Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Elif, Lam, Ra, (ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht), edhe shkoqitur nga i Urti dhe i Dijshmi i të gjitha çështjeve me hollësi.
2. Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Unë jam (dërguar) nga Ai, qortues e përgëzues për ju.
3. E t’i kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) tek Ai, se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira (në këtë jetë) deri në një afat (të caktuar) dhe çdo punëmiri ia jep shpërblimin e merituar. Në qoftë se refuzojnë (të kërkojnë falje) unë pra kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe.
4. Se kthimi i juaj është vetëm tek Allahu, Ai është i Plotfuqishëm për çdo send.
5. Ja, ata pështjellojnë (armiqësinë në) gjoksat e tyre, që ta fshehin nga Ai, por ta dini se edhe kur mbulohen ata me petkat e tyre, Ai e di se çka fshehin dhe çka shfaqin. S’ka dyshim se Ai është i Njohur thellësisht për atë që mbajnë zemrat (qëllimet) e tyre.
6. Nuk ka asnjë gjallesë në tokë, që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në Librin e Qartë (Levhi Mahfudh).
7. Ai është që i krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve (fazave), e Arshi (Froni) i Tij kishte qenë (më parë) mbi ujë, që t’ju sprovojë, se cili prej jush është më vepërmirë. Nëse ti ju thua: “Ju do të ringjalleni pas vdekjes!”, ata që nuk besuan thonë: “Kjo (çka na thua) nuk është tjetër vetëm se magji e hapur”.
8. Nëse Ne e vonojmë ndëshkimin për një kohë të shkurtër kundër tyre ata thonë: “Çka po e pengon atë?” Le ta dijnë se ditën kur do t’iu vijë, ai nuk zmbrapset prej tyre, ata do t’i rrethojë ai (dënimi) me të cilin talleshin.
9. Po nëse Ne ia japim njeriut ndonjë begati nga ana jonë, e pastaj e tërheqim atë prej tij ai do të jetë i dëshpëruar dhe përbuzës.
10. E nëse pas të keqes që e pat goditur atë Ne dhurojmë të mira, ai do të thotë: “Kaluan të këqijat prej meje!”. Vërtet, ai është i shfrenuar dhe mendjemadh.
11. Përveç atyre, të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh.
12. A mos (shpresojnë idhujtarët, se) do të lësh diçka nga ajo që t’u shpall ty (sepse iu vjen rëndë ta dëgjojnë), dhe të shtrëngon zemrën tënde ajo (komunikimi i shpalljes), për shkak se ata do të thonë: “Pse të mos i ketë zbritur atij (Muhamedit) ndonjë pasuri, ose përse të mos i ketë ardhur bashkë me të ndonjë engjëll?”. Ti je vetëm qortues, e Allahu përkujdeset për çdo send.
13. Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kuranin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni pos Allahut, po qe se jeni të drejtë (në çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!"
14. E nëse nuk ju përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kurani) është i zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij. A jeni pra muslimanë?"
15. Kush ka si qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë.
16. Të këtillëve në botën tjetër iu përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.
17. A ai që është (i mbështetur) në argument nga Zoti i tij dhe atë e përforcon dëshmia nga Ai, e para tij (Kuranit) ishte (dëshmitar) libri i Musait (Tevrati), që ishte udhërrëfyes e mëshirë - (është i njëjtë me atë që ka për qëllim vetëm këtë jetë)? Të tillët (që janë në rrugë të drejtë) e besojnë (Kuranin). E kush prej atyre grupeve e refuzuan atë, vendi i tij është zjarri. E ti (Muhamed) mos ki dyshim në të, ai është e vërtetë nga Zoti yt, në të s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.
18. E kush është më mizor, se ai që trillon gënjeshtër për Allahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: “Këta ishin që gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i Allahut qoftë kundër mizorëve,
19. të cilët pengojnë nga rruga e Allahut dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, mu ata janë që nuk e besojnë botën tjetër!”
