2. El-Kalem – Kalem (68)

(52 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

 

 

1. Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!

2. Ti, me dhuratën (pejgamber) e Zotit tënd, nuk je i çmendur!

3. Dhe se ti, pa dyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë!

4. Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!

5. Më vonë ti do të shohish, e edhe ata do të shohin,

6. se cili prej jush është i çmendur?

7. S’ka dyshim, se Zoti yt është Ai që e di më së miri, se kush është ai, që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit.

8. Prandaj ti mos u pajto me përgënjeshtruesit!

9. Ata kanë dëshirë, që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.

10. Mos e respekto askënd, që betohet shumë dhe është i poshtër!

11. Që është përgojues e bart fjalën ndër njerëz,

12. shumë koprrac ndaj rrugës së mbarë, i pafrenueshëm, mëkatar,

13. që është shumë i vrazhdë, më në fund edhe kopil (nuk i dihet baba).

14. (mos e respekto) Vetëm pse ka pasuri e djem!

15. Kur atij i lexohen ajetet Tona ai thotë: “Legjenda të të parëve!”

16. Ne do ta damkosim atë në turi (në hundë).

17. Ne i sprovuam ata (mekasit) sikurse i kemi pas sprovuar pronarët e kopshtit. Kur u betuan, se do ta vjelin atë herët në agim,

18. e nuk thanë (kur u betuan): “Në dashtë Allahu - insha Allahu!”

19. E sa qenë ata fjetur atë (kopshtin) e goditi një bela nga Zoti yt.

20. Dhe ai u bë si të ishte i vjelur.

21. Ata në mëngjes thërritnin njëri-tjetrin:

22. Ngrihuni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni!

23. Dhe ata vajtën duke pëshpëritur në mes vete (të mos i dëgjojë kush),

24. të mos lejojnë të afrohet sot në të asnjë i varfër.

25. Dhe vazhduan herët në atë qëllimin e përcaktuar të tyre.

26. E kur e panë atë, thanë: “S’ka dyshim, ne kemi humbur (rrugën)”.

27. Jo (nuk kemi humbur rrugën), por paskemi mbetur pa të!

28. Ai më i maturi prej tyre tha: “A nuk ju thashë përse nuk e përmendni Zotin?”

29. Atëherë ata thanë: “I pafajshëm është Zoti ynë, ne ishim të padrejtë”

30. Dhe u kthyen e po e qortojnë njëri-tjetrin.

31. Thanë: “Të mjerët ne, vërtet ne ishim jashtë rrugës!”

32. Shpresohet se Zoti ynë do të na e zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai; ne vetëm tek Zoti ynë mbajmë shpresën.

33. Ja, kështu do të jetë dënimi (i mekasve), ndërsa dënimi i botës

 tjetër do të jetë shumë më i ashpër, sikur të jenë që e kuptojnë.

34. Është e sigurt, se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të begatshme. 35. A do t’i bëjmë kriminelët të barabartë me muslimanët?

36. Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?

37. A mos keni ndonjë libër, e prej tij mësoni?

38. E ju do të keni atje çka të dëshironi?

39. A mos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh, që vazhdon deri në Kijamet, se do ta arrini atë që dëshironi?

40. Pyeti ata, se cili është prej tyre që ua garanton atë?

41. Apo ata kanë ortakë (zota) që u garantojnë, pra le t’i sjellin ortakët e vet, nëse e thonë të vërtetën?

42. (Përkujto) Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në Kijamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk munden. 43. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata - talleshin). 44. Pra, më lër Mua dhe ata që e mohojnë këtë Kuran. Ne do t’i afrojmë ata dalëngadalë te dënimi prej nga nuk e presin.

45. Dhe atyre Unë iu jap afat, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.

46. A mos kërkon ti prej tyre shpërblim, e ata janë të ngarkuar me dhëniet?

47. A mos tek ata është e fshehta (e Lehvi Mahfudhit), e ata prej aty trumbetojnë (se janë të mirë)!

48. Po ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd, e mos u bëj si ai i peshkut në kohën kur pat thirrur (Zotin) dhe ishte i mbushur me pikëllim.

49. Sikur të mos i afrohej atij mëshirë nga Zoti i tij do të hidhej në shkretëtirë i demoralizuar.

50. Po Zoti i tij, e bëri atë të zgjedhur prej të mirëve.

51. E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre, kur e dëgjuan Kuranin, e (nga inati) thanë: “Ai është i marrë!”

52. Po ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve).