48. SURETUN - NEML (27)

(93 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Ta, Sin. Këto janë ajete të Kuranit dhe të librit të kuptueshëm.

2. Janë udhërrëfyes dhe përgëzim për besimtarët,

3. të cilët e falin namazin dhe e japin zeqatin dhe mu ata janë të bindur ndaj botës tjetër.

4. E atyre, që nuk besojnë botën e ardhme Ne ua kemi hijeshuar veprat ndaj dhe ata bredhin.

5. Të tillët janë ata, që iu takon dënimi më i rëndë dhe mu ata do të jenë më të dëshpëruarit në botën tjetër.

6. E s’ka dyshim, se ti (Muhamed) e pranon Kuranin nga i Urti, i Gjithëdijshmi.

7. (Përkujto) Kur Musai i tha familjes së vet: “Unë e pashë një zjarr, e nga ai do t’ju sjell ndonjë lajm ose do t’ju sjell një urë të ndezur, që të ngroheni".

8. E kur arriti tek ai u thirr: “I bekuar është ai në zjarr dhe ata përreth tij. I veçuar në madhëri është Allahu, Zot i botëve!

9. O Musa, në të vërtetë Unë jam Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti.

10. E ti hidhe shkopin tënd! E kur e pa atë që lëvizte si të ishte gjarpër ai (nga frika) ktheu prapa duke mos pasur më kujdes. (I thamë) O Musa! Mos u frikëso, se pranë meje të dërguarit nuk frikësohen!

11. Përpos kush (nuk është i dërguar) bën mëkat (ai frikësohet), e që të keqen pastaj e zëvendëson me të mirën, atëherë s’ka dyshim, se Unë jam që fal shumë dhe jam Mëshirues i madh.

12. Fute dorën tënde në xhepin tënd, e ajo do të dalë e bardhë pa kurrfarë të keqe, e këto janë ndër nëntë argumentet për të (vajtur) te faraoni dhe populli i tij, se me të vërtetë ata janë popull i prishur.

13. E kur iu erdhën argumentet Tona të qarta, ata thanë: “Kjo pa dyshim është magji!” 14. Dhe edhe pse bindshëm të besueshëm në to (se ishin nga Zoti) i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, pra shikoje se çfarë ishte fundi i shkatërrimtarëve.

15. Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: “I falënderohemi vetëm Allahut, që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë".

16. E Sulejmani e trashëgoi Davudin dhe tha: “O njerëz, ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka, e vërtet ky është shpërblim i qartë”.

17. E Sulejmanit i ishte tubuar ushtria e vet, që përbëhej nga exhinët, nga njerëzit dhe nga shpendët dhe ata mbanin rendin.

18. Deri atëherë kur arritën mbi luginën e buburrecave, një buburrec tha: “O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos ju copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”.

19. E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij dhe tha: “Zoti im, më mundëso që t’i falënderoj të mirat e Tua, që m'i dhurove mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, e me mëshirën Tënde më fut në mesin e robërve Tuaj të mirë!"

20. Dhe vështroi shpendët e tha: “Ç’është që nuk e shoh pupëzën? Jo, ajo nuk qenka këtu!”

21. Unë do ta dënoj atë me një dënim të ashpër, ose do ta ther, ose ka për të më sjellë ndonjë argument të fortë (si arsyetim).

22. Ajo nuk zgjati shumë e tha: “Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur dhe të erdha nga Sebei me një lajm të sigurt”.

23. Në të vërtetë unë gjeta një grua, që po i sundonte ata (popullin e Sebe-it) dhe asaj i ishte dhënë çdo send, e ajo kishte një fron të madh.

24. Madje takova atë dhe popullin e saj, se adhurojnë diellin e jo Allahun, po djalli ua kishte hijeshuar atë veprim të tyre dhe i kishte shmangur prej rrugës së drejtë, prandaj ata nuk gjejnë udhëzim.

25. (i kishte shmangur) Për të mos adhuruar Allahun, që nxjerr në shesh (e di) të fshehtën në qiej e në tokë, dhe që e di atë që fshihni dhe atë që publikoni.

