38. SURETU - SAD (38)

(88 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Sad, betohem në Kuranin, që është përplot përkujtime (është i famshëm dhe s’ka dyshim se është mrekulli).

2. Por ata që nuk besuan janë në kryeneçësi e kundërshtim.

3. Sa gjenerata para tyre i kemi asgjësuar, të cilët lutën për shpëtim, po nuk ishte koha e shpëtimit.

4. Ata (idhujtarët) habiten, sepse iu erdhi pejgamberi nga mesi i tyre, e mosbesimtarët thanë: “Ky është magjistar, gënjeshtar”.

5. A mendon ai t’i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!

6. Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri-tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, pse kjo është një gjë e kurdisur.

7. Ne nuk kemi dëgjuar diçka të këtillë në popullin (në fenë) e fundit; kjo nuk është tjetër, pos një trillim!

8. A mos atij, nga mesi ynë iu zbrit Kurani? Jo, por ata janë në dyshim ndaj Kuranit Tim, por edhe për shkak se ende nuk e kanë shijuar dënimin Tim.

9. A mos i kanë ata depot e mëshirës së Zotit tënd, Ngadhënjyesit, Dhuruesit!

10. A mos është i tyre pushteti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre? Pra, le të rreken me shkaqet (deri në qiell e të komandojnë)!

11. (Ata janë) Një ushtri e grupacioneve që është aty, ajo është e thyer.

12. Përgënjeshtruan para tyre populli i Nuhut, Adi dhe Faraoni i ngrehinave të mëdha. 13. (Përgënjeshtruan) Edhe Themudi, edhe populli i Lutit, dhe banorët e Ejkes. Ato ishin grupacione (kundërshtare).

14. Secili prej tyre përgënjeshtroi të dërguarit, prandaj i gjeti dënimi Im.

15. Po edhe këta nuk janë duke pritur tjetër vetëm se një ushtimë, që nuk ka të përsëritur.

16. Ata edhe thanë: “Zoti ynë, ngutna pjesën tonë para Ditës së Përgjegjësisë (Gjykimit)!”

17. Ti duro ndaj asaj që thonë ata, dhe përkujto robin Tonë Davudin, të fuqishmin (në fe e trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej Allahut.

18. Ne ia nënshtruam kodrat, që së bashku me të bënin tesbih mbrëmje e mëngjes,

19. edhe shpezët e tubuara, të gjitha, vetëm Atij i ishin drejtuar.

20. Ne ia forcuam edhe sundimin atij, i dhamë mençuri dhe aftësi në gjykime.

21. A të ka arritur lajmi i palëve ndërgjykuese, kur kaluan prej së larti në dhomën ku lutej.

22. Kur hynë te Davudi, ai u frikësua prej tyre, po ata i thanë: “Mos ki frikë, ne jemi dy palë në kundërshtim, që i kemi bërë padrejtë njëri-tjetrit, prandaj ti gjyko me drejtësi mes nesh e mos shmang, dhe udhëzona në rrugë të drejtë”.

23. Ky miku im i ka nëntëdhjetë e nëntë dele, ndërsa unë e kam vetëm një dhe më ka thënë: “Ma ler mua ta posedoj atë”! Dhe më rëndoi e më mundi me fjalë!

24. Ai (Davudi) tha: “Ai ka bërë padrejtësi ndaj teje me kërkimin e deles tënde (për t’ia bashkuar) te delet e veta. Është e vërtetë, se shumica prej ortakëve i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillë janë pak!”, e Davudi mendoi se Ne e kemi vënë në sprovë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra i përkulur dhe u pendua.

25. Ne atë ia falëm atij dhe ai është i afërt te Ne dhe ka përfundim (ardhmëri) të mirë. 26. O Davud: “Ne të kemi bërë sundimtar në tokë, e ti pra gjyko me drejtësi mes njerëzve, e mos shko pas dëshirave, se ato të shmangin prej rrugës së Allahut. Ata që largohen prej rrugës së Allahut i pret dënim i rëndë, për shkak se e harruan Ditën e Përgjegjësisë".

27. Ne nuk e krijuam qiellin e tokën dhe çka ka në mes tyre pa qëllim (shkel e shko), ai është mendim i atyre që nuk besuan, pra dënimi me zjarr është mjerim për ata që nuk besuan.

28. A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo do t’i konsiderojmë njësoj si të ruajturit prej të këqijave, si ata që janë mëkatarë?

29. (Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.

30. Ne Davudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti.

31. Kur në një parambrëmje iu shfaqën atij kuaj, që kur ishin të ndalur, rrinin gatitu në tri këmbë, e ishin edhe shumë të shpejtë.

32. E ai tha: “Unë i dhashë përparësi dashurisë së kuajve, ndaj Zotit tim, derisa (dielli) u fsheh dhe perëndoi”.

33. “M’i ktheni ata mua!” Atëherë filloi t’u mëshojë këmbëve e qafave.

34. Ne e sprovuam Sulejmanin dhe i hodhëm në fronin e tij një trup, e pastaj ai u pendua.

35. Tha: “Zoti im, më fal (gabimin), më dhuro asi pushteti që askush pas meje nuk do ta ketë; vërtet, Ti je Dhuruesi më i madh.

