Autori:
Haxhi Shejkh Vullnet Merja
Redaktoi: Liseda Ramaj
Korrektoi: Vjollca Karaj
Përgatiti për shtyp & Kopertina: Sabrie Feza
Botues: Shoqata FLLADI
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) personalitet i nderuar i historisë, mbartës i cilësive të larta është i biri i imam Aliut (prijësi i besimtarëve), i biri i Ebi Talibit. Nëna e tij është Fatime Zahraja, e bija e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjyshi i tij është Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Gjyshja e tij është nëna e besimtarëve hazreti Hatixheja. (Paqja qoftë mbi të!).
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) lindi më 3 Shaban në vitin e katërt të Hixhrit. Familja e Profetit e pritën me gëzim dhe me lumturi lindjen e tij. Po ashtu, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilit sapo i mbërriti lajmi se Fatimeja lindi djalë, shkoi si era në shtëpinë e saj për ta uruar për vogëlushin e lindur dhe e quajti Husejn.
Imam Husejni u rrit në prehrin e gjyshit të tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në mesin e Aliut dhe Fatimesë (Paqja qoftë mbi ta!). Ai u ushqye me moralin e profetësisë dhe u edukua me parimet e larta islame, me parimet e drejtësisë e të së Vërtetës.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kujdesej shumë për imam Husejnin kur ishte i vogël. Ai e mbante në krahë atë së bashku me vëllain e tij, imam Hasanin (Paqja qoftë mbi të!) dhe thoshte në prani të shokëve të tij: “O Zot, unë i dua këto dy djem dhe e dua atë që i do ata.”
Në disa thënie të tjera Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dashurinë për Hasanin dhe Husejnin e shfaqte duke thënë: “Këto dy djemtë e mi janë gjëja më e shtrenjtë për mua në këtë botë.”
Po ashtu, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e do Hasanin dhe Husejnin, më do mua dhe kush i urren ata, më urren mua.”
(Muhibudijn Et Tabarij në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f. 124.)
Një ditë, Profeti po falej dhe Hasani dhe Husejni u ngjitën në shpinën e tij. Njerëzit i larguan ata dhe ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi failjen e tij!) i tha atyre: “Lërini ata, se ata janë të shtrenjtë për mua. Ai që më do mua, le të dojë këta të dy.” (Muhibudijn Tabari në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f.124.)
Po ashtu në f. 129. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush dëshiron të shohë një prej banorëve të Xhenetit, le të shikojë Husejnin.”
Ebu Bekri ka thënë:
“Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, i cili thoshte: ‘Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e banorëve të Xhenetit.’” (Muhibudijn Tabari në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f. 124. Po ashtu në f. 129.)
Në “Sahihun” e Tirmidhiut ka një hadith të transmetuar nga Ja’la El Amirij, i cili thotë se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:
“Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është prej degëve të asaj peme.”
Selman El Farisij ka thënë:
“Unë dëgjova Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili tha:
‘Hasani dhe Husejni janë bijtë e mi, e kush i do ata të dy, më do mua dhe kush më do mua, e do Zotin e Madhëruar dhe atë që Zoti e do, e fut në Xhenet. Kush i urren ata të dy, më ka urryer mua dhe kush më urren mua, ka urryer Zotin dhe atë që Zoti e urren, e fut në Xhehenem’.” (“I’lamul Uara”, f. 219.)
Ky është Husejni në zemrën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili u rrit në shtëpinë më bujare, më fisnike, më famëlartë dhe ajo është shtëpia e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dielli ndriçues i mendjeve të njerëzisë dhe vula e të gjithë Profetëve të Allahut të Madhëruar.
Me atë personalitet të lartë që kishte, me pozitën e lartë që zinte në shoqëri, Husejni u bë fuqi ndikuese në ndërgjegjen e historisë islame. Vërtet, myslimanët besonin në dashurinë për Ehli Bejtin dhe e donin Husejnin, sepse ai ishte prej imamëve me prejardhje nga Ehli Bejti i pastër i Profetit Muhamed.
Prandaj, vrasja e tij, e cila është fatkeqësi dhe humbje për të gjithë ymetin islam dhe jo vetëm për një pjesë të myslimanëve. Për këtë, është detyrë e të gjithë myslimanëve që ta kujtojnë imam Husejnin, sepse imam Husejni nuk është pronë private e askujt. Dashuria dhe ai respekti që kishin dhe kanë myslimanët për imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) e ka fillesën në Kur’an, sepse Allahu i Madhëruar udhëroi për dashurinë e Ehli Bejtit dhe Husejni është njëri prej tyre.
Allahu i Madhëruar, në Kur’anin e Shenjtë thotë:
“Thuaj: ‘Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen Time, por vetëm respektin e dashurinë për hir të të afërmëve (akraballëkut)…” (Sure “Shura”, ajeti 23.)
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) rrjedh nga Ehli Bejti, të cilët Allahu i ka pastruar prej ndytësive të gjynaheve, ku thotë: “Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë së Pejgamberit, të largojë ndytësitë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33.)
Imam Husejni është ai, me të cilin, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) së bashku me imam Aliun, Fatime Zahranë dhe imam Hasanin (Paqja qoftë mbi ta!) priti të krishterët e Nexhranit dhe për këtë ngjarje zbriti ajeti:
“E kush të kundërshton ty në çështjen e Isait pasi të është bërë e ditur e Vërteta, ti thuaj: ‘Ejani të ftojmë bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetet tona dhe vetet tuaja, pastaj, sinqerisht, të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.)
Por ama, është për të ardhur keq se të gjitha këto thënie që u përmendën, e shumë e shumë thënie të tjera që gjenden në literaturat islame, u harruan dhe përfundimi ishte ndodhia e masakrës së Kerbelasë, e cila nuk ka të ngjashme në historinë e njerëzimit.
Allahu i Madhëruar thotë: “…e kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”
(Sure “Haxh”, ajeti 32.)
Me qindra e qindra vite myslimanët shi’itët vazhdojnë të mbajnë të gjallë ndodhinë e Kerbelasë, në të cilën u vra e u masakrua nipi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!). Në këtë ditë u vra simboli i unitetit islam, simboli i dashurisë në zemrat e besimtarëve që bëri revolucionin më të madh në historinë e Islamit, i cili lëkundi ndërgjegjet e myslimanëve dhe të jomyslimanëve.
Në këtë ditë iu pre koka djalit të Fatime Zahrasë. Në këtë ditë u morën robina vajzat e Fatime Zahrasë. Në këtë ditë nuk u mëshirua as foshnja gjashtë muajshe nga tehu i shigjetës. Në këtë ditë u sqarua se çfarë kuptimi të vërtetë ka fjala besnikëri. Në këtë ditë u plotësua dëshira dhe Urtësia e Allahut për vazhdimësinë e gjenezës së pastër të Profetit Muhamed me qëndrimin gjallë të imam Zejnul Abidijnit, i biri i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi ata të dy!).
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) u rrit dhe u edukua në shkollën e shenjtë të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e cila ishte e mbushur me dashuri dhe mëshirë jo vetëm për myslimanët por për mbarë njerëzimin. Ai u edukua në shkollën që urdhëronte për unitet në radhët e mysimanëve.
Për këtë, në çdo vit myslimanët shi’itë mbajnë zi për dhjetë ditë me radhë duke filluar që në fillim të muajit Muharrem. Mirëpo, imam Husejni nuk është vetëm i shiave. Ai është imami i të gjithë myslimanëve. Ai është i biri i imam Aliut, i biri i Fatimesë dhe zotëria e të rinjve të banorëve të Xhennetit. Për këtë është detyrë e të gjithë myslimanëve që ta kujtojnë imam Husejni dhe ndodhinë e Ashura-së.
S’ka dyshim se Ashura-ja dhe Matemi, kanë qenë prej faktorëve bazë të pranisë së Islamit në trojet tona në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti, sidomos gjatë periudhës së egër komuniste. Falë ndihmës së Allahut dhe përpjekjeve të dijetarëve, teologëve, baballarëve, shehlerëve dhe besimtarëve të devotshëm e të patundur në Rrugën e Allahut, u bë e mundur që ne sot të kemi mirësinë e madhe të pranisë së dritës së Islamit dhe të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Sado që u përpoq regjimi komunist ta shuajë dritën e fesë së Allahut, por nuk ia arriti qëllimit sepse Allahu i Madhëruar thotë në suren “Teube”, ajeti 32: “Ata dëshirojnë ta fikin Dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë Dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.”
Kjo dritë do të vazhdojë të ndriçojë qiellin e trojeve tona, sepse ajo është drita e vërtetë, është Drita e Allahut, i Cili është drita e qiejve dhe e tokës. Është detyra jonë që pishtarin e kësaj drite t’ua trashëgojmë brezave të ardhshëm duke u sqaruar atyre mirësitë e saj nëpërmjet metodave dhe mënyrave të ndryshme të bazuara në dije, njohje, logjikë dhe arsye të drejtë.
Një prej këtyre metodave është edhe ringjallja e kujtimit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe organizimi i tubimeve të zimbajtjes gjatë muajit Muharrem. Duhet t’u sqarojmë njerëzve të vërtetën e Ditës së Ashura-së. T’u sqarojmë se dita e Ashura-së nuk ka vetëm kuptimin e gatimit tradicional të Hashures e as atë të prerjes së ujit për dhjetë ditë me radhë, por, përveç këtyre, Dita e Ashura-së ka domethënie të madhe. Ajo është shkak i qëndrimit dhe i vazhdimësisë së Islamit të pastër që solli Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), së bashku me dëshmorët e masakrës së Kerbelasë, vaditën me gjakun e tyre pemën e Islamit që brezat e ardhshëm të ushqehen me frutat e pastër të saj. Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të !) është bashkues i ymetit islam. Imam Husejni ishte flamurtari dhe mësuesi më i mirë në rrugën e mirësisë, dashurisë, lirisë, pavarësisë, drejtësisë, nderit, heroizmit dhe sakrificës.
Shkolla e imam Husejnit na mëson se si të jemi krenarë, të pamposhtur, të sigurtë dhe të lumtur si në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Shkolla e imam Husejnit është vazhdimësi e shkollës së Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Prandaj, imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) nuk ishte thjesh person, ai ishte vijë, është flamur dhe pishtar udhëzimi. Ashura-ja e vërtetë është të ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me besim e me bindje ndaj Krijuesit. Në zemër të mos ketë vend urrejtja, smira e armiqësia. Në zemër të gjendet dashuria për Allahun dhe për krijesat e Tij. Zemrat tona të jenë si zemra e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!).
Është çudi, se disa myslimanë këtë ditë e quajnë festë, edhe pse e dinë se çfarë ka ndodhur në këtë ditë dhe çfarë fatkeqësish i zbritën zotërisë së banorëve të Xhenetit dhe nipit të Profetit Muhamed, imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), të cilat ku këto as malet nuk mund t’i mbajnë.