20. Ata nuk ishin të paprekshëm në tokë (prej dënimit të Zotit), dhe ata nuk kishin mbrojtës pos Allahut. Atyre iu shumëfishohet dënimi, sepse ata nuk ishin që mund të dëgjonin dhe as nuk shikonin.
21. Ata mashtruan veten dhe humbën prej tyre ata (idhujt) që i patën trilluar.
22. Është e vërtetë se ata në botën tjetër janë më të humburit.
23. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira dhe u përulën ndaj Zotit të tyre, ata janë banues të xhenetit, në të janë përgjithmonë.
24. Shembulli i gjendjes së këtyre dy grupeve është (i atyre që nuk besuan), si ai i verbri dhe i shurdhri, dhe (i atyre që besuan) si ai që sheh dhe dëgjon. A janë në pozitë të barabartë? A nuk përkujtoni?!...
25. Ne e patëm dërguar edhe Nuhun te populli i vet (me porosi të njëjtë si Muhamedin, që t'u thotë): "Unë ju tërheq vërejtjen haptazi,
26. që të mos adhuroni tjetërkënd pos Allahut, sepse unë kam frikë për dënimin tuaj në Ditën e Pikëllueshme”.
27. Paria që nuk besoi nga populli i tij tha: “Ne nuk të shohim ndryshe, vetëm si njeri, sikurse edhe ne, ne nuk po shohim se të pasoi kush, përveç atyre që janë më të poshtërit e më mendjelehtit nga mesi ynë, dhe ne nuk shohim, se ju keni ndonjë vlerë mbi ne, përkundrazi ne ju konsiderojmë gënjeshtarë!”
28. (Nuhu) Tha: “O populli im, më thuani nëse unë jam i mbështetur në argument të qartë nga Zoti im dhe Ai më dha mëshirë nga ana e Tij, e juve iu janë fshehur ato (argumentet sepse jeni të dhënë pas kësaj jete), a mos do t’ju detyrojmë për to (pranimin e tyre), kur ju jeni urrejtës të tyre!
29. O populli im, unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë pasuri, shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Dhe unë kurrsesi nuk i largoj ata që besuan, ata janë afër Zotit të tyre; por unë ju shoh si popull, që nuk dini e nuk kuptoni.
30. O populli im, a nuk po mendoni, se nëse unë i përzë ata, kush do të më mbrojë mua nga Allahu (dënimi i Tij)?
31. Unë nuk ju them juve, se tek unë janë depot e Allahut, as nuk ju them, se unë e di të fshehtën, as nuk ju them, se unë jam engjëll, as nuk ju them atyre, që sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk ju dhuroi atyre të mira. Allahu e di më së miri, se çka në shpirtrat e tyre, pse atëherë une konsiderohem zullumqar.
32. Ata thanë: “O Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate polemikën tonë. Urdhëro, e nëse flet të vërtetën sille pra, të na godasë ajo me çka na kërcënohesh!”
33. Ai tha: “Atë jua sjell vetëm Allahu, po qe se dëshironi, e ju nuk mund ta pengoni!”
34. Nëse përpiqem t’ju këshilloj, po qe se Allahu don t’ju humbë këshilla ime nuk bën dobi. Ai është Zoti juaj dhe vetëm tek Ai do të ktheheni.
35. A mos po thonë se ai e trilloi atë? Thuaj: “Nëse unë kam trilluar, atëherë ai është mëkati im, e unë jam larg nga krimet tuaja".
36. E Nuhut i qe shpallur: “Nuk do të besojë më askush nga populli yt, përveç atyre që kanë besuar (deri tashti), pra mos u brengos për atë që punojnë ata”.
37. E ndërtoje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe me mësimin tonë, e mos m’u drejto Mua për ata që mohuan, ata gjithqysh janë të përmbytur.
38. Dhe ai ndërtonte anijen e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij përqeshej me të. Ai ju thoshte: “Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju!”
