Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Elif, Lam, Mim, Sad.
2. (Ky është) Libri, që të është zbritur ty, që me të t’ua tërheqësh vërejtjen dhe t’i këshillosh besimtarët, pra të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd (për kumtimin e tij).
3. Përvetësoni atë, që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij. Pak është ajo që po merrni përvojë.
4. Sa fshatra (banorë) kemi shkatërruar (me fajin e tyre) e dënimi Jonë iu erdhi atyre natën, a (ditën) kur ishin duke pushuar (duke fjetur).
5. Kur iu erdhi atyre dënimi Jonë, s’kishin ç’të kërkonin tjetër, vetëm të thonë: “Vërtet, ne ishim zullumqarë” (ta pranojnë gabimin).
6. Ne patjetër do t’i marrim në përgjegjësi ata, që iu është dërguar (pejgamber), e do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit.
7. Dhe duke e ditur mirë Ne do t’u rrëfejmë atyre (për atë që punuan), se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm).
8. Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar.
9. Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën veten, sepse i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.
10. Ne ju vendosëm në tokë dhe ju mundësuam jetesën (mjetet për të jetuar), e pak prej jush po falënderoni.
11. Ne ju krijuam, pastaj ju dhamë formën, e mandej engjëjve ju thamë: “Bëni sexhde për Ademin”. Ata i bënë sexhde pos Iblisit. Ai nuk ishte prej atyre, që bënë sexhde.
12. (Allahu) Tha: “Çfarë të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?"- Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” 13. (Allahu) Tha: “Zbrit nga ai (xheneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s’ka dyshim ti je i poshtëruar”.
14. (Iblisi) Tha: “Më afatizo gjer ditën kur do të ringjallen (njerëzit)!”
15. (Allahu) Tha: “Ti je i afatizuar!”
16. (Iblisi) Tha: “Për shkak se më humbe mua unë do t’u ulem atyre (do t’ju zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë,
17. mandej do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”
18. (Allahu) Tha: “Dil nga ai (xheneti), i urrejtur, i dëbuar. Kush prej tyre vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur xhehenemin me të gjithë ju.
19. (Ne i thamë) O Adem, ti dhe bashkëshortja jote zini vend në Xhenet, hani nga të doni, e mos iu afroni kësaj peme, pse do të bëheni prej zullumqarëve (të vetes suaj).
20. Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme, që ju ishin të mbuluara dhe tha: “Zoti juaj nuk ua ndaloi juve të dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshmëve.
21. Dhe ju betua atyre (duke iu thënë) se: Unë jam këshillues për ju.
22. Atëherë me mashtrim i zbriti (në një nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan ta mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) xhenetit. Zoti i tyre i thirri (duke iu thënë): “A nuk ua ndalova ju të dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju të dyve, se shejtani është armik i hapët për ju?!”
23. Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (e dëmtuam) vetes tonë, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”
24. (Allahu) Tha: “Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë.
25. Tha: “Në të (në tokë) do të jetoni (do të gjallëroni), në të do të vdisni (do të varroseni) dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni).
26. O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk, që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.
27. O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani, sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre, që t'ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.
28. Kur punojnë ata (idhujtarët) diçka të shëmtuar thonë: “Ne i gjetëm kështu prindërit tanë, edhe Allahu na urdhëroi këtë (vizitën rreth Qabes lakuriq). Thuaju: “Allahu nuk urdhëron të shëmtuarën, a thoni për Allahun çka nuk e dini?”
29. Thuaj: “Allahu ma urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Atij në çdo namaz (lutje), dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të. Ashtu sikur se ju filloi (krijoi) së pari, do të ktheheni tek Ai.
30. Një grup (nga ju) Ai e vuri në rrugë të drejtë, e një grup meritoi të jetë i humbur, pse ata (të humburit) i morën për miq shejtanët, e megjithatë mendonin, se ishin në rrugë të drejtë.
31. O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.
32. Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira, që Allahu i krijoi për robërit e vet?”- Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.
33. Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni Allahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini, se është e vërtetë.
34. Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t’iu vijë afati i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë.
35. O bijtë e Ademit, juve ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, ua përkujtojnë faktet e Mia (shkoni pas tyre). E kush ruhet dhe përmirësohet për ta s’ka, as frikë, as s’kanë përse të pikëllohen.
36. E ata që i konsideruan të rreme faktet tona dhe me kryelartësi u larguan prej tyre ata janë banues të zjarrit dhe në të janë përjetë.
37. Kush është më mizor, se ai që trillon shpifje ndaj Allahut, apo i përgënjeshtron argumentet e Tij? Ata e arrijnë pjesën e tyre që iu është caktuar (në shënime) deri kur t’u vijnë atyre të dërguarit tanë (melaiket), t’ua marrin shpirtin, e iu thonë: “Ku janë ata që pos Zotit i lusnit?” Ata thonë: “Kanë humbur prej nesh”, dhe ashtu dëshmojnë për veten, se ishin mohues (kafirë).
