50. SURETUL-ISRA’Ë (17)

(111 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Pa të meta është Lartmadhëria e Atij, që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukades), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi dhe Vështruesi i çdo gjëje.

2. Edhe Musait Ne i kemi dhënë librin dhe atë (librin) e bëmë udhërrëfyes për Beni Israilët, që të mos marrin përveç Meje, ndonjë që ia besojnë çështjet.

3. Pasardhës të atyre që i bartëm (i shpëtuam) së bashku me Nuhun (bëhuni mirënjohës!). Vërtet ai ishte rob shumë falënderues.

4. Ne iu kumtuam në libër Beni Israilëve: “Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh”.

5. Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëzit Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër (sulmues) dhe ata hulumtuan (rreth e përqark) përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë.

6. Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti.

7. Nëse bëni mirë, bëni për veten, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes. E kur vjen koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë), që t'ju shëmtojnë fytyrat tuaja, që të hyjnë në xhaminë (Aksa) sikurse hynë herën e parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë.

8. Zoti juaj do t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), e nëse ju i ktheheni (të keqes), kthehemi (me ndëshkim) edhe Ne. E xhehenemin e kemi bërë burg për jobesimtarët.

9. Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë, që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon, se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.

10. Ndërkaq për ata, që nuk e besojnë botën tjetër, Ne kemi përgatitur një dënim të rëndë.

11. Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.

12. Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme, që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme.

13. Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin - për veprimin) e tij, e në Ditën e Gjykimit Ne do t’ia prezantojmë atij libër të hapur:

14. “Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”.

15. Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm veten e vet, e kush e humb (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetes së vet, e askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin.

16. Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e tyre (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht.

17. Sa e sa gjenerata i kemi shkatërruar pas Nuhut. Mjaft është Zoti yt i Njohur thellësisht dhe Vështrues i mëkateve të robërve të Tij.

18. Kush është që ka si qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atij ia bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur.

19. E kush e ka si qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti).

20. Ne secilit, atyre dhe atyre i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar.

21. Shiko se si Ne i kemi dalluar disa prej të tjerëve, po dallimi në botën tjetër është më i madh, dhe është përparësi më e madhe.

22. E mos shoqëro me Allahun ndonjë të adhuruar tjetër, e të bëhesh i qortuar, i papërkrahur.

23. Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).

24. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”.

25. Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai ua fal atyre që pendohen.

26. Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe udhëtarit, po mos shpenzo tepër e pa rrugë.

27. Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.

28. Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën, të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t'i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).

29. Dhe mos e bëj dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bëj koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt).

30. S’ka dyshim, se Zoti yt është Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai është i Njohur hollësisht për robërit e vet dhe Vështrues i tyre.

31. Ju mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë  furnizimin atyre dhe juve, e vrasja e tyre është mëkat i madh.

32. Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.

33. Dhe mos e vrisni njeriun, që Allahu e ka ndaluar (vrasjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush vritet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos e kalojë kufirin në vrasje përderisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).

34. Mos iu afroni pasurisë së jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet. Premtimin zbatojeni, pse për premtimin ka përgjegjësi.

35. Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshore të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë.

36. Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.

37. Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti, as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.

38. E keqja e të gjitha këtyre është e urrejtur te Zoti yt.

39. Këto janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. Mos shoqëro me Allahun ndonjë të adhuruar tjetër e të hidhesh në xhehenem i qortuar dhe i larguar.

40. A mos iu dalloi Zoti juaj me djem, e për vete zgjodhi melaike, që ju i mendoni femra? Vërtet, ju jeni duke thënë fjalë të mëdha (të rënda).

41. Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme (argumentet) në këtë Kuran, në mënyrë që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk iu shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta).

42. Thuaj: “Sikur të kishte të adhuruar të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj Zotëruesit të Arshit (për t’ia marrë pushtetin)”.

43. I pa të meta është Ai, Lartësia e Tij është e madhe nga ajo që thonë ata.

44. Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbih), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i Butë dhe Shumëfalës.

45. Kur ti e lexon Kuranin në mes teje dhe atyre, që nuk e besojnë botën tjetër Ne vëmë një perde të padukshme.

46. Ndërkaq në zemrat e tyre vëmë një mbulesë dhe shurdhim të thellë të veshëve të tyre, që nuk mund ta kuptojnë atë. E kur e përmend ti në Kuran Zotin tënd, vetëm Atë, ata ikin prapa dhe largohen.

47. Ne e dimë më së miri përse ata e dëgjojnë atë (Kuranin), kur vijnë të dëgjojnë ty, dhe kur ata bisedojnë fshehtazi, dhe kur ata zullumqarë thonë: “Ju nuk jeni duke pasuar tjetër, përveç një njeri të magjepsur!”

48. Shih se si të mveshin ty epitete (i çmendur, poet, i magjepsur), prandaj ata kanë humbur dhe nuk mund ta gjejnë rrugën (e vërtetë).

