Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Elif, Lam, Ra. Këto janë ajetet e librit, të Kuranit të plotkuptueshëm.
2. Ata që nuk besuan shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë muslimanë.
3. Lëri (Muhamed) ata, të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë.
4. Ne nuk kemi shkatërruar asnjë fshat (vendbanim) ndryshe vetëm në afatin e tij të caktuar.
5. Asnjë popull nuk mund ta shpejtojë afatin e vet, e as ta shtyjë për më vonë.
6. Dhe ata thanë: “O ti që t’u shpall përkujtimi (Kurani), me të vërtetë ti je i çmendur!”
7. Përse nuk na erdhe me engjëj (që të vërtetojnë), nëse je i sinqertë?
8. Ne nuk i dërgojmë engjëjt (u përgjigjet Zoti) ndryshe vetëm kur duhet (kur e kërkon urtësia e Zotit), dhe atëherë ata nuk afatizohen.
9. Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.
10. Ne përpara teje kemi çuar të dërguar në grupet e popujve të hershëm.
11. E atyre nuk iu erdhi asnjë nga të dërguarit, e të mos talleshin me të.
12. Ja kështu e fusim atë në zemrat e kriminelëve (mosbesimin - talljen).
13. Ata nuk e besojnë atë (Kuranin). Po ligji (i dënimit) ndaj popujve më të hershëm tashmë është i provuar (se si i shkatërroi Zoti).
14. Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e t’i shihnin engjëjt e fshehtësitë),
15. ata gjithqysh do të thonin: “Neve na janë ndalur sytë (shikimi). Jo, ne jemi njerëz të magjepsur”.
16. Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin) e kemi zbukuruar për ata, që e shikojnë me vëmendje.
17. Dhe atë (qiellin) e kemi ruajtur prej çdo djalli të mallkuar.
18. Përveç atij që vjedh (përgjon) çka dëgjohet, po edhe atë e kap ylli i zjarrtë (e djeg).
19. E tokën e kemi shtruar dhe në të kemi vënë kodra dhe kemi bërë, që në të të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve.
20. Dhe Ne ju krijuam juve në të jetesën (mjetet për jetë), e edhe atyre për të cilët ju nuk jeni furnizues.
21. E nuk ka asnjë send, që të mos e ketë burimin te Ne, po Ne nuk e japim atë ndryshe vetëm sipas një mase të caktuar (të nevojshme).
22. Ne i lëshojmë erërat mbarësuese, e nga qielli (retë) lëshojmë shi dhe atë ua japim ta pini, e ju nuk mund ta ruani atë.
23. Ne, vërtet jemi që japim jetë e vdekje dhe Ne jemi trashëgues (të qiejve e tokës).
24. S’ka dyshim, se Ne e dimë për ata që ishin para jush dhe edhe për ata që vijnë pas.
25. E Zoti yt është Ai që i tubon të gjithë ata (të kaluarit e të ardhshmit), vërtet Ai është shumë i Urtë, shumë i Dijshëm.
26. Ne krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe)! (të formuar-të trajtuar-mesnun).
27. E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.
28. Dhe (përkujto) kur Zoti yt iu tha engjëjve: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.
29. E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t'i jap atij shpirtin, që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde".
30. Të gjithë engjëjt tok, bënë sexhde.
31. Përpos Iblisit. Ai refuzoi të jetë me ata që bënë sexhde?
32. Ai (Allahu) tha: “O Iblis, ç’është ajo që ti të mos jesh me ata që bënë sexhde?”
33. Ai tha: “Nuk është për mua t’i bëj sexhde një njeriu, që e krijove nga balta e tharë, e zezë e me erë".
34. (Allahu) tha: “Dil pra prej aty, ti qofsh i mallkuar!”
35. Vërtet, mallkimi kundër teje qoftë deri në Ditën e Gjykimit”.
36. (Iblisi) Tha: “Zoti im, më jep pra afat, deri në ditën kur ata (njerëzit) të ringjallen!”
37. (Zoti) Tha: “Ti je prej të afatizuarve,
38. deri në kohën e ditës së caktuar”.
39. (Iblisi) Tha: “Zoti im, për shkak se më devijove, unë do t’ua zbukuroj (të këqijat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t’i largoj nga rruga e drejtë!”
40. Përveç robërve të Tu, të cilët i ke bërë të sinqertë.
41. (Madhëria e Tij) Tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë (e qartë)”.
42. Se ti ndaj robërve të Mi (të sinqerte) nuk ke kurrfarë force (as fizike, as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje.
43. E s’ka dyshim, se xhehenemi është vendpremtimi i të gjithë atyre.
44. Ai (xhehenemi) ka shtatë dyer, çdonjëri prej tyre ka shtegun (derën) e caktuar (nëpër të cilën do të hyjë).
45. E ata, të cilët iu ruajtën (mosbesimit dhe punëve të këqija) janë në xhenete e mes burimeve.
46. (u thuhet) Hyni në to, të shpëtuar (prej çdo të keqeje) të siguruar (nga vdekja).
47. Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar.
