Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Ja, Sin!
2. Betohem në Kuranin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë.
3. S’ka dyshim, se ti (Muhamed) je prej të dërguarve.
4. Je në një rrugë të drejtë.
5. (Kurani është) Zbritje e të Plotfuqishmit, Mëshiruesit të madh,
6. për t’ia tërhequr vërejtjen një populli, që të parëve të tyre nuk iu është tërhequr, e për atë shkak ata janë të hutuar.
7. Tashmë ka marrë fund vendimi (thënia) kundër shumicës së tyre, prandaj ata edhe nuk besojnë.
8. Ne iu kemi varur në qafat e tyre pranga e ato iu arrijnë deri në nofulla, prandaj ata mbesin me kokat lart.
9. Ne iu kemi vënë edhe para tyre pendë, edhe mbrapa tyre pendë, dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin.
10. Dhe për ata është njësoj, a ua tërhoqe vërejtjen, a nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë. 11. Ti ia tërheq vërejtjen vetëm atij, që e përvetëson Kuranin dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit pa e parë Atë, pra përgëzoje atë me falje dhe shpërblim të mirë.
12. Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit dhe i shkruajmë veprat - gjurmët e tyre dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Lehvi Mahvudh).
13. Përmendju atyre një shembull të banorëve të fshatit, kur atyre iu patën ardhur të dërguarit.
14. Kur Ne dërguam tek ata dy, e ata i përgënjeshtruan që të dy, atëherë i përforcuam me një të tretë dhe iu thanë: “Ne jemi të dërguar te ju”.
15. Ata (fshatarët) thanë: “Ju nuk jeni tjetër, vetëm se njerëz sikurse ne, dhe se Allahu nuk iu ka shpallur asgjë; ju nuk jeni tjetër vetëm se rrenacakë.
16. Ata thanë: “Zoti ynë e di, se me të vërtetë ne jemi të dërguar te ju.
17. Dhe ne nuk jemi të obliguar për tjetër, përveç se t’ju kumtojmë ashtu qartë”.
18. Ata (fshatarët) thanë: “Ne parandiejmë kob me ju dhe nëse nuk tërhiqeni ne do t’ju gurëzojmë, dhe do të përjetoni ndëshkim të idhët prej nesh”.
19. Ata (të dërguarit) thanë: “Fati i keq është i juaji, a pse u këshilluat, a (na kërcënoheni)! Jo, por ju jeni popull i shfrenuar!”
20. Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”
21. Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!
22. E, ç’kam unë, që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe tek Ai ktheheni.
23. A do të pranoj zota të tjerë pos Atij, e nëse do i Gjithëmëshirshmi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë, e as që do të më shpëtojnë.
24. Unë do të jem atëherë në një humbje të hapët.
25. Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!”
26. Atij i është thënë: “Hyr në xhenet!- e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,
27. për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”
28. Pas tij, Ne nuk zbritëm ndonjë ushtri nga qielli kundër popullit të tij, e as që ishte vendimi ynë të zbresim tjetër,
29. përveç një britme të tmerrshme, kur ja, ata të ftohur (të vdekur).
30. O sa dëshpërim i madh për robërit, që nuk iu erdhi ndonjë i dërguar, vetëm se ata u tallën me të.
31. A nuk e panë ata, se sa gjenerata kemi zhdukur para tyre dhe ata nuk u kthyen.
32. Dhe të gjithë të tubuar do të paraqiten pranë Nesh.
33. Dhe për ata është argument (për fuqinë e Zotit) toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drith nga i cili ata hanë.
34. Dhe në të Ne ju kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe në të ju kemi dhënë burime (uji),
35. ashtu që ata të hanë nga ata fruta dhe nga çka prodhojnë vetë duart e tyre. A i gëzojnë këto dhe nuk falënderojnë?
36. I pastër nga të metat është Ai, që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë.
37. Për ata është argument edhe nata, prej së cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr.
38. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Gjithëdijshmit.
39. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë).
