33. SURETUL - MURSELAT (77)

(50 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Betohem në erërat që fryjnë një pas një (pandërprerë),

2. që janë shumë të stuhishme e shkaktojnë furtunë!

3. Betohem në engjëjt, që iu është besuar shpërndarja e reve dhe që i shpërndajnë,

4. dhe që ndajnë qartë (të vërtetën nga e pavërteta)!

5. Dhe betohem në ata që sjellin shpallje (libra të Zotit te pejgamberët),

6. si arsyetim ose si vërejtje,

7. s’ka dyshim, se ajo që premtoheni ka për të ndodhur patjetër!

8. Kur yjet të shuhen,

9. dhe kur qielli të hapet,

10. dhe kur kodrat të copëtohen,

11. dhe kur të dërguarve iu është caktuar koha për të dëshmuar.

12. E për cilën ditë atyre iu është caktuar koha?

13. Për Ditën e Gjykimit (kur drejtësia e Zotit ndan të mirën nga e keqja).

14. E ku e di ti se çka është Dita e Gjykimit?

15. Atë ditë është shkatërrim për ata që përgënjeshtruan.

16. A nuk i kemi shkatërruar Ne popujt më të hershëm?

17. Dhe pastaj pas tyre ua shoqëruam të tjerë më të vonshëm.

18. Ne ashtu bëjmë me kriminelët.

19. Atë ditë është mjerim i madh për ata që përgënjeshtruan.

20. A nuk iu kemi krijuar juve nga një lëng i dobët?

21. Dhe atë e vendosëm në një vend të sigurt,

22. për deri në një kohë të caktuar.

23. Dhe Ne bëmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi!

24. Atë ditë është shkatërrim për ata, që nuk e njohën fuqinë tonë.

25. A nuk bëmë Ne tokën, që në gjirin e vet mban

26. të gjallë dhe të vdekur?

27. Dhe në të kemi vënë kodra të forta e të larta dhe ju dhamë të pini ujë, që ua shuan etjen.

28. Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan.

29. (u thuhet) Shkoni tek ai (xhehenemi), që ju e konsideruat gënjeshtër.

30. Shkoni tek ajo hije (mjegull), që ka tre degëzime,

31. që nuk bën, as hije, as nuk mbron prej flakës.

32. Ai (xhehenemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë,

33. e që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta).

34. Atë ditë është shkatërrim për mohuesit.

35. Kjo është një ditë që ata nuk flasin.

36. Atyre as nuk iu lejohet, që të arsyetohen.

37. Atë ditë mjerë ata që përgënjeshtruan!

38. Kjo është Dita e Gjykimit, ju kemi tubuar juve dhe të mëparshmit.

39. Dhe nëse keni ndonjë dredhi, atëherë bëni dredhira!

40. Atë ditë është shkatërrim për ata që nuk besuan.

41. Dhe, nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije pranë burimeve,

42. dhe kanë pemë çfarë të dëshirojnë.

43. Hani e pini shijshëm e me ëndje, për atë e keni vepruar.

44. Ne kështu i shpërblejmë mirëbërësit.

45. Atë ditë është mjerim për përgënjeshtruesit.

46. Ju (jobesimtarë në Dunja) hani e kënaquni për pak kohë, sepse vërtet ju jeni mizorë.

47. Atë ditë është mjerim për ata që mohuan të mirat e Zotit.

48. Dhe kur atyre iu thuhej: “Përkuluni!”, ata nuk përkuleshin.

49. Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan.

50. Pra, cilës fjalë (libër) pas këtij (Kuranit) i besojnë?