38. (Allahu) Ju thotë: “Hyni në xhehenem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!” (Allahu) Thotë: “Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini”.
39. Të parët e tyre (paria), atyre që hyjnë më pas ju thonë: "Ju nuk keni përparësi ndaj nesh (pse vetë keni bërë kufër), shijojeni pra dënimin për atë që e fituat!"
40. Nuk ka dyshim, se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhenet deri të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët.
41. Për ata është përgatitur shtrat nga zjarri dhe mbulojë (nga zjarri). E kështu pra i shpërblejmë zullumqarët.
42. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e Ne as që obligojmë ndokënd me çka nuk ka mundësi (të veprojë), të tillët janë banues të xhenetit dhe në të janë përgjithmonë. 43. Nga zemrat e tyre kemi hequr (kemi zhdukur) çdo gjë, që ishte krijuar nga zilia (nga urrejtja), janë në xhenet, ku rrjedhin lumenj, e ata thonë: “Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (në iman, për punë të mira, na e hoqi zilinë, na futi në xhenet), pse sikur mos të na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzoheshim. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne iu besuam!” E atyre iu drejtohet thirrje: “Ky është xheneti, ju dha juve për atë që vepruat”.
44. Ata të xhenetit i thërrasin (i pyesin) banuesit e zjarrit e ju thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na e pat premtuar Zoti ynë, e ju (banues të zjarrit) a e gjetët të vërtetë atë, që ua pat premtuar Zoti juaj?" Ata (banuesit e zjarrit) thonë: "Po". Atëherë në mes të tyre (mes të dy grupeve) thërret një zë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!”, 45. (mbi) ata që penguan nga rruga (imani) e Allahut dhe që kërkuan shtrembërimin e saj, dhe ata që ishin mohues të botës tjetër.
46. E mes atyre të dyve (dy grupeve) është një perde (mur), e mbi A’raf (lart mbi mur) janë burra, që e njohin secilin (të xhenetit dhe të xhehenemit) me shenjat e tyre. Ata i thërrasin banuesit e xhenetit: “Paqja (shpëtimi) qoftë mbi ju!” Ata (të A’rafit) nuk kanë hyrë në të, por shpresojnë.
47. E kur iu shkon shikimi i tyre nga ata të xhehenemit, thonë: “Zoti ynë, mos na bëj neve me mizorët!”
48. Ata të A’rafit i thërrasin disa burra që i njohin me shenjat e tyre dhe ju thonë: “Çfarë ju vlejti grumbullimi juaj (në pasuri e numër) dhe ajo që bënit kryelartësi?” (e tash jeni në xhehenem).
49. A këta janë ata (besimtarët), për të cilët betoheshit, se nuk ka për t’i përfshirë mëshira e Allahut?”. (Në mënyrë ironike i përqeshin kufarët e mandej ju thonë besimtarëve): “Vazhdoni në xhenet, as nuk ka frikë për ju, as nuk keni për t’u brengosur!”
50. Banuesit e zjarrit i thërrasin (dhe i lusin) ata në xhenet (duke ju thënë): “Na qitni diçka nga uji, apo nga ajo që ju ka furnizuar Allahu (se mbaruam nga etja)!” Ata (në xhenet) thonë: “Allahu i ka ndaluar, që të dyja këto për jobesimtarët!",
51. të cilët fenë e tyre e morën tallje e lojë dhe të cilët i mashtroi jeta e Dunjasë. Sot, pra, Ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre, dhe sikurse i refuzonin argumentet Tona!”
52. Ne ju sollëm atyre (mekasve) një libër (Kuranin), që ua shkoqitëm me baza diturie, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë.
53. Ata nuk presin tjetër, por vetëm atë që do t’u vijë. E atë ditë kur t’u vijë (dënimi i premtuar) ajo që e pritnin, ata të cilët më parë e kishin harruar thonë: “Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me fakte të vërteta, a kemi ndonjë ndërmjetës që të na shpëtojë, ose të kthehemi (në Dunja) e të veprojmë tjetër nga ajo që vepruam”. Ata shkatërruan vetveten dhe u shkoi huq trillimi që bënin.
54. Vërtet, Zoti juaj Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj u ngrit mbi Arshin, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna, edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve.
55. Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.
56. Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj (me ardhjen e pejgamberëve) dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S’ka dyshim, se mëshira e Allahut është pranë atyre të mirëve.