Në çdo vit kur vjen muaji i Muharremit, posaçërisht Dita e Dhjetë e tij (Ashura), minberet gumëzhijnë dhe profilet e fejsbukut mbushen me hadithin që thotë:
“Dita e Ashurasë është dita e pendimit të Ademit tek Allahu, në atë ditë mbërriti anija e Nuhit në malin e Xhudit, në atë ditë zjarri u bë paqe dhe ftohtësi për Ibrahimin, në atë ditë doli ]usufi nga burgu dhe iu kthye shikimi Ja’kubit, në atë ditë triumfoi Musai mbi Faraonin, në atë dite i zbriti sofra nga qielli hazreti Isait.”
Këtu lind pyetja:
Ku është Profeti Muhamed?
Përse Allahu e bëri këtë ditë të bekuar për këta të Dërguar që i përmend hadithi dhe e ka përjashtuar Profetin Muhamed, njeriun më të përkryer me të cilin Allahu e përmbylli profetësinë?!!!
Po ashtu, nëpër minbere përmendet transmetimi se kur Profeti Muhamed (Paqja dhe beikimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) emigroi në Medine kocidoi që ai hyri në të ditën e dhjetë të Muharremit (Ashura) dhe i gjeti jahudinjtë e Medines duke agjëruar. Ai i pyeti ata për shkakun e agjërimit dhe ata i thanë:
“Kjo është dita kur Musai triumfoi mbi Faraonin.”
Profeti tha: “Ne jemi më të meritueshëm se ju për Musain. Pastaj i urdhëroi myslimanët që ta agjerojnë ditën e Ashuras.”
Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse jahudinjtë jetojnë edhe në këto ditë dhe ne nuk kemi dëgjuar prej tyre që të kenë një festë me emrin Ashura. Gjithashtu, as nuk shohim që ata ta festojnë këtë ditë.
Kjo ditë për Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë ditë dhimbjeje dhe fatkeqësie, sepse në atë ditë u vra gjeneza e tij duke u therur ashtu siç theren bagëtitë. Në ditën e Ashura-së u morën robëresha gratë dhe vajzat e familjes së tij."
Duhet që myslimanët dhe të gjithë popujt e tjerë ta përkujtojnë çdo vit imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) sepse, ai është një nga burrat më madhështorë, kishte cilësitë më të mira, moral të lartë, punë madhështore, veti fisnike, mendjemprehtësi në dituri, asket në adhurim, trim, bujar, falës dhe gjuhë të pastër.
Myslimanët duhet të përfitojnë nga sakrifica e imam Husejnit për të kundërshtuar çdo udhëheqje të devijuar e të padrejtë. Revolucioni i imam Husejnit në Kerbela ishte revolucion i dijes kundër injorancës, i drejtësisë kundër padrejtësisë, i udhëzimit kundër devijimit dhe i të vërtetës kundër të pavërtetës. Megjithëse janë shkruar e përkthyer me mijëra literatura, thuajse në të gjitha gjuhët e botës, përsëri ka shumë e shumë gjëra të pazbuluara për këtë revolucion të lirisë. Mendimtarët dhe dijetarët duhet të punojnë akoma më shumë rreth kësaj ndodhie madhështore.
Nëse do të studohen të gjitha dimensionet e revolucionit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), të cilat i gjejmë të mishëruara tek personaiteti i imami Husejnit (Paqja qoftë mbi të), padyshim që Ashura-ja do të kuptohet më shumë dhe do të do të dalë në pah qëllimi i vërtetë i këtij revolucioni të begatë. Meqenëse revolucioni i imam Husejnit ishte për hir të Allahut dhe për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën, dy shtyllat bazë të jetës së kësaj bote, ai do të jetë i përhershëm dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete. Askush nuk mund të pretendojë se konflikti që ndodhi ishte një konflikt mes dy burrave, apo dy mendjeve por, ai ishte konflikt mes imamatit (fesë) dhe mbretërisë së dynjasë.
Ashura-ja është e mbushur me mësime të shumta dhe që vlejnë për të gjithë njerëzit. Prej atyre mësimeve përmendim:
Së pari:
Ashura-ja na mëson që të mos gjunjëzohemi para poshtërimit dhe nëpërkëmbjes. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I largët është për ne poshtërimi”
Së dyti:
Ashura-ja na mëson lirinë dhe krenarinë. Imam Husejni ka thënë: “O ju shiat e familjes se Ebu Sufjanit nëse nuk keni fe, jini të lirë në dynjanë tuaj.”
Së treti:
Ashura-ja na mëson se martirizimi dhe sakrifica në Rrugën e Allahut janë lumturia e vërtetë. Ai ka thënë: “Unë nuk e shoh vekjen veçse lumturi.”
Së katërti:
Ashura-ja na mëson se e drejta triumfon në çdo situatë dhe në çdo rrethanë. Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: ‘E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket.’” (Sure “Isra”, ajeti 81.) Imam Husejni u ngrit sepse e drejta nuk po zbatohej dhe e padrejta ishte përhapur në mesin e myslimanëve në atë kohë. Ai ka thënë: “A nuk po e shikoni të drejtën që nuk po zbatohet dhe të kotën që nuk po ndalohet prej saj?”
Së pesti:
Ashura-ja na mëson se porta e pendimit është gjithmonë e hapur deri në momentin e fundit. Kjo u duk në sjelljen e tij me Hur ibn Jezijd Er Rijahij, i cili u pendua dhe iu bashkua imam Husejnit.
Së gjashti:
Ashura-ja na mëson besnikërinë. Sigurisht që këtë e mësojmë nga besnikëria e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ndaj Mesazhit të Gjyshit të vet, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjithashtu, besnikërinë e mësojmë edhe nga shokët e tij në fushën e betejës në Kerbela. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë nuk kam parë më besnikë se shokët e mi.”
Së shtati:
Ashura-ja na mëson rëndësinë e të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja. Imam Husejni ka thënë:
“Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ymetin e gjyshit tim (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të urdhëruar në të mira dhe për të ndaluar nga të këqijat.”
Së teti:
Ashura-ja na mëson rëndësinë e pjesëmarrjes së femrës në kryengritje. Kjo kuptohet më së miri në rolin e zonjës së madhe Zejneb, e bija e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe të femrave të tjera nga fisi hashimit, të cilat ia çorrën maskën Jezidit dhe zgjuan ymetin islam nga gjumi i thellë i pavëmendshmërisë në të cilin kishte rënë. E madhja Zejneb i ka thënë Jezidit: “O Jezid. Përpiqu me sa të mundesh dhe intrigo sa të duash. Betohem në Allahun se ti kurrë nuk do ta fshish përmendjen tonë.” Të vërtetën ke thënë o bija e prijësit të besimtarëve. Përmendja juaj vazhdon dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.
Së nënëti:
Ashura-ja na mëson që ta kundërshtojmë padrejtësinë dhe të padrejtët dhe kurrë të mos jemi në anë të tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” (Sure “Hud”, ajeti 113.)
Së dhjeti:
Ashura-ja na mëson se ndihma dhe përkrahja e Allahut është me besimtarët e devotshëm e të sinqertë. Revolucioni i imam Husejnit, nisur nga numri i luftëtarëve ishte humbës, mirëpo ai tronditi themelet e historisë dhe të perandorisë emevite. Beteja e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte i njëjtë me betejën e Bedrit, në të cilën numri i luftëtarëve mysliman ishte tre herë më i vogël se numri i jobesimtarëve dhe idhujtarëve mekas, mirëpo triumfi ishte i myslimanëve. Kjo tregon se çdo gjë që është për Allahun dhe në Rrugën e Tij, aty gjendet ndihma dhe përkrahja e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Sure “Muhamed”, ajeti 7.)
Ashura-ja e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) nuk duhet të kufizohet vetëm me anën historike, sepse ajo është revolucion dhe kryengritje që kishte për qëllim ndreqjen dhe reformimin, për këtë ajo ka vazhduar përgjatë shekujve dhe do të vazhdojë të përshkojë horizontet e të ardhmes. Ashura-ja e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) nuk përfundoi pasditen e ditës së Dhjetë të muajit Muharrem të vitit 61 të hixhrit. Përkundrazi, ajo filloi në atë ditë. Ndodhia e dhimbshme e Kerbelasë ndryshoi drejtimin e historisë së myslimanëve duke u hapur atyre horizontet për të kundërshtuar padrejtësinë dhe tiraninë.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë:
“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë…” (Sure “Teube”, ajeti 36.)
Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit hënor (hixhrij). Është quajtur me këtë emër sepse në këtë muaj njerëzit në kohën para ardhjes së Islamit (xhahilijetit) e kishin të ndaluar luftën. Mirëpo, dinastia emevite nuk ia ruajti shenjtërinë këtij muaji. Ata vranë dhe masakruan në këtë muaj zotërinë e dëshmorëve, nipin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dritën e syve të Fatime Zahrasë, imam Husejnin së bashku me familjen e tij dhe me shokët e tij (Paqja qoftë mbi ta!) në tokën e Kerbelasë.
Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Muaji i Muharremit është muaji në të cilin njerëzit para ardhjes së Islamit e kishin të ndaluar luftën në të. Në këtë muaj u lejua gjakderdhja jonë, u nëpërkëmb shenjtëria jonë dhe u robërua gjeneza jonë dhe gratë tona, iu vu flaka çadrave tona dhe u grabitën pasuritë tona. Në këtë muaj nuk iu ruajt shenjtëria të Dërgurit të Allahut në çështjen tonë.”
Të gjithë e dimë se dy rrugë janë:
ose e mira ose e keqja. Ashura-ja na tregon dhe na sqaron se cila ishte rruga e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe cila ishte rruga e Jezidit. Po ta studijomë me vëmendje Ashura-në do të konkludojmë se:
Atëherë:
Cilën rrugë të zgjedhim?
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) para revolucionit të tij dhe kur Muhamed ibn Ali, i njohur si ibn El Hanefijeh, ka thënë: “Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ymetin e gjyshit tim (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të urdhëroj në të mira dhe të ndaloj nga të këqija.” (“Biharul Anuar”, vëllimi 44, f. 330.)
Me këtë thënie madhështore dhe kuptimplote, Prijësi i Dëshmorëve, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) sqaron qëllimin e revolucionit të tij që është të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.
Revolucioni i Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) kishte për qëllim zgjimin e vlerave humane dhe fetare. Imam Husejni e arriti qëllimin e tij dhe mundi që të ndryshojë themelet e një pushteti të korruptuar dhe të dhunshëm. Ai ringjalli Islamin që na la pas Profeti i nderuar, Muhammedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Një prej mësimeve që mësojmë në shkollën e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) është njohja me të këqijat e kësaj bote dhe largimi prej tyre. Sipas pikëpamjes së dëshmorit të Kerbelasë bota i ngjan një shtëpie pa themele, e cila mund të shembet nga momenti në moment.
Sipas tij, jeta, prestigji dhe pozita e njerëzve në të janë të përkohshme dhe kalimtare.
1- Martirizimi i Imamit zbuloi të vërtetën e sundimit emevit dhe sqaroi se të mbuluarit e tyre me petkun e Islamit ishte një mashtrim për myslimanët.
2- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) përçoi ndjenjën e përgjegjësisë tek myslimanët e vetëdijshëm dhe ishte faktor i revolucionit të të penduarve (theuretu teabijne).
3- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) i nxiti dhe i inkurajoi myslimanët që të bënin revolucione të njëpasnjëshme kundër udhëheqjes emevite. Prej tyre ishin revolucionet alevite.
4- Martirizimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte faktori kryesor i rënies së sundimit emevit.
Ndodhia e Kerbelasë ka ndikuar shumë në mendimet e njerëzve, deri edhe tek ata jomyslimanë. Madhështia e revolucionit dhe e sakrificës së imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe të shokëve të tij ka bërë që të lindin shumë mendime dhe opinione rreth këtij revolucioni të përgjakur. Për të përmendur të gjitha ato mendime dhe opinione duhen literatura të shumta. Ka edhe dijetarë jomyslimanë të cilët kanë shkruar rreth kësaj ndodhie.
Më poshtë do të përcjellim mendimet e disa prej personaliteteve myslimane dhe jomyslimane për Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!):
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“O ju njerëz! Vërtet, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Kush sheh një sulltan të devijuar, që haramin e ka bërë hallall, ka shkelur besëlidhjen e Tij, kundërshtues të synetit të të Dërguarit. Ai vepron tek robtë e Allahut me gjynahe e terror dhe nuk e ndryshon këtë as me fjalë e as me vepra. Është e drejta e Allahut që këtë njeri ta fusë në Xhehenem."
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“O njerëz kush përpiqet gjen, kush është koprac është i ulët dhe i përbuzur. Më bujari i njerëzve është ai që i jep atij që nuk i kërkon; më i forti i tyre është ai që fal kur ka mundësi që të hakmerret; më bashkuesi i njerëzve është ai i cili mban lidhjet me ata që i ndërpresin lidhjet me të. Trungu dhe degët mbi rrënjët e tyre rriten. Kush përpiqet që t’i bëjë një të mirë vëllait të tij do ta gjejë shpërblimin e saj në të ardhmen. Kush i bën një të mirë vëllait të tij për hir të Allahut të Madhëruar, Ai do ta shpërblejë atë në kohën që ka nevojë. Kush ia lehtëson vuajtjen një besimtari, Allahu i Madhëruar do t’ia lehtësojë vuajtjet e dynjasë dhe të Ahiretit. Kush bën mirë, Allahu i bën mirë atij. Me të vërtetë, Allahu i do mirëbërësit.”
Jeta e personaliteteve të larta islame janë frymëzim për çdo mysliman në veçanti po ashtu edhe për mbarë njerëzit. Të shumtë janë personalitet e larta që i ka përmendur, i përmend dhe do t’i përmendë historia islame. Ata kurrë nuk do të harrohen, sepse qëllimi i tyre ishte udhëzimi i njerëzve në Rrugën e Drejtë. Një ndër ata është e imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!).
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), para revolucionit të tij i ka thënë Muhamed ibn Aliut, i njohur si Ibnul Hanefijeh:
“Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ymetin e gjyshit tim (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të urdhëruar në të mira dhe për të ndaluar nga të këqijat.”
(“Biharul Enuar”, vëllimi 44, f. 330.)
Me këtë thënie madhështore dhe kuptimplote, Prijësi i Dëshmorëve, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) sqaron qëllimin e revolucionit të tij: të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.
S’ka dyshim se ndodhia e Ashura-së, është lëvizja e dijes kundër padijes, e drejtësisë kundër padrejtësisë, e udhëzimit kundër devijimit dhe e të vërtetës kundër të pavërtetës. Megjithëse janë shkruar e përkthyer me mijëra literatura, thuajse në të gjitha gjuhët e botës, përsëri ka shumë e shumë gjëra të pazbuluara për këtë lëvizje të lirisë. Mendimtarët dhe dijetarët duhet të punojnë akoma më shumë rreth kësaj ndodhie madhështore.
Nëse do të studohen të gjitha dimensionet e saj, të cilat i gjejmë të mishëruara tek personaliteti i Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të), pa dyshim që Ashura-ja do të kuptohet më shumë. Ashura-ja nuk është festë, sepse edhe vetë Profeti është hidhëruar. Në historinë islame dhe në hadithet e transmetuara thuhet se Profeti Muhamed e ka lajmëruar vrasjen e Imam Husejnit në tokën e Kerbelasë. Me duket se ky tekst eshte edhe me siper.shihe Ndër ato thënie të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përmendim:
El-Hakim En-Nijsaburij me sened nga Ummu Fadl bintu’l Harith, bashkëshortja e Abbas ibn Abdul Muttalibit, e cila ka shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i ka thënë:
“O i Dërguari i Allahut, unë kam parë një ëndërr të keqe mbrëmë. Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Ishte e tmerrshme.” Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Unë pashë sikur një pjesë e trupit tënd u pre dhe ra në prehërin tim.” I Dërguari i Allahut i tha: “Ke parë diçka të mirë.
Fatimeja do të lindë, inshaAllah, një djalë dhe do të jetë në prehërin tënd.” Fatimeja lindi Husejnin dhe u vendos në prehërin tim, ashtu siç tha i Dërguari i Allahut. Një ditë, hyra te i Dërguari dhe e vendosa atë në prehërin e tij. Pastaj pashë sytë e të Dërguarit të Allahut që po lotonin. Ajo tha: I thashë: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime dhe babai im qofshin kurban për ty! Çfarë ke?” Ai tha: “Më erdhi Xhebraili (Paqja qoftë mbi të!) dhe më lajmëroi se ymeti im do ta vrasë këtë djalin (nipin) tim.” Unë i thashë: “Këtë?” Ai tha: “Po. Ai më solli edhe dheun e kuq.”
(El-Mustedrek ala’s-Sahihejn, 3/194, hadithi nr. 4818. E ka transmetuar Ibn Asakiri në “Tarijkh Dimashk”, 14/197.)
Fillimi i muajit Muharrem përmban dy ndodhi të rëndësishme në historinë islame.
E para:
Emigrimi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!), i vulës së Profetëve dhe i më të mirit prej tyre.
E dyta:
Emigrimi i prijësit të dëshmorëve, imam Husejnit, të birit të imam Aliut dhe Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi ta!).
Vendi i nisjes për të dy emigrimet është i përbashkët: është Meka, vendi më i shenjtë në rruzullin tokësor. Nga kjo tokë nisi emigrimi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!). Po nga kjo tokë nisi edhe emigrimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!).
Shkaku i emigrimit ishte i njëjtë: përpjekja për të ekzekutuar heroin e emigrimit. Kurthi që iu ngrit Profetit në Mekë për ekzekutimin e tij, ishte shkaku i largimit të tij prej saj. Po ashtu, i njëjti shkak ishte edhe për imam Husejnin,(Paqja qoftë mbi ta!), sepse edhe atë donin ta vrisnin po në Mekë, edhe nëse kapej pas mbulesës së Qabes. Për këtë arsye ai emigroi prej saj.
Qëllimi ishte i njëjtë:
gjetja e përkrahësve për të mbrojtur Islamin dhe për të zhdukur ngjyrat e padrejtësisë që ishin përhapur në kohën e Profetit dhe të imam Husejnit (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Midis dy personaliteteve të emigrimit ka disa të përbashkëta të begata dhe prej tyre është Mbulesa (Kisa). Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!), është i pari i pjesëtarëve të Mbulesës dhe Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është prej pjesëtarëve të kësaj mbulese.
Edhe pse myslimanët janë ndarë në medh’hebe, fraksione, rryma dhe shkolla të shumta, të gjithë janë të mendimit se Husejni, i biri i Aliut (Paqja qoftë mbi ta!) është nipi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!). Të gjithë janë të mendimit se dashuria për Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) është dashuri për Allahun e Madhëruar.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!) ka thënë:
“Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është nip prej nipave."
(sibtun mine’l esbat).”
(“El-Bukharij”; “Et-Tarijkhu’l-Kebijr”, 8:415/3536; “Sunenu’t-Tirmidhij”, hadithi 3775; “Sunen Ibn Maxheh”, 1, hadithi
144; “Musned Ahmed”, 4:172; “Mesabijhu’s-Sunneh”, 4, hadithi 4833.)
Ai është vëllai i imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!). I Dërguari i Allahut ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë dy borzilokët e mi prej borzilokëve të dunjasë.”
(“Sahihu’l - Bukhari”, Kitab Fadailu’s-Sahabeh, Kapitulli i edukatës, Kreu “Mëshira e fëmijës”;
“Sunenu’t-Tirmidhij”, 5, hadithi 3770.)
Sigurisht, të flasësh për virtytet e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe të pjesëtarëve të tjerë të Familjes së Profetit, është tregues dashurie dhe dëshmi e thënies së Allahut të Madhëruar: “Thuaj: Unë nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim përveç dashurisë ndaj të afërmve.” (Sure “Esh Shura”, ajeti 23.)
Revolucioni i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi ta!) ka dimensione të shumta fetare, morale, shoqërore, humane, etj. Të shumtë janë mendimtarët, dijetarët dhe udhëheqësit të cilët kanë folur, flasin dhe do të flasin për imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!). Ky prijës simbolizon lirinë, pavarësinë, drejtësinë dhe udhëzimin për çdo njeri monoteist e të ndershëm në këtë jetë, pa dallim kombi, gjuhe, race a ngjyre.
Ndër ta është edhe heroi i madh dhe udhëheqësi i Indisë, Mahatma Gandi, i cili ka thënë: “Mësova prej Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) si të triumfoj kur jam i privuar.”
S’ka dyshim se me këto fjalë, ai dëshiron të vlerësojë e të nxjerrë në pah pozitën e lartë të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi ta!),sakrificën e madhe të tij në rrugën e mbrojtjes së vlerave dhe të besimit të tij. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është shembull për mbarë botën në përballjen me padrejtësinë dhe në sakrifikimin me gjithçka që zotëronte.
Dikush mund të pyesë: Çfarë bëri Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) dhe shokët e tij, derisa arritën të mirësohen me këtë pozitë të lartë, të cilën nuk ia kanë zilinë jo vetëm myslimanët, por edhe jomyslimanët?
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), me revolucionin e tij kristalizoi kuptimet më të larta të sakrificës dhe të flijimit. Ai nuk sakrifikoi vetëm veten e tij, por edhe fëmijët e tij dhe shokët më të afërt të tij. Ai i flijoi në rrugën e lartësimit të së vërtetës dhe të drejtësisë, me qëllim që të gjithë njerëzit, pa përjashtim, t’i mësojë që të mos u nënshtrohen padrejtësive dhe të padrejtëve në çdo vend e në çdo kohë.
Transmetohet nga imam Xha’ferr ibn Muhamed Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se i ka thënë Fudejl ibn Jesariut:
“O Fudejl! A po tuboheni dhe bisedoni?”