40. As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditen, po secili noton në një galaktikë.
41. Argument për ta është edhe ajo, se Ne pasardhësit e tyre (të Ademit) i bartëm në anije të mbushur përplot.
42. Dhe ngjashëm me të iu krijuam atyre diçka që t’i hipin.
43. E sikur të duam Ne, i përmbytim ata, e nuk ka efekt, as lutja e tyre, dhe as që do të shpëtonin.
44. Përveç nga mëshira Jonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë të mirat deri në një kohë të caktuar.
45. E kur iu thuhet atyre: “Kini frikë asaj që ngjau para jush dhe asaj çka do t’ju ngjajë më vonë, e që të mëshiroheni (ata nuk dëgjojnë).
46. Nuk ka asnjë argument, që iu erdhi atyre nga argumentet e Zotit, e që ata nuk ia kthyen shpinën.
47. Dhe kur iu thuhej: “Jepni nga ajo që Allahu iu begatoi, ata që nuk besuan iu thanë besimtarëve: “A ta ushqejmë atë, që sikur të donte Allahu do ta ushqente? Ju nuk jeni tjetër vetëm se të humbur qartë!”.
48. Dhe thoshin: “Po qe se jeni të vërtetë, kur do të jetë ai premtim?”
49. (Allahu iu përgjigjet) Nuk janë duke pritur tjetër vetëm se një britmë, që i rrëmben ata kur janë duke u zënë mes vete.
50. E nuk do të mund të lënë, as porosi (vasijet-testament), as të kthehen në familjet e tyre.
51. Dhe i fryhet Surit, kur ja, duke u ngutur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre.
52. E thonë: “Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej ku ishim të shtrirë në varre?” E, kjo është ajo që premtoi Zoti dhe vërtetuan të dërguarit.
53. Ajo nuk është tjetër, përveç se një zë i fuqishëm dhe ata të gjithë të paraqitur para Nesh.
54. Sot pra, askujt nuk i bëhet e padrejtë diçka dhe nuk shpërbleheni me tjetër vetëm për atë që vepruat.
55. Ata të xhenetit tashti janë të angazhuar me kënaqësi.
56. Ata dhe shoqet e tyre janë nën hije të mbështetur në kolltukë.
57. Aty ata kanë pemë dhe çka të duan.
58. Kanë “Selam”, thënie e Zotit Mëshirues!
59. E tash, o ju kriminelë, ndahuni!
60. O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë, që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?
61. ( Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!
62. Vërtet, ai ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk mblodhët mend?
63. Ky është xhehenemi që juve u premtohej.
64. Hyni tashti në të, për shkak se mohuat çdo të vërtetë!
65. Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan. 66. E sikur të duam Ne do t’ua verbonim sytë e tyre, se ata do ta mësynin rrugën, po si do të shihnin?
67. Dhe sikur të duam, do t’i kishim gjymtuar ata në vend, e nuk do të mund të shkonin, as para, as prapa.
68. E atij që i japim të jetojë gjatë, e dobësojmë në krijimin e tij. A nuk janë duke menduar?
69. Ne, as nuk ia mësuam atij (Muhamedit) poezinë, e as që i takon ajo atij, ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kuran i qartë,
70. për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend e zemër), dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.
71. A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, iu krijuam atyre kafshët që ata i posedojnë.
72. Dhe ua bëmë ato që t’iu binden atyre, e disave prej tyre u hipin, ndërsa prej disave ushqehen.
73. Ata kanë edhe dobi të tjera në to, edhe pinë (qumësht) prej tyre. A nuk duhet të falënderojnë?
74. Po, shkojnë e në vend të Allahut adhurojnë zota të tjerë, me shpresë se do të ndihmohen prej tyre.
75. Ata nuk mund t’i ndihmojnë ata, por këta (idhujtarët) iu janë bërë ushtri e gatshme e tyre.
76. E ty mos të brengosin thëniet e tyre, Ne dimë çka mbajnë ata fshehtë dhe çka publikojnë.
77. A nuk mendon njeriu, se Ne e krijuam atë prej një pikë uji (fare), kur ja, ai kundërshtar i rreptë.
78. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur?”
79. Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i Dijshëm për çdo krijim.
80. Ai që prej drurit të gjelbër ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndizni”.
81. A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër se i krijoi ata? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdijshmi.
82. Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet.
83. I Lartë është Ai, që në Dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni.