Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. Pasha agimin!
2. Pasha dhjetë netët!
3. Pasha çiftin dhe pasha tekun!
4. Pasha natën që shkon!
5. A janë këto betime për të mençurin?
6. A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Ad-in?
7. Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta?
8. Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë!
9. Dhe me Themudin, të cilët shpuan shkëmbinj në luginën (kura),
10. Dhe me faraonin i fortifikuar me tenda (ushtarake)!
11. Të cilët e tepruan me krime në tokë.
12. Dhe në të shtuan shkatërrimin.
13. e Allahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh,
14. pse Zoti yt është që përcjell (u rri në pritë).
15. E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!”
16. Por kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!”
17. Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillni bonjakun,
18. nuk nxitni njëri-tjetrin për ta ushqyer të varfërin,
19. dhe ju e hani me të madhe trashëgimin (pa të drejtë),
20. dhe pasurinë e doni së tepërmi.
21. Jo, mosni ashtu! Kur të dridhet toka njëpasnjëshëm!
22. Dhe kur të vijë Zoti yt dhe engjëjt qëndrojnë radhë-radhë!
23. Dhe atë ditë sillet xhehennemi, e atëherë njeriut i bie në mend, e prej nga atij përkujtimi?
24. E thotë: “Ah, i gjori unë, sikur të isha parapërgatitur për jetën time!”
25. Atë ditë askush nuk mund të dënojë si Ai.
26. Dhe askush si Ai nuk mund të lidhë me pranga.
27. O ti shpirt i bindur plotësisht!
28. Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar!
29. Hyr në turmën e robërve të Mi!
30. Dhe hyr në xhenetin Tim!