36. Ne ia nënshtruam erën, që sipas urdhrit të tij ajo të ecë lehtë dhe nga të dëshirojë ai.

37. Ndërsa djajtë (ia nënshtruam) për çdo ndërtim dhe zhytje në ujë.

38. Dhe të tjerët (djaj), që ishin të lidhur në pranga.

39. Ky është shpërblimi Ynë, e ti dhuro ose mos dhuro për këtë nuk përgjigjesh.

40. Ai vërtet ka vend të lartë te Ne dhe ardhmëri të mirë.

41. Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!”

42. Bjeri me këmbën tënde tokës! Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi.

43. E nga mëshira Jonë dhe mësim për ata që kanë të menduar, Ne ia falëm familjen e tij dhe po aq sa ishin ata.

44. E merre me dorën tënde një deng thupra dhe bjeri me të, e mos e thyej betimin! Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti. 45. Përkujto robërit tanë Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin, që ishin të fortë në zbatimin e detyrave dhe largpamës në fe.

46. Ne i pajisëm ata me një virtyt të posaçëm, me përkujtim ndaj botës tjetër.

47. S’ka dyshim, se ata ishin te Ne prej të zgjedhurve më të mirë.

48. Përkujto Ismailin, Eljesan, Dhelkiflin, që të gjithë prej të zgjedhurve.

49. Ky është një përkujtim. E është e sigurt, se ata që janë të ruajtur kanë një ardhmëri të mirë.

50. Xhenetet e Adnit janë me dyer të hapura për ata.

51. Aty do të jenë të mbështetur në kolltukë dhe kërkojnë pemë e pije të llojeve të ndryshme.

52. Ata kanë pranë vetes (hyri) sypërulura të një moshe.

53. Këto janë ato që premtoheshit për Ditën e Llogarisë.

54. Ky është furnizimi Ynë, i cili nuk ka të mbaruar.

55. Kjo është kështu. E për sa u përket atyre që nuk besuan, ata kanë një ardhmëri shumë të keqe,

56. xhehenemin që do të hidhen në të, e sa djep i shëmtuar është ai.

57. Ky është ujë i valë dhe i ndyrë; le ta shijojnë atë!

58. I presin edhe dënime të tjera të llojllojta sikurse ai.

59. Ky është një grumbull që bashkohet me ju (u thonë engjëjt parisë): “Mos paçin komoditet, as mirëseardhje (thonë paria)!” Ata janë që do të digjen në zjarr.

60. Ata (të shtypurit) thonë: “Jo, juve mos ju qoftë as mirëseardhja, as komoditeti; ju jeni që na e përgatitët këtë!” Sa vendqëndrim i keq është!

61. O Zoti ynë, thonë ata: “Atij që na e bëri këtë shtoja dyfish dënimin në zjarr!”

62. Dhe thonë: “Ç’është që nuk po i shohim disa burra, që ne i konsideronim prej të këqijve.

63. E që i kemi pas marrë ata në tallje, a mos na u ka larguar shikimi prej tyre?”

64. Kjo armiqësi ndërmjet banuesve të zjarrit është e vërtetë.

65. Thuaj: “Unë jam vetëm këshillues, e nuk ka ndonjë të adhuruar tjetër të vërtetë përpos Allahut Një, Ngadhënjyesit.

66. Zot i qiejve e i tokës dhe ç’ka midis tyre, i Plotfuqishmi, Mëkatfalësi”.

67. Thuaj: “Ky (Kurani) është një kumtesë e madhe,

68. së cilës ju ia ktheni shpinën!"

69. Unë nuk kam pasur kurrfarë dije për elitën e lartë (melaiket), kur ata bënë polemikë (rreth Ademit).

70. Mua nuk më shpallet tjetër vetëm se, unë nuk jam tjetër pos një tërheqës i hapët i vërejtjes!

71. Kur Zoti yt iu tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta,

72. dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde)”.

73. Engjëjt të gjithë së bashku iu përulën,

74. përveç Iblisit që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve.

75. (Zoti) Tha: “O Iblis, çfarë të pengoi ty t'i përulesh atij, që Unë vetë e krijova me dy Duart e Mia? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që e mbajnë veten lart?”

76. Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë prej tij, mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta!”

77. (Zoti) Tha: “Dil pra prej tij (prej xhenetit), ti je i mallkuar.

78. Dhe largimi prej mëshirës Sime ka për të përcjellë deri në Ditën e Gjykimit!”

79. Ai tha: “Zoti im, më jep afat deri në Ditën e Ringjalljes!”

80. (Zoti) Tha: “Po, je prej atyre të afatizuarve,

81. deri në kohën e Ditës së Caktuar!”

82. Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë,

83. përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit eTu!”

84. (Zoti) Tha: “E vërteta është, e Unë e flas vetëm të vërtetën:

85. Unë do ta mbush xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje!”

86. Thuaj (Muhamed): “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim, dhe unë nuk jam prej atyre që bëjnë trillime”.

87. Ky (Kur ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botët.

88. E ju gjithsesi do ta kuptoni pas pak kohe vërtetësinë e tij.