Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Elif, Lam, Ra. Këto janë ajetet e librit të pacenueshëm.
2. A ishte çudi për njerëzit, që Ne një njeriut nga mesi i tyre i thamë: “Tërhiqju vërejtjen njerëzve, kurse ata që besuan përgëzoji, se me të vërtetë kanë pozitë të lartë te Zoti i tyre”. E ata që nuk besuan thanë: “S’ka dyshim, kjo është një magji e vërtetë!”
3. Vërtet Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditësh, e pastaj u ngrit mbi Arshin; Ai rregullon gjendjen. Ndërmjetësues nuk do të ketë vetëm po qe se lejon Ai. Ky, Madhëria e Tij është Allahu, Zoti juaj, pra adhurojeni Atë! A nuk merrni mësim?
4. Kthimi i të gjithë juve është tek Ai, premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e filloi krijimin e pastaj e përsërit atë për t’i shpërblyer me të drejtë ata që besuan dhe bënë vepra të mira. E për ata që mohuan, ka pije të valë dhe dënim të dhembshëm, për shkak se ata mohonin.
5. Ai e bëri diellin shndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. Allahu nuk e krijoi këtë për tjetër gjë, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton.
6. Në ndërrimin e natës e të ditës, dhe në çka krijoi Allahu në qiej e në tokë vërtet ka fakte për njerëzit që kanë droje.
7. Ata që nuk presin takimin Tonë, që janë të kënaqur me jetën e Dunjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe ata që janë indiferentë ndaj argumenteve tona,
8. vendi për të tillët është zjarri, për shkak të asaj që punuan.
9. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i tyre, për shkak të besimit të tyre i udhëzon në xhenete të begatshme në të cilët rrjedhin lumenj.
10. Lutja e tyre aty është: “I Lartë je o Allah!”, e përshëndetja e tyre është: “Selam!” dhe lutja e fundit e tyre: “Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve!”
11. Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu si e pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati (i vdekjes). Po Ne, ata që nuk janë të bindur, se do të vijnë para Nesh, i lëmë të bredhin në mashtrimet e tyre.
12. E kur njeriun e godet dëmi ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen atij ai vazhdon sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin, që e pat goditur. Kështu kriminelëve ju duket e mirë ajo që veprojnë.
13. Ne kemi shkatërruar gjenerata para jush (o idhujtarë), pse bënin krime dhe pse nuk besonin, edhe pse të dërguarit iu erdhën me argumente të qarta. Kështu i shpërblejmë Ne njerëzit kriminelë.
14. Pastaj juve ju bëmë zëvendësues pas tyre në Tokë për t’ju parë si do të veproni.
15. Dhe kur atyre iu lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk besojnë takimin Tonë (ringjalljen) thonë: “Sillna një Kuran tjetër, ose ndryshoje këtë!”. Thuaj: “Mua nuk më takon që ta ndryshoj vetë, unë përcjell vetëm atë që më shpallet, unë nëse kundërshtoj Zotin tim i frikësohem dënimit të një Dite të Madhe.
16. Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’ua kisha lexuar juve atë, as nuk iu kisha njoftuar me të. Unë para tij kam jetuar një kohë në mesin tuaj (as nuk kam ditur, as nuk kam lexuar), a nuk mendoni?”
17. A ka më mizor, se ai që shpif ndaj Allahut gënjeshtër ose i përgënjeshtron faktet e Tij? Mëkatarët vërtet s’kanë për të shpëtuar.
18. Ata pos Allahut adhurojnë çdo gjë, që nuk iu bën dëm as dobi atyre, e thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu!”. Thuaj: “A po e informoni Allahun me diçka që Ai nuk e di, se ç’ka në qiej dhe në tokë?” E pastër është madhëria e Tij nga ajo që i shoqërojnë!
19. Njerëzit nuk ishin tjetër pos të një feje, e u përçanë. E sikur të mos ishte caktim i hershëm nga Zoti yt, do të përfundohej (me dënim) mes tyre, për atë që ishin të përçarë. 20. Dhe thonin: “Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë mrekulli nga Zoti i tij?”. Po ti thuaj: “E fshehta është (çështje) vetëm e Allahut (Ai sjell mrekulli). Prandaj ju pritni, se edhe unë së bashku me ju po pres!”