49. Ata thanë: “A pasi të bëhemi eshtra të kalbur, dhe e pluhur, a mos do të bëhemi krijesë e re e ringjallur?”

50. Thuaj: “Edhe nëse të jeni gurë a hekur,

51. ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe (Allahu do t’ju ringjallë)”. Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë neve në jetë?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë!” E ata do t’i tundin kokat e tyre nga ti e do të thonë: “Kur është ajo (ringjallja)?” Thuaj: “Ajo gjithsesi është afër!”

52. (ringjallja është) Atë ditë kur Ai ju thërret, kurse ju i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar Atë, e ju duket se nuk qëndruat (në Dunja) vetëm pak kohë.

53. E ti robërve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”.

54. Zoti i juaj e di më së miri gjendjen tuaj, nëse Ai do ju mëshiron, dhe nëse Ai do ju dënon, e ty (Muhamed) nuk të kemi dërguar roje të tyre (nuk ta besuam ty punën e tyre e t’i fusësh me dhunë në besim).

55. Zoti yt e di më së miri gjendjen e atij, që është në qiej e tokë. Ne kemi dalluar disa pejgamberë nga të tjerët, prandaj Davudit i kemi dhënë Zeburin (shënime).

56. Thuaj: “Ftoni ata, të cilët i menduat (zota) pos Atij, e ata nuk mund ta heqin prej jush mjerimin, as nuk mund ta mënjanojnë”.

57. Të tillët që këta po lusin (pos Zotit), vetë ata kërkojnë afrimin (te Zoti i vërtetë), shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij. Vërtet, dënimit të Zotit tënd është për t’iu ruajtur.

58. Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve), e që Ne nuk do ta shkatërrojmë, ose ndëshkojmë atë me një dënim të ashpër para Ditës së Kijametit. Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh).

59. Neve nuk na pengoi asgjë, që t'u sjellim argumente (mrekulli), pos   asaj që ata të parët i përgënjeshtruan ato. Ne i dhamë Themudit deven (mrekulli) konkrete, e ata e mohuan atë. E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë) Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.

60. Përkujto, kur Ne të thamë: “Zoti yt ka përfshirë (me dijen e Vet) të gjithë njerëzit (e di që këta nuk besojnë, edhe nëse ju sjell mrekulli). E atë pamjen tënde që ta treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur në Kuran), nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz. Ne i frikësojmë ata (idhujtarët), po nuk iu shton ai tjetër vetëm se rebelim të madh.

61. Përkujto kur Ne iu thamë engjëjve: “Bëni sexhde Ademit!” (në shenjë përshëndetjeje) e ata i bënë, me përjashtim të Iblisit. Ai tha: “A t’i bëj sexhde atij, që e krijove nga balta?"

62. (Mandej vazhdoi e) Tha: “A e sheh (i tha Zotit) këtë që Ti e vlerësove mbi mua, nëse më lë të jetoj deri në Ditën e Kijametit unë gjithsesi do t’i shfaros pasardhësit e tij, me përjashtim të një pakice”.

63. (Zoti) Tha: “Shko, e kush prej tyre vjen pas teje shpërblimi juaj është xhehenemi, shpërblim i plotë”.

64. Dhe me atë alarmin e zërit tënd mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët e tu thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk iu premton tjetër, përveç se mashtrim.

65. Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme (për ata).

66. Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet, Ai është shumë Mëshirues ndaj jush.

67. E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, iu mbetet vetëm Ai (Allahu), mirëpo pasi Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.

68. A mos jeni të siguruar, që nuk do t’iu shafitë në tokë, ose nuk do t’ju lëshojë ndonjë shtrëngatë e ju nuk do të keni mbrojtës.

69. A mos jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë një herë tjetër në det, e t’ju lëshojë ndonjë furtunë të erës, e për shkak të mosbesimit tuaj t’ju fundosë, e pastaj nuk do të gjeni kush do të hakmerrej kundër nesh për ju.

70. Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), iu mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave, që Ne i krijuam.

71. (Përkujto) Ditën kur do të thërrasim çdo njeri me prijësin (librin, pejgamberin, shënimet e veprave) e tyre. E atij që i jepet libri i tij nga e djathta e tij, të tillët i lexojnë shënimet e tyre (të mira), dhe nuk iu bëhet e padrejtë asnjë fije.

72. E kush ka qenë i verbër në këtë (botë) ai do të jetë edhe në botën tjetër i verbër dhe më i humburi i rrugës së drejtë.

73. Në të vërtetë ata (idhujtarët) gati arritën të të sprovojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, e të trillosh tjetër nga çka të shpallëm, e atëherë do të zinin ty mik.

74. Dhe sikur Ne të mos të kishim forcuar ty, ti gati anove diçka pak tek ata.

75. E atëherë Ne do ta shijonim mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër, e pastaj ti nuk do të gjeje mbrojtës kundër Nesh.