57. Ai është që i lëshon erërat si përgëzim pranë mëshirës (shiut) së Tij. E kur ato (erërat) bartin re të mëdha, Ne i sjellim mbi një tokë të vdekur dhe lëshojmë në të ujin (shiun), dhe me të (me ujin) nxjerrim të gjithë frutat. Kështu i nxjerrim (i ngjallim) të vdekurit, ashtu që ta përkujtoni (fuqinë e Zotit).
58. Me lejen e Allahut toka e mirë mbin bimët, e ajo që nuk është cilësore, ajo nuk mbin vetëm (pak) me vështirësi. Kështu Ne i radhisim argumentet Tona për ata që falënderojnë.
59. Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai tha: “O populli im, adhurojeni Allahun, nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një Ditë të Madhe!”
60. Paria nga populli i tij tha: “Ne po të shohim (në këtë që na thërret) plotësisht të humbur!”
61. (Nuhu) Tha: “O populli im, unë nuk kam kurrfarë humbje, por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve!”
62. “Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe unë di nga Zoti im çka ju nuk dini!” 63. “A mos u çuditët, që shpallja ju erdhi nga Zoti juaj përmes (gjuhës së) një njeriu nga mesi juaj, për t'ua tërhequr vërejtjen, që të ruheni dhe ashtu të shpëtoni!" 64. Po ata e përgënjeshtruan atë (Nuhun), e Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije, ndërsa ata që i përgënjeshtruan faktet tona i fundosëm. Vërtet, ata ishin popull i verbër.
65. Edhe tek (populli) Ad-i (dërguam) vëllain e tyre Hudin, e ai tha: “O populli im, adhurojeni (një Zot) Allahun, ju nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij, a nuk po frikësoheni?!...”
66. Paria që nuk besoi nga populli i tij tha: “Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtet rrenacak!”
67. Tha (Hudi): “O populli im, nuk jam mendjelehtë (nuk kam të meta mendore), por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve”.
68. ( Jam i dërguar) Që t’ua komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe unë jam këshillues besnik për ju.
69. A mos ju erdhi çudi, që ju erdhi shpallja nga Zoti juaj përmes një njeriu nga mesi juaj, e për t'ua tërhequr vërejtjen. Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe ua shtoi fuqinë fizike.
Përkujtoni të mirat e Allahut që të gjeni shpëtim.
70. Ata thanë: “A na erdhe (të na frikësosh), që ta adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë? Nëse je i vërtetë (si thua) sillna atë që na premton (kërcënohesh)”.
71. (Hudi) Tha: “Juve ju gjeti dënimi dhe përbuzja nga Zoti juaj. A më polemizoni mua për emrat (e idhujve), që i emëruat ju dhe prindërit tuaj, e që për ta Allahu nuk shpalli kurrfarë argumenti? Prisni pra (dënimin), edhe unë së bashku me ju jam duke pritur”.
72. Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të, dhe i shkulëm nga rrënja ata që i përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.
73. Edhe te (populli) Themud ua dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai ju tha: “O populli im, besojeni Allahun (Një), nuk keni zot tjetër pos Tij. Ja, ju erdhi argumenti nga Zoti juaj, kjo deveja është mrekulli për ju. Lereni këtë të lirë të hajë në tokën e Allahut dhe kurrsesi mos e merrni me të keq, e t’ju kapë dënimi i dhembshëm”.
74. “Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtonit pallate, kurse në kodrina ngreni shtëpia, përkujtoni të mirat e Allahut, e mos u bëni shkatërrues në tokë”.
75. Krerët kryelartë nga populli i tij ju thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini, se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?”. Ata thanë: “Vërtet, ne jemi besimtarë të asaj me çka është dërguar”.
76. Ata kryelartit thanë: “Ne jemi mohues (jobesimtarë) të asaj që ju i besuat”.
77. Ata e therën devenë dhe me kryelartësi shkelën dispozitën e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih, sille atë që na u kërcënove, nëse je prej të dërguarve”.
78. Atëherë ata përjetuan tërmetin dhe u bënë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.
79. Ai u zmbraps prej tyre e tha: “O populli im, unë ju komunikova
dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit”.
80. Përkujto kur Luti i tha popullit të vet: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush”.
81. Vërtet, ju të shtyrë nga epshet iu afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar”.
82. Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm se të thonë: “Dëboni ata (Lutin me besimtarë) nga vendbanimi juaj, ata janë njerëz që ruhen shumë (i largohen të shëmtuarës)”.
83. Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, pos gruas së tij që mbeti aty (ndër të shkatërruarit).
84. Ne lëshuam mbi ata një lloj shiu (me gurë). E shiko, se si ishte fundi i kriminelëve! 85. E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhurojeni Allahun (Një), ju nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejt matjen dhe peshoren, e mos iu bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”.
