49. SURETUL-KASAS (28)

(88 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Ta, Sin, Mim.

2. Këto janë ajetet e librit (të Kuranit) të plotkuptueshëm.

3. Po të lexojmë ty nga lajmi rreth Musait e faraonit, e që është e vërtetë për një popull që beson.

4. Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e ka grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.

5. E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues.

6. Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë, e faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së këtyre dyve t’ua tregojmë atë që i ruheshin (ia kishin frikën).

7. Ne e frymëzuam nënën e Musait: t’i japë atij gji, e kur të kesh frikë për të, atëherë hidhe atë në lumë, e mos u frikëso, as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit.

8. E atë e gjeti familja e faraonit, ashtu që në fund ai t’iu bëhet atyre armik e dëshpërim. Vërtet, faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin kundërshtarë (gabonin me qëllim).

9. E gruaja e faraonit tha: “Shpresë gëzimi për mua dhe për ty, mos e vritni atë, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta adoptojmë si fëmijë”. Pra ata nuk e dinin rrjedhimin.

10. E zemrën e nënës së Musait e kaploi ankthi (kur kuptoi se ka rënë në duar të faraonit) dhe gati ta zbulojë atë (fëmijën), sikur të mos ia forconim Ne zemrën asaj, që të bëhet e bindur (në premtimin e Allahut).

11. E ajo i tha motrës së tij: “Gjurmoje atë”, kurse ajo e shikonte atë prej së largu dhe ata nuk e hetonin (se ishte motra e tij që e përcjell).

12. Ndërsa Ne ia patëm ndaluar atij më parë thithjen e gjirit, e ajo (motra e Musait) tha: “A doni t’ju tregoj për një familje, që do të kujdeset për të dhe që do të jenë të sinqertë ndaj tij?"

13. Dhe ashtu e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të jetë e kënaqur, e jo   e pikëlluar dhe që ta kuptojë ajo, se premtimi i Allahut është i vërtetë e i sigurt, por shumica e tyre nuk e dinë.

14. E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur, Ne i dhamë urtësi e dituri. Kështu Ne i shpërblejmë bamirësit.

15. Dhe ai hyri në qytet në një kohë të pahetuar prej banorëve të tij, dhe në të gjeti dy veta, që po përlaheshin, njëri prej ithtarëve të tij e tjetri prej armiqve të tij, e ai i anës së tij i kërkoi ndihmë kundër armikut dhe Musai i ra me grusht e ai vdiq. Ai (Musai) tha: “Kjo është prej veprave të djallit, e s’ka dyshim, se ai është armik i hapët që shpie në humbje”.

16. Ai tha: “Zoti im, unë e ngarkova veten e Ti më fal mua!” Dhe Ai ia fali, se Ai është Shumëfalës, Mëshirues i madh.

17. Ai tha: “Zoti im, për shkak të mirave që m’i dhurove mua kurrë nuk do të vihem në ndihmë të kriminelëve”

18. Dhe (Musai) mbeti i frikësuar në qytet e duke pritur (se çka po i ndodh), kur ja, ai që i kishte kërkuar ndihmë dje, e thirri sërish (në ndihmë), e Musai i tha: “Vërtet ti qenke ngatërrestar i njohur!”

19. E kur deshi ta rrëmbejë atë që ishte armik i të dyve ai tha: “A do të më vrasësh mua, siç e mbyte dje njeriun, ti nuk do tjetër, vetëm se të bëhesh arrogant në tokë, e nuk dëshiron të jesh nga përmirësuesit!”

20. Dhe erdhi një njeri, që ngutej nga ana më e largët e qytetit e tha: "O Musa, parësia është duke biseduar për të vrarë ty, pra ti dil (ik), unë jam këshillues yti”.

21. E ai doli prej aty i frikësuar e duke pritur (se ç’po ndodh) dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit zullumqar”.

22. Dhe kur u drejtua nga Medjeni tha: “Shpresoj që Zoti im të më orientojë rrugës së drejtë”.

23. E kur arriti ujin e Medjenit aty gjeti një grumbull njerëzish, që po i jepnin bagëtisë ujë, e pak më larg prej tyre vërejti dy gra, që po i ndalnin (kafshët e tyre) e iu tha: “E si është puna e juve të dyjave?” Ato që të dyja i thanë: “Ne nuk iu japim ujë, deri sa të largohen barinjtë, kurse babai ynë është shumë i vjetër!"

