Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sadë.
2. (Ky është) Përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të vet Zekeriait,
3. kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët,
4. e tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”.
5. Unë ua kam frikën pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve, se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë),
6. të më trashëgojë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të këndshëm! (të vyeshëm)!”
7. O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.
8. Ai tha: “Zoti im, si do të kem unë (djalë kur gruaja ime ishte që nuk lind, e unë kam arritur pleqëri të thellë?”
9. Tha: “Ja, kështu Zoti yt ka thënë: se ajo për Mua është lehtë; Unë të krijova më parë ty, që nuk ishe fare!”
10. Ai (Zekerija) tha: “Zoti im, më jep mua një shenjë (që të di)!” Ai (Allahu) tha: “Shenja jote është, se (duke qenë shëndoshë e mirë), nuk do të mund t’u flasish njerëzve tre net (e tri ditë)”.
11. Dhe ai doli prej faltores para popullit të vet dhe iu dha shenjë adhuroni (Allahun) mëngjes e mbrëmje.
12. O Jahja, merre librin me shumë kujdes, dhe ashtu Ne i dhamë atij urtësi kur ishte fëmijë.
13. Dhe nga ana Jonë i mundësuam të jetë i butë, i pastër dhe respektues (i dëgjueshëm).
14. Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i padëgjueshëm.
15. Dhe selam (prej nesh) atij ditën kur u lind, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ngrehet i gjallë (e përshëndetëm dhe i garantuam)!
16. E përmendju në këtë libër (tregimin për) Merjemen, kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në lindje.
17. Ajo vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi.
18. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij (pra më ler të lirë)!”
19. Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”.
20. Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kam qenë e pamoralshme”.
21. Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa baba) argument për njerëzit, e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!”
22. Ajo e barti atë (Isain), pastaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët.
23. E dhembja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup i hurmës. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar qëmoti!”
24. E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji)”.
25. E ti shkunde trupin e hurmës, se do të bijnë ty hurma të freskëta.
26. Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, prandaj asnjë njeriu sot nuk i flas!”
27. Dhe duke e bartur ngrykë shkoi me të te të afërmit e vet, ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!”
28. Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme!
29. Atëherë ajo iu bëri shenjë nga ai (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij, që është foshnjë në djep?"
30. Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber.
31. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqat për sa të jem gjallë!
32. Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë, as të padëgjueshëm!
33. Selami (shpëtimi prej Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur do të vdes dhe ditën kur do të dal (prej varrit) i gjallë!”
34. Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.
35. Nuk i takoi (nuk ka nevojë) Allahut të ketë ndonjë fëmijë, i pastër është Ai, kur dëshiron një send Ai vetëm i thotë atij: “Bëhu!”. Ai menjëherë bëhet.
36. (Isai i tha popullit të vet) Dhe se Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, pra adhurojeni Atë, kjo është rrugë (fe) e drejtë.
37. Po grupet u kundërshtuan mes vete (rreth Isait). Të mjerët ata që nuk besuan, se çka kanë për të parë Ditën e Madhe!
38. Ditën kur do të na paraqiten ata Neve, sa mirë do të dëgjojnë dhe shohin (ose njerëzit do të dëgjojnë e shohin çka i gjen ata), por tash për tash (në këtë jetë) zullumqarët janë të humbur qartë.
39. Ti tërhiqju atyre vërejtjen për Ditën e Dëshpërimit, kur të marrë fund çështja (e përgjegjësisë e dikush në xhenet, dikush në zjarr), se ata (sot) janë të painformuar, dhe ata nuk janë duke besuar.
40. S’ka dyshim, se Ne e trashëgojmë (na mbetet) tokën dhe çka ka në të, dhe te Ne do të jetë e ardhmja tyre.
41. Përkujtoju (lexoju idhujtarëve e të tjerëve) në Libër (në Kuran) Ibrahimin. Ai vërtet ishte shumë i drejtë dhe pejgamber.
42. Kur babait të vet i tha: “O babai im, pse adhuron atë që, as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij?
43. O babai im, mua më është dhënë nga dituria çka ty nuk të është dhënë, prandaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë.
44. O babai im, mos adhuro djallin, sepse djalli është kundërshtar i të Gjithëmëshirshmit.
45. O babai im, unë kam frikë se do të godasë ndonjë dënim prej të Gjithëmëshirshmit, e do të jesh shok i djallit!”
46. Ai (babai) tha: “A ti, Ibrahim, i refuzon zotat e mi? Nëse nuk ndalesh (së fyeri ndaj zotave të mi), unë do të gurëzoj, ndaj largohu prej meje për një kohë të gjatë!”
47. Ai (Ibrahimi) tha: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus Zotin tim për të falur ty, sepse Ai (Zoti im) është i Kujdesshëm ndaj meje.
48. Unë po largohem prej jush dhe prej çka adhuroni ju pos Allahut, e shpresoj se me adhurimin ndaj Zotit tim nuk do të jem i humbur!”
49. E pasi u largua prej tyre dhe prej çka adhuronin ata pos Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë pejgamberë.
50. Dhe atyre (të gjithëve) iu dhamë (të mira) nga mëshira Jonë, edhe i bëmë që të jenë të përmendur për të mirë (ndër njerëz).
51. Përmendju në Libër (tregimin për) Musain! Ai ishte i zgjedhur (prej Zotit) dhe ishte i dërguar, pejgamber.
52. Dhe Ne e thirrëm nga ana e djathtë e kodrës Tur, e afruam për t’i folur (ta dëgjojë bisedën tonë).
53. Nga mëshira Jonë i dhamë vëllain e tij Harunin, pejgamber.
54. Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtim (premtoi të bëhet kurban) dhe i dërguar, pejgamber.