86. “Mos zini pusi në çdo rrugë e të kërcënoni dhe të pengoni nga rruga e Allahut atë që i ka besuar atij (Shuajbit), e të kërkoni shtrembërimin e asaj (rrugës). Përkujtoni kur ishit pakicë e Ai ju shumoi dhe shikoni se si qe fundi i çrregulluesve”.
87. “E në qoftë se një grup prej jush është që i besoi asaj me të cilën unë u dërgova, e një grup nuk besoi, duroni deri sa të gjykojë mes nesh Allahu, e Ai është Gjykatësi më i mirë”.
88. Paria që ishte kryelartë nga populli i tij tha: “O Shuajb, ne do të dëbojmë ty dhe së bashku me ty, edhe ata që besuan nga fshati ynë, ose patjetër të ktheheni në fenë tonë”. Ai (Shuajbi) tha: “A edhe nëse ne nuk e dëshirojmë atë (kthimin)?”.
89. Ne do të kemi shpifur gënjeshtër ndaj Allahut, nëse kthehemi në fenë tuaj (idhujtare), pasi Allahu na shpëtoi nga ajo. Nuk është për ne të kthehemi në të, vetëm nëse është dëshira e Allahut, Zotit tonë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne ju kemi mbështetur Allahut. Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri Gjykatës.
90. Krerët prej popullit të tij, që nuk besuan, i thanë: “(Popullit i thanë) Nëse shkoni (pranoni) pas Shuajbit, (pas fesë së tij), atëherë ju me siguri jeni të humbur”.
91. Ata (popullin e padëgjueshëm) i kapi një tërmet i fortë dhe u bënë në shtëpitë e tyre kufoma të gjunjëzuara.
92. Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, sikur nuk ekzistuan fare aty, ata që e konsideruan Shuajbin rrenacak, vërtet ishin të dështuarit.
93. E ai (Shuajbi) u kthye e tha: “O populli im, vërtet unë ju kumtova porositë e Zotit tim, ju dhashë këshilla, e si të brengosem për një popull që nuk besoi”.
94. Ne nuk e dërguam asnjë pejgamber në ndonjë vendbanim, e që nuk e ndëshkuam atë (popullin) me skamje e vështirësi të tjera, në mënyrë që ata të përulen (të binden). 95. Mandej e zëvendësuam të keqen me të mirën, derisa u shumuan ato (të mirat) e thanë: “Prindërit tanë i pat goditur skamja e mjerimi”, (ky është rregull natyror, po ata nuk falënderuan). Atëherë befas i dënuam pa e vërejtur ata.
96. E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, prandaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.
97. A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë, kur ata ishin fjetur (natën)? 98. A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë paradite, kur ata ishin duke luajtur?
99. A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të Allahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të Allahut, pos njerëzve të humbur.
100. A nuk e kanë të qartë ata, që e trashëguan tokën pas banorëve të saj (që u shkatërruan), se nëse dëshirojmë Ne i godasim (i dënojmë) për mëkatet e tyre, ua mbyllim zemrat e tyre, dhe ata nuk dëgjojnë (këshillat).
101. Këto janë fshatra për të cilat po të tregojmë disa nga lajmet e tyre. Atyre iu patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente (me mrekulli), por ata nuk i besuan asaj, të cilën e kishin gënjyer më parë. Ja, kështu vulos Allahu zemrat e atyre që nuk besojnë. 102. Ne te shumica e tyre nuk gjetëm zbatimin e premtimit, e gjetëm shumicën e tyre jashtë bindjes (respektit).
103. Mandej pas tyre e dërguam Musain me mrekulli të argumentuara te faraoni dhe rrethi i tij, e ata i refuzuan edhe ato, e shih se si ishte përfundimi i shkatërruesve!
104. Musai tha: O faraon, s’ka dyshim, unë jam i dërguar prej Zotit të botëve”.
105. Është dinjitet për mua të them për Allahun vetëm të vërtetën. Unë ju kam ardhur me argumente nga Zoti juaj, lejoji pra, Beni Israilët të vijnë me mua!”
106. Ai (faraoni) tha: “Nëse ke ardhur me ndonjë argument dhe nëse je ai që thua, na e trego pra atë argument”.
107. Ai (Musai) e hodhi shkopin e vet, kur ja u shfaq një gjarpër i vërtetë.
108. Dhe e nxori dorën e vet, kur ja për shikuesit dritë e bardhë.
109. Rrethi i parisë nga populli i faraonit tha: “Ky nuk është tjetër gjë, pos një magjistar i përsosur”.
110. Ai dëshiron t’ju nxjerrë prej tokës suaj: “E çka më urdhëroni (propozoni ju)?”
111. Ata (krerët) thanë: “Ndale atë dhe vëllain e tij, e dërgo nëpër qytete tubues (të magjistarëve),
112. të sjellin çdo magjistar të dijshëm (të aftë).