21. E kur Ne ua dhurojmë njerëzve mëshirën pasi t’i ketë goditur e keqja (skamja), kur ja, ata u bëjnë hile argumenteve tona. Thuaj: “Allahu është më i shpejti në kurthim”. S’ka dyshim, përcjellësit tanë (melaiket) regjistrojnë atë që po thurni ju.
22. Ai (Allahu) ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë e fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden, se janë të shkatërruar, e lusin Allahun pa farë përzierje të idhujve (duke thënë): “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues!”
23. E kur Ai (Allahu) i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapsht në tokë, pa arsye. O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj, është përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja.
24. Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu, që e kemi zbritur nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur, sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.
25. Allahu thërret për në xhenet, dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë.
26. Atyre që bëjnë vepra të mira iu takon e mira (xheneti) edhe më tepër (e shohin Allahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi, as nënçmimi, ata janë banues të xhenetit, aty janë përgjithmonë.
27. E ata që bënë të këqija, dënimi i së keqes është aq sa është ajo, ata i mbulon poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu, fytyrat e tyre janë porsi t’i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës. Ata janë banues të përjetshëm të zjarrit.
28. Atë ditë i tubojmë të gjithë, ndërkaq atyre që i kanë bërë shok Allahut ju themi: “Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!”. Ne i ndajmë ata. E idhujt e tyre iu thonë: “Ju nuk na adhuruat neve!”
29. Allahu na mjafton si dëshmues mes nesh e jush (kështu iu thonë idhujt idhujtarëve). Ne nuk dimë gjë për adhurimin tuaj ndaj nesh (ne nuk dëgjojmë, nuk shohim e nuk kuptojmë). 30. Aty në atë vend çdo njeri provohet me atë që e ka bërë më parë dhe kthehen te Allahu, Sundimtari i tyre i vërtetë dhe humb (shkon huq) prej tyre ajo që trillonin (se do t’u bëjnë shefatë).
31. Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka, kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj, kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri e kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli, kush rregullon çdo çështje?” Ata do të thonë: “Allahu”. Ti thuaj: “A nuk i frikësoheni?” (dënimit).
32. E ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos humbjes, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)!
33. Kështu është pra, vendimi i Zotit tënd kundër të shfrenuarve, pse ata nuk besojnë.
34. Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndokush, që ta fillojë krijimin e mandej atë (pas vdekjes) ta rikthejë?". Thuaj: "Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen. Si i largoheni pra të vërtetës?”
35. Thuaj: “A ka ndokush prej idhujve tuaj që ndonjë të humbur ta drejtojë në rrugën e drejtë? Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon në të vërtetën. Atëherë pra, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon në rrugën e drejtë, apo pas atij që nuk udhëzon (sepse nuk mund ta udhëzojë as veten), vetëm nëse prej dikujt tjetër udhëzohet? Ç’është me ju? Si gjykoni?
36. Shumica e tyre nuk përkojnë tjetër pos supozim, e supozimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës. Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që punojnë.
37. Nuk është e logjikshme të mendohet, se ky Kuran është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi, se është (i zbritur) nga Zoti i botëve.
38. Përkundër kësaj ata (idhujtarët) thonë, se atë e trilloi ai (Muhamedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”.
39. Por ja, ata e përgënjeshtruan atë (Kuranin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin edhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve.
40. Ka prej tyre (te të cilët u dërgua Muhamedi), që e besojnë atë (Kuranin), e ka prej tyre edhe asish, që atë nuk e besojnë. Zoti i njeh më së miri kokëfortit.
41. Po nëse ata të përgënjeshtruan ty, thuaj: “Mua më takon (shpërblimi nga) vepra ime e juve veprimi juaj, ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë, e as unë për atë që bëni ju”
42. Ka prej tyre, që të dëgjojnë (kur lexon, por formalisht). A mund ta bësh të shurdhrin të dëgjojë, edhe kur ata nuk kuptojnë?
43. Ka prej tyre që të shikon ty (duket se po të shikon). A mund ta udhëzosh ti të verbrin, kur ata nuk shohin (të vërtetën)!