26. Allahu është një, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, Zot i Arshit të madh.

27. Ai (Sulejmani) tha: “Do të shohim, se a e thua të vërtetën apo je nga gënjeshtarët!”

28. Shko me këtë letrën time e hidhjau atyre, largohu (pak) nga ata dhe përgjo se çka bisedojnë!”

29. Ajo (gruaja - Belkisa) tha: “O ju pari, mua më ka arritur një letër madhështore!”

30. (e lexova) Kjo është prej Sulejmanit (mandej e hapi, kur qe, në të) “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!” (Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim!)

31. (në vazhdim shkruan) “Mos u mbani me të madh kundër meje, po të më vini të dorëzuar (dhe besimtarë)!"

32. Ajo tha: “O ju pari, më sugjeroni në këtë çështje timen, se unë nuk do të vendos asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim!”

33. Ata (paria) i thanë: “Ne jemi të fuqishëm dhe jemi luftëtarë të rreptë, por puna qëndron te ti, e ti mendo se çka do të na urdhërosh!”

34. Ajo tha: “Kur sunduesit e pushtojnë ndonjë vend; ata e rrënojnë atë e parinë më të zgjedhur të atij vendi e nënshtrojnë. Kështu veprojnë ata!”

35. Po unë do t’u dërgoj atyre një dhuratë (të madhe), e do të shoh se çka do të na sjellin të dërguarit (me dhuratë).

36. E kur i erdhi ajo Sulejmanit, ai tha: “A me pasuri më ndihmoni mua? E atë që Allahu ma ka dhënë mua është shumë më e dobishme nga ajo që iu ka dhënë juve! Por ju krenoheni me dhuratat tuaja!”

37. Kthehu tek ata (i tha kryesuesit të të deleguarve), se për Zotin ne do t’u vijmë atyre me një ushtri, së cilës ata nuk do të mund t'i bëjnë ballë dhe do t'i dëbojmë prej aty të nënshtruar e të poshtëruar!

38. Ai (Sulejmani) tha: “O ju pari, cili prej jush do të më sjell fronin e saj, para se të vijnë ata të dorëzuar?”

39. Njëri prej xhinëve të vrazhdë (Ifriti) tha: “Unë do ta sjell ty atë para se të ngrihesh nga vendi yt, unë për të kam fuqi dhe jam i sigurt!”

40. E ai i cili kishte dituri nga libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë (këtij i tha sille)!” E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij (Sulejmani) tha: “Kjo është dhuntia e Zotit tim, që të më sprovojë mua se a do ta falënderoj, apo mos do ta përbuz. E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush përbuz Zoti im (s’ka nevojë), është i Pasuri e Bujari!”

41. Ai (Sulejmani) tha: “Ndryshojani asaj fronin, që ta provojmë se a po e njeh, apo është nga ata që nuk dinë ta njohin!”

42. E kur erdhi ajo iu tha: “A është i këtillë froni yt?” Ajo tha: “Si të ishte vetë ai?!” (Sulejmani tha:) “Neve na është dhënë dituria përpara saj dhe ne ishim besimtarë para saj”.

43. Pse atë (Belkisen) e kishte penguar (nga besimi i drejtë) ajo që adhuronte, pos Allahut, dhe ishte nga një popull jobesimtar.

44. Asaj iu tha: “Hyn në pallat”, e kur e pa atë mendoi, se është një ujë i madh dhe i përvoli këmbët. Ai (Sulejmani) tha: “Ky është një pallat i lëmuar prej qelqi!” Ajo tha: “Zoti im, unë i kam bërë krim vetes, e tashti i dorëzohem (pranoj besimin) së bashku me Sulejmanin Allahut, Zotit të gjithësisë”.

45. Ne ia dërguam Themudit vëllain e tyre (nga gjaku) Salihun (t’iu thotë): “Adhurojeni Allahun!” Kur ja, ata dy grupe që kundërshtoheshin.

46. Ai (Salihu) tha: “O populli im, përse nguteni e kërkoni të keqen (dënimin) para të mirës, pse të mos i kërkoni falje Allahut, që të mëshiroheni?"

