Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Ta, Sin, Mim.
2. Këto janë ajete të librit (të Kuranit) të qartë!
3. A mos do ta vrasësh ti veten (Muhamed) pse ata nuk bëhen besimtarë?!
4. Sikur të duam Ne do të zbritnim një argument (mrekulli) nga qielli mbi ata, e qafat e tyre do t’i rrinin përulur atij.
5. Atyre nuk iu vjen asnjë këshillë e re nga i Gjithëmëshirshmi, e që ata mos t’ia kthejnë shpinën.
6. Vërtet, ata përgënjeshtruan, por atyre do t’u vijë dënimi i asaj me të cilën talleshin.
7. A nuk e shikuan ata tokën, se sa shumë lloje bimësh të dobishme bëmë të mbijnë në të?
8. Vërtet, në këto ka fakte (të forta), por megjithatë shumica e tyre nuk qenë besimtarë.
9. E s’ka dyshim se Zoti yt është Ai i Gjithëfuqishmi (t’i ndëshkojë), po edhe Mëshiruesi i madh.
10. (Përkujto) Kur Zoti yt e thirri Musain: “Të shkosh tek ai popull zullumqar!
11. Tek populli i faraonit, a nuk janë duke iu frikësuar (dënimit)?”
12. Ai (Musai) tha: “Zoti im, kam frikë se do të më trajtojnë si gënjeshtar,
13. dhe do të më shtrëngohet kraharori (shpirti) im, dhe nuk do të më lëshohet gjuha ime (të flas rrjedhshëm), prandaj dërgoje (bëje pejgamber) Harunin.
14. Madje unë kam një faj ndaj tyre, e kam frikë se do të më vrasin (për hakmarrje)!”
15. Ai (Allahu) tha: “Kurrsesi (nuk do të vrasin), po shkoni ju të dy me argumentet Tona. Ne jemi me ju Vështrues tuaj (ju dëgjojmë e ju ndihmojmë).
16. Shkoni dhe faraonit thuani: “Ne jemi të dërguar nga Zoti i të gjitha botëve,
17. t’i lejosh Beni Israilët të vijnë me ne!”
18. Ai (faraoni) tha: “A nuk të rritëm ty si fëmijë në mesin tonë, ku i kalove disa vjet të jetës sate.
19. Dhe ti e bëre atë punën tënde që e bëre, pra ti je mohues (i të mirave që t’i bëmë).
20. (Musai) Tha: “E bëra atë, atëherë kur isha i pavetëdijshëm.
21. Prandaj edhe ika prej jush kur u frikësova nga ju, e Zoti im më dhuroi urtësi dhe më bëri nga të dërguarit.
22. Më përmend atë të mirë që ma bëre mua, e ti i robërove Beni Israilët!”
23. (Faraoni) Tha: “E cili është ai zot i botëve (që ju dërgoi)!”
24. Ai i tha: “Zoti i qiejve dhe i tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre, nëse bindeni!”
25. Ai (faraoni) atyre që ishin përreth iu tha: “A nuk e dëgjoni?!...”
26. Ai (Musai) tha: “Zoti juaj dhe i prindërve tuaj të parë!”
27. (Faraoni) Tha: “Vërtet, i dërguari juaj që iu është dërguar juve, me siguri është i çmendur!”
28. (Musai) Tha: “Zot i lindjes dhe i perëndimit dhe ç’ka ndërmjet tyre, po qe se kuptoni!”
29. (Faraoni) Tha: “Nëse ti beson zot tjetër pos meje do të gjendesh në mesin e të burgosurve!”
30. (Musai) Tha: “A edhe nëse të sjell ndonjë argument të qartë!”
31. Ai tha: “Sille pra, nëse thua të vërtetën?”
32. Atëherë (Musai) e hodhi shkopin e vet, i cili u shndërrua në gjarpër të vërtetë.
33. Nxori dorën prej xhepit, kur ja, ajo në sy të shikuesve flakëronte nga bardhësia.
34. (Faraoni) Parisë që e rrethonin iu tha: “Vërtet, ky qenka magjistar shumë i aftë,
35. që me magjinë e vet dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj! E ç’më propozoni mua?”
