Burimi shkencor tek Ehli Bejti
(Paqja qoftë mbi ta!)
Roli i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka qenë i kufizuar vetëm me udhëheqjen e myslimanëve dhe me drejtimin e tyre në çështjet politike e shoqërore, por ai ka patur edhe rol referues shkencor, ideologjik e kulturor. Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbulonte të gjitha nevojat ideologjike, juridike e morale të myslimanëve. Ai ka qenë këshilluesi i myslimanëve në të gjitha çështjet shkencore me të cilat përballeshin. Tek Profeti myslimanët gjenin përgjigje, duke u bazuar në tekstin e shpallur, Kur‟anin, që ua lexonte dhe ua mësonte atyre, ose në hadithet që ua transmetonte. Çdo gjë që ai thoshte ishte shpallje e shpallur, siç ka ardhur në Kur‟anin fisnik:
"Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e Zotit, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (melek) shumë i fuqishëm (Xhebraili)." (“En Nexhm”, 3-5.)
I Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e dinte se nevoja shkencore e myslimanëve ishte një nevojë e përhershme dhe e pandërprerë. Ai e dinte mirë se myslimanët do të kishin nevojë pas tij për udhëzues të besueshëm.
Filizat e rinj të Islamit, pa një përfaqësues të ditur e të besueshëm, nuk do të ishin të qëndrueshëm e as nuk do të kishin mundësinë e shtrirjes së rrënjëve të tyre në të gjitha anët e botës. Për këtë çështje, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), zgjodhi Ehli Bejtin e tij dhe i paraqiti të pastër tek myslimanët me cilësinë e tyre si këshillues shkencorë të ditur e të besueshëm. Ky burim do të qëndrojë përderisa qëndron Libri i Zotit, Kur'ani i shenjtë, në mënyrë që të përmbushen nevojat e myslimanëve.
I Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e përforcoi këtë çështje me këshillimin dhe porositjen e myslimanëve disa herë, siç është vërtetuar në librat e Shiitëve dhe të Ehli Synetit. Ndër më të rëndësishmit e atyre haditheve, është hadithi i njohur si hadithi i "dy të rëndësishmeve" (hadithu thekalejn). Ky hadith është i transmetuar në mënyrë të pashkëputur (teuatur) tek myslimanët. Ai është transmetuar me shumë fraza dhe me metoda të ndryshme. Më poshtë po citojmë disa prej tyre:
Transmeton Myslimi në Sahihun e tij nga Zejd ibn Erkam i cili ka thënë:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), një ditë prej ditësh, mbajti një ligjeratë për ne në një vend që quhet Khum, ndërmjet Mekës dhe Medines. Ai falënderoi Allahun, e lavdëroi Atë, këshilloi e porositi njerëzit dhe pastaj tha:
“E pas kësaj... O ju njerëz! Vërtet, edhe unë jam njeri. Dalëngadalë po më afrohet koha që të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes), e unë do t'i përgjigjem. Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme: I pari i tyre është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim e dritë, kështu që merreni Librin e Allahut dhe kapuni fort pas tij.” Pastaj tha: “Dhe Ehli Bejtin tim! Ju kujtoftë Allahu në Ehli Bejtin tim, ju përmendtë Allahu në Ehli Bejtin tim, ju përmendtë Allahu në Ehli Bejtin tim.”