55. Ai urdhëronte familjen e vet me faljen e namazit dhe me zeqatë, dhe ishte shumë i pranishëm te Zoti i tij.
56. Përkujtoju në libër edhe Idrisin! Ai ishte shumë i drejtë dhe pejgamber.
57. Ne e ngritëm atë në një vend të lartë (ia ngritëm lart famën).
58. Këta (të përmendur) ishin që Allahu i gradoi nga pejgamberët pasardhës të Ademit, prej pasardhësve të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilët), dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur; kur iu lexoheshin atyre ajetet e Zotit, binin në sexhde dhe qanin.
59. E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja).
60. Me përjashtim të atij që pendohet dhe beson e bën vepra të mira, të tillët do të hyjnë në xhenet dhe atyre nuk iu bëhet kurrfarë e padrejtë.
61. Ato janë xhenetet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi iu pat premtuar robërve të vet, pa i parë ata (i besuan pa i parë), e premtimi i Tij është i kryer.
62. Aty nuk dëgjojnë fjalë boshe, por vetëm përshëndetje. Aty kanë ushqimin e vet (të llojllojshëm) mëngjes e mbrëmje.
63. Ato janë xhenetet, që do t'ua trashëgojmë robërve Tanë, që ishin të ruajtur.
64. Ne (engjëjt, thotë Xhibrili) zbresim (vijmë) vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Vetëm Atij i takon e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe mes tyre, e Zoti yt nuk është që harron.
65. Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe çka ka midis tyre, pra adhuroje Atë, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A di për Te ndonjë emnak (adash)?!”
66. E njeriu thotë: “A thua njëmend pasi të vdes do të nxirrem i gjallë (do të ringjallem)?”
67. Po, a nuk po mendon njeriu, se Ne e krijuam atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë? 68. Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë (pas ringjalljes) ata bashkë me djajtë dhe do t’i afrojmë ata rreth xhehenemit të gjunjëzuar.
69. Pastaj, nga secili grup do t’i kapim ata që kishin qenë më jorespektues ndaj të Gjithëmëshirshmit.
70. E Ne e dimë më së miri, se cili prej tyre ka më meritë të hidhet në të.
71. Dhe nuk ka asnjë prej jush, që nuk do t'i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehenemit) është vendim i kryer i Zotit tënd.
72. Pastaj (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata, që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar.
73. E kur iu lexoheshin atyre ajetet tona të argumentuara, ata që nuk kishin besuar iu thoshin atyre, që kishin besuar: "Cili grup (ne ose ju) ka vend jete më të mirë dhe kuvend më autoritativ?"
74. E sa e sa gjenerata kemi shkatërruar para tyre, e që ishin më të pajisur dhe më të dukshëm.
75. Thuaj: “Atij që është në humbje (në mosbesim), le t’ia vazhdojë atij i Gjithëmëshirshmi për një kohë, e kur do ta shohin atë që po iu premtohet: ose dënimin (në këtë jetë), ose Kijametin, atëherë do ta kuptojnë se kush do të jetë në pozitë më të keqe dhe më i dobët në përkrahje!”
76. E Allahu ua shton besimin atyre që u udhëzuan, e veprat e mira të përjetshme janë shpërblim më i dobishëm te Zoti yt, dhe përfundim më i mirë.
77. A je i njoftuar për atë që mohoi argumentet Tona e tha: “Mua gjithqysh do të më jepet pasuri e fëmijë (në botën tjetër)?”
78. A thua ka zbuluar fshehtësinë, a mos ka marrë prej Allahut ndonjë premtim?
79. Jo, nuk është ashtu, po Ne do të shënojmë atë që po thotë ai, dhe do t’i vazhdojmë atij dënim pas dënimi.
80. Dhe Ne e trashëgojmë atë (në pasuri e fëmijë) që thotë ai, e ai ka për të na ardhur i vetmuar.
81. Dhe ata në vend të Allahut adhuruan zota të tjerë për t’u krenuar me ta.
82. Përkundrazi ata (idhujt) do të tërhiqen prej adhurimit të atyre dhe do të bëhen armiq të tyre.
83. A nuk e di ti, se Ne i kemi lëshuar djajtë kundër jobesimtarëve, e ata i nxisin pandërprerë në vepra të këqija.
84. Pra, ti mos u ngut kundër tyre, se Ne vetëm jemi duke ua numëruar atyre (jetën në ditë, frymëmarrje etj.).
85. Ditën kur do t’i tubojmë të devotshmit tek i Gjithëmëshirshmi si mysafirë të ftuar. 86. Ndërsa mëkatarëve iu grahim në xhehenem të etshëm.
87. Nuk ka të drejtë ndërmjetësimi askush, përveç atij që e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi. 88. Ata thanë: “I Gjithëfuqishmi ka fëmijë”.
89. Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar.
90. Aq të shëmtuar, sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodrat nga ajo (fjalë),
91. për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë.
92. E të Gjithëmëshirshmit nuk i takon të ketë fëmijë.
93. Nuk ka tjetër, vetëm se gjithë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob.
94. Ai me diturinë e vet i ka përfshirë të gjithë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre, në mënyrë të saktësishme.
95. Dhe në Ditën e Kijametit secili do t’i paraqitet Atij i vetmuar.
96. Nuk ka dyshim, se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t’iu krijojë (në zemrat e tyre) dashuri.
97. Ne e bëmë atë (Kuranin) të lehtë me gjuhën tënde vetëm që me të t’i përgëzosh të devotshmit, dhe me të t’i tërheqish vërejtjen një populli që është kryeneç.
98. Sa shumë brezni kemi shkatërruar para tyre. A po vëren ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?