Shkrimi i dijeve nga Aliu

(Paqja qoftë mbi të!) 

 

Ali ibn Ebu Talibi ka qenë i pagabueshëm dhe nuk harronte. Për ngulitjen në kujtesë të haditheve, nuk kishte nevojë që t‟i shkruante ato. Ai ka qenë i ngarkuar nga ana e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të shkruante gjithçka që dëgjonte prej tij në një libër të veçantë, në mënyrë që të qëndronte për të tjerët pas tij.

 

Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: „O Ali! Shkruaj çfarë të diktoj ty.‟

I thashë: „O i Dërguari i Allahut! A ke frikë nga harresa ime?‟

Tha: „Jo. Unë i jam lutur Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar që të të bëjë ty kujtues, por shkruaj për pjesëtarët e tu,imamët prej bijve të tu.‟ (Jenabijul Mevede, 22.)

 

Gjithashtu, Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!), me urdhër nga i Dërguari i Allahut i ka shkruar dijet në një libër të veçantë. Këto janë të njëjtët libra që u mbërritën të gjithë imamëve. Ata transmetonin prej tyre dhe nganjëherë i përmendnin ato me thëniet e tyre: Në librin e Aliut, në Sahijfen, në El Xhamiah.

 

Për shembull:

 

Transmetohet nga Muhamed ibn El Hakem, nga Ebu Hasani (Aliu) (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:

“Vërtet, janë shkatërruar ata që kanë qenë përpara jush me analogjinë (kijas). Vërtet, Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar nuk ia ka marrë shpirtin Profetit të Tij derisa e plotësoi për të gjithë fenë e Tij, me të lejuarën e të ndaluarën e saj. Në jetën e tij ju solli gjithçka që ju nevojitet dhe të kërkoni ndihmë tek ai dhe tek Ehli Bejti i tij pas vdekjes së tij. Vërtet, ai është një Mus‟haf tek Ehli Bejti i tij.” (Basairud Derexhat, 147)

 

Adhafijr Es Sajferij ka thënë:

“Isha me El Hakem ibn Ujejne tek Ebu Xhaferi (Paqja qoftë mbi të!) dhe filloi ta pyeste. Ebu Xhaferi e nderonte dhe e respektonte atë. Ata nuk u morën vesh për diçka dhe Ebu Xhaferi i tha: „O biri im, ngrihu dhe nxirre librin madhështor.‟ E hapi atë dhe filloi të shikonte, derisa e gjeti çështjen. Ebu Xhaferi i tha: „Ky është dorëshkrimi i Aliut, të cilin ia diktoi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!).‟ Pastaj u kthye nga Hakemi dhe i tha: „O babai i Muhamedit! Ti, Selemeh dhe Ebu Mikdam shkoni nga të doni, majtas e djathtas.

Pasha Allahun, nuk do të gjeni dituri më të vërtetë sesa ajo që ndodhte tek ata njerëz që u ka zbritur Xhebraili.‟ 

(Xhamiul Ehadijth Esh Shijah, 1: 9.)

 

E pyeti Zurarah Ebu Abdullahun (Paqja qoftë mbi të), për faljen mbi lëkurën e dhelprave, të lepujve, të ketrave dhe prej pushit të dendur të kafshëve të ndryshme. Ndërkohë, nxori një libër dhe pretendoi se është diktimi të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe tha:

“Vërtet, namazi mbi lëkurën e çdo gjëje që është e ndaluar të hahet, namazi në pushin e tij, në qimet e tij, në lëkurën e tij, në urinën e tij, në pisllëkun e tij dhe në çdo gjë që është e fëlliqur prej tij, është i pasaktë dhe ky namaz nuk i pranohet.”

(Ibid)

 

Biker ibn Kerb Es Sajrefij ka thënë:

“Kam dëgjuar Eba Abdullahun (Paqja qoftë mbi të!) të thotë: „Vërtet, ajo që kemi ne është mospasja nevojë për njerëzit. Ata kanë nevojë për ne. Vërtet, tek ne ekziston një libër me diktimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e me dorëshkrimin e Aliut. Një Sahijfe, ku në të ka të gjithë të lejuarën e të gjithë të ndaluarën.‟ (Ibid)

 

Hadithe të tilla janë të shumta në librat e shiitëve. Siç e vutë re, është e mundur që prej haditheve të përmendura, të arrijmë në përfundimin se Ehli Bejti dhe pasardhësit e Profetit kanë pasur libra dhe Sahifet e diktuara prej të Dërguarit të Allahut dhe me dorëshkrimin e Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Të gjitha nevojat për dijet dhe fenë kanë qenë të shkruara tek  këto libra.

Ehli Bejti përfitonte prej tyre dhe kanë argumentuar me to në raste të domosdoshme. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Imamët (Paqja qoftë mbi ta!) tregonin një kujdes të veçantë e të plotë në përgatitjen dhe në ruajtjen e këtyre librave, me ngarkim hyjnor dhe me një plan të parapërgatitur. Me këtë ata realizonin dy qëllime të mëdha:

 

Qëllimi i parë:

 

Ruajtja e diturive fetare dhe mbajtja e tyre larg ndodhive, në mënyrë që të qëndronin përherë të ruajtura për myslimanët tek imamët e Ehli Bejtit (Paqja  qoftë mbi ta!) në formën e librave të shkruar dhe me cilësinë e tyre si burimi islam më i rëndësishëm. Këtë burim islam e diktoi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe e shkroi Aliu (Paqja qoftë mbi të!), që ata t‟i përmbaheshin atij në rast nevoje.

 

Qëllimi i dytë:

 

Drejtimi i syve të myslimanëve drejt Ehli Bejtit, të cilët janë udhëheqësit më të mirë fetarë e ruajtës të dijeve profetike është sepse ata kanë libra gjithpërfshirës e të rëndësishëm që nuk janë tek të tjerët. Në këtë mënyrë, myslimanët duhet të mësojnë prej tyre dispozitat e Sheriatit, ligjet e tij, dituritë e fesë dhe njohuritë e saj; të përfitojnë nga  dijet e tyre, duke qenë se ato janë të besueshme dhe nuk ka dyshim në to. Me anë të kësaj metode, i Dërguari fisnik përgatiti rrugën për përforcimin e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe të qënit e tyre pikë referimi.