(Sahijh Myslim, 4: 1873)
Po ashtu, El Hakim En Nijsaburij transmeton nga Zejd Bin Erkam thënien e tij:
Në momentin që u kthye i Dërguari i Allahut prej Haxhit të Lamtumirës dhe mbërriti në Gadijr Khum, urdhëroi të ngrihet një çadër e madhe dhe ne e bëmë. Pastaj tha: “Sikur po më vjen thirrja për largimin nga kjo jetë dhe më duhet t'i përgjigjem. Vërtet, unë ju kam lënë juve dy gjëra të rëndësishme. Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Libri i Allahut të Lartësuar dhe gjeneza ime. Kështu që të jeni të vëmendshëm se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja. Vërtet, të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).” Pastaj tha: “Vërtet, Allahu i Lartësuar dhe i Lavdishëm është Udhëheqësi im dhe unë jam udhëheqësi i çdo besimtari.” Më pas kapi dorën e Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe tha: “Për atë, që kam qenë udhëheqësi i tij, atëherë ky, Aliu, është udhëheqësi i tij. O Allah! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik me atë që është armik i tij.” (El Mustedrek alas Sahijhejn, 3:109)
Ahmed Bin Jahja El Beladhirij na ka transmetuar nga Zejd ibn Erkam thënien e tij:
Ishim me Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Haxhin e Lamtumirës. Kur ndodheshim në Gadijr Khum, urdhëroi të ngrihet një çadër e madhe dhe ashtu bëmë. Pastaj u ngrit e tha: “Sikur po më vjen thirrja për largimin nga kjo jetë dhe më duhet t'i përgjigjem. Vërtet, Allahu i Lartësuar dhe i Lavdishëm është Udhëheqësi im dhe unë jam udhëheqësi i çdo besimtari. Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme, e nëse kapeni fort me to, nuk do të humbisni: Librin e Allahut dhe gjenezën (familjen) time.
Vërtet, ato të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud.” Pastaj, mori dorën e Aliut dhe tha: “Për atë, për të cilin kam qenë udhëheqësi i tij, atëherë ky, Aliu, është udhëheqësi i tij. O Allah! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik me atë që është armik i tij.”
Ebu Tufejl ka thënë:
I thashë Zejdit: "Ti e ke dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)? Nuk ka mbetur askush në çadër, që nuk e ka parë me sytë e tij dhe që nuk e ka dëgjuar me veshët e tij këtë."
(Ensabul Eshraf, 2: 110.)
Transmeton Ibn Ethijr nga Zejd ibn Erkam thënien e tij:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, unë po ju lë juve ato, që nëse kapeni fort me to, nuk keni për të humbur. Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Librin e Allahut - litari i zgjatur nga qielli në tokë dhe gjenezën time - Ehli Bejtin tim. Vërtet, ato të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther). Prandaj, hapni sytë se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja.” (Usdul Gabe, 2: 12)
Ali ibn Ebu Bekër El Hejthemij transmeton nga Zejd ibn Thabit thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:
“Vërtet, unë po ju lë juve dy pasues: Librin e Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar, litari që shtrihet ndërmjet qiellit dhe tokës dhe rrethin tim të ngushtë, Ehli Bejtin tim. Vërtet, këto të dyja nuk ndahen, deri sa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).” (Mexhmauz Zeuaid, 9: 162)
Gjithashtu, El Hejthemij e transmeton këtë kuptim me fraza të tjera nga Ebu Hurejra, nga Ali ibn Ebu Talib, nga Ebu Said ElKhuderij, nga Zejd ibn Erkam dhe nga Hudhejfe ibn Usejd El Gaffarij. Ahmed ibn Ali El Khatijb El Bagdadij nga Hudhejfe ibn Usejd transmeton thënien e tij:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O njerëz, vërtet unë do shkëputem prej jush. Ju do të ktheheni tek unë tek Haudi. Unë do t‟ju pyes juve, ndërkohë që do të vini tek unë për dy gjërat e rëndësishme, kështu që të jeni të vëmendshëm se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja. E rënda më e madhe është Libri i Allahut. Një anë e tij është në dorën e Allahut, ana tjetër është në dorën tuaj. Kështu që kapuni fort me të dhe mos humbisni e mos ndryshoni.” (Tarijkhul Bagdad, 8: 442)
Transmeton Imam Ahmed ibn Hanbeli nga Ebu Saidi thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:
“Vërtet, unë ju lashë juve atë, të cilën, nëse kapeni pas saj, nuk keni për të humbur pas meje: Dy gjëra të rëndësishme.Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Librin e Allahut, litari i zgjatur prej qiellit e deri në Tokë dhe (gjenezën) rrethin tim të ngushtë, Ehli Bejtin tim. Vërtet, këto të dyja nuk ndahen, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).”