76. Ata gati të shqetësuan në tokë (në Meke) për të përzënë prej saj, po atëherë edhe ata nuk do të mbeteshin pas teje (pas pak kohe do të shkatërroheshin).

77. Ky është ligji i Tij edhe me të dërguarit që i dërgoi para teje. E në ligjin Tonë ti nuk gjen ndryshim.

78. Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e dëshmuar.

79. Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kuranin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.

80. Dhe thuaj: “Zoti im, më shpjer në një vend të mirë dhe më nxirr në mënyrë të ndershme dhe nga ana Jote më dhuro fuqi ndihmuese”.

81. Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.

82. Ne të shpallim Kuranin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk iu shton tjetër përpos dëshpërim.

83. E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e kur e godet e keqja, ai humb shpresën.

84. Thuaj: “Secili vepron sipas rrugës së vet, e Zoti juaj e di më së miri për atë që është në rrugë më të drejtë”.

85. Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”.

86. Po të kishim dëshiruar Ne do ta shlyenim nga gjoksi yt atë që ta shpallëm ty, e ti nuk do të gjeje mbrojtës që do të ruante.

87. Por kjo është mëshirë nga Zoti yt dhe mirësia e Tij ndaj teje vërtet është e madhe.

88. Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin”.

89. Ne iu sqaruam njerëzve në këtë Kuran shembuj (argumente) të çdo lloji, e shumica e njerëzve nuk deshi tjetër vetëm mohimin.

90. Ata thanë: “Nuk të besojmë ty derisa të na nxjerrësh prej tokës burime”.

91. Ose (nuk të besojmë deri sa) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre.

92. Ose (nuk të besojmë derisa) të bjeri mbi ne qielli copa - copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellësh Allahun dhe engjëjt pranë nesh.

93. Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!” Thuaj: “Subhanallah - i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?”

94. Po njerëzit nuk i pengoi tjetër që të besojnë, kur iu erdhi atyre shpallja, vetëm se thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun pejgamber?”

95. Thuaj: “Sikur të kishte në tokë engjëj që ecin qetë (si njerëzit), Ne do t’u çonim atyre nga qielli engjëj pejgamberë!”

96. Thuaj: “Allahu më mjafton për dëshmitar mes meje dhe mes jush, Ai i njeh hollësisht dhe i sheh robërit e vet”.

97. Atë që Allahu e drejton në rrugë të drejtë, ai është udhëzuar, e atë që e lë të humbur, për ata nuk do të gjesh ndihmëtarë përveç Atij. Ne Ditën e Kijametit i tubojmë ata, duke i tërhequr rrëshqanas me fytyra përdhe, të verbër, memecë, të shurdhët. Vendi i tyre është xhehenemi, sa herë që të pushojë flaka Ne ua shtojmë flakën e zjarrit.

98. Ai (dënim) është meritë e tyre, sepse ata mohuan argumentet tona dhe thanë: “A pasi të bëhemi eshtra e pluhur do të ringjallemi krijesë e re?”

99. A nuk e kuptuan ata, se Allahu që krijoi qiejt e tokën është i Plotfuqishëm, që të krijojë ashtu siç janë ata, dhe Ai ua ka caktuar afatin (e vdekjes e të ringjalljes) në të cilin nuk ka dyshim, po zullumqarët nuk deshën tjetër vetëm të refuzojnë.

100. Thuaj: “Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen do të bëheshit koprracë; njeriu është dorështrënguar”.

101. Ne i patëm dhënë Musait nëntë argumente (mrekulli) të qarta. Pyeti pra ti (Muhamed) Beni Israilët (nëse duan të dëshmojnë), kur ai iu ka ardhur atyre (Musai), e atij i pat thënë faraoni: “O Musa, unë mendoj ti je i magjepsur!”

102. Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës, i zbriti të dukshme, e unë besoj, o faraon, se ti je i shkatërruar”.

103. Ai (faraoni) deshi t’i dëbojë ata nga vendi (Egjipti), kurse Ne e përmbysëm atë dhe të gjithë ata, që ishin me të së bashku.

104. Pas tij Beni Israilëve iu thamë: “Rrini në vend, e kur të vijë koha e botës tjetër, Ne ju sjellim të gjithëve të përzier”.

105. Ne me urtësi e zbritëm atë (Kuranin) dhe me urtësi është zbritur. E ty nuk të dërguam tjetër vetëm se përgëzues dhe qortues.

106. Dhe (ta shpallëm) Kuranin, që Ne e ndamë pjesë - pjesë për t'ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.

107. Thuaj: “I besuat ju atij, ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që iu është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur iu lexohet atyre, ata hidhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”.

108. Dhe thonë: “I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar”.

109. Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj Allahut).

110. Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit. E ti mos e ngrej zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare".

111. Dhe thuaj: “Lavdëruar qoftë Allahu, i cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”.