Transmetimi i hadithit përmes rrugës së baballarëve
Imamët e Ehli Bejtit, pra, Aliu dhe njëmbëdhjetë imamët pas tij, transmetonin hadithet e tyre nga Profeti më fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) drejtpërsëdrejti ose tërthorazi. Pra, të gjitha ato hadithe që ia mësoi i Dërguari i Allahut Ali ibn Ebu Talibit, imam Aliu ia mësoi imam Hasanit. Ky ia mësoi imam Hysejnit. Këtë metodë kanë ndjekur të gjithë imamët njëri pas tjetrit. Çdo imam transmetonte hadithet prej babai të tij, derisa zinxhiri i transmetimit mbërrinte tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Imamët e Ehli Bejtit e kanë deklaruar qartë këtë.
Për shembull:
Është transmetuar nga Ebu Xhafer (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë:
“O Xhabir! Vërtet, sikur ne t‟ju flisnim juve sipas mendimit tonë, do të ishim të shkatërruar. Por, ne ju flasim juve me hadithe që i kemi ruajtur nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ashtu siç ruajnë njerëzit arin dhe argjendin e tyre.” (Xhamiul Ehadijthush Shijah, 1: 14.)
Transmetohet nga Daud ibn Ebu Jezijd El Ahuel, nga Ebu Abdullahu (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:
“E kam dëgjuar atë të thotë: „Nëse i japim fetva njerëzve me mendimin dhe prirjen tonë, do të shkatërroheshim, por ato janë trashëgimi e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ato janë zanafilla e diturisë, të cilën ne e trashëgojmë në mënyrë zinxhirore, pa u shkëputur asnjë hallkë e saj, nga më i madhi tek pasuesit e tjerë të mëdhenj. E depozitojmë atë, ashtu siç e depozitojnë njerëzit arin dhe argjendin e tyre.‟
(Xhamiul Ehadijthush Shijah, 1: 14)
Është transmetuar nga Hisham ibn Salim, Hamad ibn Othman, e të tjerë, të cilët kanë thënë:
“Kemi dëgjuar Ebu Abdullahun të thotë: „Hadithi im është hadithi i babait tim dhe hadithi i babait tim është hadithi i gjyshit tim. Hadithi i gjyshit tim është hadithi i Hysejnit. Hadithi i Hysejnit është hadithi i Hasanit. Hadithi i Hasanit është hadithi i Prijësit të besimtarëve dhe hadithi i Prijësit të besimtarëve është hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Hadithi i të Dërguarit të Allahut është thënia e Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar.‟ (Xhamiul Ehadijthush Shijah, 1: 12)
Është transmetuar nga Xhabiri, i cili ka thënë:
“I thashë Ebu Xhaferit (Paqja qoftë mbi të!):
„Nëse më thua mua një hadith, a t‟ia dedikoj zinxhirin e transmetimit vetes sime?‟
Tha: „Më ka folur mua babai im, nga gjyshi im, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nga Xhebraili (Paqja qoftë mbi të!), nga Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar. Gjithçka që të bisedoj ty, është me këtë zinxhir transmetimi.‟
Pastaj tha: „O Xhabir! Vërtet,një hadith i vetëm që merr nga një besnik, është më i mirë se kjo botë dhe çfarë ka në të.‟ (Ibid)