39. Dhe më vonë do të kuptoni, se cili do ta pësojë dënimin e turpshëm dhe mbi të cilin do të jetë dënimi i përjetshëm.
40. E kur erdhi urdhri ynë (i caktuar për ndëshkim) dhe gufoi (uji) prej furrës (vend ku piqet buka), Ne i thamë: “Ngarko në të çdo krijesë nga një çift edhe familjen tënde, përveç për kë është marrë vendim i hershëm kundër tij, e (ngarkoje) edhe kush ka besuar, po përveç një pakice, nuk i kishin besuar atij”.
41. Dhe ai tha: “Hipni në të, me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet. Vërtet, Zoti im është Shumë falës, Mëshirues i madh”.
42. Ajo lundronte me ta nëpër valë si kodra, e Nuhu e thirri djalin e vet, që ishte në një vend të ndarë: "O djali im, hip bashkë me ne, e mos u bëj me mohuesit!”
43. Ai (djali) tha: “Unë do të ngjitem në një kodër, që do të më mbrojë nga uji (vërshimi)!” Tha: “Nuk ka sot mbrojtës prej dënimit të Allahut, pos atë që Ai e ka mëshiruar!” Vala hyri mes tyre të dyve, e ai (djali) u mbyt në ujë.
44. E iu pat thënë: “Oj tokë, përbije ujin tënd, dhe o qiell, ndërpreje (shiun), uji u tërhoq, urdhri u zbatua dhe ajo (anija) u ndal në (kodrën) Xhudij, e u tha: “I shkatërruar qoftë populli mizor!”
45. Nuhu e luti Zotin e vet, duke i thënë: “O Zoti im, djali im është i familjes sime, e premtimi Yt është i saktë, ndërsa Ti je më i Drejti i të drejtëve!”
46. (Zoti) Tha: “O Nuh, ai (djali) nuk ishte nga familja jote (për të cilën të premtova, se do t’i shpëtoj), ai ishte punëkeq, e ti mos më kërko Mua atë që nuk di, Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga injorantët!”
47. (Nuhu) Tha: “Zoti im, unë mbështetem në mbrojtjen Tënde, që të (mos) kërkoj prej Teje atë për çka nuk kam njohuri, e në qoftë se nuk më fal mua dhe nuk më mëshiron Ti, do të jem i humbur!"
48. Iu pat thënë: “O Nuh, zbarko qofsh i shpëtuar nga ana Jonë, me begati për ty dhe për një popull, që është me ty. E një populli (tjetër) do t'i mundësojmë përjetime, e pastaj do t'i godasë dënimi i dhembshëm nga ana Jonë".
49. Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kuranit) nuk i ke ditur, as ti, as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm, se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.
50. Edhe tek (populli) Adi (dërguam) nga mesi tyre Hudin, që tha: "O populli im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij, ju vetëm po hutoheni me trillime”
51. O populli im, unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim. Shpërblimi im është vetëm prej Atij që më krijoi. A nuk po e kuptoni.
52. O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij, Ai ju lëshon shi me bollëk, dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!”
53. Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument, e ne nuk i braktisim zotat tonë për fjalën tënde dhe ne nuk të besojmë ty”. 54. Ne nuk themi tjetër, vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje! Ai tha: “Unë dëshmitar kam Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni,
55. (larg adhurimit) pos Tij. Ju pra, të gjithë përpiquni kundër meje e mos më jepni afat.
56. Unë iu kam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i Drejtë.
57. Nëse kundërshtoni, unë ju kumtova atë me të cilën jam dërguar te ju. Zoti im do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, Atij nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi. Vërtet, Zoti im është Ruajtës i çdo sendi”.
58. E kur arriti vendimi Ynë (për dënim), Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam Hudin, e bashkë me të edhe ata që kishin besuar. I shpëtuam prej dënimit të rëndë.
59. E ato ishin (gjurmë të gënjeshtarëve të fisit) Ad-ët, që mohuan argumentet e Zotit të tyre, kundërshtuan të dërguarin e Tij, shkuan pas urdhrit të çdo kryelarti kundërshtar.