24. Atëherë ai iu dha ujë (kafshëve) të tyre, pastaj u largua anash nën një hije e tha: “O Zoti im, unë kam nevojë për çkado që të më japësh prej mirësive!”

25. E njëra prej tyre erdhi tek ai, ecte e turpërueshme, e tha: “Babai im të thërret që të paguajë ty shpërblimin për atë që na u dhe (bagëtisë) ujë!” E kur shkoi (Musai) tek ai dhe ia tregoi atij ngjarjen ai tha: “Mos ki frikë, paske shpëtuar nga populli zullumqar!”

26. Njëra prej atyre të dyjave tha: “O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, pse më i miri i atij që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!”

27. Ai (Shuajbi) tha: Unë dëshiroj të martoj ty me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet, e nëse i plotëson dhjetë ai është vullneti yt, e unë nuk dëshiroj të të rëndoj ty, e në dashtë Allahu, ti do të gjesh tek unë mirëkuptim!”

28. Ai (Musai) tha: “Kjo le të mbetet mes meje e teje, e cilindo afat që do ta kryej nga këta të dy, nuk do të ketë përgjegjësi për mua. Për këtë që po themi Allahu është garant”.

29. E kur Musai e kreu afatin dhe udhëtoi me familjen e vet, dhe vërejti nga ana e Turit një zjarr, e familjes së vet i tha: “Rrini këtu,  unë kam vërejtur një zjarr, ndoshta do t’ju sjell nga ai ndonjë lajm ose ndonjë urë zjarri, që të ngroheni”.

30. Dhe kur arriti tek ai (zjarr) nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të bekuar me pemë u thirr: “O Musa, s’ka dyshim, se Unë jam Allahu, Zoti i botëve!”

31. Dhe ti hidhe shkopin tënd! E kur e pa Musai, se po lëviz si të ishte gjarpër i shpejtë, ktheu të ikë e nuk vështroi prapa. O Musa, kthehu ku ishe e mos u frikëso, se me të vërtetë ti je i sigurt.

32. Fute dorën në xhep, e ajo do të dalë e bardhë pa ndonjë të metë dhe shtrëngoje për vete krahun tënd kur të frikësohesh. Këto janë dy argumente nga Zoti yt për te faraoni dhe rrethi i tij, se me të vërtetë ata janë popull i prishur.

33. Ai (Musai) tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri prej tyre, e frikësohem se do të më vrasin!”

34. E vëllai im, Haruni, është më orator se unë, prandaj dërgoje atë me mua ndihmë, që t'i vërtetojë fjalët e mia. Unë kam frikë, se do të më shpallin gënjeshtar.

35. (Allahu iu përgjigj) Tha: “Ne do ta forcojmë ty krahun me vëllain tënd dhe me argumentet Tona do t’ju japim pushtet juve të dyve, ashtu që ata të mos mund t’iu afrohen juve, prandaj ju të dy dhe ata që iu janë bindur juve jeni ngadhënjimtarë”.

36. E kur Musai ua solli atyre argumentet Tona të qarta ata thanë: “Kjo nuk është tjetër vetëm se magji e trilluar dhe këtë nuk e kemi dëgjuar as ndër prindërit tanë të hershëm!”

37. E Musai tha: “Zoti im e di më së miri për atë që iu erdhi me udhëzim prej Tij dhe kujt do t’i takojë përfundimi i mirë, se mizorët me siguri nuk do të kenë shpëtim”.

38. E faraoni tha: “O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje, prandaj ti, o Haman, m’i pjek (tullat) nga dheu e më ndërto një kullë të lartë, ndoshta do të arrij ta shoh zotin e Musait, sepse unë mendoj se vërtet ai është gënjeshtar”.

39. Dhe ashtu ai dhe ushtria e tij u sollën në tokë me kryeneçësi ndaj të vërtetës dhe menduan, se nuk do të kthehen te Ne.

40. Prandaj Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe e hodhëm në det, e shiko pra se si përfundojnë mizorët.

41. Dhe ata i bëmë prijësa që thërrasin për në zjarr dhe në Ditën e Kijametit atyre nuk do t’iu ndihmohet.

42. Edhe në këtë botë i kemi përcjellur ata me mallkim, kurse në Ditën e Kijametit ata janë të përbuzur.

43. E pasi i shkatërruam popujt e mëparshëm, Ne Musait i dhamë librin, që është dritë për njerëz dhe udhëzim e mëshirë, që të marrin mësim.