36. (Paria) Shtyje atë dhe vëllain e tij (çështjen e tyre) për më vonë, e ti dërgo nëpër qytete tubues,
37. që t’i sjellin të gjithë magjistarët e dijshëm këtu.
38. Dhe magjistarët u tubuan në kohën e ditës së caktuar.
39. Edhe popullit iu tha: “Ejani e tubohuni,
40. kështu që t'i përkrahim magjistarët, nëse ata triumfojnë".
41. E kur erdhën magjistarët i thanë faraonit: “A do të ketë shpërblim për ne, nëse dalim ngadhënjimtarë?”
42. Ai tha: “Po, madje ju atëherë do të jeni prej më të afërmve!”
43. Musai iu tha atyre: “Hidheni atë që keni për ta hedhur!”
44. E ata i hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre duke thënë: “Për hir të madhërisë së faraonit, ne me siguri do të jemi ngadhënjyes!”
45. Atëherë edhe Musai e hodhi shkopin e vet, i cili menjëherë gëlltiste gjithë çka kishin improvizuar ata.
46. Atëherë magjistarët ranë në sexhde (u përulën),
47. e thanë: “Ne i besuam Zotit të botëve,
48. Zotit të Musait e të Harunit!”
49. Ai (faraoni) tha: “I besuat atij, para se t’ju lejoja unë?!” S’ka dyshim, se ai (Musai) është prijësi juaj, që ua mësoi juve magjinë, e keni për ta marrë vesh më vonë. Unë do t'ua shkurtoj (do t’ua prej) duart dhe këmbët tuaja të anës së kundërt (kithi) dhe që të gjithëve do t’ju gozhdoj”.
50. Ata (magjistarët) thanë: “S’ka rëndësi, ne i kthehemi Zotit tonë.
51. Meqë ne jemi besimtarët e parë shpresojmë, se Zoti ynë do të na i falë mëkatet tona!"
52. Ne e urdhëruam (përmes shpalljes) Musain: “Të udhëtosh natën me robërit e Mi dhe se ju do të ndiqeni (prej faraonit)”.
53. E faraoni dërgoi nëpër qytete për të tubuar njerëz,
54. (duke iu thënë se) ata janë një grup i vogël (të cilët ikën me Musain).
55. Dhe se me të vërtetë ata na kanë zemëruar (dhe ikën pa lejen tonë),
56. e me të vërtetë, ne duhet të jemi syçelë.
57. Dhe Ne (iu mbushëm mendjen e) i nxorëm prej kopshteve e burimeve,
58. prej pasurisë në depo dhe prej vendbanimeve të bukura.
59. Ja ashtu, Ne ua bëmë atë trashëgim Beni Israilëve.
60. E ata (të faraonit) i arritën (Beni Israilët) në kohën e lindjes së diellit.
61. Dhe kur u panë të dy grupet shokët e Musait thanë: “Me siguri na zunë!”
62. Ai (Musai) tha: “Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë”.
63. Ndërsa Ne Musait i thamë: “Me shkopin tënd bjeri detit”. Deti u nda dhe çdo pjesë u bë si kodër e madhe.
64. E Ne i afruam atje të tjerët (ata të faraonit).
65. Dhe Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata që ishin me të.
66. Kurse të tjerët i përmbytëm në ujë.
67. Vërtet, në këtë (ngjarje) ka fakte, por megjithatë shumica nuk besuan.
68. Nuk ka dyshim, se Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirues i madh.
69. Lexoju (nga ajo që të shpallëm ty Muhamed) atyre ngjarjen e Ibrahimit,
70. kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë jeni duke adhuruar?”
71. Ata i thanë: “Adhurojmë idhuj, vazhdimisht iu jemi besnikë atyre!”
72. Ai i tha: “A ju dëgjojnë ata juve kur iu luteni,
73. apo mos iu sjellin juve dobi apo dëm?!”
74. Ata thanë: “Jo, por kështu i gjetëm, se bënin edhe prindërit tanë!”
75. Ai tha: “A po shihni se ç’po adhuroni,
76. ju dhe prindërit tuaj të mëparshëm?
77. Në të vërtetë, ata (që adhuroni ju) janë armiq të mi, përveç Zotit të botëve (nëse përveç idhujve adhuroni edhe Atë),
78. (përveç) Atij që më krijoi, Ai më udhëzon mua,
79. dhe Atij që më ushqen dhe më jep të pi,
80. dhe kur sëmurem Ai më shëron.