44. Allahu nuk iu bën asgjë të padrejtë njerëzve, por ata i bëjnë të padrejtë vetes së tyre.
45. (Përkujto) Ditën kur i tubojmë ata, (atyre iu duket) sikur qëndruan (në Dunja) vetëm një moment të ditës, atëherë njihen mes vete. E vërtetë kanë dështuar ata, që nuk besuan këtë prezencë para Allahut, edhe nuk gjetën udhën e drejtë.
46. Nëse ta bëjmë të mundshme të shohësh diçka nga (dënimi) që iu premtuam atyre (këtë do ta shohësh), po nëse ta marrim shpirtin ty (para kësaj, do ta shohësh dënimin e tyre në botën tjetër), kthimi i tyre është vetëm te Ne. Allahu është Dëshmues i asaj që punojnë. 47. Secili popull kishte të dërguarin e vet, e kur u vinte i dërguari i tyre bëhej gjykimi i drejtë mes tyre, atyre nuk u bëhet padrejtësi.
48. Ata thonë: “Kur do të jetë ky premtim (dënim), nëse jeni të drejtë ç’ka thoni?
49. Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes sime, as dëm, as dobi, pos atë që dëshiron Allahu”. Çdo popull ka afatin (e caktuar), e kur të vijë afati i tyre ata nuk mund ta vonojnë, as për një moment, e as ta ngutin.
50. Thuaj: “Më tregoni, nëse iu vjen dënimi i Tij natën ose ditën, e çka i shtyn të nguten për të kriminelët?”
51. A pasi të ndodhë (dënimi) do ta besoni atë? Apo tani!... (po besoni), e ju ishit ata që kërkonit t'u vijë më shpejt?
52. Më vonë (në Ditën e Kijametit) atyre që bënë zullum iu thuhet: “Shijoni dënimin e përjetshëm!” Mos jeni dënuar më shumë se ç’keni merituar?”
53. E ata kërkojnë t’u tregosh (e do të thonë): “A është e vërtetë ajo (që thua për dënimin)?”.- Thuaj: “Po, betohem në Zotin tim, ajo është më se e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ta pengoni kurrsesi”.
54. Secili njeri që e ka dëmtuar veten (duke mos besuar), po të ishte e tij çdo gjë që ekziston në tokë, ai do ta flijonte atë (për të shpëtuar). E kur e shohin dënimin, ata fshehin dëshpërimin (nga hutia). Atëherë bëhet gjykimi i drejtë mes tyre, dhe atyre nuk iu bëhet e padrejtë.
55. Vini re! Nuk ka dyshim, se gjithçka që gjendet në qiej e në tokë është e Allahut! Kini kujdes. Premtimi i Allahut është më se i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë.
56. Ai jep jetë dhe vdekje, dhe vetëm tek Ai do të ktheheni.
57. O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj, që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.
58. Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme, se ajo që grumbullojnë ata”.
59. Thuaj: “Më thuani atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar, e diçka të lejuar?" Thuaj: "A ju lejoi Allahu ju, ose ju i shpifni Allahut?”
60. Po çfarë është mendimi i atyre që i shpifin Allahut, për Ditën e Kijametit? Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk falënderojnë.
61. Ti nuk angazhohesh me asnjë çështje, nuk lexon nga ai pjesë nga Kurani dhe nuk bëni ndonjë vepër, vetëm se ne jemi dëshmitarët tuaj, kur ju e ndërmerrni atë. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet, as në tokë, e as në qiell, as sa grimca, e as më e vogël se ajo, e as më e madhe, por vetëm se është e evidentuar në Librin e Sigurt.
62. Ta dini, se të afërtit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër), e as kurrfarë brengosje!
63. (Ata janë) që besuan dhe ishin të ruajtur.
64. Atyre iu jepet myzhde në jetën e Dunjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E ai është sukses i madh.
65. Po ty mos të të mundojnë thëniet e tyre. E tërë fuqia dhe ngadhënjimi i takon vetëm Allahut. Ai është Dëgjuesi i çdo gjëje, i Gjithëdijshmi.
