Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Ai, që ia zbriti Furkanin (Kur ‘anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues), është i Madhëruar.
2. Ai është që vetëm Atij i takon sundimi i qiejve dhe i tokës, Ai nuk ka as fëmijë e as nuk ka shok në sundimin e Tij. Ai krijoi çdo gjë, duke e përsosur në mënyrë të qartë e të matur.
3. Mirëpo ata (idhujtarët) në vend të Tij adhuruan zota të tjerë, të cilët nuk krijuan asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk posedojnë për vetveten, as dëm, as dobi, ata nuk kanë në dorë, as vdekje, as jetë, e as ringjallje.
4. Dhe ata që nuk besuan, thanë: “Ky (Kurani) nuk është tjetër vetëm se një gënjeshtër, që e trilloi ai (Muhamedi), të cilit i ndihmuan edhe njerëz të tjerë”. Pra ata (idhujtarët) bënë shtrembërim e shpifje.
5. Edhe thanë: “(për Kuranin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhamedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”.
6. Thuaj: “Atë e shpalli Ai, që e di të fshehtën në qiej e në tokë, Ai është që fal shumë, është Mëshirues i madh”.
7. E ata thanë: “Ç’është me këtë të dërguar, i cili ha ushqim dhe ec nëpër tregje? Përse të mos i jetë dërguar një engjëll së bashku me të, e të jetë qortues?”
8. Ose atij t’i jepet ndonjë thesar, apo të ketë ndonjë kopsht nga i cili do të ushqehej? Zullumqarët madje thonë: “Ju vetëm jeni duke ndjekur një njeri, që e ka zënë magjia!" 9. Shih se çfarë shembujsh të sjellin, prandaj ata janë të humbur dhe nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë.
10. Është i Madhëruar Ai, i cili po të dëshirojë mund të japë ty edhe më mirë se ç’thonë ata, kopshte në të cilat rrjedhin lumenj, ku ka edhe pallate.
11. Por jo, ata përgënjeshtruan Kijametin, e Ne për ata që nuk besojnë Ditën e Gjykimit kemi përgatitur zjarr të fortë.
12. Që posa të duket ai prej një vendi të largët ata ia dëgjojnë atij vlimin edhe kërhamzën (xhehenemit).
13. E kur të hidhen duarlidhur në një vend të ngushtë në të, aty do të kërkojnë shkatërrimin (vetëzhdukjen).
14. Tash mos kërkoni vetëm një herë shkatërrimin, por atë kërkojeni shumëherë.
15. Thuaj: “A është më mirë ai (zjarri i xhehenemit), apo xheneti i përjetshëm, i cili iu është premtuar si shpërblim dhe vend jetese për të devotshmit”.
16. E aty, atë që e dëshirojnë do ta kenë përgjithmonë. Ky premtim i Zotit tënd ka qenë dashtë kërkuar.
17. Ditën kur Zoti do t’i tubojë ata, e edhe ata që adhuruan pos Allahut dhe u thotë (zotave të adhuruar): “A i thirrët ju robërit e Mi, që t'ju adhurojnë, apo ata vetë e humbën rrugën?"
18. Ata (idhujt) thonë: “Je i panevojshëm për rival, o i Madhëruar! Neve nuk na takoi, që përveç Teje të kemi ndonjë mbrojtës tjetër, por Ti iu ke dhënë të mira atyre dhe të parëve të tyre, që ishin njerëz të prishur, saqë harruan të përkujtojnë!”
19. Ja (Allahu u thotë idhujtarëve), këta ju përgënjeshtruan për atë që thoni (se ishin zota), pra ju, as nuk keni mundësi të shpëtoni, as t’i ndihmoni (vetes). E cilido që bën padrejtësi prej jush Ne i japim atij të përjetojë një dënim të madh.
20. Ne para teje dërguam pejgamberë të tjerë, por edhe ata ishin të dërguar, që kanë ngrënë ushqim, që kanë ecur e shëtitur nëpër tregje. Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin, se a do të jeni të durueshëm. E Zoti yt është Vështrues i çdo gjëje.
21. E ata që nuk e shpresojnë takimin Tonë, thanë: “Përse të mos na dërgohen neve engjëj, ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” Ata e tejçmuan lart veten dhe u sollën me arrogancë.
22. Për kriminelët atë ditë kur i shohin engjëjt nuk ka gëzim, sepse ata (engjëjt) iu thonë: “Është e ndaluar çdo e mirë (apo xheneti është haram për ju)!”
23. E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.
24. Atë ditë banuesit e xhenetit do të kenë vend shumë të mirë dhe pushimore shumë të këndshme.
25. Dhe (përkujto) ditën kur do të çahet qielli me anën e një reje e lëshohen engjëjt në një mënyrë madhështore.
26. Atë ditë sundimi i vërtetë është i të Gjithëmëshirshmit, e ajo ditë për jobesimtarët do të jetë ditë e vështirë.
27. Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!”
28. O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! 29. Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejë ai më largoi mua prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar.
30. E i dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kuran si (diçka) të hedhur!”
31. Kështu, Ne secilit pejgamber ia bëmë ndonjë armik prej jobesimtarëve, por mjafton që Zoti të jetë Udhërrëfyes dhe Ndihmës yti.
32. E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhamedit) Kurani për një herë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të ta forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalë ngadalë). 33. Dhe ata nuk të sjellin ndonjë shembull ty, e që Ne të mos ta tregojmë të vërtetën, duke të ofruar shpjegim të qartë e të plotë.
