në mënyrë që të bëjnë dredhi në të, por nuk mashtrojnë tjetërkënd, pos veten e tyre dhe prapëseprapë nuk kuptojnë.

124. E kur u vjen atyre ndonjë argument i prerë (për Muhamedin), ata thonë: “Kurrsesi nuk e besojmë atë (dërgesën e Muhamedit) derisa të na jepet edhe neve ngjashëm me atë që iu pat dhënë të dërguarve të Allahut”! Allahu e di më së miri, ku ta vërë dërgesën (risalen) e vet. Ata që bënë krim do t’i godasë poshtërimi dhe dënimi i fortë tek Allahu, për shkak se vazhdimisht bënin hile.

125. Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë, sikur të ngjitej në qiell. Kështu Allahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë.

126. Kjo është rruga e Zotit tënd, është e drejtë, Ne shpjeguam argumentet për njerëz që përkujtojnë.

127. Ata e kanë vendin e shpëtimit (xhenetin) te Zoti i tyre; Ai është Mbrojtës i tyre, për atë që ata vepruan.

128. Përkujto ditën, kur Ai i tubon ata të gjithë (e iu thotë): “O grumbull i xhinve, ju mashtruat shumë njerëz!” E nga njerëzit që ishin miq të tyre (të xhinve) thonë: “Zoti ynë ne përfituam njëri prej tjetrit, dhe e arritëm afatin që caktove!"- Tha (Zoti): “Zjarri është vendi juaj, përgjithmonë jeni në të, pos (kohës) çka do Allahu”. Vërtet Zoti yt është më i Urti, më i Dijshmi.

129. Po ashtu (sikur iu dhamë xhinve dhe njerëzve përjetim), Ne i bëjmë sundues disa mizorë mbi mizorët e tjerë, për shkak të asaj që fituan (vepruan).

130. O grumbull i xhinve dhe i njerëzve! A nuk ju erdhën nga mesi juaj të dërguar t’ju rrëfejnë argumentet e Mia dhe t’ju tërheqin vërejtjen për takimin tuaj në këtë ditë? Ata thonë: “Dëshmojmë kundër vetes”. I pat mashtruar ata jeta e kësaj bote dhe ashtu (të detyruar) dëshmuan kundër vetes, se me të vërtetë e refuzonin (të vërtetën).

131. Këtë (dërgimin e të dërguarve), sepse Zoti yt nuk është që për shkak të mëkatit të shkatërrojë një vend, e banorët e tij të jenë të painformuar.

132. Po për secilin (veprues) ka shkallë (që do t’i arrijë) sipas asaj që vepruan. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë.

133. Zoti yt nuk ka nevojë për asgjë, Ai është Mëshirues. Nëse do Ai, juve ju zhduk dhe sjell kë të dojë pas jush, ashtu sikurse ju solli juve nga pasardhësit e atyre që ishin para jush.

134. Ajo që iu kërcënohet (kijameti, ringjallja, llogaria, përgjegjësia) patjetër do të vijë, e ju nuk mund ta pengoni. (Nuk mund ta mënjanoni caktimin e Zotit).

135. Thuaj: “O populli im (kurejshitë!) veproni në atë që jeni, e unë do të vazhdoj të veproj në atë që jam, e më vonë do ta dini, se kujt do t’i takojë e ardhmja e lavdishme. Është e ditur, se zullumqarët nuk gjejnë shpëtim.

136. Dhe nga ajo që krijoi Ai prej të lashtave dhe prej kafshëve shtëpiake, ata (idhujtarët) ndanë një pjesë për Allahun dhe thanë: “Kjo është për Allahun, si mendonin ata, e kjo është e idhujve tanë”. Ajo që ishte për idhujt, nuk shkon tek Allahu, e ajo që është për Allahun, shkon tek idhujt e tyre. Sa gjykim i shëmtuar është ai që gjykojnë (pjesën e idhujve e plotësonin nga ajo e Allahut, në rast nevoje, e të Allahut jo).

137. Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan atyre mbytjen e fëmijëve të vet, për t’i shkatërruar (me mashtrime) dhe për t’ua ngatërruar fenë (që e kishin pasur të Ismailit). Po sikur të donte Allahu, ata nuk do ta bënin atë, prandaj hiqu tyre dhe asaj që shpifin.

138. Dhe sipas bindjes së tyre ata thoshin: “Këto kafshë dhe këto bimë janë të ndaluara, nuk mund të ushqehet me to, përveç atyre që ne ua lejomë; këto janë kafshë që është e ndaluar t'u hipet; këto janë kafshë që gjatë therjes së tyre nuk përmendin emrin e Allahut, duke shpifur ndaj Tij. Ai do t’i ndëshkojë ata për shpifjet e tyre.

139. Madje ata thoshin: “Çka është në barqet e këtyre kafshëve është vetëm për meshkujt tanë, e ndaluar për gratë tona. E nëse ishte e ngordhtë (fruti në bark) ata (meshkuj e femra) ishin të barabartë në të. Do ta ndëshkojë Ai cilësimin e tyre të rrejshëm. Ai është i Përsosur në punët e Tij, i Gjithëdijshëm për krijesat e Tij.

140. S’ka dyshim, se kanë dështuar keq ata që vranë fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata, që duke i shpifur Zotit shpallën të ndaluar atë, që Zoti ua kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim.

141. Ai (Allahu) është, që krijoi kopshte (bimët e të cilave) të ngritura lart (në shtylla) dhe të rrafshta (të shtrira në tokë), edhe hurmet dhe drithërat me frute (shije) të ndryshme; (krijoi) ullinjtë dhe shegët e ngjashme (nga forma) e jo të ngjashme (nga shija). Hani frutat e tyre, kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë, që është obligim (të varfërve e nevojtarëve) dhe (hani-jepni) mos teproni, pse Ai nuk i do shkapërderdhësit.