113. Magjistarët erdhën te faraoni, e thanë: “ Ne do të kemi shpërblim, në qoftë se dalim fitues!"
114. Ai (faraoni) tha: “Po, dhe ju do të jeni prej të afërmve të mi”.
115. Ata (magjistarët) thanë: “O Musa, (zgjidh) ose do të hedhish ti, ose ne po hedhim?” 116. Ai (Musai) tha: “Hidhni ju”! E kur hodhën ata (shkopinj e litarë),u magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe.
117. E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe shkopin tënd!” Kur ja, ai gëlltiste atë që kishin magjepsur.
118. Atëherë u dëshmua e vërteta dhe u zhduk ajo që kishin përgatitur.
119. Aty u mundën ata (magjistarët dhe faraoni) dhe u kthyen të poshtëruar.
120. E magjistarët u hodhën (u përulën) në sexhde.
121. Dhe thanë: “Ne i besuam Zotit të gjithësisë,
122. Zotit të Musait dhe të Harunit!”
123. E faraoni tha: “I besuat atij (Musait), para se t’ju lejoj unë? Kjo është një dredhi që ju përgatitët në qytet (Misir) për t’i dëbuar prej tij banorët e tij (kibtët), po më vonë do ta kuptoni (çfarë do t’ju gjejë).
124. Kam për t’ua prerë duart dhe këmbët tërthorazi, pastaj të gjithë juve do t’ju gozhdoj.
125. Ata (që besuan) thanë: “S’ka dyshim, ne jemi të kthyer te Zoti ynë.
126. “Ti nuk hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në argumentet e Zotit tonë, pasi na erdhën ato. Zoti ynë, na dhuro durim (për dënimin që do të na japë faraoni) dhe na bëj të vdesim muslimanë!”
127. Të parët nga populli i faraonit thanë: “A do ta lejosh Musain dhe popullin e tij të bëjë përçarje në tokë dhe të braktisin ty dhe zotat e tu?” Ai (faraoni) tha: “Do t’ua vrasim djemtë e do t’i lëmë të gjalla gratë e tyre për shërbim, ne jemi dominues mbi ta”. 128. Popullit të vet Musai i tha: “Kërkoni ndihmë prej Allahut dhe kini durim. S’ka dyshim, se toka është e Allahut, ia lë në trashëgim atij që do nga robërit e tij, e ardhmja e lumtur është për të devotshmit”.
129. Ata (populli i Musait) thanë: “Ne ishim të shtypur para se të na vije ti, e edhe pasi na erdhe”. Ai (Musai) tha: “Është shpresë, se Allahu do ta shkatërrojë armikun tuaj (faraonin), e juve do t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend, e do t’ju shikojë se si ju veproni”.
130. Ne e provuam popullin e faraonit me skamje dhe me pakësim të frutave, në mënyrë që të marrin mësim.
131. Kur iu vinte atyre e mira (viti i begatshëm) ata thonin: “Kjo është e (mira) jona thjesht”. E kur i godiste ndonjë e keqe fatin e zi ia përshkruanin Musait dhe atyre (besimtarëve) që ishin me të. Vini re, fati i tyre është tek Allahu (e jo te Musai), por shumica e tyre nuk e dinin këtë.
132. Ata thanë: “Çfarëdo argumenti të na sjellësh, që me atë të na magjepsish (largosh nga feja që kemi), ne nuk do të besojmë ty”.
133. Atëherë (për shkak të mohimit) Ne lëshuam kundër tyre: vërshimin, karkalecat, rriqnat (insekte dëmtuese), bretkosat dhe gjakun, fakte të qarta këto njëri pas tjetrit, po ata vazhdonin me kokëfortësi, sepse ishin popull mëkatar.
134. Pasi i gjeti belaja (me ato masa dënimi) ata thanë: “O Musa, lute për ne Zotin tënd me atë që të ka premtuar, nëse na e largon dënimin ne do të pranojmë ty (si të dërguar) dhe do t’i lejojmë Beni Israilët bashkë me ty (të shkoni ku të doni)”.
135. E kur e larguam nga ata dënimin (me lutjen e Musait) për deri në një afat, që do të arrinin ata e thyen besën.
136. Atëherë u hakmorëm kundër tyre dhe i fundosëm në det, sepse përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nuk çanë kokën për to.
137. E atij populli, që ishte i nënshtruar i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira), ndërsa për durimin që patën, u plotësua fjala më e mirë (premtimi i vërtetë) e Zotit ndaj Beni Israilëve; rrënuam atë që bënte faraoni dhe populli i tij, si dhe atë që kishin ndërtuar ata.
138. Beni Israilët i kaluam përtej detit, e ata u takuan me një popull që adhuronte disa statuja të tyre, dhe thanë: “O Musa, na e bëj edhe neve një zot (statujë), si zotat që kanë ata (ai popull)”. Ai (Musai) tha: “Ju jeni popull që nuk di”.