(Musned Ahmed, 3: 59.)
Në përgjithësi themi se hadithi i dy gjërave të rëndësishme (hadithi thekalejn) është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me fraza të shumta e me mënyra të ndryshme nëpërmjet një numri sahabësh të mëdhenj si:
Zejd ibn Erkam,
Ebu Dherr El Gaffarij,
Ebu Said El Khuderij,
Ali ibn Ebu Talib,
Zejd ibn Thabit,
Hudhejfe ibn El Jemani,
Ibn Abbas, Selman El Farisij,
Ebu Hurejra, Xhabir ibn Abdullah,
Hudhejfe ibn Usejd El Gaffarij,
Xhebijr ibn Mut‟im,
El Hasan ibn Ali,
Fatime Zahra,
Ummu Hani bint Ebi Talib,
Ummu Seleme,
Ebu Rafi‟ Meula (shërbyesi i të Dërguarit të Allahut) etj.
Është një hadith i njohur, në të cilin thuhet se Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebu Talib (Paqja qoftë mbi të!) e falënderoi Allahun, e lavdëroi Atë e më pas tha:
“I përgjërohem duke iu betuar në Allahun, të ngrihet në këmbë ai që ka qenë dëshmitar ditën e Gadijr Khumit.” Kushdo që çohej, thoshte: “E vërtetoj.” ose “Jam lajmëruar.”- “ Të çohet e të thotë se e ka dëgjuar me veshët e tij dhe e ka përvetësuar me zemrën e tij.” Pastaj u ngritën shtatëmbëdhjetë burra. Prej tyre: Khazijme ibn Thabit, Sehl ibn Sa‟ad, Udej ibn Hatim, Ukbe ibn Amir, Ebu Ejjub El Ensarij, Ebu Saijd El Khuderij, Ebu Sherijkh El Khuzaij, Ebu Kudame El Ensarij, Ebu Ja‟la El Ensarij dhe Ebu Hejthem ibn Et Tejhan." (Jenabijul Meuedeh, 41)
Ahmed ibn Haxher El Hejthemij përmend se janë më shumë se njëzet sahabë (shokë) prej sahabëve të Dërguarit të Allahut, të cilët e kanë transmetuar hadithin e dy gjërave të rëndësishme (hadijthu thekalejn). (Es Savaik El Muhrika, 150.)
Es Sejid Hashim El Bahranij ka transmetuar në librin e tij Gajetul Meram tridhjetë e nëntë transmetime prej librave të Ehli Synetit dhe tetëdhjetë e dy transmetime prej librave të Shiitëve rreth hadithit të dy gjërave të rëndësishme. (Gajetul Meram, 211-234)
Pra, hadithi Thekalejn gjendet te burimet e Shiitëve dhe në librat e Ehli Synetit. Prej tyre përmendim:
Sahijh Myslim, vëll. 4, f. 1874.
Musned Imam Ahmed, vëll. 3, f. 17, 26, 59 dhe vëll. 4, f. 366, 371, dhe vëll.. 5, f. 181 dhe 189.
Mustedrek El Hakim, vëll. 3, f. 109, 110, 126 dhe 148.
Usdul Gabe, vëll. 2, f. 12.
Mexhmau Zeuaid, vëll. 9, f. 162.
Tarijkh Bagdad, vëll. 8, f. 442.
Es Sijretu Nebeuije,
Ebu El Fida, vëll. 4, f. 416.
Ensabul Eshraf, vëll. 2, f. 110.
Tefsijrul Kebijr, vëll. 8, f. 163.
El Fusul el Muhime,
Ibn Sabbag, f. 22.
Menakibul Khavarizmij, f. 93.
Jenabijul Meuede, f. 31, 32, 33, 34, 35, 39, 40, 42, 44, 45.