60. Ata u përcollën me mallkim, si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qoftë i shkatërruar Adi, populli i Hudit!
61. Edhe te (populli) Themud e patëm dërguar njërin prej tyre Salihun, e ai u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni ndonjë të adhuruar tjetër të vërtetë pos Tij, Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij, prandaj kërkoni falje prej Tij, dhe shprehni pendim tek Ai. S’ka dyshim, Zoti im është i Afërt (ndaj lutësit), Ai përgjigjet (lutjeve)”!
62. Ata thanë: “O Salih, ti ishe shpresë e jona para kësaj. Si mund të na ndalosh ta adhurojmë atë që e adhuruan prindërit tanë? Vërtet, ne jemi shumë të dyshimtë e në dilemë në atë që na thërret ti!”
63. “O populli im, më tregoni ju, nëse unë jam (i bazuar) në argument (të qartë) nga Zoti im, dhe Ai të më ketë dhënë mua mëshirë (gradën pejgamber) nga ana e Tij, kush do të më mbrojë mua nga Allahu, nëse unë e kundërshtoj Atë? Ju nuk më shtoni tjetër vetëm se humbje.
64. O populli im, kjo është deveja e Allahut, për ju është një argument. Lereni pra, të ushqehet në tokën e Allahut e mos e prekni me ndonjë të keqe e t’ju godasë menjëherë dënimi!”
65. E megjithatë ata e therën atë, e ai (Salihu) ju tha: “Përjetoni në vendin tuaj tri ditë, ky është caktim jo i rrejshëm!”
66. E kur erdhi vendimi Ynë (për dënim), Ne e shpëtuam Salihun nga poshtërimi i asaj dite, e bashkë me të, edhe ata që besuan. Zoti yt është i Plotfuqishmi, Ngadhënjyesi.
67. Ndërsa ata që bënë zullum i kapi (në ditën e katërt) krisma dhe u bënë kufoma (të ngrira) në vendin e tyre,
68. sikur të mos kishin qenë fare në të. Kuptojeni pra, (populli) Themud e mohoi Zotin e vet. Mallkimi qoftë kundër Themudit!
69. Edhe Ibrahimit i patën ardhur të dërguarit (engjëjt) tanë me myzhde dhe i thanë: “Selam”. Ai u përgjigj: “Gjithnjë paçi selam” dhe nuk vonoi t’ju sjellë një viç të pjekur (të fërguar në gur).
70. Kur pa se duart e tyre nuk shtrihen nga ai (viç), iu dukën të pazakonshëm dhe ndjeu prej tyre një farë frike. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi të dërguar te populli i Lutit”.
71. E gruaja e tij (Sara e Ibrahimit) rrinte në këmbë dhe qeshi, e Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut me Jakubin.
72. Ajo tha: “E mjera unë, si do të lind unë kur jam e vjetër, kurse ky burri im është i shtyrë më moshë, vërtet kjo është gjë e çuditshme?!".
73. Ata i thanë: “Si, mos po çuditesh me caktimin e Zotit?” Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë me ju o familje e shtëpisë (së Ibrahimit)! Vërtet, Ai është meritues për falënderim, është Bamirës i madh.
74. Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi myzhdeja, ai nisi dialogun me të dërguarit tanë rreth popullit të Lutit.
75. Vërtet, Ibrahimi ishte shumë i butë, shumë i dhembshëm dhe i kthyeshëm.
76. (engjëjt i thanë) O Ibrahim lëre këtë (dialog), urdhri i Zotit tënd tashmë ka zbritur, s’ka tjetër, ata do të përjetojnë dënim të pashmangshëm.
77. E kur të dërguarit tanë i erdhën Lutit, ai u keqësua për ta dhe u ngushtua rëndë me ardhjen e tyre e tha: “Kjo është ditë e vështirë!”