44. E ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit ku Allahu i foli Musait), kur Ne Musait ia besuam shpalljen (e bëmë pejgamber dhe e dërguam te faraoni), e ti as nuk ishe aty pranë.

45. Por Ne krijuam popuj (mes Musait e teje Muhammed), e koha ka zgjatur (ndaj të dërguam ty). Dhe ti nuk banove në mesin e popullit të Medjenit e t'iu lexosh këtyre argumentet Tona (lajmin për Musain, për Shuajbin, për vajzat e tij), por Ne të dërguam (dhe të njoftuam).

46. Dhe ti nuk ke qenë pranë Kodrës Tur, kur Ne e thirrëm (Musain), por (tregimi ynë) është mëshirë nga Zoti yt, për t’ia tërhequr vërejtjen një populli, që para teje nuk iu kishte ardhur ndonjë pejgamber, dhe ashtu ata të marrin mësim.

47. Dhe të mos thonë, kur t’i godasë ndonjë e keqe e papritur, të cilën e kanë merituar vetë: “Zoti ynë, përse nuk na ke dërguar ndonjë pejgamber, që të pasonim argumentet e Tua e të bëheshim besimtarë!”

48. E kur atyre iu erdhi e vërteta nga ana Jonë, ata thanë: "Përse nuk iu dha atij (Muhamedit), sikurse iu dha Musait (ndonjë mrekulli materiale)! Po a nuk e mohuan atë, që iu dha Musait më parë?” E thanë: “Dy magji që përmbajnë njëra-tjetrën. Dhe thanë: Çdonjërën prej tyre ne e mohojmë!”

49. Thuaj: “Nëse është e vërtetë çka thoni, atëherë sillni një libër prej Allahut, që është edhe më udhëzues se këta të dy (Tevrati e Kurani), e ti përmbahem edhe unë atij?”

50. E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai, që duke mos pasur fakt prej Allahut ndjek epshin e vet? S’ka dyshim, se Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqar.

51. Ndërsa Ne ua dërguam pandërprerë atyre shpalljen, ashtu që të mendojnë.

52. E atyre që Ne iu dhamë librin përpara këtij, disa prej tyre i besojnë këtij (Kuranit).

53. Dhe kur iu lexohet atyre thonë: “Ne i kemi besuar atij, ajo është e vërtetë prej Zotit tonë, ne edhe para tij kemi qenë muslimanë!”

54. Atyre iu jepet shpërblim i dyfishtë, për arsye se bënë durim, dhe ata të keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne i furnizuam, ata japin.

55. Dhe kur dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshit larg nesh, neve nuk na duhen injorantët!”

56. Është e vërtetë, se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.

57. Ata thanë: “Nëse ne ndjekim rrugën e drejtë së bashku me ty, ne me të shpejtë do të jemi të dëbuar prej vendit tonë!” Po a nuk u siguruam Ne atyre një vend të shenjtë e të sigurt, që aty sillen frutat e çdo sendi si furnizim nga ana Jonë, po shumica e tyre nuk e dinë.

58. E sa vendbanime që përbuzën jetën e vet Ne i kemi shkatërruar, e ja, ato janë shtëpitë e tyre, që pas tyre ato pak kohë janë banuar prej ndokujt dhe Ne ishim trashëgues të tyre.

59. Zoti yt nuk është i tillë, që të shkatërrojë venbanimet para se në kryeqendër të tyre të dërgojë Pejgamber, i cili do t’ua lexojë atyre argumentet Tona, dhe Ne nuk shkatërruam vendbanime, pos vetëm kur banorët e tyre ishin zullumqarë.

60. Dhe çdo gjë, që iu është dhënë juve ështe kënaqësi dhe shije e kësaj bote, ndërsa ajo që është tek Allahu (thevabi) është shumë më e mirë dhe e përhershme, pra, a nuk mendoni?

61. A është ai, të cilit Ne i kemi premtuar një premtim të mirë (për xhenet), sikurse ai të cilit i kemi dhënë kënaqësi të kësaj jete, kurse në Ditën e Kijametit ai do të jetë prej të dënuarve?

62. (përkujto) Ditën kur i thërret ata e iu thotë: “Ku janë ata shokët e Mi, të cilët ju i pandehnit (si zota)?”

63. E ata, të cilët e merituan fjalën (dënimin) thonë: “Zoti ynë, këta janë që ne i humbëm, i humbëm ata si humbën edhe vetë, ne para Teje tërhiqemi, se ata nuk na adhuruan neve!”

