Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Ta, Ha.
2. Ne nuk ta shpallëm Kuranin për të munduar ty.
3. Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet.
4. (kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.
5. (E Ai) I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arshin (Fronin e Tij).
6. E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, edhe ç’ka nën dhe.
7. Prandaj nëse bën shprehjen (lutjen haptazi), Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo.
8. Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, Atij i takojnë emrat më të bukur.
9. A të ka ardhur ndonjë njohuri për ndodhinë e Musait?
10. Kur ai e pa një zjarr, e i tha familjes së vet: “Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr, e unë ndoshta do t’ju sjell ndonjë gacë prej tij, ose do të gjej te zjarri ndonjë udhërrëfyes”.
11. E kur shkoi tek ai (zjarri), u thirr: “O Musa!”
12. Vërtet Unë jam Zoti yt, hiq atë që ke mbathur (opingat a nallanet), se je në luginën e shenjtë Tuva.
13. Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç’po të shpallet!
14. Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
15. S’ka dyshim se Momenti (Kijameti) do të vijë patjetër, Unë e kam fshehur atë plotësisht; (do të vijë) për t’u shpërblyer çdo njeri për atë që ka bërë.
16. Prandaj të mos shmangë ty nga kjo ai që nuk i beson atij dhe që është dhënë pas dëshirave, se atëherë shkatërrohesh.
17. O Musa, ç’është ajo që ke në të djathtën tënde?
18. Ai (Musai) tha: “Ai është shkopi im, që të mbahem në të, dhe me të u shkund (gjethe nga drunjtë) dhenve të mia, dhe me të kryej edhe nevoja të tjera.
19. Ai (Allahu) i tha: “Hidhe atë, O Musa!”
20. Ai e hodhi atë, kur ja, ai një gjarpër i madh që lëvizte me shpejtësi.
21. (Allahu i) Tha: “Kape atë, e mos u frikëso, se Ne do ta kthejmë atë përsëri në gjendjen e mëparshme!”
22. Dhe fute dorën tënde në sqetullën tënde e do ta nxjerrësh atë të bardhë pa asnjë të metë. Kjo është një mrekulli tjetër.
23. (këtë e bëmë) Në mënyrë që të mundësojmë të shohësh disa nga argumentet Tona të mëdha.
24. “Shko te faraoni, se ai ka ngritur kokë (është bërë arrogant)”.
25. Ai (Musai) tha: “Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim!
26. Dhe më lehtëso në këtë punë timen!
27. Ma zgjidh nyjen e gjuhës sime,
28. që ta kuptojnë fjalën time!
29. Më cakto një ndihmëtar nga familja ime,
30. Harunin, vëllain tim,
31. që me të të ma forcosh fuqinë time!
32. Bëma shok atë në punën time,
33. në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë,
34. dhe të përkujtojmë Ty shpesh!
35. Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët”.
36. Ai (Allahu) tha: “O Musa, t’u dha ajo që kërkove!”
37. Ne edhe një herë ta dhuruam ty mirësinë Tonë.
38. Atëherë kur nënën tënde e frymëzuam me atë që ishte frymëzim.
39. (Ne i thamë) “Vëre atë (fëmijë, Musain) në arkë, e mandej hidhe në lumë e lumi e hedh në breg, atë e merr armiku Im dhe i tij. E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time”.
40. Kur motra jote ecte (të përcillte) e thoshte: “A doni t’ju tregoj atë që do të kujdeset për të?” E Ne të kthyem te nëna jote, që të gëzohej ajo e të mos mbetej e pikëlluar. Ti e pate mbytur një njeri, e Ne të shpëtuam nga mërzia dhe të sprovuan me sprova të mëdha. Ti qëndrove me vite ndër banorët e Medjenit, e pastaj erdhe, o Musa, në kohën e caktuar”.
41. Dhe Unë të zgjodha ty për shpalljen Time.
42. Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje.
43. Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
44. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.
45. Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne kemi frikë, se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh”.
46. Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju)”.
47. I shkoni e i thuani atij: “Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoji Beni Israilët të vijnë me ne, e mos i mundo! Ne të kemi ardhur me argumente nga Zoti yt, e shpëtimi është për atë që ndjek rrugën e drejtë.
48. Ne na është thënë, se dënimi është për atë që gënjen (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”.
49. Ai (faraoni) tha: “E kush është Zoti i juve të dyve, o Musa?”
50. (Musai) Tha: “Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë?”
51. Ai tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”
52. (Musai) Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron”.
53. (Zoti im) i cili për ju e bëri tokën si djep, për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të, lëshoi shiun prej së larti, e kjo mundësoi që të mbijnë bimë të llojeve të ndryshme.
54. Hani ju dhe kullotni kafshët tuaja (nga ato bimë). Vërtet, për të gjitha këto (që u përmendën) ka argumente për ata që kanë mendje të shëndoshë.
