Aliu, qyteti i diturisë - siç e ka dëshmuar Profeti fisnik

 

Si rezultat i dhuntisë vetjake të imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i përkujdesjes së të Dërguarit të Allahut dhe i mbarësisë së Zotit, ai u bë qyteti i diturisë. Këtë çështje e ka dëshmuar dhe e ka përforcuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në shumë raste. Ndër to përmendim thënien e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!):

“Vërtet, dija të përgëzon ty, o babai i Hasanit. Ti e ke përvetësuar të gjithë diturinë.” (Dhekhairul Ukba, 78.)

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

“Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij. Ai që dëshiron diturinë, le të vijë nga porta e saj.” (Menakibul Khavarizmij, 40. Mustedrek El Hakim, 3: 127)

 

Dhe:

“O Ali. Unë jam qyteti i diturisë dhe ti je porta e tij. Gënjen ai që pretendon se ka arritur në qytet, me përjashtim të atij që ka hyrë nga porta.” (Jenabijul Mevedeh, 82.)

 

Dhe: “Unë jam shtëpia e urtësisë dhe Aliu është porta e saj.”  (I njëjti burim, 81)

 

Selman El Farisij transmeton nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ai ka thënë: “Më i dituri prej ymetit tim pas meje është Ali ibn Ebu Talib.”  (Feraidu Simtijn, 1: 94.)

 

Është transmetuar nga Abdullahu, i cili ka thënë:

“Isha tek Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Atë e pyetën për Aliun (Paqja qoftë mbi të!). Ai iu përgjigj:„Urtësia është ndarë në dhjetë pjesë. Nëntë pjesë iu dhanë Aliut, ndërsa njerëzve, një pjesë e vetme.‟

(I njëjti burim)

 

Është transmetuar nga Enes ibn Malik, i cili ka thënë:

“Vërtet, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë Aliut: „Ti do t‟i sqarosh ymetit tim pas meje atë, për të cilën janë në mosmarrëveshje.‟

(El Mustedrek, 3: 122)

 

Është transmetuar nga Ebu Said El Khuderij, i cili ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: „Vërtet, më i drejti në gjykim në ymetin tim është Ali ibn Ebu Talib.‟

(Menakibul Khavarizmij, 309)