Is‟afu Ragibijn, botuar në referencën e Nurul Ebsar, f. 110.
Tedhkiretul Khauas, f. 322.
Dhekhairul Ukba, f. 16.
Nudhum Dururu Simtejn, f. 231-233.
Es Sijretul Halebije, vëll. 3, f. 308.
Muntekhab Kenzul Ummal, botuar në referencën e Musnedit të Ahmedit, vëll. 1, f. 96, 101, vëll. 2, f. 390 dhe vëll. 5, f. 95. Nesijmu Rijad, vëll. 3, f.410.
Sherhu Shifa, botuar në referencën e Nesijmu Rijad, vëll. 3, f. 410, etj.
Me këtë që u tha më lart, mund të nxjerrim tre tematika shumë të rëndësishme:
Tematika e parë:
Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) është këshillues shkencor e fetar si Kur‟ani. Ai njihet sepse është burimi shkencor bazë dhe argumenti legjitim që duhet ndjekur. Thëniet dhe veprat e tyre janë të sakta dhe në to nuk ka as dyshim e as mëdyshje. Kushdo që i ndjek thëniet dhe veprat e tyre nuk humbet kurrë.
Tematika e dytë:
Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) do të qëndrojë përherë, ashtu siç do të qëndrojë Kur‟ani në mesin e njerëzve deri në Ditën e Ringjalljes.
Tematika tretë:
Kur‟ani dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) nuk ndahen dhe nuk shkëputen kurrë prej njëri-tjetrit. Nuk është e mundur për asnjë mysliman ta anashkalojë Ehli Bejtin e të thotë: “Na mjafton Libri i Allahut!” Gjithashtu, asnjë mysliman nuk mund të thotë se prania e Ehli Bejtit na mjafton dhe se nuk kemi nevojë për Kur‟anin.
Ahmed ibn Haxher El Hejthemij thotë:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e quajti Kur‟anin dhe Itren (familjen dhe të afërmit) dy gjëra të rëndësishme, sepse fjala "el thakl" përdoret për diçka me shumë vlerë, e cila ruhet dhe mbrohet shumë mirë. Vërtet, Kur‟ani dhe itretu janë të tilla (shumë të çmuara), sepse që të dyja janë minierë dijesh, sekretesh, urtësish dhe rregullash të Sheriatit. Ky është shkaku, për të cilin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i nxit njerëzit në ndjekjen dhe kapjen fort me këto të dyja. (Es Savaik El Muhrika, 151)
Atëherë, është detyra jonë që të shohim se kush janë Ehli Bejti dhe gjeneza “el itretu”? Vërtet, termi Ehlul Bejt përdoret për personat që banojnë në një shtëpi të përbashkët dhe që janë nën kujdesin e kryetarit të familjes. A mund të themi për Ehli Bejtin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka kuptimin e personave që banojnë në shtëpinë e tij dhe që janë nën kujdesin e tij? Duke parë domosdoshmërinë e përshtatjes mes dispozitës e tematikës, një supozim i tillë është i largët, sepse përmendja e Ehli Bejtit në këto hadithe ka ardhur me cilësinë e tij si burim shkencor e fetar, që nuk mund të krahasohet. Në ndjekjen e tyre nuk ka as gabim e as humbje.
Për këtë, para së gjithave, ata duhet të jenë njohës të dispozitave ligjore të fesë dhe së dyti, të kenë imunitet e ruatje kundrejt gabimit dhe gjynahit. Ky imunitet dhe kjo ruajtje nuk gjendej tek të gjithë anëtarët e familjes së Profetit. Prandaj, është e domosdoshme se qëllimi me Ehli Bejtin është për individë të veçantë e të përcaktuar.