55. Prej asaj (tokës) Ne ju krijuam juve, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.
56. Ne ia bëmë të mundshme atij t’i shohë të gjitha argumentet Tona, por ai i përgënjeshtroi ato dhe i refuzoi.
57. (Atëherë faraoni) Tha: “O Musa, a mos na ke ardhur, që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?
58. Edhe ne do të kundërvihemi me një aso magjie, pra cakto një kohë dhe një vend, që do të na përshtatet, e që nuk do ta thyenim, as ne, as ti”.
59. (Musai) Tha: “Koha e caktuar le të jetë dita e festës, në mënyrë që njerëzit të tubohen paradite".
60. Faraoni u kthye dhe tuboi magjistarët e vet dhe doli në kohën (dhe vendin) e caktuar.
61. Atëherë Musai iu tha atyre (magjistarëve): “Mjerimi është juaji, prandaj mos shpifni ndaj Allahut ndonjë gënjeshtër e t’ju shkatërrojë me ndonjë dënim, se pa dyshim ai që shpif ka dështuar keq”.
62. Ata (magjistarët) polemizuan për çështjen e tyre, por bisedën e bënë fshehurazi (nga masa).
63. Ata pastaj (pas bisedës së fshehtë) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që me magjinë e tyre duan t’ju nxjerrin nga toka juaj dhe ta zhdukin drejtimin (ideologjinë) tuaj, që pa dyshim është më i drejti”.
64. Pra, (meqë janë magjistarë) ju vendosni seriozisht çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok të bashkuar, e ai që triumfon sot, ai ka arritur suksesin.
65. Ata thanë: “O Musa, do të hedhësh ti apo ne po hedhim të parët?”
66. Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Kur ja, atij iu duk, se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj).
67. E Musai ndjeu në vetvete një farë frike.
68. Ne i thamë atij: “Mos ki frikë, është më se e sigurt, se ti do të jesh triumfues!”
69. Tani hidhe atë që ke në dorën tënde të djathtë (shkopin), që t’i gëlltisë ato që i bënë ata, sepse ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër pos mashtrim magjistari, e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.
70. Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: “Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait!”
71. Ai (faraoni) tha: “A i besuat atij para se t’iu jap unë leje? Ai (Musai) është prijësi juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t’ua pres duart e këmbët tërthorazi, e do t’u var në trungjet e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni, se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm?”
72. Ata thanë: “Betohemi në Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!”
73. Ne i besuam Zotit tonë, që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë,me të cilën ti na detyrove. Allahu është më i Miri (në të shpërblyerit) dhe më i Përjetshmi (në të dënuar)! 74. Ai që i paraqitet Zotit të vet si kriminel, e ka xhehenemin, në të cilin as nuk vdes as nuk jeton.
75. Ndërsa ai që i paraqitet Atij besimtar e që ka bërë vepra të mira, të tillët i presin merita të larta,
76. (do ta presin) xhenete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar nga mosbesimi.
77. Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapju atyre rrugë të terur në det, e mos ki frikë, se do të zënë, a do të fundosesh”.
78. Atyre iu vu prapa faraoni me ushtrinë e vet, po ata e pësuan në det ashtu si e pësuan.
79. Faraoni e humbi popullin e vet, e nuk e udhëzoi.
80. O Bijt e Israilit, Ne ju shpëtuam prej armikut tuaj, ua përcaktuam anën e djathtë të Turit (për shpalljen e Tevratit), ju furnizuam me rrëshirë (si mjalti) dhe me shkurtëza.
81. Hani nga të mirat që ua dhuruam, e mos u bëni përbuzës, se do t’ju godasë hidhërimi Im, e atë që e zë hidhërimi Im, ai ka mbaruar.
82. Nuk ka dyshim, se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.
83. Po ty o Musa: “Ç’të nguti para popullit tënd?”
84. Ai u përgjigj: “Ja, ata janë pranë meje, e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje!”
85. Ai (Allahu) Tha: “Ne e sprovuam popullin tënd pas teje, dhe ata i hodhi në humbje Samiriu!”
86. Musai u kthye te populli i vet i hidhëruar e i pikëlluar dhe tha: “O populli im, a nuk iu premtoi juve Zoti juaj premtim të mirë, a mos u bë kohë e gjatë e ju e harruat premtimin, ose dëshiruat t’ju godasë hidhërimi nga Zoti juaj, prandaj e thyet besën, që ma keni dhënë?"
87. Ata thanë: “Ne nuk e thyem besën tënde me dëshirën tonë, por ne ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë e popullit e i hodhëm ato (në zjarr), e ashtu i hodhi edhe Samiriu”.
88. E ai (Samiriu) ua ndërtoi atyre një viç me trup që pëlliste, e ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar”.
89. A nuk e kuptonin ata se ai (viç), as nuk u përgjigjej atyre, e as nuk kishte mundësi t’ju sillte ndonjë dobi a dëm.
90. E Haruni iu pat thënë atyre më parë: “O populli im, ju vetëm u sprovuat me të, pse Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ejani pas meje dhe më dëgjoni për këtë që po ua them”.
91. Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij (adhurimit të viçit), deri sa të kthehet te ne Musai!"