Fudejli i tha: “Po, u bëfsha kurban për ty!” Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) i tha: “Unë i dua ato tubime. Ringjalleni çështjen tonë! Allahu e mëshiroftë atë që e ringjall çështjen tonë!”
Ka shumë transmetime nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!), të cilat urdhërojnë për ringjalljen e përmendjes së tyre.
Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Kush ulet në një tubim dhe në të ringjall çështjen tonë, zemra e tij nuk do të vdesë atë ditë kur do të vdesin zemrat (në Ditën e Kiametit).”
Erdhi muaji i Muharremit. Fillimi i tij përkon me fillimin e vitit të ri të Hixhrit, 1442. Ky kalendar është i posaçëm për ymetin islam. Në fillim të këtij viti të ri, myslimanët duhet të bëjnë llogaritë e vitit që shkoi dhe të shohin se a kanë qenë vërtet në Rrugën e Allahut dhe në Rrugën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!); a i kanë zbatuar ashtu siç duhet urdhrat dhe porositë e Allahut dhe të Profetit Muhamed; a i kanë forcuar radhët mes tyre apo e kanë zgjeruar më shumë hendekun e mospajtimeve dhe të mosmarrëveshjeve. Ata duhet të luten që viti i ri i Hixhrit të jetë një vit i mbarë, i begatë dhe i mbushur me besim, devotshmëri, unitet e vëllazëri mes tyre.
Në muajin Muharrem, pikërisht në ditën e dhjetë të këtij muaji, ka ndodhur ngjarja më e dhimbshme për Profetin Muhamed dhe për myslimanët. Në këtë ditë ka ndodhur masakra më e rëndë dhe më barbare në historinë e njerëzimit. Në këtë ditë u martirizua nipi i Profetit Muhamed, zotëria i të rinjve të banorëve të Xhenetit, imam Husejni, i biri i imam Aliut dhe i Fatime Zahrasë. Në dhjetë ditët e para të muajit Muharrem është koha më e volitshme dhe më madhështore për ringjalljen e përmendjes së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
S’ka dyshim se Ashura-ja është prej ditëve të Allahu të Madhëruar, i Cili, në Kur’anin e Shenjtë, thotë: “...dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut...” (Sure “Ibrahim”, ajeti 5). Është e tillë, sepse imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është prej të dashurve të Allahut, është nipi i të Dërguarit të Allahut, është i biri i të dashurit të Allahut, është djali i gruas, të cilën Allahu e bëri zonjën e grave të botëve. Ashura-ja është prej ditëve të Allahut, sepse imam Husejni u ngrit për hir të Allahut dhe për të shpëtuar fenë e pastër të Allahut, të cilën dinastia emevite donte ta asgjësonte.
Përderia çështja është e tillë, atëherë, këtë ditë duhet ta përkujtojnë të gjithë myslimanët pa përjashtim. Shkrimtari egjiptian Abdurrahman Esh Sherkauij ka thënë: “Husejni është dëshmor në rrugën e fesë e të lirisë. Nuk duhet të krenohen vetëm shi’iat me emrin e Husejnit, por duhet që me këtë emër fisnik të krenohen të gjithë të lirët e botës.” Në këto ditë myslimanët duhet të njihen me Ehli Bejtin e Profetit, me jetëshkrimin e tyre, me moralin, me dijet dhe me njohuritë e tyre. Duhet të dinë se ata janë imamët e tyre, për të cilët, Profeti Muhamed e ka bërë detyrë dashurinë për ata, e gjithashtu, edhe ndjekjen dhe zbatimin e urdhrave dhe porosive të tyre.
Ka hadithe të shumta që nxisin në njohjen e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Prej tyre është edhe thënia e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Atë që e ka mirësuar Allahu me njohjen e Ehli Bejtit tim dhe të vilajetit të tyre, Allahu i ka dhënë të gjitha të mirat.”
Selman Farsiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë shkova tek i Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed. Kur më pa, tha: ‘O Selman! Vërtet, për çdo të dërguar dhe lajmëtar Allahu ka caktuar dymbëdhjetë pasardhës.’ Unë i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Ti je nëna ime dhe babai im. Çfarë mirësish ka ai që i njeh ata?’ Profeti tha: ‘O Selman! Ai që i njeh ata ashtu siç e meritojnë, i ndjek ata, e do atë që i do ata dhe është armik i atij që është armik i tyre, betohem në Allahun se ai është prej nesh. Do të shkojë atje ku do shkojmë ne dhe do të banojë atje ku do të banojmë ne.’”
Ka hadithe që qortojnë mosnjohjen e Imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që vdes dhe nuk e ka njohur imamin e kohës së tij, do të vdesë si njeriu në kohën injorancës (xhahilijetit).” Duhet që dija e tyre, pozita e tyre në besimin islam, vendi i tyre i lartë që kanë te Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familen e tij!) t’u bëhen të qarta edhe të tjerëve. T’u sqarohen të tjerëve përpjekjet dhe sakrificat e Ehli Bejtit në përgjithësi dhe të imam Husejnit në veçanti, në rrugën e mbrotjes së Islamit të pastër që solli Profeti Muhamed.
Transmetohet nga Abdu Selam ibn Salih El Hereuij se ka thënë: Unë e kam dëgjuar Aba Hasanin, imam Ali ibn Musa Rizain (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që e ringjall çështjen tonë!” Unë i thashë: “Si ringjallet çështja juaj?” Ai tha: “Duke mësuar dijet tona dhe duke ia mësuar të tjerëve ato dije. Sikur njerëzit t’i dinin mirësitë e fjalëve tona, do të na ndiqnin neve.” Ka shumë faktorë që penguan mbërritjen e njohurive të Ehli Bejtit te njerëzit. Këta faktorë çuan në errësimin dhe fshehjen e së vërtetës së Ehli Bejtit dhe të pozitës së tyre.
Prej tyre është edhe përpjekja e vazhdueshme e dinastisë emevite dhe asaj abasite në këtë drejtim. Po ashtu, ka edhe rryma të tjera, të cilat vazhdojnë edhe në këto ditë të fshihen dhe të shtrembërojnë të vërtetën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Me këtë veprim djallëzor ata u përpoqën dhe përpiqen që t’i largojnë njerëzit nga Ehli Bejti dhe të ndalojnë mbërritjen e thënieve të tyre te njerëzit.
Në kohën e emevitëve, transmetimi i haditheve të imam Aliut dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve i kushtonte jetën transmetuesit. Muavi ibn Ebi Sufjan nxori ligj në atë kohë ku thuhej se ai që transmeton hadithe nga Aliu, do t’i shembet shtëpia, do t’i ndërpritet furnizimi, do të përballet me vrasjen dhe ekzekutimin. Kushdo që shkruante poezi apo lavde për Ehli Bejtin, përndiqej dhe burgosej.
Organizimi i ceremonive të Ashurasë ishte e rrezikshme në disa periudha kohore. Ndalohej zijareti i imam Husejnit në Kerbela. Ai që tentonte të shkonte për zijaret, arrestohej dhe ndëshkohej. Në krahasim me ato kohë, sot gjendet më shumë mundësi e siguri për organizimin e ceremonisë së përkujtimit të ndodhisë së Kerbelasë. Prandaj, duhet që të përfitojmë nga kjo situatë dhe t’ua bëjmë të njohur njerëzve Ehli Bejtin e Profetit Muhamed duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme për këtë qëllim.
Nuk duhet që Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) të mbeten thjesht emra në mendjen e dashamirësve dhe të ndjekësve të tyre, por duhet që Ehli Bejti të jetë shembull dhe shembëlltyrë në jetën e dashamirësve dhe ashikëve të tyre. Ata duhet të ecin në rrugën e Ehli Bejtit me fjalë dhe me vepra. Kjo është dashuria e vërtetë për Ehli Bejtin dhe kjo është ndjekja e vërtetë e tyre.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ndjekësit tanë janë ata që janë të devotshëm ndaj Allahut dhe që i binden Atij.” Gjithashtu, ai ka thënë: “Unë jam imam i atij që më bindet mua.” Pra, më ndjek mua, bën siç bëj unë dhe zbaton porositë dhe këshillat e mia. Kjo do të thotë se ashtu siç ishte Ehli Bejti shembull i lartë në çdo çështje, po ashtu duhet të jenë ndjekësit e tyre në mesin e njerëzve. Ata duhet të jenë të devotshëm, vigjilentë dhe shembull në sjellje e veprime.
Disa mendojnë se përderisa janë ndjekës të Ehli Bejtit, Allahu do t’ua lehtësojë llogarinë në Ditën e Gjykimit. Sigurisht që ky është mendim i gabuar. Imam Sadiku (Paqja qoftë mi të!) ka thënë: “O Mufaddal! E shëmtuara është e shëmtuar te çdo njeri, ndërsa tek ti është më e shëmtuar për shkak të pozitës që ke tek ne. E mira është e mirë te çdo njeri, por tek ti është më e mirë për shkak të pozitës tënde tek ne.” Ai njeri që është ndjekës i Ehli Bejtit dhe ashik i tyre, duhet ta dijë se ka një përgjegjësi të madhe në sjellje. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Jini ftues në rrugën tonë, jo me gjuhët tuaja!” Pra, me sjelljet tuaja.
Prandaj, kuptimi i ringjalljes së përmendjes së Ehli Bejtit në mesin e pasuesve të tyre është që ata të zbatojnë urdhrat dhe porositë e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Për këtë, edhe tubimet që zhvillohen në kohën e matemit në muajin Muharrem apo në ceremonitë e ndryshme që organizohen për nder të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) duhet të jenë nxitëse dhe inkurajuese për njohjen e personalitetit të tyre, të moralit të tyre, të sjelljeve të tyre dhe të urdhrave e porosive të tyre. Ehli Bejti nuk është monopol i shiave. Ata janë udhëheqësit dhe imamët e të gjithë myslimanëve. Prandaj, duhet që dijet, njohuritë dhe morali i Ehli Bejtit të përhapen në mesin e të gjithë myslimanëve. Pa dyshim që metoda më e mirë për njohjen e Ehli Bejtit është ajo metodë që na urdhëron Kur’ani i Shenjtë, i cili thotë: “Thirr në Rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mire…!” (Sure “Nahl”, ajeti 125.
Organizimi i tubimeve për kujtimin e imam Husejnit dhe të ndodhisë së Kerbelasë ka dobi të shumta. Prej tyre janë:
Së pari:
Ne shprehim besnikërinë ndaj Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Sepse, vetë Profeti Muhamed është hidhëruar dhe ka lajmëruar vrasjen e imam Husejnit në Kerbela.
Së dyti:
Këto tubime janë shkollë islame, sepse ligjëruesit në këto tubime flasin rreth historisë islame, rreth dispozitave islame, rreth moralit islam. Ata komentojnë Kur’anin, flasin për historitë e Profetëve, për Teuhidin, profetësinë, e të tjera çështje islame.
