Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. E tërë lavdia i përket Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë, e katër palë krahë, ndërmjetësues (midis Tij dhe pejgamberëve). Ai shton në krijim atë që do, vërtet Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.
2. Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë, e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pos Tij; Ai është Ngadhënjyesi, i Urti.
3. O ju njerëz, ruani me mirënjohje të mirat që Allahu u dhuroi! A ka ndonjë krijues tjetër që ju furnizon juve nga qielli e toka? Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, e si pra, e ktheni shpinën?
4. Po, nëse ty të konsiderojnë rrenacak, edhe të dërguarit para teje kanë qenë të përgënjeshtruar, po vetëm tek Allahu kthehen çështjet.
5. O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos ju mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë juve ndaj Allahut ai i mashtruari (shejtani).
6. Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.
7. Ata që nuk besuan kanë një dënim të ashpër, e ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë falje (të mëkateve) dhe shpërblim të madh.
8. A atij që vepra e vet e keqe i është hijeshuar dhe e sheh si të mirë (a është njësoj me atë, që i largohet asaj)? Në të vërtetë, Allahu e largon nga e vërteta atë që do dhe Ai e udhëzon atë që do, prandaj ti (Muhamed) mos shkatërro veten me dëshpërim për ta, Allahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata.
9. Allahu është Ai që i lëshon erërat, e ato i lëkundin retë dhe Ne i drejtojmë ato në një vend të thatë dhe me atë ujitje e ngjallim tokën pas vdekjes së saj. Ja, kështu është ringjallja.
10. Kush e dëshiron krenarinë (le ta dijë), e tërë krenaria i takon Allahut (pra le të kërkojë prej Tij), tek Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon. E ata që përgatisin dredhira të këqija, për ata është një dënim i rëndë dhe dredhia e tyre është e zhdukur.
11. Allahu ju krijoi prej dheu, mandej prej një pike uji, e pastaj ju bëri çift. E asnjë femër nuk bart e as nuk lind ndryshe, vetëm se me dijen e Tij, dhe nuk i jepet kujt të jetojë gjatë, ose t’i shkurtohet jeta e tij, vetëm se ajo është e shënuar në Libër (Levhi Mahfudh), e kjo për Allahun është e lehtë.
12. E nuk janë të njëjtë dy detet; ky i ëmbël shuan etjen dhe pirja e tij është e lehtë, e ky tjetri i njelmëti djeg. E prej secilit ju hani mish të freskët, nxirrni stoli që i mbani; e i sheh anijet se si çajnë ujin për të kërkuar të mirat e Tij. Ashtu që ju të falënderoni.
13. Ai është që zgjat natën në pjesë të ditës dhe e zgjat ditën në pjesë të natës, i nënshtroi diellin dhe hënën, që secili lëviz (udhëton) deri në afatin e caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj, i tërë sundimi është i Tij, e ata që i lutni në vend të Tij, nuk posedojnë as sa një cipë (e hurmave, fije).
14. Nëse ata i thërritni, ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, po të zëmë se dëgjojnë, nuk mund t'ju përgjigjen juve, në Ditën e Kijametit ata do ta mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. E askush nuk të informon ty si i Gjithëdijshmi (Allahu).
15. O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i Pavaruri dhe i Lavdishmi.
16. Po të dojë Ai, juve ju zhduk e sjell krijesë të re.
17. E për Allahun ajo nuk është e vështirë.
18. Dhe asnjë mëkatar nuk do ta bartë mëkatin e tjetrit, po edhe nëse mëkatari thërret ndonjë për t’ia bartur atë, ajo nuk do t’i bartet atij, edhe nëse (ai që thërret) është i afërt i tij. Ti mund t’ua tërheqësh vërejtjen vetëm atyre që ia kanë frikën Zotit të tyre, edhe pse nuk e shohin Atë, dhe që e falin namazin. E kush pastron veten ai ka bërë pastrimin për të mirën e vet, se vetëm tek Allahu është e ardhmja.
19. Nuk janë të barabartë i verbri dhe ai që sheh,
20. dhe as errësirat e drita,
21. e as hija me vapën.
22. E nuk janë njësoj, as të gjallit e të vdekurit, Allahu bën të dëgjojë atë që do, e ti nuk mund ta bësh të dëgjojë ai që është në varr.