81. (përveç) Atij që më bën të vdes e mandej më ngjall,
82. e tek i Cili kam shpresë, se do të m’i fal mëkatet e mia në Ditën e Gjykimit.
83. Zoti im, më dhuro mua urtësi dhe më bashko me të mirët!
84. Më bëj përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas!
85. Më bëj prej trashëguesve të xhenetit të begatshëm,
86. dhe fale babain tim, se ai vërtet ishte nga ata të humburit!
87. E mos më turpëro në Ditën kur do të ringjallen,
88. Ditën kur nuk bën dobi, as pasuria, as fëmijët,
89. (bën dobi) vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë!”
90. E xheneti iu afrohet atyre, që ishin të devotshëm.
91. Ndërsa xhehenemi iu paraqitet atyre, që ishin të humbur.
92. Dhe atyre u thuhet: “Ku janë ata, që i adhuronit ju,
93. pos Allahut? Ata, a mund t’ju ndihmojnë juve o vetes?”
94. E ata (idhujt) dhe adhuruesit e tyre, njëri mbi tjetrin hidhen në të,
95. dhe e gjithë ushtria (ithtarët) e djallit.
96. E duke u grindur mes vete në të ata thonë:
97. “Për Allahun, njëmend ne kemi qenë krejtësisht të humbur,
98. kur juve (idhujt) iu kemi barazuar me Zotin e botëve.
99. Neve nuk na humbi kush tjetër vetëm se kriminelët (prijësit).
100. E tashti për ne nuk ka ndonjë ndihmës (ndërmjetësues).
101. Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë.
102. E sikur të mund të kthehemi (në Dunja) edhe një herë, do të bëheshim besimtarë.”
103. Në këtë (që u përmend) ka argumente të bindshme, po shumica e tyre nuk besuan.
104. Është e vërtetë se Zoti yt është i Gjithëfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
105. Edhe populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit.
106. Kur vëllai i tyre (nga gjaku) Nuhu iu tha: “A nuk jeni kah frikësoheni?
107. Unë jam për ju pejgamber besnik.
108. Kini frikë (dënimin e) Allahut e më dëgjoni mua.
109. Unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim, shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve.
110. Pra (edhe një herë Ju them) frikësohuni prej Allahut, e më dëgjoni mua!
111. Ata thanë: “E si të besojmë ty, kur ty të besojnë më të ultit?”
112. Ai tha: “Unë nuk di se ç’punuan ata (që juve iu thoni të ulët)”.
113. Përgjegjësia e tyre, nëse kuptoni është vetëm para Zotit tim.
114. E unë nuk do t’i përzë besimtarët.
115. Unë nuk jam tjetër, por vetëm sa t’u tërheq vërejtjen haptas.
116. Ata i thanë: “O Nuh! Nëse nuk heq dorë (nga ajo që mëson) do të gurëzohesh (do të vritesh me gurë)”.
117. Ai tha: “O Zoti im, populli im më pandeh gënjeshtar.
118. Pra Ti me drejtësinë tënde gjyko ndërmjet meje dhe atyre, dhe më shpëto mua dhe besimtarët, që janë me mua!"
119. Prandaj Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin me të në anijen e mbushur plot.
120. Mandej i mbytëm në ujë ata që mbetën pas tyre.
121. Edhe në këtë (ngjarje) ka argumente, po shumica e tyre nuk ishin besimtarë.
122. S’ka dyshim se Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
123. Edhe populli Ad nuk i besoi të dërguarit.
124. Kur vëllai i tyre Hudi iu tha: “A nuk frikësoheni?”
125. Unë për ju jam i dërguar besnik.
126. Prandaj keni frikë (dënimin e) Allahut dhe më dëgjoni mua.
127. Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi është vetëm prej Zotit të botëve.
128. A në çdo bregore ngreni ndonjë shtëpi (ndërtesë) sa për lojë?
129. Dhe a i ndërtoni pallatet e fortifikuara, që të jeni përgjithmonë?
130. E kur rrëmbeni, rrëmbeni mizorisht.
131. Pra, kini frikë Allahun dhe më dëgjoni mua!
132. Kini frikë Atë, që ju pajisi me çka e dinit vet.
133. Ju pajisi me mjete gjallërimi e me djem,
134. me kopshte e me burime uji.