Së treti:
Në këto tubime ne shprehim dashurinë, përkrahjen dhe vilajetin për imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!), të birin e Fatime Zahrasë, i cili u martirizua për të mbrojtur mesazhin që solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Së katërti:
Në këto tubime ne japim besën se do të jemi gjithonë në Rrugën e fesë së Allahut, në Rrugën e Profetit Muhamed dhe në Rrugën e Ehli Bejtit të tij të pastër. Kurrë nuk do ta braktisim këtë Rrugë me çfarëdo pasojash që të përballemi.
Së pesti:
Këto tubime sqarojnë se çfarë i ndodhi imam Husejnit, familjes së tij dhe shokëve të tij besnikë, të cilët u përballën me krimin dhe masakrën më të ashpër në historinë e njerëzimit. Ky krim e kjo masakër janë në kundërshti të plotë me vlerat dhe me parimet njerëzore dhe fetare. Në këto tubime ne e kundështojmë bindshëm këtë krim e masakër.
Së gjashti:
Në këto tubime ne kundërshtojmë nënshtrimin dhe poshtërimin para padrejtësisë dhe shtypjes, sado të mëdha të jenë.
Së shtati:
Refuzojmë dhe demaskojmë padrejtësinë, devijimin, hipokrizinë, ashpërsinë dhe armiqësinë e dinastisë emevite dhe të atyre që ecin në rrugën e tyre, qëndrime negative që mbartin ndaj Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit, sepse ajo ishte një dinasti xhahile me petkun e Islamit.
Së teti:
Në këto tubime i çirret maska kurtheve dhe intrigave të emevitëve kundër Islamit. Edhe pse sundimi i tyre shtrihet në dy kontinente - Azi dhe Afrikë, heroizmi i imam Husejnit, i familjes së tij dhe i shokëve të tij në Kerbela, e tundi nga themelet atë dinasti të devijuar derisa u rrëzua.
Së nënti:
Në këto tubime ne refuzojmë çdo lloj ngjyre të padrejtësisë, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit dhe lutemi që Paqja, dashuria, besimi dhe vëllazërimi të sundojnë në mbarë botën.
Përgjigjja rreth kësaj pyetjeje është:
Shiat, kurrë, nuk favorizojnë askënd mbi Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ata besojnë se Profeti Muhamed është krijesa më e nderuar, më e lartë, më e përkryer. Ai është shembulli më i mirë, mëshirë për mbarë botët, përgëzues, paralajmërues dhe pishtar ndriçues. Nuk vjen Profet pas tij. Ata besojnë se pozita e Profetit Muhamed tek Allahu është më e afërt se pozita e melekëve dhe se pozita e të Dërguarve të tjerë.
Pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ata favorizojnë Aliun ndaj të gjithë njerëzve. Te shiitët gjendet thënia e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i cili thoshte me krenari: “Unë jam ndreqësi i sandaleve të të Dërguarit.” Ata besojnë se imam Aliu është zëvendësi i Profetit Muhamed dhe se Aliu është prej familjes së tij. Më i miri ndër shokët e tij.
Ata besojnë fort se qëllimi i kryengritjes dhe i revolucionit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte mbrojta e mesazhit që solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të cilin luftoi dhe sakrifikoi babai i tij, imam Aliu dhe për të cilin u martirizua padrejtësisht vëllai i tij, imam Hasani (Paqja qoftë mbi ta!). Të gjithë këta, së bashku me Fatime Zahranë, janë pjesëtarët e Ndodhisë së Mbulesës (Hadithul Kisa), të cilët Allahu i pastroi plotësisht.
Pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), katër pjesëtarët e tjerë kanë qenë yjet ndriues për Islamin dhe për myslimanët. Ishin busulla e tyre dhe pishtarët e udhëzimit.
Pas një kohe të shkurtër nga vdekja e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ndërroi jetë Fatimeja, e privuar dhe e zemëruar ndaj të drejtës që i takonte dhe e cila nuk iu dha. Edhe pas largimit nga kjo jetë të hazreti Fatimesë, shtëpia profetike qëndroi e ndriçuar dhe e zbukuruar me Aliun, Hasanin dhe Husejnin (Paqja qoftë mbi ta!)
Pas vrasjes barbare e të pabesë të imam Aliut, pas tij qëndroi drita e Hasanit dhe e Husejnit (Paqja qoftë mbi ata të dy!). Dashuria e myslimanëve për ata të dy ishte shumë e madhe. Askush nuk kishte atë dashuri që kishin Hasani dhe Husejni në zemrat e myslimanëve, sepse ata të dy ishin të mbeturit nga gjeneza e Ehli Bejtit të pastër të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Pas martirizimit të imam Aliut, erdhi radha e martirizimit të Hasanit (Paqja qoftë mbi të!), i cili u përpoq në rrugën e mbrojtjes dhe të përhapjes së Mesazhit të gjyshit të tij, Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me gjithçka që kishte. Ai u detyrua që të bënte marrëveshje paqjeje me armikun e tij më të përbetuar, Muavije ibn Ebi Sufjan, i cili më pas e shkeli marrëveshjen dhe planifikoi martizimin me helm të imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!).
Pas martirizimit të imam Hasanit, nga Ehli Bejti (Familja e Profetit) mbeti vetëm imam Husejni, i cili përfaqësonte katër pjesëtarët e pastër të mëparshëm duke filluar nga Profeti Muhamed e deri tek imam Hasani (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Ai përfaqësonte dashurinë që kishin myslimanët për të gjithë Ehli Bejtin. Kjo është njësoj sikur të kesh pesë pjesëtarë të dashur dhe prej tyre të humbasësh katër dhe të mbetet vetëm një dhe ky zë vendin e të gjithëve dhe pozita e tij në zemrën tënde është e barabartë me pozitën e të pestëve.
Këtë e dëshmon zonja e madhe, Zejnebi, e bija e imam Aliut, në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, e cila, kur po vajtonte vëllanë e saj, imam Husejnin, ka thënë:
“Sot vdiq gjyshi im, i Dërguari i Allahut;
sot vdiq nëna ime, Fatime Zahraja;
sot u vra babai im, Aliu;
sot u helmua vëllai im, Hasani.”
Martirizimi i imam Husejnit ishte i njëjtë me martirizimin e të gjithë Ehli Bejtit (Familjes së Profetit). Ringjallja e kujtimit të imam Husejnit është ringjallje e kujtimit të të gjithë Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Ndodhia e Kerbelasë ka qenë, është dhe do të mbetet ndodhia më e hidhur dhe më pikëlluese që ka njohur historia. Ajo nuk ishte si luftërat e njohura. Ajo ishte masakër përgjakëse për Familjen e të Dërguarit të Allahut, e cila përfshiu të mëdhenj e të vegjël. Ata i rrethoi në Kerbela një ushtri e madhe injorante, zemërgurë, e padrejtë dhe tirane. Ua ndaluan të ngrënit dhe të pirët për disa ditë me radhë. Kur Familja e të Dërguarit të Allahut, e cila përfaqësohej nga imam Husejni, u rraskapitën nga mosngrënia dhe mospirja, këta zemërgurë hodhën shigjeta, hodhën gurë, goditën me shpatë e me shtiza mbi atë familje të pastër të Profetit. Kur u vranë të gjithë, ua prenë kokat dhe ua copëtuan trupat me patkojtë e kuajve sa në bark e sa në kurriz. Dogjën çadrat, vodhën dhe grabitën sendet e tyre dhe i morën gratë dhe vajzat e Familjes së Profetit Muhamed robëresha (robina).
S’ka dyshim se Husejni në mesin e ndjekësve të tij dhe në mesin e atyre që ia njohin qëllimet dhe synimet, nuk është thjesht një emër, por ai është simbol i heroizmit, simbol i humanizmit, simbol i shpresës, simboli i fesë dhe i Sheriatit, simboli i sakrificës në Rrugën e së Vërtetës dhe të Drejtësisë. A nuk ishte i tillë Profeti Muhamed? Sigurisht që po. Për këtë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:
“Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit.”
Ndërsa Jezidi ishte simboli i shkatërrimit, i devijimit, i shtypjes, i përbaltjes, mbartës i moraleve të këqija. Aty ku gjendej shkatërrimi, gjendja kaotike, përdhosja e shenjtërive, gjakderdhja e të pafajshmëve, padrejtësia, shkelja e të drejtave, aty ishte emri i Jezidit dhe bëmat e tij.
Aty ku gjendej sinqeriteti, palëkundshmëria, trimëria, morali i mirë, ndershmëria, besimi dhe devotshmëria, aty ishte emri i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!). Këto nuk janë deklarata individuale, por janë të vërteta që gjenden në literaturat islame.
Ringjallja e trimërisë dhe e sakrificës së imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) është ringjallje e të vërtetës, e mirësisë dhe e lirisë. Ringjallja e Ashura-së së imam Husejnit është ngritja e zërit përballë sunduesit të padrejtë dhe përkrahësve të tij. Është britmë për çdo shpërdorues të mirësive të vendit dhe të popullit. Është britmë për çdo sundimtar që mbart cilësitë e Jezidit.
I biri i Muaviut donte të zhdukte Ehli Bejtin dhe të shuante Dritën e Allahut. Ai dëshironte që fjala e keqe, padrejtësia dhe tirania të qëndronin më lart se fjala e mirë dhe drejtësia. Ai hamendësoi se do të triumfonte me vrasjen e Husejnit. Por ky triumf i tij ishte vetëm një mirazh afatshkurtër. Shumë shpejt, pas ndodhisë së Kerbelasë, u rrëzua dinastia emevite së bashku me bëmat e saj dhe mbeti Kerbelaja dhe imam Husejni. Ata do të qëndrojnë deri në fundin e kësaj jete.
Pra, kur shi’itët e nderojnë imam Husejnin, e nderojnë se ai është nxitësi për liri e pavarësi. Është mësuesi i kryengritësve për drejtësi dhe barazi. Ata nuk adhurojnë individë. Ata i quajnë të shenjta parimet humane, morale dhe fetare. Ata janë myslimanë dhe zbatues të Kur’anit të Shenjtë dhe të synetit të bekuar të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Imam Husejni përfaqëson në mënyrën më të mirë parimet e gjyshit të tij, Profetit Muhamed, për të cilat, ai, së bashku me familjen e tij dhe shokët e tij besnikë u martirizuan në fushën e Kerbelasë. Mosinteresimi për revolucionin dhe kryengritjen e imam Husejnit, për ndodhinë e Ashura-së dhe për masakrën e Kerbelasë e ka burimin te mosnjohja e shkaqeve të tyre.
Është e vështirë që në këto pak rreshta të sqarohen shkaqet e këtij revolucioni, i cili ka depërtuar në thellësi të kohës dhe vazhdon të përçojë energji e forcë në zemrat dhe shpirtërat e të përmalluarëve për liri e drejtësi. Pa dyshim që ai është revolucioni që shpëtoi Mesazhin Islam prej devijimit dhe humbjes si pasojë e qejfeve dhe tekave të udhëheqësve të shthurur e të devijuar emevit. Prej shkaqeve më të rëndësishme të revolucionit të imam Husejni ishte shthurja, devijimi, padrejtësia, terrori i udhëheqësit dhe i pushtetit emevit mbi myslimanët. Qëllimi i emevitëve ishte që ta bënte Islamin e pastër, shërbyes të interesave të tyre djallëzore dhe të lakmive të tyre të ulta.