64. Dhe iu thuhet: “Thirrni zotat tuaj”! Ata i thërrasin, por ata nuk iu përgjigjen dot, dhe shohin dënimin. E atëherë (do të dëshironin) sikur të kishin qenë në rrugën e drejtë (e të mos përjetonin dënimin).

65. Dhe ditën kur (Allahu) i thërret ata e iu thotë: “Çfarë përgjigje iu keni dhënë të dërguarve?”

66. Atë ditë atyre iu humbin faktet dhe ata nuk konsultohen ndërmjet vete.

67. E për sa i përket atij që është penduar, që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira; ai le të shpresojë, se është nga të shpëtuarit.

68. Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk iu takon zgjedhja. I pastër dhe i lartë është Allahu nga çka i përshkruajnë për shok.

69. Dhe Zoti yt e di, se ç’fshehin zemrat e tyre dhe se ç’shfaqin haptazi.

70. Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, vetëm Atij i takon e tërë lavdia në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe vetëm Atij i takon gjykimi, dhe tek Ai ktheheni.

71. Thuaj: “Sikur Allahu ta bënte natën e përhershme (t’ua zgjaste) deri në Ditën e Kijametit, ç’mendoni, cili zot pos Allahut do t’ju sillte juve dritë? A nuk merrni vesh?”

72. Thuaj: “Më tregoni, nëse Allahu ua bën ditën të vazhdueshme  deri në Ditën e Kijametit, cili zot pos Allahut do t’ju sjellë natë, që të pushoni në të? A nuk e shihni (sa po gaboni)?”

73. Po mëshira e Tij ua bëri juve natën dhe ditën për të pushuar në të, dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj të jini mirënjohës!.

74. Dhe ditën që i fton (Allahu) e thotë: “Ku janë ata që i menduat shokë të Mi?”

75. Dhe Ne do të nxjerrim prej çdo populli dëshmitarë, e iu themi: “Sillni argumentin tuaj!” Atëherë do ta kuptojnë, se e drejta (për Zot) është vetëm e Allahut, dhe dështon çdo trillim i tyre.

76. Karuni ishte nga populli i Musait dhe ai e shtypte atë popull, sepse Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri saqë një grup i fuqishëm mezi bartnin çelësat e (pasurisë së) tij, e kur populli i vet i tha: “Mos u kreno aq fort, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit!”

77. Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lër mangut atë që të takon nga kjo botë, dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.

78. Ai (Karuni) tha: “Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” Po, a nuk e di ai, se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë asish, që ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë, as që do të pyeten për fajet e tyre (meqë Allahu e di).

79. Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne, si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!”

80. E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!”

81. Po, Ne atë dhe pallatin e tij i fundosëm në tokë dhe veç Allahut nuk pati që ta mbrojë, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet.

82. E ata që dje lakmuan të ishin në vendin e tij filluan të thonë: “A nuk e shihni, se Allahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur Allahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na fundoste në tokë edhe neve; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!”

83. Atë vend të përjetshëm (xhenetin) ua kemi përcaktuar atyre, që nuk duan, as mendjemadhësi, e as ngatërresë në tokë, e përfundimi i këndshëm iu takon atyre, që i frikësohen Allahut.

84. Kush sjell me vete punë të mirë, atij do t’i takojë shpërblimi edhe më i madh, ndërsa ai që paraqitet me punë të këqija do t’i jepet dënim vetëm aq sa e ka merituar.

85. S’ka dyshim, se Ai që ta bëri obligim Kuranin, Ai do të kthejë ty aty nga erdhe. Thuaj: “Zoti im e di më mirë kush është që solli udhëzim të drejtë dhe kush është në humbje të sigurt”.

86. Ti as nuk ke shpresuar, se do të shpallet ty libri, por kjo është mëshirë e Zotit tënd, prandaj ti kurrsesi të mos jesh ndihmëtar i jobesimtarëve.

87. Dhe kurrsesi ata të mos shmangin ty nga ajetet e Allahut, meqë ato t’u kanë shpallur ty, dhe ti thirr te Zoti yt, e kurrsesi mos u bëj pasues i dëshirave të idhujtarëve. 88. Veç Allahut mos adhuro ndonjë zot tjetër, s’ka të adhuruar të vërtetë veç Tij. Çdo send zhduket përveç Fytyrës së Tij (përveç Tij). Vetëm Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni!