27. SURETUL-BURUXHË (85)

(22 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

1. Betohem në qiellin me plot yje,

2. betohem në ditën e premtuar,

3. betohem në atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet,

4. u mallkuan ata të zotët e hendeqeve,

5. të zjarrit me plot lëndë djegëse,

6. kur ata rrinin ulur rreth tij,

7. dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët!

8. E nuk patën pse t’i urrejnë, përveç që e besuan Allahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin,

9. të cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës; e Allahu është Dëshmitar i çdo sendi.

10. Është e sigurt, se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan, ata kanë dënimin e xhehenemit dhe dënimin e djegies.

11. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë xhenete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh.

12. Është e vërtetë se goditja e Zotit tënd është e fortë.

13. Në të vërtetë, Ai është që e fillon (krijimin) dhe e rikthen.

14. Ai është Mëkatfalës i madh, është shumë i Dashur.

15. Është i zoti i Arshit të Madhëruar!

16. E punon atë që dëshiron.

17. A të ka ardhur ty lajmi i ushtrive,

18. të faraonit dhe të Themudit?

19. Por këta që mohuan (idhujtarët), vazhdojnë me gënjeshtër.

20. Po Allahu ata i ka rrethuar (nuk mund t ‘i shpëtojnë)!

21. Përkundrazi, (ata që gënjejnë), ai është Kuran i famshëm.

22. Në një pllakë të ruajtur mirë (në Levhi Mahfudh).