66. Ta dini, se gjithçka që është në qiej e në tokë janë nën pushtetin e Allahut (pra, edhe idhujtarët). E ata, që pos Allahut adhurojnë, në të vërtetë nuk janë duke pasuar zota, ata nuk janë duke pasuar tjetër pos supozimeve dhe nuk bëjnë tjetër vetëm se gënjejnë.
67. Ai (Allahu) e bëri për ju natën që në të të pushoni, e ditën të ndritshme (të shihni). Në këtë (që bëri), vërtet ka argumente për një popull që dëgjon.
68. (Pas të gjitha argumenteve) Ata (jobesimtarët) thanë: “Allahu ka fëmijë”. Larg asaj është Allahu, Ai është i Pavaruri (s’ka nevojë për asgjë), e Tij është çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, ju nuk keni argumente për këtë (që ta thoni), a thoni për Allahun çka nuk dini?
69. Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtër për Allahun, nuk kanë për të shpëtuar”.
70. Ata kanë një përjetim në Dunja, pastaj kthimi i tyre është vetëm te Ne, e Ne do të bëjmë, që ata ta shijojnë dënimin e dhembshëm për shkak se nuk besonin.
71. Lexoju atyre ngjarjen e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse iu vjen rëndë qëndrimi im në mesin tuaj, përkujtimet e mia me ajetet e Allahut, e unë iu kam mbështetur vetëm Allahut, ju vendosni për qëllimin tuaj, thirrni në ndihmë edhe zotat tuaj, e mos e mbani fshehur, dhe zbatojeni atë kundër meje e mos pritni”.
72. “E nëse prapësoheni (nga mësimet e mia), unë nuk iu kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam i urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve”.
73. E ata (populli i tij) e konsideruan atë rrenacak e Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin bashkë me të në anije, dhe i bëmë që ata të jenë pasardhës (zëvendësues), kurse ata që i përgënjeshtruan ajetet tona i përmbytëm. Shih pra, si ishte fundi i gënjeshtarëve.
74. Mandej pas tij dërguam të dërguar te popujt e tyre, të cilët erdhën dhe u sollën atyre argumente të forta, por ata nuk i besuan asaj, të cilën më parë e kishin përgënjeshtruar. Kështu pra, vulosim zemrat e atyre, që i kalojnë kufijtë.
75. Pastaj pas tyre dërguam Musain dhe Harunin me argumentet tona, te Faraoni dhe paria e rrethit të tij, po ata paraqitën kryelartësi, pse ishte popull që bënte krime.
76. E kur iu erdhi atyre e vërteta e sigurt nga Ne ata thanë: “Kjo nuk është tjetër pos magji e qartë”.
77. Musai tha: “A të vërtetës i thoni magji? A magji është kjo? Magjistarët nuk shpëtojnë!”
78. Ata thanë: “Mos erdhe të na largosh nga ajo (feja), që e gjetëm te prindërit tanë, për t'ju mbetur juve të dyve madhështia në tokë? Po ne nuk ju besojmë juve të dyve”.
79. Faraoni tha: “Sillmëni mua të gjithë magjistarët e aftë”.
80. E kur erdhën magjistarët Musai iu tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur”.
81. E kur i hodhën ata Musai iu tha: “Kjo që sollët ju tashti vërtet është magji!" Po Allahu do ta asgjësojë këtë, sepse Allahu nuk e përkrah veprën e të prishurve.
82. Dhe me argumentet e veta Allahu e fuqizon të vërtetën, ndonëse e urrejnë jobesimtarët.
83. Duke pasur frikë nga faraoni dhe nga rrethi i tij, se do t’i torturojnë Musait nuk i besoi kush pos një pjese e pasardhësve të popullit të tij. Vërtet faraoni ishte arrogant në tokë dhe ai ishte prej shkatërrimtarëve.
84. Musai tha: “O populli im, nëse i keni besuar Allahut, vetëm atij mbështetuni, nëse jeni të dorëzuar (vendimit të Tij)!”
85. Ata iu përgjigjën duke i thënë: “Allahut iu kemi mbështetur, Zoti ynë, mos i mundëso popullit mizor të na sprovojë!”
86. “Dhe me mëshirën tënde, na shpëto prej popullit jobesimtar!”