135. Vërtet, unë i frikësohem dënimit tuaj në një ditë të madhe.
136. Ata i thanë: “Për ne është krejt njësoj, si na këshillove, si nuk na këshillove!”
137. Kjo (që na këshillon ti) nuk është tjetër vetëm se traditë (mitesh) e popujve të lashtë,
138. se ne nuk kemi për t’u dënuar.
139. Dhe ashtu ata e trajtuan atë (Hudin) gënjeshtar, e Ne atëherë i shkatërruam. Edhe ky është një fakt, po shumica e tyre nuk besuan.
140. Vërtet, Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
141. Edhe fisi Themud nuk i besoi të dërguarit.
142. Kur vëllai i tyre Salihu iu tha: “A nuk frikësoheni?”
143. Unë për ju jam i dërguar besnik.
144. Prandaj kini frikë (dënimin e) e Allahut dhe mua më dëgjoni!”
145. Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është vetëm prej Zotit të botëve.
146. A jeni të sigurt, se do të mbeteni në këtë që jeni (përgjithmonë),
147. në kopshte e në burime,
148. edhe në të mbjella, e me hurma me frutet e tyre të freskët?
149. Dhe ju me mjeshtëri po ndërtoni shtëpi nëpër kodra shkëmbore.
150. Pra, kini frikë Allahun e më dëgjoni mua.
151. E mos shkoni pas atyre që janë të pafrenuar (që e teprojnë me vepra të këqija),
152. të cilët në tokë bëjnë shkatërrime, nuk bëjnë mirë.
153. Ata i thanë: “Ti je vetëm i magjepsur.
154. Ti nuk je tjetër vetëm se njeri sikurse edhe ne, e nëse thua të vërtetën, sille pra ndonjë argument!”
155. Ai tha: “Ja, kjo është deveja, kjo do të pijë (ujë) në një ditë të caktuar, kurse ju në një ditë tjetër (jo në të njëjtën ditë).
156. Dhe kësaj të mos i bëni ndonjë të keqe, se do t’ju godasë dënimi i ditës së madhe!”
157. Po ata e therën atë, madje u penduan (nga frika).
158. Por ata i zuri ai dënimi i premtuar. Edhe në këtë ka argument, por shumica e tyre nuk u bënë besimtarë.
159. Vërtet Zoti yt është i Plotfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
160. Populli i Lutit të dërguarit i konsideroi gënjeshtarë.
161. Kur vëllai i tyre Luti iu tha: “A nuk i frikësoheni (Allahut)?”
162. Unë jam i dërguari i juaj, jam i besueshëm!
163. Pra, kini frikë (dënimin) Allahun dhe më dëgjoni mua!
164. Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është te Zoti i botëve.
165. (Të mjerët ju) A shkoni pas meshkujve të kësaj bote.
166. E gratë tuaja i lini anash, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull, që kalon çdo kufi!"
167. Ata i thanë: “O Lut, nëse nuk pushon (nga kjo që na thua), me siguri do të jesh i dëbuar prej nesh!”
168. Ai tha: “Unë jam kundër veprimit tuaj!
169. Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”
170. Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij,
171. përpos një plake (gruas së tij) që mbeti me ata (në dënim).
172. E më pas i zhdukëm ata të tjerët.
173. E Ne u lëshuam atyre një shi të jashtëzakonshëm (gurë nga qielli), e sa i keq ishte ai shi për ata të cilëve iu pat tërhequr vërejtja.
174. Edhe në këtë kishte argument (për të mbledhur mend), po shumica e tyre nuk qenë besimtarë.
175. E Zoti yt, pa dyshim është Ai i Plotfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
176. Edhe populli i Ejkës të dërguarit i konsideronin gënjeshtarë.
177. Kur Shuajbi atyre iu tha: “A nuk ruheni?”
178. Unë jam i dërguar te ju, jam i besueshëm!
179. Pra kini frikë (dënimin nga) Allahun dhe më dëgjoni mua!
180. Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është prej Zotit të botëve!