139. Vërtet, ai popull (që po adhuron idhujt) është i shkatërruar në atë (adhurim) dhe ajo që vepruan është e asgjësuar (s’ka dobi).
140. Musai tha: “Mos deshët, pos Allahut, të kërkoj për ju zot tjetër, kurse Ai ju vlerësoi mbi njerëzit e tjerë?”
141. Përkujtoni (o Beni Israilë) kur Ai ju shpëtoi prej popullit të faraonit, që ushtroi më të keqin mundim, ua vrau djemtë tuaj, ua la të gjalla gratë tuaja. E ju me këto ishit në sprovë të madhe nga Zoti juaj”.
142. Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë netë (afatin për shpallje), e ato i plotësuam edhe me dhjetë dhe kështu u mbush afati për takim me Zotin e tij në dyzet netë. Ndërsa Musai vëllait të vet Harunit i tha: “Më zëvendëso mua te populli im dhe rregullo, e mos shko rrugës së të këqijve”.
143. E kur Musai erdhi në kohën që ia caktuam dhe i foli Zoti i vet ai tha: “Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të shikoj!” Ai (Zoti) i tha: “Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua”. Kur Zoti iu zbulua pak kodrës, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërrmi, e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete tha: “E lartë është madhëria Jote, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!”
144. Ai (Allahu) tha: “O Musa, Unë të gradova ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit tim. Merre atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës”.
145. Dhe i përshkruam atij në pllaka çdo gjë (që i nevojitej), si këshillim dhe sqarim për secilin send. “Merri këto me seriozitet dhe urdhëroje popullin tënd, që t'i përvetësojë më të mirat e tyre (dispozitat me shpërblim më të madh). Unë do t'ua tregoj vendbanimin mëkatarëve".
146. Unë do t’i zbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë. Këtë (këtë verbim të tyre), sepse ata i konsideruan të rreme faktet Tona dhe sepse i lanë pas dore ato.
147. Ata që i mohuan argumentet Tona dhe takimin në ditën e botës së ardhshme, ata asgjësuan veprat e tyre. A shpërblehen ata (me thevab ose me dënim) pos sipas asaj si kanë vepruar?
148. Populli i Musait, pas tij (kur ai shkoi në kodrën Tur për pranimin e shpalljes), e ndërtoi me stolitë e veta një figurë viçi që kishte britmë (pallte). A nuk e shihnin ata, se ai nuk ju fliste, as nuk i udhëzonte në ndonjë rrugë të drejtë. E morën atë (e adhuruan si idhull viçin), e ishin të padrejtë ndaj vetes së tyre.
149. E kur në duart e tyre u thye (ajo vepër e shëmtuar u penduan) dhe e kuptuan, se me të vërtetë kanë gabuar, thanë: “Nëse nuk na mëshiron Zoti ynë dhe nuk na e fal gabimin, ne pa dyshim do të jemi nga më të dëshpëruarit”.
150. E kur u kthye Musai shumë i hidhëruar te populli i vet tha: “Sa keq më paskeni zëvendësuar pas shkuarjes sime! A e ngutët (pritjen) urdhrin e Zotit tuaj?” I hodhi pllakat dhe e zuri për (flokësh) koke vëllain e vet duke e tërhequr nga vetja. Ai (vëllai Haruni) tha: “O bir i nënës sime, populli më mundi dhe gati më mbyti, mos më konsidero mua me njerëzit mizorë”.
151. (Musai) Tha: “Zoti im, më falë mua dhe vëllain tim dhe na dhuro mëshirën Tënde, se Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”.
152. Nuk ka dyshim, se ata që adhuraan viçin ka për t’i përfshirë përbuzja nga Zoti i tyre dhe nënçmimi në jetën e Dunjasë. Kështu i shpërblejmë (me dënim) trilluesit e rrenës.
153. E ata që bënë vepra të këqija, e pastaj u penduan pas tyre dhe besuan sinqerisht, Zoti yt ua fal gabimet dhe është Mëshirues i madh pas tij (pas pendimit të tyre).
154. E kur iu ndal hidhërimi Musait, ai i mori pllakat (që i pat hedhur), e në tekstin e tyre ishin (shënuar) udhëzime e mëshirë për ata që kanë frikë ndaj Zotit të tyre.
155. Musai zgjodhi nga populli i vet shtatëdhjetë veta për kohën që Ne ia caktuam takimin. E pasi i kapi ata dridhja (e tokës) ai tha: “Zoti im!, sikur të kishe dashur Ti, i kishe zhdukur më parë ata dhe mua. A po na zhduk për atë që bënë të marrët nga ne? Kjo është vetëm sprovë e Jotja, që me të e bën të humbur atë që do, dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do. Ti je Mbrojtësi ynë, pra falna e mëshirona, se Ti je më i miri që fal (gabimet).