Muaviu thoshte:
“Pasuritë janë të Allahut dhe unë jam mëkëmbësi i Allahut. Ato që marr janë të miat dhe ato që jap janë bamirësi dhe bujari e imja.”
Në një thënie tjetër, Muaviu i thotë Jezidit:
“Cili është fëmija më i pa bindur dhe më mëkatar sesa ti?!
Ti e di mirë që unë, për përparësinë tënde, i quajta të gjithë njerëzit fajtorë.
I zbrita ata prej vendit të tyre të lartë për të të caktuar ty prijës dhe të emërova ty imam mbi as’habët e Profetit të Allahut dhe tek ata gjendet ai që ti e njeh (Husejni) dhe mashtrova prej tyre ata që ti i njeh.”
(“El Imametu ue Sijasetu”, vëllimi 1, faqe 167.)
Qëllimi i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) me revolucionin e tij ishte zhdukja e padrejtësisë dhe vendosja e drejtësisë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë:
“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” (Sure “Hud”, ajeti 113.)
Dhe erdhën të padrejtët dhe thanë: Anoni nga ata që bëjnë padrejtësi se do të hyni në Xhenet!!! Me këtë parrullë ata donin shkatërrimin e Islamit. Imam Husejni kishte për qëllim rikthimin e Islamit ashtu siç e solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Ne e dimë se Allahu është mbrojtës i fesë së Tij. Mirëpo edhe ne si myslimanë kemi detyra ndaj kësaj feje të pastër dhe njëra prej këtyre detyrave është mbrojtja e saj prej mendimeve dhe prej duarve të keqdashësve. E kjo arrihet nëpërmjet të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është shkolla e drejtësisë islame. Për këtë, Kerbelaja është për të gjithë njerëzit dhe për mbarë popujt në rruzullin e tokës, sepse Islami është fe mbarëbotërore. Me ripërtëritjen e kujtimit të imam Husejnit dhe të ndodhisë së Kerbelasë ripërtëritet liria e vërtetë shpirtërore në brendinë e njerëzve.
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) i tha ushtrisë së Hur ibn Jezijd Er Rijahi-it, i cili shpejtoi në rrethimin e tij:
“O njerëz! I Dërguri i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Cilido prej jush që sheh një udhëheqës të shthurur, që lejon të ndaluarat e Allahut, thyen besën e dhënë Allahut, nuk vepron sipas synetit të të Dërguarit të Allahut, sillet me robtë e Allahut me mëkat e armiqësi dhe nuk e ndryshon atë me fjalë apo me vepra, është e drejta e Allahut që atë njeri ta fusë në Xhehenem. S’ka dyshim se ata iu bindën shejtanit dhe e braktisën bindjen ndaj Rrahmanit (Allahut). Ata përhapën shkatërrimin, prishën kufijtë e caktuar nga Allahu, luftuan për plaçkë lufte, e lejuan atë që ka ndaluar Allahu dhe ndaluan atë që ka lejuar Allahu.
E unë e meritoj më shumë se çdo tjetër udhëheqësinë dhe të bëj ndryshimin. Mua më erdhën shkresat tuaja dhe më njoftuan të dërguarit tuaj për besën tuaj se ju nuk do të më dorëzoni e as nuk do të më poshtëroni. Nëse e plotësoni besën tuaj ndaj meje, jeni të udhëzuar, sepse unë jam Husejni, i biri i Aliut dhe i biri i Fatimesë e bija e të Dërguarit të Allahut. Ne jemi një. Familja ime është me familjet tuaja. Unë jam shembull për ju.’”
(“Tarijkhu Tabarij”, vëllimi 4, faqe 304. “El Kamilu fi Tarijkh”, vëllimi 3, faqe 280.)
Pra, me këto fjalë imam Husejni sqaron gjendjen e dinastisë emevite në atë kohë dhe se ndryshimi dhe reformimi ishte një domosdoshmëri dhe përgjegjësi e të gjithë myslimanëve dhe jo vetëm e imam Husejnit, mbartësit të flamurit të Mesazhit të pastër islam.
Ebu Fadl Abas është i biri i prijësit të besimtarëve imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Sipas disa studiuesve, Ebu Fadl Abasi ka lindur me 4 Shaban në vitin 26 të Hixhrit. Është i njohur me pseudonimin Ebu Fadl për shak të moraleve të larta që posedonte. Gjithashtu, thuhet se është quajtur me këtë epitet sepse ai ka patur një djalë që quhej Fadl dhe për këtë atij i thuhej Ebul Fadl (babai i Fadlit).
Ai është vëllai i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe mbartësi i flamurit në Kerbela. Nëna e tij ka qenë Fatimeja e bija e Huzamit e njohur me emrin Ummul Benin. Ebu Fadl Abas është një personalitet i madh tek myslimanët. Në mesin e besimtarëve shqiptarë, veçanërisht tek bektashinjtë, ai njihet me emrin Abaz Aliu.
Prej llagabeve (nofkave) të tij
1- Kamer beni Hashim (Hëna e fisit hashimit).
2- Ujëdhënësi i të eturve.
3- Robi punëmirë (el abdu salih)
4- Mbartësi i flamurit të imam Husejnit.
5- Komandanti, sepse ai ishte komandanti i ushtrisë së imam Husejnit në Qerbela.
6- Porta e përmbushjes së dëshirave. Cilido që i drejtohet Zotit që për hir të Ebu Fadl Abasit t’ia plotësojë dëshirat, atij do t’i plotësohen me lejen e Zotit.
Cilësitë e tij
1- Besimi i fortë te Allahu.
2- Krenaria e lartë. Ai nuk pranoi të jetonte i poshtëruar nën sundimin e pushtetit të devijuar emevit.
3- Durimi. Ai ishte durimtar i madh përballë vështirësive. Nuk trembej dhe nuk gjunjëzohej para vështirësive dhe problemeve sado të mëdhaja të ishin.
4- Besnikëria. Kjo u vu re më shumë në betejën e Kerbelasë ku Ebu Fadl Abasi i qëndroi besnik vëllait të tij imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) deri në vdekje.
5- Vullneti i fortë.
6- Butësia dhe mëshira. Këto dy cilësi u panë më së shumti në tokën e Kerbelasë në kohën që ushtria e Jezidit nuk lejoi që imam Husejni, dhe ata që ishin me atë, të pinin ujë nga lumi Eufrat. Kur pa gjendjen e fëmijëve të cilët kërkonin ujë, Ebul Fadl Abasi e shkatarroi bllokadën e ushtrisë së Jezidit për t’i sjellë ujë fëmijëve dhe të eturve.
Për Ebul Fadl Abasin kanë thënë:
Imam Sexhadi, i biri i imam Husejnit, (Paqja qoftë mbi ta!) ka thënë:
“Zoti e mëshiroftë xhaxhain tim Abasin. Ai luftoi dhe fitoi. Ai e bëri kurban veten e vet për vëllanë e tij derisa ia prenë të dyja duart. Allahu i Madhëruar ia ka zëvendësuar atij dy duart me dy krahë me anë të të cilave ai fluturon në Xhenet, nësoj si Xhaferi i biri i Ebu Talibit. Abazi ka një pozitë të lartë te Allahu i Madhëruar për të cilën e kanë zili të gjithë dëshmorët.” Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Xhaxhai ynë Abasi ka qenë shumë largpamës, besimtar i patundur. Ai lutoi me vëllanë e tij, Abu Abdilahin (imam Husejnin) në mënyrën më të mirë dhe ra dëshmor.”
Peter Chelkovski, islamologu i njohur amerikan shkruan:
“Etja e fëmijëve nëpër tenda dhe kur ata i drejtohen Abasit për t’i kërkuar ujë, është një histori e dhimbshme e cila ndikoi shumë tek unë.”
Ky studiues amerikan duke shprehur ndjenjat e tij të pastra, shpreh admirimin e veçantë për shokun më besnik të Imam Husejnit, Ebu Fadl Abasin (Abas Aliun) dhe thotë:
“Unë jam thellësisht i mahnitur nga personaliteti i Ebu Fadl Abasit. Kam shkruajtur dhe botuar shumë artikuj në lidhje me të dhe kam mbledhur shumë fakte në lidhje me ceremonitë që organizohen në përkujtim të tij.”
Ndoshta dikush prej jush mund të pyesë :
Përgjigjen na e jep vetë prof. Chelkovski, i cili thotë:
“Abasi ishte luftëtar, liridashës dhe trim i pashoq, i cili mbrojti Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) dhe familjen e tij. Abasi është një person të cilin ju e quani hero. Abasi është hero i vërtetë. Ai e mbrojti Husejnin dhe familjen e tij deri në çastin e fundit. Ai kur shkoi të sjellë ujë për fëmijët, ia prenë duart, por ai e mbajti shtamën e ujit me dhëmbë dhe kur armiqtë e panë rezistencën e tij të paepur, vendosën ta vrasin.”
Abu Ferexh El Asfehani, dijetar i madh i shekullit të katërt të Hixhrit, në lidhje me tiparet e Ebu Fadl Abasit (Paqja qoftë mbi të!) në librin me titull “Mukatilu et Talibijn”, shkruan:
“Abasi i biri i Aliut ishte një burrë i pashëm dhe i fuqishëm. Kur hipte mbi kalë, këmbët i arrinin gjer në tokë. Për shkak të bukurisë së tij e thërrisnin “Hëna e fisit beni Hashim”
(Kamer beni Hashim). Ai ishte mbajtësi i flamurit të ushtrisë së Husejnit në ngjarjen e Kerbelasë. Emrin ia kishte zgjedhur imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!).”
Historia thotë se Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) i kushtonte një rëndësi tepër të veçantë edukimit të fëmijëve të tij. Imam Aliu i kushtoi një rëndësi të veçantë edukimit të Ebul Fadl Abasit që në fëmijëri. Përveç edukimit shpirtëror, ai e kaliste atë nëpërmjet punëve në bujqësi dhe në luftra të ndryshme. Me këtë veprim, imam Aliu arriti të formojë e të edukojë një njeri me shpirt e trup të fuqishëm dhe me vlera të larta morale. Ai u vra pabesisht në Kerbela, përbri lumit Eufrat në përpjekje për t’i çuar ujë fëmjëve dhe të eturve në çadrat e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!). Cilido njeriu, që aspiron për liri dhe drejtësi, e lexon historinë e vrasjes së tij, do të preket thellësisht zemër.
Historija e martirizimit të Ebul Fadl Abasit
Ai (Abasi) iu drejtua Husejnit dhe i tha:
“Vëllai im, a më jep leje?”
Husejnit i lotuan sytë e mjekra e tij u lag prej lotëve dhe tha:
“Vëllai im, ti je mbrojtësi i vendqëndrimit tim. Nëse vritesh, ne do të shpërndahemi, ndërtesat tona do të shkojnë drejt shkatërrimit.”