34. Ata do të tubohen, do të jenë të përmbysur me fytyrat e tyre në xhehenem, të tillëve iu përket vendi më i keq, ndaj ata janë më të humburit në rrugën e tyre.
35. Ne edhe Musait i patëm dhënë librin, e bashkuam me vëllain e vet Harunin, që ta ketë si ndihmës.
36. U thamë: “Shkoni ju të dy tek ai popull, që i përgënjeshtroi argumentet Tona!" E Ne pastaj i shkatërruam ata shumë keq.
37. Ne e përmbytëm edhe popullin e Nuhut, meqë ata të dërguarit i quajtën rrenacakë, e për njerëzit, të cilët mendojnë, le të marrin mësim nga ata. E për mizorët Ne kemi përgatitur dënim të rëndë.
38. Edhe Adin, Themudin, banorët e Res-it dhe shumë gjenerata ndërmjet tyre (i shkatërruam).
39. E secilit prej tyre iu patëm sjellë argumente, por të gjithë i rrënuam.
40. Ata (kurejshitët) kaluan buzë fshatit, i cili ishte gurëzuar me atë shiun (gurëzim prej së larti) e shëmtuar, po a nuk janë ata, të cilët e panë atë? Jo, nuk e vështruan, sepse ata ishin të tillë, që nuk shpresonin në ringjallje.
41. E kur të shohin ty, nuk të çmojnë ndryshe, por vetëm me tallje e thonë: “A ky është ai, që Allahu e dërgoi pejgamber?”
42. “Sikur ne të mos ishim të qëndrueshëm ndaj tyre, ai gati na pat zmbrapsur prej zotave tanë!” E më vonë, kur ta shohin qartazi dënimin do ta kuptojnë, se kush ishte më larg nga e vërteta.
43. A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës?
44. A mendon ti, se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta.
45. A nuk e sheh se si Zoti yt e zgjati (andej e këndej) hijen, e sikur të kishte dashur do ta linte në një vend, pastaj diellin e bëmë rrëfyes të saj.
46. Pastaj Ne atë e tërheqim pak nga pak.
47. E ai është që natën ua bëri petk, gjumin pushim e ditën e bëri për gjallërim.
48. Edhe Ai është, që i lëshon erërat përgëzim në prag të mëshirës së Tij (shiut) dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër,
49. që me të t’i japim jetë një toke të vdekur dhe që t’u japim të pijnë atyre që i krijuam, kafshë e shumë njerëz.
50. Ne shumëherë ua përkujtuam atyre këto fakte që të mendojnë, por shumica e njerëzve nuk deshën tjetër pos refuzimin.
51. Sikur të kishim dashur Ne do të dërgonim pejgamber në çdo vendbanim.
52. Po ti mos i dëgjo jobesimtarët e luftoi ata me të (me Kuran) me një luftë të madhe. 53. Ai la të lirë të bashkohen dy dete, ky (njëri) i pijshëm e i shijshëm,e ky (tjetri) i njelmët e i idhët, e mes tyre bëri si të jetë ndonjë pendë, pritë, që të mos përzihen.
54. Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, dhe e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi. Zoti yt është i Plotfuqishëm për çdo send.
55. E ata në vend të Allahut adhurojnë atë që nuk iu sjell, as dobi, as dëm atyre, po jobesimtari ndihmon atë që është kundër Zotit të vet.
56. E Ne nuk të dërguam ty për tjetër qëllim, por vetëm si përgëzues e si qortues.
57. Thuaj: “Unë për këtë nuk kërkoj shpërblim prej jush, por vetëm kush të dojë të marrë rrugën, që e afron te Zoti i vet”.
58. Ti mbështetju Atij të Përjetshmit, që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij, Ai mjafton për njohje në hollësi të mëkateve të robërve të vet.
59. Ai krijoi qiejt e tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, e pastaj u ngrit mbi Arshin (Fronin e Tij). Ai është i Gjithëmëshirshmi. Për këtë pyet ndonjë shumë të dijshëm.
60. E kur iu është thënë atyre: Bëni sexhde ndaj të Gjithëmëshirshmit ata thanë: “E kush është Rrahmani - i Gjithëmëshirshmi? A t’i bëjmë sexhde pse ti na urdhëron?” E kjo e shtoi edhe më tepër largimin e tyre (nga feja).
61. I Madhërishëm është Ai që krijoi yje në qiell dhe vendosi në të dritë (diell) e hënë që ndriçon.
62. Ai është që bëri natën, e ditën zëvendësuese të njëra-tjetrës dhe për atë që dëshiron të mendojë apo të falënderojë argument.
63. E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë iu drejtohen injorantët ata thonë: “Paqe!”
64. Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen).
65. Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehenemit, e s’ka dyshim, se vuajtja në të është gjëja më e rëndë”.
66. Ai vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq.
67. Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë, e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.
68. Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk e vrasin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai e gjen ndëshkimin.
69. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. 70. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është Mëshirues i madh, ndaj Ai fal shumë.
71. Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek Allahu dhe është i pranishëm.
72. (Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.
73. Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e Kuranit të Zotit të tyre, nuk iu kthejnë shpinën si të shurdhër e të verbër.
74. Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit".
75. Për shkak se duruan të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhenet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit.
76. Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai.
77. Thuaj: “Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja juaj (kur gjendeni në vështirësi, ose sikur të mos ishit të thirrur të besoni), e ju përgënjeshtruat, prandaj dënimi do t’ju jetë i pandërprerë”.