156. Dhe cakto për ne jetë të mirë në Dunja dhe të mirë në botën tjetër, pse vërtet jemi kthyer nga Ti. Ai (Zoti) tha: “Dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë çdo send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata, që iu ruhen (mëkateve), e japin zeqatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona.
157. Që pranojnë të Dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin arab (që nuk shkruan dhe nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, ju lejon ushqimet e këndshme dhe ju ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata që e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën, që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit.
158. Thuaj (Muhamed): “O ju njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut te të gjithë ju. Allahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar të vërtetë pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.
159. Edhe prej popullit të Musait ishte një grup që udhëzoi drejt dhe iu përmbajt asaj (drejtësisë).
160. Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë grupe fisesh, e kur Musait i kërkoi ujë populli i vet, Ne e udhëzuam (duke i thënë): “Bjeri me shkopin tënd gurit”, (ai i ra) dhe prej tij (gurit) gufuan dymbëdhjetë kroje, ashtu që secili grup e dinte kroin e vet. Ne bëmë që retë t’u bëjnë hije atyre dhe iu sollëm rrëshirë dhe shkurtëza (dhe iu thamë): “Hani nga të mirat me të cilat ju dhuruam!”. (e pse ishin përbuzës) Ata nuk na dëmtuan Ne, por dëmtuan veten e tyre (sepse u dënuan).
161. (Përkujto edhe këtë) Kur atyre iu tha: “Banoni në këtë fshat (vendbanim) dhe hani nga frutat e tij kah të doni e thuani: “Falje” dhe në derë hyni të përulur, se Ne do t’ua falim mëkatet tuaja dhe do t’ua shtojmë edhe më punëmirëve!”
162. E ata prej tyre që ishin mizorë ndryshuan fjalë tjetër nga ajo që iu ishte thënë, atëherë Ne zbritëm kundër tyre një dënim nga qielli, për shkak se ishin zullumqarë. 163. Dhe pyeti ti (Muhamed) për fshatin, që ishte në breg të detit e ata e shkelën rendin e të shtunës (që e kishin të ndaluar gjuajtjen e peshqve), kur në të shtunën e tyre peshqit iu vinin sheshazi mbi ujë, e në ditën që nuk festonin nuk ju vinin. Ja, kështu i sprovuam ata, sepse ishin mëkatarë.
164. Dhe kur një grup prej tyre thanë: “Përse këshilloni një popull, që Allahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?”- Thanë (këshilluesit): “Arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që t’u largohen gabimeve”.
165. E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, sepse ishin të shfrenuar.
166. E kur ata tejkaluan me arrogancë të hapët nga ajo që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur.
167. Përkujto (o i dërguar), kur Zoti Yt shpalli qartas, se mbi ta do të vë deri në Ditën e Kijametit, sundimin e ndonjërit, që ka për t'ua shijuar atyre mundimin më të shëmtuar. Vërtet Zoti yt e ndërmerr shpejt dënimin, Ai edhe fal e mëshiron shumë.
168. Ne i shpërndamë ata në grupe nëpër tokë; prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja.
169. E pas tyre erdhi brezi që trashëgoi librin. Këta merrnin mjete të pavlerë të kësaj bote (lakmues që nuk dallonin të mirën a të keqen) e thonin: “Do të na bëhet falje”, ndërsa po t’u vijë atyre diçka si ajo, e merrnin atë përsëri. A nuk është marrë prej tyre zotimi në librin (Tevratin), se nuk do të thonë ndaj Allahut tjetër pos të vërtetës dhe ata e dinin mirë se çka në të (libër). Po a nuk po e kuptoni, se bota tjetër është më e mirë (se ajo çka merrnit ju) për ata që ruhen.
170. Po atyre që i përmbahen librit dhe e falin namazin, Ne nuk ua humbim shpërblimin të mirëve.
171. Përkujto kur ngritëm kodrën mbi ta si re, e ata menduan, se ajo do të bjerë mbi ta. (Ne u thamë): “Merrni këtë që ua dhamë me kujdes dhe përkujtoni ç’keni në të, e të ndaleni nga ajo që është e ndaluar.
172. Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Gjithsesi je, dëshmuam!”. Të mos thoni në Ditën e Kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur”.
173. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh neve për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?"
174. Po, kështu ua sqarojmë argumentet, që ata të kthehen nga e gabuara në të vërtetën.
175. Dhe lexoju atyre tregimin e atij, që ia patëm dhënë dituritë Tona, ndërsa ai u zhvesh prej tyre, dhe atëherë e shoqëroi atë shejtani, dhe kështu ai u bë prej të humburve.