142. Nga kafshët (shtëpiake krijoi) edhe asosh për ngarkim (për hipje) dhe asosh, prodhimi i të cilave përdoret për shtrojë (leshi i tyre ose për therje). Hani nga ajo që Allahu ju dhuroi, e mos ndiqni gjurmët (rrugët) e shejtanit, pse ai është armiku i juaj i hapët.

143. Ai (krijoi) tetë lloje (nga kafshët shtëpiake): prej deleve dy (dash e dele), prej dhive dy (cjap e dhi). Thuaj: “A janë të ndaluar (haram) dy meshkuj apo dy femra apo çka mban (pjell) mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” Më tregoni, pra, me fakte të ditura (e jo me trillime), nëse jeni të sinqertë.

144. Ai (krijoi) edhe nga devetë dy (lloje) dhe nga lopët dy (lloje). Thuaj: “A dy meshkuj i ka ndaluar (haram), a dy femra, ose çka mban mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” A mos ishit të pranishëm kur Allahu ju porositi me këtë (hallall apo haram)?” E kush është më mizor, se ai që trillon rrenë për Allahun dhe ashtu t’i humbë njerëzit në mungesë të dijes. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë mizorët.

145. Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kuran), nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: ngordhësirë, gjak i derdhur ose mish derri, ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therur jo në emër të Allahut (por të ndonjë idhulli), e që është mëkat. E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur si qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.

146. E (posaçërisht) ndaj atyre që janë jehudi Ne iu kemi ndaluar çdo (kafshë) thundrake: nga lopët dhe delet ju kemi ndaluar dhjamin e tyre, pos atij (dhjami) në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe pos atij të përzier me ndonjë asht. Këtë (masë-ndalesë) e morëm si ndëshkim ndaj mëkatit të tyre. S’ka dyshim, Ne jemi të vërtetë (në çka ju rrëfejmë).

147. Po, në qoftë se (për këtë jehuditë) të përgënjeshtrojnë. Thuaj: “Sa mëshirues i madh është ky Zoti juaj, po (mos u mashtroni) dënimi i Tij për njerëzit kriminelë nuk mund të prapësohet!”

148. E ata që i shoqëruan Zotit do të thoshin: “Sikur të donte Allahu nuk do t’i bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë) as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send. “Kështu patën përgënjeshtruar edhe ata, që ishin para tyre derisa (për shkak të mëkatit) përjetuan dënimin tonë të ashpër. Thuaj: "A mos keni ndonjë fakt e të na e paraqisni atë neve?” Ju i mbështeteni vetëm hamendjes, në të vërtetë vetëm gënjeni”. 149. Thuaj: “Allahu ka argumentin më të plotë dhe sikur të donte Ai do t’ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve”.

150. Thuaj: “Sillni dëshmitarët, të cilët dëshmojnë, se Allahu ndaloi (bëri haram) ato (që i ndalonin vetë). Nëse duan të dëshmojnë rrejshëm, ti mos dëshmo bashkë me ta dhe mos shko pas dëshirave të atyre, që argumentet Tona i bënë të rreme dhe pas atyre, që nuk besojnë jetën tjetër e që largohen prej Zotit të tyre (adhurojnë tjetër).

151. Thuaj: “Ejani t’ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i vritni fëmijët tuaj, për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata, të mos iu afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e vritni njeriun, sepse vrasjen e tij e ndaloi Allahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë.

152. Mos iu afroni pasurisë së jetimit, derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrën më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshoren. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë Allahut plotësojeni. Këto janë me çka Ai ju porosit, kështu që të përkujtoni.

153. Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.

154. E Musait i dhamë librin plotësim (i të mirave) për atë që tregon  bindje të mirë, dhe sqarues për çdo send, udhërrëfyes e mëshirë, ashtu që të besojnë, se do të takohen me Zotin e tyre.

155. Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij, ruajuni ashtu që të mëshiroheni.

156. (E zbritëm Kuranin) Që të (mos) thoni: “Libri u zbriti vetëm dy grupeve para nesh (jehudive e të krishterëve) dhe se ne ishim të panjohur me mësimin e librave të tyre. 157. Dhe që të (mos) thoni: “Sikur të na kishte zbritur neve libri, (sikurse iu zbriti atyre dy grupeve) ne do të ishim edhe më të udhëzuar se ata. Juve ju erdhi nga Zoti juaj argumenti (Kurani), ju erdhi udhëzimi, mëshira. E kush është më zullumqar, se ai që argumentet e Zotit i bën të rreme dhe ua kthen shpinën atyre? Ne do t’i ndëshkojmë me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthyen shpinën argumenteve Tona, për shkak të prapësimit që bënë.

158. A mos janë duke pritur tjetër ata (pas këtyre fakteve) vetëm t’ju vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin), të vijë Zoti yt (për gjykimin e njerëzve Ditën e Ringjalljes), ose të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, në ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire. Thuaj: “Pritni, edhe ne jemi duke pritur!”

159. Vërtet ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhamed) nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm tek Allahu, Ai do t’i njohë me atë që punuan.

160. Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në Ditën e Gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (një vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk iu bëhet e padrejtë.

161. Thuaj: “Vërtet Zoti im më udhëzoi në rrugë të drejtë, që është fe e drejtë, fe e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota. Ai (Ibrahimi) nuk ishte idhujtar!

162. Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve,

163. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!

164. Thuaj: “ A të kërkoj Zot pos Allahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues) dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit.

165. Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. Allahu është Ndëshkues i shpejtë, është Shumëfalës e Mëshirues i madh.