47. Ata thanë: “Ne parandjejmë fatkeqësi me ty dhe me ata që janë me ty!” Ai tha: “Ndjellja e fatit tuaj është tek Allahu, por vetë ju jeni një popull që ngatërroheni!”

48. E në qytet ishin nëntë veta, që bënin shkatërrime në tokë, e nuk përmirësonin.

49. Ata që thanë: “Betohuni mes vete në Allahun, ta vrisni atë dhe familjen e tij natën, e pastaj të afërmve të tij t’u thoni: Ne nuk morëm pjesë në vrasjen e familjes së tij, dhe se ne jemi të drejtë (të vërtetë)”.

50. Ata përgatitën një kurth e Ne përgatitëm një kurth duke mos e hetuar ata.

51. Pra, vështro se çfarë ishte përfundimi i dredhisë së tyre. Në të vërtetë, Ne zhdukëm të gjithë ata dhe popullin e tyre.

52. E këto janë shtëpitë e tyre të mbetura shkretë, për shkak të mizorisë së tyre. E nuk ka dyshim, se në këtë (rrënim) për një popull që kupton ka argument.

53. Ne i shpëtuam ata që besuan dhe që ishin të matur (duke iu shmangur mëkatit).

54. (Përkujto) Lutin kur ai popullit të vet i tha: “A bëni atë punë të shëmtuar, që edhe vetë ju e kuptoni (se është e keqe)?"

55. A vërtet, ju nga epshi kontaktoni me meshkujt, i braktisni gratë tuaja? Ju jeni popull injorant (xhahil).

56. Përgjigjja e popullit të tij, nuk qe tjetër vetëm se të thonë: “Dëbojeni familjen e Lutit nga vendi juaj, sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë!”

57. E Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, së cilës i caktuam të mbetet me të dënuarit.

58. E kundër atyre lëshuam një shi (me gurë); i shëmtuar ishte ai shi për ata që iu ishte tërhequr vërejtja.

59. Thuaj (o i dërguar): “E tërë lavdia i përket Allahut, e shpëtimi qoftë ndaj robërve të Tij, që Ai i zgjodhi (pejgamberët)! A më i mirë (për të besuar) është Allahu, apo ata që ia bëjnë shok?”

60. A (mos janë më të mirë ata që i adhuroni), apo Ai që krijoi qiejt e tokën, që për ju lëshoi shi nga qielli, e Ne me të bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to? A mos ka ndonjë të adhuruar me meritë pos Allahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën).

61. A (mos janë më të mirë ata që i adhuroni), apo Ai që tokën e bëri vendqëndrim, e nëpër të bëri të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese, dhe në mes dy deteve bëri ndarje? A ka përveç Allahut të adhuruar tjetër të vërtetë? Jo, por shumica e tyre nuk e dinë.

62. A (mos janë më të mirë ata që i adhuroni), apo është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës? A ka të adhuruar të vërtetë tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.

63. A (mos janë më të mirë ata që i adhuroni) apo Ai që ju orienton në errësirat e tokës e të detit, dhe ai që pranë mëshirës së Tij (shiut), si përgëzim i lëshon erërat? Vallë, a ka të adhuruar të vërtetë pos Allahut? E lartë është madhëria e Tij nga çka i përshkruajnë shok.

64. A (mos janë më të mirë ata që i adhuroni), apo Ai që fillon krijimin (e njeriut) e pastaj e përsërit atë (e ringjall pas vdekjes) dhe Ai që ju furnizon nga qielli e toka? A mos ka të adhuruar tjetër me meritë pos Allahut? Thuaj: “Sillni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë!”

65. Thuaj: “Askush veç Allahut, as në qiejt, as në tokë, nuk e di të fshehtën, as nuk e dinë se kur ringjallen!”

66. Por dija e tyre arrihet në botën tjetër (kur të përjetojnë çka iu është premtuar). Ja, ata dyshojnë për këtë (për botën tjetër), bile janë të verbër ndaj saj.

67. Ndërsa ata që nuk besuan thanë: "A pasi të (vdesim) bëhemi dhe e pluhur ne edhe prindërit tanë, (a thua) do të ringjallemi?