48. Ata nuk i godet aty kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.
49. Njoftoji robërit e Mi, se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe Mëshirues i madh.
50. Po (njoftoji), se edhe dënimi Im është ai dënim i dhembshëm.
51. E njoftoji edhe për mysafirët e Ibrahimit,
52. kur ata hynë tek ai dhe thanë: “Selamen - e përshëndetën, e ai (Ibrahimi) tha: “Ne po frikësohemi prej jush!”
53. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne po të përgëzojmë me një djalë të zgjuar!”
54. Ai (Ibrahimi) tha: “A më përgëzoni kur më ka kapur mua pleqëria? Me çka po më përgëzoni ju?
55. Ata thanë: “Ne të përgëzuam me atë, që është e sigurt e ti mos u bëj i pashpresë!”
56. Tha: “Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”.
57. Tha: “E çka është pra çështja e juaj, o të dërguar?”
58. Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull i prishur!”
59. Me përjashtim të familjes së Lutit. Ata do t’i shpëtojmë, që të gjithë.
60. Përpos gruas së tij. Ne kemi vendosur ajo të mbetet me ata të dënuarit (Allahu ka vendosur).
61. E kur i erdhën familjes së Lutit të dërguarit,
62. ai (Luti) tha: “Ju jeni njerëz të panjohur (nuk ju njoh)!
63. Ata thanë: “Jo (nuk kemi qëllim të keq ndaj teje), të kemi ardhur ty me atë (dënim) që ata dyshonin.
64. Të kemi sjellë të vërtetën, e ne jemi të drejtë (në atë që themi).
65. Ti ec me familjen tënde pasi të kalojë një pjesë e natës dhe ti rri pas tyre (që të mos frikësohen), dhe asnjëri prej jush të mos kthejë mbrapa (për të shikuar), dhe shkoni andej nga urdhëroheni.
66. E Ne i kumtuam atij (Lutit) atë çështje, se zhdukja e tyre deri në më të fundit do të jetë në mëngjes.
67. E banuesit e qytetit (Sadum) erdhën të gëzuar duke e lajmëruar njëri-tjetrin.
68. Tha: (Luti): “Këta janë mysafirët e mi, e mos më turpëroni mua,
69. edhe kini frikë Allahun e mos më nënçmoni!”
70. Ata thanë: “A nuk të kemi ndaluar, që të mos na përzihesh në njerëzit (që ne i mësyjmë)!
71. Ai (Luti) tha: “Ja, këto (gratë) bijat e mia, nëse do të bëni (martohuni me to)!”
72. Për jetën tënde (Muhamed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre.
73. E në kohën e lindjes (së diellit) ata i përfshiu ushtima e tmerrshme.
74. Dhe duke e përmbysur anën e lartë të qytetit poshtë, Ne e përmbysëm dhe lëshuam mbi ta shi (të dheut të pjekur në xhehenem) si gurë.
75. Në atë (ngjarje), vërtet ka argumente për ata që mendojnë.
76. Dhe se ato (vendbanime të shkatërruara) ende janë të dukshme pranë rrugës.
77. Për ata që besojnë, ka fakte në të.
78. Edhe populli i “Ejkës” ishin zullumqarë.
79. E Ne u hakmorëm kundër tyre (i shkatërruam), dhe që të dyja ato (vendi Sadum dhe Ejke) janë në rrugë, që duken.
80. Edhe populli i “Hixhres” i përgënjeshtroi të dërguarit.
81. Ne u patëm parashtruar atyre argumentet (mrekullitë) Tona, por ata i kundërshtonin ato.
82. Ata skalisnin shtëpia në kodra shkëmbore për të qenë të sigurt.
83. E ata në mëngjes i goditi gjëmimi i tmerrshëm e shkatërrues.
84. Dhe nuk iu ndihmoi atyre asgjë nga ajo që vepruan.
85. E Ne nuk i krijuam qiejt e tokën ndryshe vetëm me urtësi (të madhe). E s’ka dyshim, se momenti i fundit (Kijameti) do të vijë, e ti (Muhamed) sillu me njerëzishmëri.
86. Vërtet, Zoti yt është Krijuesi i përgjithshëm, i Gjithëdijshmi.
87. Ne të kemi dhënë ty shtatë (ajete) që përsëriten (Fatihaja përsëritet në çdo rekat të namazit), edhe Kuranin e Madhërueshëm.
88. E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve bëhu i përulur e i butë.
89. Dhe thuaj: “Unë jam qortues i hapët (për dënim nga Zoti për ata që kundërshtojnë).”
90. (U sjellim dënim) Sikurse u sollëm atyre që bënë ndarjen (e librave të mëparshëm).
91. Të cilët e bënë Kuranin të ndarë në pjesë.
92. Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi,
93. për atë se ç’vepruan.
94. Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqju idhujtarëve.
95. S’ka dyshim, se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen,
96. të cilët Allahut i kundërvejnë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavijën e tyre).
97. Ne e dimë mirë, se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata.
98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur).
99. Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të vijë ty e vërteta (vdekja).