Për këtë shkak, në fund të hadithit të dy të çmuarave të përmendur nga Zejd Bin Erkam, thuhet:
U pyet Zejd ibn Erkam: “Kush janë Ehli Bejti? A synohet me të gratë e Profetit?” Zejdi u përgjigj duke thënë: “Jo, pasha Allahun. Sepse bashkëshortja mund të jetojë me burrin një periudhë kohe e pas saj divorcohet prej tij dhe kthehet tek shtëpia e babait të saj dhe e të afërmve të saj. E si mund të jenë prej Ehli Bejtit? Përkundrazi, Ehli Bejti i Profetit janë fëmijët e tij, të cilëve u është ndaluar lëmosha (sadakaja).” (Sahijhu Myslim, 4: 1874)
Në lidhje me këtë, Ahmed ibn Haxher, gjithashtu, shkruan:
“Vërtet, ata për të cilët ka ardhur porosia për ndjekjen e tyre, duhet të jenë të ditur për Librin e Allahut dhe për synetin e Profetit të Tij, sepse persona të tillë nuk ndahen prej Librit të Allahut. Për këtë, ata kanë përparësi mbi të gjithë dijetarët, sepse Allahu i Lartësuar i pastroi ata nga ndytësitë e gjynaheve.”
(Es Savaik El Muhrika, 151.)
Për këtë arsye, në përmbajtjen (hashijetin) e disa prej haditheve të dy të çmuarave (thekalejn) ka ardhur:
“Mos i paraprini këtyre të dyjave se do të shkatërroheni. Mos i neglizhoni këto të dyja, se do të shkatërroheni. As mos i mësoni ata (Ehli Bejtin), sepse ata janë më të ditur se ju.” (El Mustedrek, 3: 146)
Gjithashtu, edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka paraqitur të pastër Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!).
Prej shembujve të kësaj:
Transmetohet nga Umu Selemeh, e cila ka thënë:
“Në shtëpinë time zbriti: „O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë…‟
Pastaj tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin e tha: „Këta janë Ehli Bejti im.‟
(El Mustedrek, 3: 146)
Është transmetuar nga Umer ibn Ebu Selma, Rebijbun Nebij, i cili ka thënë:
Ky ajet “O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t‟ju pastrojë plotësisht.” i ka zbritur Profetit në shtëpinë e Umu Selemes. Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin dhe i mbështolli ata me mbulesë dhe Aliu ishte pas kurrizit të tij. Pastaj tha: “Këta janë Ehli Bejti im. Largoje prej tyre papastërtinë dhe pastroji ata plotësisht.” Umu Seleme tha: “Po unë, a jam me ta, o i Dërguari i Allahut?” Profeti i tha: “Ti je në vendin tënd, je në mirësi.”
(Usdul Gabe, 12)
Amir ibn Sa‟ad transmeton nga babai i tij, i cili ka thënë:
“Kur zbriti ky ajet: „…Ejani t‟i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë…‟, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin (Paqja e Allahu qoftë mbi ta!) dhe tha: „O Allah! Këta janë Ehli Bejti im.‟
(El Mustedrek, 3: 150)
Është transetuar nga Aishja, e cila ka thënë:
“Doli Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) një ditë në mëngjes dhe kishte veshur një kapotë me fije të zeza. Ndërkohë, erdhi Hasani, biri i Aliut dhe e futi atë brenda, pastaj erdhi Hysejni dhe e futi bashkë me të, pastaj erdhi Fatimeja dhe e futi atë, pastaj erdhi Aliu dhe e futi edhe atë. Pastaj tha: „O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t‟ju pastrojë plotësisht.‟ (Sahijhu Myslim, 4: 1883.)
Nga këto hadithe, arrijmë në përfundimin se Ehli Bejti janë individë të caktuar: Ali ibn Ebu Talib, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni (Paqja qoftë mbi ta!), të cilët i përcaktoi i Dërguari fisnik me këtë emërtim. Këta individë janë përmendur për rolin e tyre me disa individë të tjerë, si besnikë të Ehli Bejtit, me cilësinë e tyre imamë të myslimanëve dhe udhëzues. Këta janë përmen-dur në librat e haditheve tek shiitët. Në shtesë të kësaj, vetë i Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka sqaruar në jetën e tij numrin e tyre, disa tipare dalluese të tyre, madje edhe emrat e tyre, siç përmenden në librat e haditheve tek shiitët.