78. Dhe populli i tij, që më parë bënin punë të turpshme erdhi me ngut tek ai (te Luti), e ai tha: “O populli im, ja këto bijat e mia (gratë e atij vendi), janë më të pastra për ju, kini frikë pra Allahun e mos më turpëroni me mysafirët e mi, a nuk ka ndër ju ndonjë njeri të mençur (e t’ju ndalojë nga e keqja)?”
79. Ata thanë: “Po ti e di, se ne nuk kemi kurrfarë lakmie për bijat e tua, ti e di me siguri se çka dëshirojmë ne!"
80. Ai tha: “Ah, sikur të kisha fuqi kundër jush (t’ju zbmraps), ose të kisha mbështetje në ndonjë përkrahje (të fisit) të fortë!” (do t’i mbroja mysafirët e mi).
81. (engjëjt) Thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, ata (populli yt) nuk kanë për t’u afruar te ti, e ti nga fundi i natës udhëto me familjen tënde dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa (familja do të shpëtojë), pos gruas sate ajo do të jetë e goditur me çka do të goditen edhe ata. Afati i tyre është mëngjesi, a nuk është mëngjesi afër?”
82. Kur erdhi urdhri ynë Ne i përmbysëm të gjitha ato (fshatrat e tyre), duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë, dhe mbi ta reshëm gurë të fortë të njëpasnjëshëm,
83. (gurë) të shënuar te Zoti yt. Ata (gurë) nuk janë larg zullumqarëve (idhujtarëve kurejshitë).
84. Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin, që ju tha: "O popull im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër të vërtetë pos Tij, as mos matni, as mos peshoni mangut, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po frikësohem për ju nga dënimi, që do t'ju përfshijë një ditë!"
85. O populli im, veproni drejt gjatë matjes dhe peshimit, e mos i dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë!”
86. Atë pjesë që ua lejoi Allahu është shumë më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jam roja juaj!”
87. Ata thanë: “O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë, që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë? Vërtet, ti qenke i butë e i mençur". (Kjo ishte tallje e tyre).
88. “O populli im, më thuani pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?). Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm se të përmirësoj me aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm tek Ai jam i drejtuar!”
89. O populli im, kundërshtimi ndaj meje të mos iu çojë (në mosbesim), që t’ju gjejë ajo që e gjeti popullin e Nuhut, popullin e Hudit ose popullin e Salihut. E populli i Lutit nuk është larg prej jush.
90. Kërkojini falje Zotit tuaj dhe sinqerisht pendohuni ndaj Tij. Vërtet, Zoti im është Mëshirues i madh, shumë i Dashur.
91. Ata thanë: “O Shuajb, ne nuk po e kuptojmë shumicën e asaj që thua, dhe ne të konsiderojmë ty të dobët në mesin tonë, dhe sikur të mos ishte ai grupi yt, ne do të gurëzonim ty, sepse ti nuk je i çmuar ndër ne”.
92. Ai tha: “O populli im, a është më i çmuar te ju farefisi im, se Allahu, që e keni hedhur Atë pas shpine? Nuk ka dyshim, Zoti im i di të gjitha ato që veproni”.
93. “O populli im, veproni sa të mundeni, unë veproj, e më vonë do ta kuptoni, se kush do ta pësojë atë dënim që e poshtëron dhe kush është ai rrenacak. Pritni se edhe unë së bashku me ju jam duke pritur”.
94. E kur erdhi urdhri Ynë, Ne me mëshirën tonë e shpëtuam Shuajbin dhe bashkë me të edhe ata që besuan, ndërsa zullumqarët i kapi britma e tmerri, duke i bërë në vendin e tyre kufoma të gjunjëzuara,
95. si të mos kishin ekzistuar fare aty. Qoftë i shkatërruar Medjeni, sikurse u shkatërrua Themudi!
96. Ne e patëm dërguar Musain me dispozitat tona dhe me mrekulli konkrete,
97. te faraoni dhe rrethi i tij, e ata iu bindën urdhrit të faraonit, por urdhri i faraonit nuk ishte mençuri.