181. Plotësoni matjen, e mos u bëni prej atyre që lënë mangut!
182. Dhe matni me peshore (kandar) të saktë (precize).
183. Dhe mos lini mangut sendet e njerëzve, e mos bëni shkatërrime në tokë.
184. Frikësohuni Atij që ju krijoi juve dhe breznitë e para.
185. Ata i thanë: “S’ka dyshim se ty të ka zënë magjia!
186. Ti nuk je tjetër por njeri si edhe ne, dhe ne nuk të konsiderojmë tjetër vetëm se gënjeshtar!
187. E nëse je nga të vërtetit, atëherë lëshoje mbi ne një copë nga qielli (si dënim)!”
188. Ai tha: “Zoti im e di më së miri për atë që ju veproni!”
189. Dhe ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i goditi dënimi i hijes. Vërtet, ai ishte dënimi i një dite të llahtarshme.
190. Edhe në këtë (ngjarje) ka argumente, por shumica e tyre nuk u bënë besimtarë.
191. E Zoti yt, pa dyshim është Ai i Plotfuqishmi, Mëshiruesi i madh.
192. E edhe ai (Kurani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve.
193. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili),
194. (e solli) në zemrën tënde për të qenë ti prej atyre, që tërheqin vërejtjen (pejgamber),
195. me gjuhë të kulluar arabe.
196. Dhe se ai (Kurani) është i përmendur edhe në librat e mëparshëm.
197. A nuk ishte për ata (për jobesimtarët mekas) argument, se atë e dinin dijetarët (ulemaja) e Beni Israilëve?
198. E sikur t’ia shpallnim atë (Kuranin) ndonjë joarabi,
199. e ai t’ua lexonte atyre, ata nuk do t’i besonin atij.
200. Dhe kështu, Ne ua futëm atë (dyshimin) në zemrat kriminelëve,
201. e ata nuk i besojnë atij (Kuranit), derisa ta shohin dënimin e dhembshëm,
202. dhe t’u vijë befas, duke mos e hetuar.
203. E atëherë të thonë: “A thua do të na jepet afat?”
204. E si ata kërkojnë shpejtimin e dënimit tonë (kur i thanë pejgamberit silleni dënimin).
205. Po më thuaj, se edhe nëse Ne iu japim të jetojnë vite me radhë,
206. e pastaj t’u vijë atyre ajo me çka iu tërhiqet vërejtja,
207. çka do t’u vlejë atyre ajo jetë që gëzuan?
208. Ne nuk kemi ndëshkuar asnjë fshat (vendbanim), e ai të mos ketë pasur pejgamber.
209. Ky është përkujtim (për përfundimin e punës së keqe). Ne nuk bëmë të padrejtë.
210. Atë (Kuranin) nuk e sollën djajtë (si ua sollën fallin fallxhorëve).
211. Atyre as nuk u takon e as që kanë mundësi.
212. Pse ata janë të penguar edhe për ta dëgjuar!
213. Pra, përpos Allahut, mos lut zot tjetër e të bëhesh prej të dënuarve.
214. Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt.
215. E të jesh i butë ndaj besimtarëve, që të pranuan ty.
216. E nëse ata (jobesimtarët) të kundërshtojnë, ti thuaj: “Unë jam i pastër nga ajo që punoni ju”.
217. Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshiruesin e madh,
218. i Cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë,
219. (e të sheh) edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen.
220. Në të vërtetë, Ai është Dëgjuesi i çdo gjëje, i Gjithëdijshmi.
221. A t’ju tregoj unë se kujt i vijnë djajtë?
222. Ata i vijnë çdo gënjeshtari e mëkatari,
223. (u vijnë) dhe hedhin dëgjimin, shumica e tyre gënjejnë.
224. E për sa u përket poetëve (që Muhamedi nuk është i tillë), ata i ndjekin të humburit (nga e vërteta).
225. A nuk e sheh, se ata hidhen në çdo anë (sa lavdërojnë, sa përqeshin).
226. Dhe ata janë që flasin atë çka nuk punojnë.
227. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që e përmendën shumë Allahun dhe që u mbrojtën, pasi atyre iu bë e padrejtë. E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç’përfundimi i shkojnë (ç’dënim të ashpër, ose ç’vendi në xhehenem do t’i nënshtrohen).