Për shembull:
Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ju bëj thirrje me emrin e Allahut! A e dini se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbajti një ligjeratë dhe nuk mbajti më tjetër pas kësaj, e në të cilën ka thënë:
„O njerëz! Vërtet, unë po ju lë juve Librin e Allahut dhe gjenezën time, Ehli Bejtin tim. Kështu që kapuni fort me këto të dyja e nuk do të humbisni asnjëherë, sepse i Buti, i Mirinformuari më lajmëroi mua dhe më premtoi se ato të dyja nuk do të ndahen, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).‟
Ndërkohë, u ngrit Umer ibn Khattab, i cili dukej i zemëruar e nervoz, e tha:
„O i Dërguari i Allahut! Të tërë janë Ehli Bejti yt?‟
Tha: „Jo, por këshilltarët e mi prej tyre, ministri im dhe zëvendësi im tek ymeti im, udhëheqësi i çdo besimtari pas meje, ai është i pari i tyre. Pastaj nipi im Hasani, pastaj nipi im Hysejni, pastaj nëntë prej djemve të Hysejnit, një pas një, derisa të kthehen tek unë në haud. Ata janë dëshmorët e Allahut në tokën e Tij, argumentet e Tij për krijesat e Tij, depozituesit e diturisë së Tij dhe minierat e urtësisë së Tij. Kush u bindet atyre, i është bindur Allahut dhe kush i kundërshton ata, ka kundërshtuar Allahun.‟
Ndërkohë, të gjithë thanë: „Dëshmojmë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka thënë këtë.‟ (Xhamiu Ehadijthu Shijah, 1: 49)
Ibrahim ibn Muhamed El Xhuejnij transmeton nga Abdullah ibn Abbas thënien e tij: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë:
“Unë, Aliu, Hasani, Hysejni dhe nëntë prej bijve të Hysejnit jemi të pastruar dhe të pagabueshëm.” (Faraidus Simtejn, 2: 133)
Deri tani studimi ynë ka qenë rreth hadithit të dy të çmuarave (thekalejn). Ka edhe hadithe të tjerë të ngjashëm me këtë hadith në përmbajtje, pra që flasin për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!). Këtu po tregojmë disa prej tyre:
Është transmetuar nga ibn Abbasi, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim është si shembulli i anijes së Nuhut: Kush hipën në të, shpëton dhe kush e kundërshton, mbytet.” (Mexhmau Zeuaid, 9: 68)
Ky hadith është transmetuar, gjithashtu, me zinxhirë të tjerë transmetimi nga Ebu Said El Khuderij, Abdullah ibn Zubejr, Ebu Dherr El Gaffarij, nga Profeti.
(Menakibul Khavarizmij, 199)
Në këtë hadith, Profeti i Islamit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), gjithashtu, e paraqet të pastër Ehli Bejtin me cilësinë e tij këshillues në dije. Ai i përkrah dhe i mbështet thëniet dhe veprat e tyre, me cilësinë e tyre argument për myslimanët. Nga hadithi përfitohet se është detyrë e myslimanëve që të ndjekin Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe të veprojnë sipas mësimeve të tyre, në mënyrë që të mos shkojnë në rrugë të shtrembër e të humbin. Nëse myslimanët do të largohen prej Ehli Bejtit, atëherë patjetër do të shkojnë në humbje e në shkatërrim. Kjo çështje ndryshon nga prijësia (imameti) e Ehli Bejtit dhe dashuria. Bazuar në këto hadithe, është detyrë e myslimanëve që t‟i mbështeten Ehli Bejtit në mësimin dhe kuptimin e rregullave fetare, edhe nëse nuk e pranojnë imametin (prijësinë) e tyre.