68. Kjo na është premtuar neve, edhe prindërve tanë më përpara, por kjo nuk është gjë tjetër veçse legjendë e të parëve!”

69. Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve!”

70. Po ti (Muhamed) mos u trazo për ta, e as mos e ngushto veten nga ato dredhi që bëjnë!

71. E ata thonë: “Po qe se jeni të sigurt në ato që flitni, kur do të realizohet ai premtim (me dënim)?”

72. Ti thuaj: “Tanimë iu është ngjeshur juve një pjesë e atij premtimi për të cilin po ju ngutet juve!”

73. S’ka dyshim, se Zoti yt është shumë bamirës ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk e falënderojnë.

74. E është e sigurt, se Zoti yt di çka fshehin zemrat e tyre dhe çka shfaqin haptazi.

75. Nuk ka asgjë të fshehur në qiell e në tokë, e të mos jetë e shënuar në Librin e Saktë (Levhi Mahfudh).

76. Vërtet, ky Kuran iu rrëfen Beni Israilëve të shumtën e asaj që ata ishin të përçarë.

77. Dhe pa mëdyshje ai është udhërrëfyes e mëshirë për besimtarët.

78. E Zoti yt, vërtet do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij, e Ai është i Plotfuqishmi e i Gjithëdijshmi.

79. E ti pra mbështetu në Allahun, se me të vërtetë ti je në të drejtën e sigurt.

80. Ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë të vdekurit, e as nuk mund ta  bësh të shurdhëtin ta dëgjojë thirrjen, e sidomos kur ata ta kthejnë shpinën.

81. E as që mund t’i largosh të verbrit nga humbja e tyre (zemrat e verbra), ti nuk mund ta bësh të dëgjojë ndonjë tjetër, vetëm atë që i beson argumentet Tona, e ata janë muslimanë.

82. E kur kundër tyre do të bëhet fjala (e dënimit) realitet, Ne do t’ju nxjerrim një shtazë nga toka, që do t'ju flasë (ose do t'i lëndojë), sepse njerëzit nuk ishin të bindur në argumentet Tona.

83. E ditën kur do të tubojmë prej secilit popull grupe nga ata, që i kanë mohuar argumentet tona, ata të vënë njëri pas tjetrit do të jenë të penguar.

84. Derisa të arrijnë (në vendin e llogarisë), Ai iu thotë: “A ju i mohuat argumentet e Mia, duke mos i menduar dhe formuar dije për to? E çka vepronit ju ashtu (në Dunja)?”

85. Dhe kundër tyre zbatohet vendimi (i dënimit), për shkak se bënë krim dhe ata nuk do të flasin.

86. A nuk shohin ata, se Ne ua bëmë natën që të pushojnë, kurse ditën të ndritshme. Në këtë ka argument për një popull që beson.

87. (përkujto) Ditën kur i fryhet Surit, e të tmerrohet kush është në tokë, përpos kë do Allahu (të mos frikësohet) dhe t’i vijnë Atij të gjithë të përulur.

88. E i sheh kodrat e mendon, se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë, (kjo është) mjeshtëri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i Njohur se çfarë punoni.

89. Kush ka bërë vepër të mirë atij do t’i takojë (shpërblim) edhe më i mirë se ajo, dhe ata do të jenë të siguruar prej tmerrit të asaj dite.

90. E kush do të paraqitet me punë të këqija (me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur me fytyrat e tyre në zjarr. (U thuhet) Ju nuk shpërbleheni me tjetër pos me atë që punuat.

91. Unë jam urdhëruar ta adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti, të cilin Ai e bëri të shenjtë, se Atij i takon çdo send, dhe jam urdhëruar të jem prej besimtarëve të sinqertë,

92. e, edhe ta lexoj Kuranin, e kush e pranon udhëzimin e tij, ai udhëzohet vetëm për të mirën e vet, e kush ka humbur ti thuaji: “Unë vetëm tërheq vërejtjen”.

93. Dhe thuaj: “Falënderoj Allahun, e Ai do t’ua tregojë argumentet e veta dhe do t’i kuptoni ato atëherë (kur nuk u bën dobi). Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që veproni ju”.