Abasi tha: “Shpirti i vëllait tënd është kurban për ty, gjoksi m’u ngushtua prej jetës së kësaj bote dhe dua të hakmerrem prej atyre munafikëve.”
Husejni i tha: “Kërko ujë për ato fëmijë.”
Abasi doli në mesin e mejdanit dhe thërriti: “O Umer i biri i Sa’dit, ky është Husejni, i biri i vajzës së Profetit të Allahut, i cili ju thotë se ju i vratë shokët e tij, vëllezërit e tij, djemtë e xhaxhallarëve të tij dhe ka mbetur i vetëm me fëmijët e tij dhe familjen e tij dhe ata janë të etur. Etja i ka djegur zemrat e tyre, prandaj jepuni atyre ujë, sepse fëmijët dhe familja e tij po vdesin prej etjes…”
Kur banorët e Kufes i dëgjuan fjalët e Ebu Fadlit, disa prej tyre heshtën, disa u ulën dhe filluan të qanin. Në atë kohë, doli Shimri, së bashku me Shebeth ibn Rabiu (Allahu i mallkoftë ata të dy!) dhe thanë:
“O i biri i Ebi Turabit (Aliu), i thuaj vëllait tënd se nëse e gjithë toka do të jetë ujë dhe ai të jetë nën duart tona, ne nuk do t’i japim atij asnjë pikë ujë, derisa të japë betimin për Jezidin.”
Abasi buzëqeshi dhe u kthye tek Husejni duke e lajmëruar për atë që ai popull i tha atij.
Husejnit i rrodhën sytë lot dhe Abasi dëgjoi fëmijët që thërritnin: “etja… etja…” Ai i hipi kalit dhe mori shtizën e tij së bashku me kirben (mbajtëse uji prej lëkure). Umer ibn Sa’di vendosi shumë burra ruajtës të ujit dhe nuk lejonin asnjë nga shokët e Husejnit të pinin prej tij. Abasi i sulmoi ata.
I shpërndau dhe thoshte: “Nuk i frikësohem vdekjes, nëse vdekja është lartësim, derisa të varrosem. Unë jam Abasi që nuk i frikësohet sherrit të ditës së takimit.” Ai mbërriti tek uji dhe kur deshi të pinte prej tij, iu kujtua etja e Husejnit dhe e Ehli Bejtit të tij. Abasi e hodhi ujin që kishte në dorë dhe tha:
“O vetja ime, mbas Husejnit do të jesh e shkatërruar dhe mbas tij, as nuk do jesh. Ky është Husejni i dashur dhe ti do të pish ujë të ftohtë. Kjo nuk është prej veprës së fesë sime dhe as vepër e të vërtetit dhe besnikut.”
Ai e mbushi kirbeten me ujë dhe e vari në qafë. Pastaj u drejtua nga çadrat. Armiqtë ia prenë rrugën dhe e rrethuan nga të gjitha anët. Ata filluan të gjuanin me shigjeta, derisa mburoja e tij u bë si lëkura e iriqit prej shigjetave të shumta.
Zejd ibn Varka’u ishte i fshehur pas pemës së hurmës. Atë e ndihmoi Hakim ibn Tufejl, i cili e goditi në dorën e djathtë dhe ia preu. Abasi e kapi shpatën me dorën e majtë duke thënë:
“Pafsha Allahun, nëse e pritni të djathtën, unë gjithmonë do të mbroj fenë time. Po ashtu, do të mbroj imamin e vërtetë, djalin e Profetit të pastër dhe besnikun.”
Ai luftoi derisa u lodh. Ata ia prenë dorën e majtë dhe ai filloi të thërriste:
“O shpirti im, mos iu frikëso të pafeve dhe lajmërohu për mëshirën e të Plotfuqishmit. Ata prej inatit të tyre, ma prenë të majtën time. O Zot, shpërbleji ata me zjarrin më të ashpër.”
Një shigjetë goditi kirbeten dhe uji ra përdhe. Abazi qëndroi i hutuar. Për të nuk kishte duar që të luftonte dhe as ujë që të kthehej tek çadrat. Një ushtar i armiqve e goditi me hekur mbi kokë dhe Abasi u rrëzua nga kali duke thirrur:
“O vëllai im! O Husejn, shpëto vëllanë tënd…”
Husejni shkoi tek ai si shqiponjë dhe e pa me duar të këputura, ballë të çarë, sy të shpuara me shigjeta. Ai qëndroi mbi të i përkulur, u ul pranë kokës së Abasit dhe sytë i lotonin. Në ato momente, Abasi dha jetë dhe Husejni tha:
“O vëllai im, tani m’u thye shpina ime, m’u pakësuan fuqitë dhe armiqtë u gëzuan.”
Pastaj u ngrit dhe u kthye tek çadrat. Atë e priti vajza e tij, Sukejna dhe i tha: “O baba, a ke dijeni për xhaxhain tim, Abasin?” Husejni filloi të qante dhe tha: “O bija ime, xhaxhai yt u vra.” (“Faxhiatu Taff”.)
Paqja qoftë mbi ty o besimtarë i sinqertë! Allahu na mundësoftë të jemi në Rrugën e Tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me të dashurit e Tij në Jetën Tjetër!
Zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) është gruaja shembullore dhe shembull për të gjitha femrat. Ajo është degë e pemës muahmedane dhe aleviane. Nëna e saj është Fatimeja (Paqja qoftë mbi të!), vajza e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Babai i saj është imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) dhe gjyshi i saj është Profetit Muhamed, vula e Profetëve. Ajo lindi më 5 Xhemadul Ula në vitin e pestë të hixhrit.
Lajmin për lindjen e Zejnebit ia përcollën Profetit Muhamed. Ai shkoi menjëherë në shtëpinë e Fatimesë dhe i tha:
“O bija ime. Ma sill vajzën tënde të poraslindur. Kur Profeti e mori në krah të porsalindurën e përqafoi, e vuri faqen e tij mbi faqen e saj dhe qau derisa lotën i rrodhën mbi faqen e tij.”
Fatimeja i tha: “Përse po qan? Allahu mos t’i lotoftë sytë o babai im!”
Profeti i tha: “O bija ime. O Fatime. Kjo vajzë do të sprovohet me shumë sprova dhe do t’i vijnë shumë fatkeqësi. O pjesë e trupit tim, o drita e syve të mi. Ai që qan për të dhe për fatkeqësitë e saj do të ketë shpërblimin e atij që vajton për dy vëllezërit e saj (Hasanin dhe Husejnin).”
Pastaj Profeti e quajti Zejneb.
Në terminologji, fjala Zejneb ka kuptimin: Zijnetul Ebijha (hijeshia, bukuria e babait të saj), ashtu siç ishte nëna e saj, Fatimeja “ummu ebijha” (nëna e babait të saj). Në gjuhësi ka kuptimin: Pemë me pamje të bukur dhe me aromë të këndëshme.
Në një transmetim tjetër thuhet:
Fatime Zahraja e ka pyetur imam Aliun: “Përse po ia vonon vënien e emrit vajzës.
Imam Aliu i ka thënë: Po pres që Profeti t’ia zgjedhë asaj emrin.
Fatimeja shkoi te Profeti dhe e lajmëroi për thënien e imam Aliut.
Atëherë zbriti Xhebraili (Paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut. Zoti yt të dërgon selam dhe të thotë: O i dashuri Im. Emrin asaj vendosja Zejneb.”
Pastaj Xhebraili qau. Profeti e pyeti për shkakun e qarjes. Xhebraili i tha: “Jeta e kësaj vajze do të jetë e shoqëruar me fatkeqësi e mundime që nga fillimi e deri në vdekje të saj.”
Zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) ishte e ditur, e devotshme, e guximshme, mbartëse e virtyteve të larta dhe oratore e rrallë. E pse të mos ishte e tillë, ndërkohë që lindi dhe u rrit në shtëpinë që Allahu e zgjodhi, e pastroi dhe në të zbriti mesazhin e Tij. Ajo u mësonte grave komentimin e Kur’anit dhe rregullat e fesë. Zonja e madhe Zejneb përjetoi vështirësitë, fatkeqësitë, dhimbjet dhe lëndimet. Që në fillim të jetës së saj ajo u përball me keqbërjet që idhujtarët dhe politeistët i bënin gjyshit të saj, Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Kur nëna e saj Fatime Zahraja ndërroi jetë, Zejnebi ishte shtatë vjeçe. Sigurisht, dhimbja e saj ishte e madhe. Pas vdjekjes së Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi të!), përgjegjësinë e shtëpisë së imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) e mori Zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!). Zonja Zejneb përjetoi plagosjen e babit të saj, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Ajo qëndronte pranë tij dhe i fshinte dhe i pastronte gjakun që rridhte nga plaga e tij. Edhe pse e dinte se goditja që kishte marrë babai i saj ishte vdekjeprurëse, ajo kurrë nuk u mposht dhe nuk u dorëzua, përkundrazi e përballoi këtë fatkeqësi me durim e me forcë.
Pas martirizimit të babait të saj, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) ajo qëndroi në krah të vëllait të saj imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!). Ajo dëshmoi tradhëtitë dhe pabesitë e Muaviut ndaj imam Hasanit. Zonja Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) i qëndroi në kokë vëllait të saj imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!) kur e helmoi dinastia emevite. Pas vdekjes së imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!), Zonjën Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) e priste një rol akoma më i madh. Ky rol do të shfaqej në tokën e përgjakur të Kerbelasë, toka e flijimit dhe e martirizimit. Ajo do të qëndronte e palëkundur në krah të vëllait të saj imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), të familjes së tij dhe të shokëve të tij besnikë. Dhe ashtu ndodhi.
Ajo është heroina e Kerbelasë. Ajo u fshinte lotët të vegjëlve dhe ftohte zemrat e nxehta nga etja e nga plagët. Kur u martirizua imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), Zonja Zejneb shkoi te trupi i tij dhe hoshte:
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh këtë Kurban!”
Ajo shpëtoi fëmjët dhe gratë kur ushtria e pamëshirshme e Jezidit i vunë flakën çadrave të tyre. Ajo ishte nëna e grave dhe e fëmijëve pas martirizimit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!). Ajo i përballoi të gjitha këto fatkeqësi e dhimbje në fushën e Kerbelasë me durim dhe me zemërgjerësi.
Kur ibn Zijadi e pyeti në Kufe:
“Si e pe atë që i bëri Allahu vëllait tënd?”
Ajo u përgjigj: “Nuk pashë veçse bukuri.”
Me këtë thënie del në pah djallëzia e ibn Zijadit, i cili masakrën e tyre ia mveshi Allahut të Madhëruar (Allahu na ruajtë!). Për shak të përballjes së saj me fatkeqësi të ndryshme, ajo është quajtur “nëna durimtare ndaj fatkeqësive”.
Heroina madhështore, zonja Zejneb (Paqja qoftë mbi të!), ishte zëri i fortë që lëkundi themelet e dinastisë emevite. Ajo ishte e guximshme dhe nuk i frikësohej vetëm e vetëm Allahut të Madhëruar.