92. Ai (Musai u kthye e) tha: “O Harun ç’të pengoi ty kur i pe se morën rrugën e gabuar, 93. e ti të mos e vazhdosh rrugën time? A mos e kundërshtove edhe ti porosinë time?” 94. Ai (Haruni) tha: “O bir i nënës sime, mos më kap, as për mjekrre as për flokësh, se unë u frikësova, që do të thuash: I përçave Beni Israilët dhe nuk e ke respektuar porosinë time?”
95. Ai (Musai) tha: “E si ishte puna jote, o Samiri?”
96. Tha (Samiriu): “Unë pashë atë që ata nuk e panë, e mora një grusht nga gjurma e të dërguarit (nga fërkemi i kalit të Xhibrilit) dhe ia hodha atij (viçit) dhe kështu më mashtroi vetja”.
97. Ai (Musai) tha: “Prandaj largohu, sepse sa të jeshë gjallë ke për të thënë: (këdo që e sheh) “Mos m’u afro!” E ty të pret edhe një moment (dënim) i pathyeshëm. E ti tash shikoje zotin tënd që e adhurove bindshëm, e tani atë do ta djegim e do ta bëjmë shkrumb dhe hirin e tij do ta shpërndajmë nëpër det”.
98. I adhuruari juaj është vetëm Allahu, që përveç Tij nuk ka të adhuruar të vërtetë, e dituria e Tij ka përfshirë çdo send.
99. Po kështu, Ne të rrëfejmë ty për disa nga ndodhitë, që kanë kaluar më herët dhe nga ana jonë ta dhamë ty shpalljen plot përkujtime.
100. Kush i kthen shpinën kësaj (shpalljes - Kuranit), ai do ta bartë në Ditën e Kijametit barrën më të rëndë.
101. Nën atë do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa barrë e keqe është për ta në Ditën e Kijametit.
102. Ditën kur i fryhet surit (bririt), atë ditë Ne i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar).
103. E ata pëshpërisin mes vete: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se nja dhjetë ditë.
104. Ne më së miri e dimë se çka flasin ata, e edhe atë kur më i mençuri prej tyre iu thotë: “Nuk qëndruat më shumë se një ditë!”
105. Ty të pyesin edhe për kodrat, thuaj: “Zoti im do t’i bëjë thërrmija të shpërndara”.
106. Dhe vendin e tyre do ta bëjë rrafsh pa farë bime e ndërtese.
107. E nuk do të shohësh në të, as ultësirë, e as lartësirë.
108. Atë ditë ata do të shkojnë pas thirrësit, e nuk do t’i largohen atij, e para të Gjithëmëshirshmit ulen zërat e nuk dëgjohet tjetër pos një zë i ulët.
109. Atë ditë nuk bën dobi, as ndërmjetësimi, përveç atij të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.
110. Ai i di ato që ishin para tyre dhe ato që vijnë pas, po dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë.
111. E fytyrat (e mëkatarëve) e turpëruara i përulen të Përjetshmit, të Gjithfuqishmit, sepse ka dështuar ai që barti padrejtësinë.
112. Kush është besimtar dhe bën vepra të mira ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim).
113. Kështu Ne e shpallëm këtë Kuran arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kurani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.
114. I Lartë është Allahu, Sundimtar i vërtetë. Ti mos nxito me Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!”
115. Ne i patëm urdhëruar edhe Ademit (të mos i afrohej pemës), po ai harroi, pra tek ai nuk gjetëm vendosmëri.
116. Përkujto kur Ne iu thamë engjëjve: “Bëni sexhde ndaj Ademit, ata i bënë, pos Iblisit, i cili nuk deshi”.
117. E Ne i thamë: “O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xheneti, e të të vërë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)".
118. Ti aty (në xhenet) nuk ke për të qenë i uritur, e as nuk ke për të mbetur i zhveshur.
119. Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë.
120. Por atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!”
121. Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e filluan ta mbulojnë veten e tyre me gjethe, që i mblidhnin nëpër xhenet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.
122. Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur).
123. Ai (Allahu) iu tha: “Zbritni prej aty, që të gjithë do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja), e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)".
124. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër.
125. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”
126. Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona, që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot".
127. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.
128. A nuk e kanë të qartë ata, se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë.
129. E sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, dënimi do t’i kapte ata.
130. Prandaj ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, në mënyrë që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).
131. Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.
132. Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, sepse Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.
133. Ata thanë: “Përse nuk na solli ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk iu erdhi atyre sqarim (në Kuran) për atë që ishte në broshurat e mëparshme”.
134. Dhe sikur t’i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para tij (para se ta shpallim Kuranin), ata do të thonin: “Zoti ynë, përse nuk na çove ndonjë të dërguar, që t'iu përmbaheshim fakteve të Tua para se të poshtëroheshim e të mjeroheshim”.
135. Thuaj: “Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju, se së shpejti do ta kuptoni, se kush ishin ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush e gjeti të vërtetën”.