176. E sikur të donim Ne, do ta ngrenim lart me atë (dituri), por ai nuk iu largua tokës (Dunjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë.
177. Shembull i keq është populli që i përgënjeshtroi faktet Tona dhe e dëmtoi veten. 178. Atë që Allahu e udhëzon ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humb ata janë të dëshpëruarit.
179. Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra, që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët. 180. Allahu ka emrat më të mirë, prandaj Atë thirreni me ata, e hiquni nga ata që bëjnë shtrembërime me emrat e Tij. Ata kanë për t’u shpërblyer (me dënim) për veprimet e tyre.
181. E ndër ata që krijuam Ne ka njerëz që udhëzojnë në të drejtën dhe veprojnë me të. 182. Ndërsa ata që i konsideruan të rreme argumentet Tona, Ne do t’i çojmë në humbje në mënyrë graduale nga nuk e kuptojnë ata.
183. Mirëpo atyre u jap afat, se kurthi Im është i fortë.
184. A nuk menduan ata, se ai, bashkëkohësi i tyre (Muhamedi), nuk ka farë çmendurie, ai është vetëm qortues i hapët.
185. A nuk vështruan ata me vëmendje pushtetin e madh në qiej e në tokë dhe çka krijoi Allahu prej sendeve, e edhe në atë se ndoshta iu është afruar afati i tyre i vdekjes. Atëherë cilës bisedë pos kësaj (Kuranit) do t’i besojnë?
186. Për atë që Allahu e la në humbje, s’do të ketë udhëzues, dhe ata do t’i lërë të bredhin në vrazhdësinë e tyre.
187. Të pyesin ty (Muhamed) për Çastin (katastrofën e përgjithshme), se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell Kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)”.
188. Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time, as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.
189. Allahu është Ai, që ju krijoi prej një vete, e prej saj krijoi palën e saj për t'u qetësuar pranë saj. Kur e mbuloi ai (mashkulli) atë (gruan), ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të, e kur u bë e rëndë, ata të dy lutën Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep një (fëmijë) të mirë (pa të meta), ne do të jemi falënderues ndaj Teje”. 190. Pasi atyre të dyve ju dha (fëmijë) të mirë, ata të dy i përshkruan shokë në atë që iu dha. I pastër është Allahu nga ajo që ia përshkruajnë.
191. A i përshkruajnë shok atë çka nuk mund të krijojë asnjë send, e ata (idhujt) vetë janë të krijuar.
192. Ata (idhujt) nuk mund t’iu sjellin atyre ndonjë ndihmë e as veten e tyre ta ndihmojnë.
193. Edhe nëse i thirrni për t’i udhëzuar ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njësoj i thirrët ata ose heshtët.
194. S’ka dyshim, se ata që po i adhuroni ju pos Allahut janë të krijuar si ju (njerëzit janë më të përsosur). Thirrini pra ata, e le t’ju përgjigjen juve nëse thoni të vërtetën.
195. A kanë ata (idhujt) këmbë të ecin me to, a kanë duar të rrëmbejnë me to, a kanë sy të shohin me ta, a kanë veshë të dëgjojnë me ta? Thuaj: “Thirrini shokët (zotat) tuaj e thurni kurthe për mua e mos pritni".
196. Mbrojtësi im është Allahu që zbriti librin. Ai kujdeset për të mirët.
197. E ata që ju i lutni pos Tij, ata nuk kanë mundësi për ndihmë ndaj jush e as veten ta ndihmojnë.
198. Dhe nëse i thirrni për udhëzim, nuk dëgjojnë, e të duket se po të shikojnë ty, po ata nuk shohin.
199. Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe largohu prej të padijshmëve. 200. E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim tek Allahu, sepse vërtet Ai është Dëgjues dhe Njohës i çdo gjëje.
201. Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (Allahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).
202. E vëllezërit e tyre (jo të ruajturit) i përkrahin (shejtanët) për në humbje dhe nuk iu ndahen.
203. Dhe, kur ti nuk ju sjell atyre ndonjë mrekulli (që kërkojnë), thonë: “Përse ti nuk e trillove vetë?” Thuaj: “Unë (nuk trilloj) i përmbahem vetëm asaj, që më shpallet nga Zoti im, ky (Kurani) është argument (me të cilin ndriçohen zemrat) nga Zoti juaj, është udhërrëfyes dhe mëshirë për popullin që beson.
204. Kur lexohet Kurani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.
205. Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me frikë, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që nuk kanë kujdes.
206. S’ka dyshim, se ata që janë pranë (afër) Zotit tënd (melekët) nuk tërhiqen nga adhurimi ndaj Tij nga mendjemadhësia, Atë e madhërojnë dhe vetëm Atij i bëjnë sexhde.