Pas martirizimit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe të shtatëdhjetë e dy dëshmorë të tjerë në fushën e Kerbelasë, zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) së bashku me gratë dhe vajzat e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) u morën robërësha, u lidhën me zinxhirë dhe u dërguan në pallatin e Jezidit në Damask. Ajo i thotë Jezidit:
“O Jezid. Përpiqu sa të mundesh dhe thur intriga sa të duash. Betohem në Allahun se ti kurrë nuk do ta fshish përmendjen tonë.”
Të vërtetën ka thënë sepse edhe sot e kësaj dite besimtarët myslimanë e kujtojnë ndodhinë e Kerbelasë, Imam Husejnin dhe familjen e tij në çdo vit.
Zonja e madhe Zejneb u martua me Abdullah ibn Xhaferr. Ai ishte njeri fisnik dhe shumë bujar. Nga martesa e tyre e bekuar lindën fëmijët: Muhamed, Ali, Aunul Akbar, Abas dhe Ummu Kulthum. Aunul Akbar dhe Muhamed ranë dëshmorë në Kerbela.
Zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) ishte zëri i imam Husejnit, gjaku i tij, vetja e tij, të shikuarit e tij, të dëgjuarit e tij, zemra e tij dhe shpirti i tij (i imam Husejnit). Ajo ka ndërruar jetë më 15 Rexheb të vitit 62 të Hixhrit. Zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) është e njohur te myslimanët. Hulumtuesit kanë mendime të ndryshme rreth vendit të vdekjes së zonjës Zejneb dhe vendvarrimit të saj. Disa transmetime tregojnë se Abdullah ibn Xhaferr u largua nga Medina së bashku me zonjën Zejneb dhe shkuan në një fshat që ishte pronë e tij. Ai fshat ndodhej pranë Damaskut dhe quhej Rauijeh. Zonja Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) vdiq në këtë fshat dhe u varros në vendvarrimin e njohur me emrin e saj.
Disa hulumtues të tjerë kanë thënë se emevitët e dëbuan zonjën Zejneb nga Medina te një prej fshatrave të Shamit. Ajo vdiq aty dhe u varros në atë vend ku gjendet edhe mezari i saj në Damask. Thuhet se emevitët duke parë se zonja Zejneb përbënte rrezik për pushtetin e tyre, ata e helmuan atë. Pranë vendvarrimit të saj gjenden edhe shkollat fetare të medh’hebit Xhaferrij. Gjithashtu, ka transmetim se vendvarimi i saj është në Egjipt.
Imam Ali Khamenei thotë:
Po të bëjmë një krahasim përmbledhës mes zonjës së madhe Zejneb dhe gruas së Faraonit mund të na sqarohet madhështia e pozitës së zonjës Zejneb (Paqja qoftë mbi të!). Kur gruaja e Faraonit ishte nën trysninë e torturave faraonite tha: “O Zoti im! Më ndërto mua te Ti një vendbanim në Xhenet dhe më shpëto prej Faraonit dhe veprës së tij.” (Sure “Tahrim”, ajeti 11). Në realitet ajo kërkoi vdekjen. Ndërsa zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) i shihte me sytë e saj të gjithë të dashurit e saj në Ditën e Ashura-së duke shkuar në thertore dhe martirizoheshin. Ajo e pa sulmin e armiqve dhe nëpërkëmbjen e shenjtërisë së familjes së Profetit. Përballë këtyre fatkeqësive zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) nuk tha: “O Zot më ndihmo!” Por ajo tha: “O Zot! Pranoje prej nesh këtë kurban.”
Zonja Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) është e dyta prej grave të larta e të pastra të Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). E gjithë jeta e saj është e mbushur me mësime e hulumtime. Ajo është prej grave të pavdekshme në historinë islame. Ajo nderohet dhe respektohet nga myslimanët. Jeta e saj është e shkruar me germa drite që ndriçojnë në çdo kohë dhe në çdo vend.
1- Autoriteti i lartë (Merxha), Shejkh Muhamed El Ja’kubij thotë:
Në Sheriat nuk lejohet që të veprohen vepra të palogjikshme apo që dëmtojnë veten, apo sjellin përçmim për fenë dhe për shkollën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Imam Husejni u ngrit për të bërë reformim në ymetin e gjyshit të tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për të urdhëruar në të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja. Ai që dëshiron të realizojë synimet e tij të bekuara ta ndjekë atë (imam Husejnin) me sinqeritet e vërtetësi. Përsa i përket goditjes së kokës me shpatë (tatbijr) apo goditjes së kurrizit me mjete të mprehta, apo të ecurit mbi prush, e të tjera si këto, ne i kemi udhëzuar ndjekësit tanë dhe ata që zbatojnë opinionin tonë që t’i braktisin këto dhe të veprojnë për të trupëzuar parimet dhe vlerat për të cilat u ngrit imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!). Duhet që ata ta rikujtonë kryengritjen Husejniane bazuar në kulturë e qytetërim.
2- Shejkh Behxhet (Allahu e mëshiroftë!) thotë:
Nuk lejohet asnjë punë e vepër që çon në fyerjen e të shenjtave.
3- Muhamed Xhevad Mugnijeh, në librin “Texharib” thotë:
Ajo që veprojnë disa shi’itë në Liban, në Irak dhe në Iran, që është veshja e qefineve dhe godittja e kokës me shpata në ditën e dhjetë të muajit Muhamrrem, është një zakon diskriminues dhe bidat në fe dhe medh’heb. Këtë e shpikën të paditurit pa marrë lejen e asnjë imami apo dijetari të madh. Kjo është njësoj si te çdo fe dhe medh’heb në të cilët gjenden zakone që nuk i miraton doktrina që ata pasojnë. Nuk pranohen ato tradita dhe zakone që sjellin fyerje dhe dëmtim.
4- Udhëheqësi i medh’hebetit, Ebul Kasim El Khuij (Allahu ia shenjtëroftë të fshehtat!), në librin “El Mesailu Esh Sher’ijeh”, vëllimi 2, faqe 337, botim i Daru Zahra, Bejrut thotë:
Nuk ka ardhur tekst për lejimin e tij (tatbijri-it) dhe as nuk ka rrugë për pëlqyeshmërinë e tij. Përderisa ai sjell dëm dhe çon në fyerje, në përçmim dhe përbuzje, nuk lejohet.
5- Sejid Kadhim El Haiirij (Ju shtoftë qëndrimi!), në librin “El Fetaua El Muntakhabeh”, vëllimi 1, faqe 27, thotë:
Prania e disa legjendave në ceremoninë e përkujtimit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) është një diskriminim dhe njollë për Islamin dhe Shi’izmin e vëçanërisht legjenda e goditjes së vetes në këto ditë, të cilën po e përdorin mjetet e informacionit të të pafeve në mbarë botën si një tallje për Islamin dhe Shi’izmin. Për këtë veprimi i kësaj legjende në emër të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) është prej mëkateve të mëdhaja.
6- Imam Sejjid Ali Khamenei në librin “Exhuibetul Istiftaati”, vëllimi 2, faqe 129, thotë:
Goditja e vetes me shpatë apo me mjete të tjera nuk është prej dukurive të njohura të hidhërimit e të ngushëllimit. Ajo nuk njihet as në kohën e imamëve (Paqja qoftë mbi ta!) e as në kohën pas tyre. Atë nuk e kanë miratuar të pamëkatëshmit (imamët), qoftë në formë të veçantë apo në formë të përgjithshme. Në këto kohë kjo vepër është fyerje dhe diskriminim për medh’hebin dhe nuk lejohet të veprohet.
7- Sejjid Ebu Hasan El Asfanij, librin “Hakadha Areftuhum”, i Xha’ferr El Khalijli ka thënë: Përdorimi i shpatave, i zinxhirëve, i daulleve, i borive, e të tjera të ngjashme me to, në karvanet e vajtimit në ditën e Ashura-së në emër të hidhërimit për Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) janë të ndaluara (Haram) dhe jo të ligjëshme në Sheriat.
8- Sejjid Muhsin El Hakijm ka thënë:
Pa dyshim që ushtrimi i goditjes së vetes (tatbijri) nuk është vetëm ushtrim... Kjo vepër nuk është prej fesë dhe as prej çështjeve të pëlqyeshme. Ajo është një vepër dëmtuese për myslimanët dhe për kuptimin e Islamit origjinal dhe për kuptimin e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!). Kur kam verifikuar tekstet dhe fetvat nuk kam parë asnjë dijetar që të thotë se kjo vepër është e pëlqyeshme dhe me të mund të afrohesh te Allahu i Madhëruar. Çështja e goditjes së vetes (tatbijri) është gusetun (gjithçka që të zë frymën) në grykët tona.
9- Imam Khomeini në librin “Istiftaat Imamul Umeh”, faqe 380, ka thënë: Mos e zbatoni goditjen e vetes (mos e zbatoni tatbijrin) sepse ajo është një çshtje e cila nuk përmban mirësi.
10- Sejjid Muhsin El Emijn, në librin “Kitabul Mexhalis Es Sunijeh”, botimi 3, faqe 70, thotë: Ajo që veprojnë disa njerëz duke plagosur vetat e tyre me shpata apo duke goditur trupin që çon në keqbërjen e tij, është prej mashtrimeve të shejtanit dhe prej punëve të këqija që ai (shejtani) i zbukuron.
11- Shehijd Murteda Muahharij në librin “El Xhedhbu ue Ed Def’u fi Shekhsijetil imami Ali (a.s)”, faqe 165, thotë: Goditja e vetes (tatbijri) dhe daullja janë zakone dhe ceremoni që kanë ardhur tek ne nga ortodoksët e Kaukazit dhe kanë depërtuar në shoqërinë tonë si zjarri në barishten e tharë.
Paqja qoftë mbi imam Husejnin! Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i imam Husejnit! Paqja qoftë mbi heroinën e Kerbelasë, hazreti Zejneb! Paqja qoftë mbi heroin e Kerbelasë Ebul Fad Abbas! Paqja qoftë mbi fëmijët e imam Husejnit! Paqja qoftë mbi përkrahësit e imam Husejnit! Paqja qoftë mbi të gjithë ata që e pasojnë me devotshmëri rrugën e imam Husejnit! Allahu i mëshiroftë ato sy që vajtojnë për imam Husejnin! Allahu i forcoftë ato zemra që mbartin dashurinë për imam Husejnin! Allahu i ndriçoftë ato mendje që e njohin ashtu siç duhet imam Husejnin! O Allah i Plotfuqishëm! Na mundëso të jemi në rrugën e imam Husejnit, e cila është rruga e gjyshit të tij, Profetit Muhamed, dhe na bashko me ta në Ditën e Kijametit! O Zot i Plotfuqishëm, për hir të kësaj dite madhështore, na i forco zemrat dhe gjymtyrët në Rrugën Tënde dhe në rrugën e të zgjedhurve të Tu në këtë jetë dhe na bashko me ata në Jetën Tjetër! |