23. Ti nuk je tjetër vetëm i dërguar që tërheq vërejtjen.
24. Ne të dërguam ty me atë që është e vërtetë, lajmgëzues e qortues, e nuk pati asnjë nga popujt, që nuk pati të dërguar.
25. Edhe nëse të përgënjeshtrojnë ty, përgënjeshtruan edhe ata që ishin para tyre, që atyre iu patën ardhur të dërguar me argumente të qarta, me broshura dhe me Libër të ndritshëm.
26. Pastaj (pasi refuzuan) i shkatërrova ata që nuk besuan, e sa i tmerrshëm ishte ndëshkimi Im!
27. A nuk e sheh, se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilave është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza.
28. Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është i Plotfuqishëm, shumë Mëkatfalës.
29. Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë, që Ne iu kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim, që kurrë nuk humbet.
30. Që Ai (Allahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës i madh dhe shumë Mirënjohës.
31. Dhe ajo që Ne të shpallëm ty nga libri, është e vërtetë e saktë, që vërteton edhe për ata që ishin para tij. Vërtet, Allahu është hollësisht i Njohur ndaj robërve të vet, është Vështrues i çdo gjëje.
32. Pastaj Ne iu lamë në trashëgim librin robërve Tanë, që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e Allahut të parët në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe.
33. Xhenetet e Adnit janë, që do të hyjnë në to, aty do të stolisen me rrethorëza nga ari e margaritari, e petkat e tyre janë të mëndafshta.
34. E ata thonë: “Falënderuar qoftë Allahu, që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që fal shumë dhe është Bamirës,
35. i Cili nga mirësia e Tij na vendosi në vendin e përjetshëm, ku nuk do të na prekë ndonjë mundim fizik dhe ku nuk na prek ndonjë molisje.”
36. Po për ata që nuk besuan është zjarri i xhehenemit. Ata as nuk gjykohen që të vdesin (të rehatohen), e as nuk iu lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë secilin që është shumë i pabesim.
37. Dhe ata do të klithin aty: “O Zoti ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!” Po a nuk iu dhamë juve jetë aq, saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve iu ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar.
38. Nuk ka dyshim, Allahu e di të fshehtën e qiejve e të tokës dhe Ai është që e di se çka mbajnë gjoksat.
39. Ai është që juve ju bëri zëvendësues në Tokë, e kush nuk besoi, të keqen e mosbesimit e ka kundër vetes; dhe mosbesimi i jobesimtarëve nuk iu shton tjetër te Zoti i tyre vetëm se urrejtje të fortë, dhe jobesimtarëve nuk iu shton tjetër mosbesimi i tyre vetëm se dëshpërim.
40. Thuaj: “Më tregoni për zotat tuaj që i adhuroni pos Allahut, më bëni të shoh se ç’krijuan ata në tokë; a mos kanë pjesë ata në qiej, a mos iu kemi dhënë atyre ndonjë libër, e ata kanë argument në të?” Jo, por mizorët nuk i premtojnë njëri-tjetrit diçka tjetër vetëm se mashtrim.
41. Allahu i mban qiejt dhe tokën, që të mos zhduken, e nëse zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë; Ai është që nuk ngutet, është që fal.
42. Ata me betimin më të fortë të tyre janë betuar në Allahun, që nëse iu vjen atyre ndonjë pejgamber, do të jenë më të udhëzuarit (më besimtarët) nga njëri i atyre popujve (jahudi ose i krishterë), e kur iu erdhi atyre pejgamberi, atyre nuk iu shtoi tjetër vetëm se largim,
43. për shkak të mendjemadhësisë dhe dredhisë së keqe, por dredhia e keqe nuk godet tjetër vetëm ata që kurdisën. Pra ata nuk janë duke pritur tjetër vetëm gjurmët e të parëve, e në ligjin e Allahut kurrë nuk do të hasësh devijim.
44. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin, se si ishte përfundimi i atyre që ishin para tyre, ndonëse ata ishin edhe më të fuqishëm. Allahu nuk është i tillë, që ndonjë send në qiej e në tokë të mund ta bëjë të paaftë Atë; Ai është i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm.
45. E sikur Allahu t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, s’ka dyshim se Allahu i ka parasysh robërit e vet.