87. Ne i thamë Musait dhe vëllait të tij t’i bëni vend në Egjipt popullit tuaj, shtëpitë tuaja t’i bëni faltore e ta falni namazin rregullisht. Ti (Musa) përgëzoji besimtarët!
88. Musai tha: “Zoti ynë, Ti i ke dhënë faraonit dhe parisë së tij mjete të përjetimit dhe pasuri në jetën e kësaj bote, ashtu që o Zoti ynë, po i largojnë njerëzit prej rrugës tënde. Zoti ynë, zhduke pasurinë e tyre, shtrëngoji zemrat e tyre, që të mos besojnë derisa ta shijojnë dënimin e idhët”.
89. Ai (Allahu) tha: “Lutja juaj është pranuar, prandaj ju të dy qëndroni ashtu si jeni, e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!”
90. Ne i kapërcyem Beni Israilët përtej detit, e faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht, derisa e përfshiu atë përmbytja, e ai tha: “Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan Beni Israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” 91. Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!
92. Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet ekziston një shumicë njerëzish, që nuk i hulumtojnë argumentet Tona.
93. Në të vërtetë, Ne i vendosëm Beni Israilët (pas shkatërrimit të armiqve të tyre) në një vend të mirë, i furnizuam ata me ushqime të dobishme dhe nuk ishin të përçarë (rreth fesë), vetëm pasi iu erdhi atyre dituria (Tevrati). Zoti yt, do të gjykojë mes tyre në Ditën e Kijametit, për atë që ishin përçarë.
94. Po (fjala vjen), nëse je në dyshim për këtë që të zbritëm ty (për ngjarjet e pejgamberëve), atëherë pyeti ata që lexojnë librin para teje. Ty të erdhi nga Zoti yt e vërteta, pra, mos u bëj prej atyre që dyshojnë.
95. Dhe mos u bëj prej atyre, që i përgënjeshtruan argumentet e Allahut, e të bëhesh nga të dështuarit.
96. Ata, për të cilët ka përfunduar caktimi i Zotit tënd, ata nuk besojnë,
97. edhe sikur t’u kishin paraqitur atyre çdo lloj argumenti, derisa të shohin dënimin e rëndë.
98. Përse nuk pati vendbanim, që të ketë besuar e besimi i tij të ketë ndihmuar (në shpëtim), pos popullit të Junusit, që pasi besoi Ne larguam prej tyre dënimin shëmtues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar.
99. Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?
100. Nuk është e mundur për asnjë njeri të besojë, pos me lejen e Allahut. E dënimin ua jep atyre që nuk mendojnë.
101. Thuaj: “Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson.
102. A janë duke pritur tjetër (fat) pos ditët (e zeza) si të atyre që ekzistonin para tyre? Thuaj: “Pritni, pra, se edhe unë bashkë me ju po pres!” 103. E Ne pastaj i shpëtojmë të dërguarit tanë edhe ata që besuan. Ja kështu është detyrë e Jona, t’i shpëtojmë besimtarët.
104. Thuaj: “O ju njerëz, nëse ju dyshoni në fenë time, unë nuk adhuroj ata që ju adhuroni pos Allahut, por adhuroj Allahun që u jep vdekjen (ashtu si iu ka dhënë jetën), dhe jam i urdhëruar të jem besimtar (i Zotit një).
105. Dhe (jam i urdhëruar): Përqendrohu me tërë qenien tënde në fenë e drejtë, e mos u bëj nga idhujtarët!
106. Dhe mos lut tjetërkënd pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjell, as dobi, as dëm, e nëse e bën atë dije se i ke bërë padrejtësi vetes.
107. Nëse Allahu të provon me ndonjë të keqe atë s’mund ta largojë kush pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij. E shpërblen me të atë që do nga robërit e Tij. Ai është Shumë falës dhe Mëshirues i madh.
108. Thuaj: “O ju njerëz, juve ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj, e kush merr rrugën e drejtë ai e ka vetëm për veten e vet, ndërsa kush e merr të shtrembrën ai e ka humbur veten. Unë nuk jam roje e juaj!”
109. Ti ec pas asaj, që të shpallet dhe bëhu i durueshëm derisa Allahu të gjykojë. Ai është më i miri i gjykatësve!