98. Në Ditën e Kijametit ai (faraoni) i prin popullit të vet dhe u fut në zjarr. Sa i shëmtuar është ai vend i ofruar.
99. Edhe në këtë botë ata i përcolli mallkimi, e edhe në Ditën e Kijametit. Sa e keqe është ajo dhuratë e dhuruar.156
100. Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar.
101. Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata i bënë vetes padrejtësi. E kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk iu ndihmuan për asgjë zotat e tyre, të cilëve iu luteshin pos Allahut, dhe nuk fituan tjetër pos shkatërrim.
102. Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.
103. Në këto (rrëfime) me të vërtetë ka një përvojë për atë që i frikësohet dënimit të botës tjetër. Ajo është ditë e tubimit të njerëzve dhe ajo është ditë dëshmuese.
104. Dhe atë (ditë) nuk e shtyjmë vetëm deri në një afat që është i caktuar.
105. E kur të vijë ajo ditë askush nuk do të flasë, pos me lejen e Tij, e prej tyre (të tubuarve) ka fatzinj dhe fatbardhë.
106. E për sa u përket atyre fatkëqinjve ata janë në zjarr, aty ata kanë dihatje, kërhamzë të vështirë (në frymëmarrje).
107. Aty janë përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atë çka do Zoti yt, vërtet Zoti yt punon çka dëshiron.
108. E për sa u përket atyre fatmirëve, ata janë në xhenete përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atë çka do Zoti yt, (Allahu ju dhuron) shpërblim të pakëputur.
109. Për adhurimin që bëjnë këta (idhujtarët), ti mos ki dyshim (se është i kotë). Nuk adhurojnë tjetër vetëm si adhuronin më parë prindërit e tyre, e Ne do t’ua japim pjesën e tyre pa mangësi.
110. Ne edhe Musait i patëm dhënë librin, e u bë përçarje rreth tij, e sikur të mos ishte vendimi i Zotit tënd i përcaktuar më herët, me siguri do të kryhej (dënimi kundër tyre). Vërtet, ata (populli yt) kanë shprehur dyshim rreth tij.
111. S’ka tjetër, vetëm se secilit prej tyre Zoti yt do t’u përmbushë veprat e tyre, se Ai është i Njohur hollësisht për atë që veprojnë.
112. Ti (Muhamed) përqendrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan (prej idhujtarisë), e mos tejkaloni (kufijtë e caktuar), se me të vërtetë Ai është Vështrues i asaj që veproni.
113. Dhe mos anoni nga ata që bënë zullum, e për atë shkak t’ju kapë zjarri, sepse përveç Allahut nuk keni mbrojtës, e mbeteni të pandihmuar.
114. Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.
115. Dhe ti, bëhu i durueshëm, se Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve.
116. E përse të mos ketë pasur nga brezat, që ishin para jush të zotët e mendjes e të nderit, që t'i ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë, përveç një pakice, të cilët i shpëtuam (sepse u frenuan nga të këqijat), e ata që ishin mizorë u dhanë pas kënaqësive, si të shfrenuar, duke vazhduar të jenë mëkatarë.
117. E Zoti yt nuk është, që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë.
118. Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete),
119. përveç atij që e mëshiroi Zoti yt. Po për këtë edhe i krijoi ata. Fjala e Zotit tënd: “Gjithsesi do ta mbushë xhehenemin me exhinë dhe njerëz të gjithë së bashku”, ka marrë fund (është plotësuar).
120. Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve janë, që ta forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.
121. E atyre që nuk besojnë thuaju: “Veproni sa të mundeni në atë të tuajën, edhe ne jemi duke vepruar”.
122. Ju pritni (ç’do të na gjejë neve), edhe ne jemi duke pritur (se ç’do t’ju gjejë juve).
123. Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të tokës, çdo çështje i kthehet (në kompetencë) vetëm Atij, pra adhuroje Atë, mbështetu tek Ai, se Zoti yt nuk është i panjohur për atë që veproni.