Ali ibn Ebu Talib nxë dijet e mesazhit të Zotit

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk e ka marrë vendimin e caktimit të imam Aliut pa u parapërgatitur për të. Përkundrazi, ai e ka ndjerë domosdoshmërinë e një veprimi të tillë. Për këtë, ai përgatiti premisa në mënyrë të përshkallëzuar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka ditur shumë mirë se qëndrueshmëria e Islamit dhe përhapja e tij ka nevojë për një burim të fortë, që t‟i ruajë të gjitha dispozitat, ligjet dhe njohuritë fetare nga çdo gabim e paqartësi. Kështu, myslimanëve u bëhet i mundur kthimi në këtë burim në rast nevoje.

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e dinte se myslimanët, në të tilla situata të vështira e kritike, në fillim të Islamit nuk e kishin përgatitjen e mjaftueshme që t‟i mësonin të gjitha ligjet, dispozitat dhe njohuritë fetare në mënyrë të plotë ose që të përpiqeshin për mësimin e tyre. Ishte e domosdoshme që dispozitat e Zotit të ruheshin në një vend të sigurt e besnik. Për këtë qëllim, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) zgjodhi Ali ibn Ebu Talibin. Ai vendosi dalëngadalë në kompetencat e tij dijet fetare. Kjo çështje ishte e ngarkuar prej vetë Allahut të Lartësuar.

 

Transmetohet nga Ali ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë:

“Mua më përqafoi i Dërguari i Allahut e më tha: „Vërtet, Allahu më ka urdhëruar mua që të të afroj e mos të të largoj, të dëgjosh e të perceptosh dhe me të drejtën e Allahut, të dëgjosh e të perceptosh.‟” Ndërkohë, zbriti ky ajet: “Dhe i përceptojnë ato veshët përceptues.”  (Menakibul Khavarizmi, 199.)

 

Transmetohet se ibn Abbasi ka thënë:

"Kur zbriti ajeti: “Dhe i përceptojnë ato veshët përceptues”, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: „Iu luta Zotit tim të Lavdishëm e të Lartësuar që ato veshë t‟i bënte veshët e Aliut.‟ Aliu (Paqja qoftë mbi të!) tha: „Çdo gjë që e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, e kam përvetësuar në mendje, e kam perceptuar dhe  kurrë nuk e kam harruar atë që kam dëgjuar.‟   (Menakibul Khavarizmij, 199.)

 

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Ju i dini, pa dyshim, lidhjet e mia të ngushta në gjak dhe raportet e mia të veçanta me të Dërguarin e Allahut. Ai më mori përsipër që kur isha ende fëmijë. E kishte zakon të më shtrëngonte në kraharor... Ai nuk ka gjetur asnjëherë gënjeshtër në të folurit tim, as dobësi në ndonjë punë timen. Që kur u nda nga gjiri i nënës, Zoti i vuri pranë një melek të madh, e ky e ushqente ditë e natë me tiparet e një karakteri të lartë e të një sjelljeje të mirë, ndërsa unë e ndiqja prapa si manari që ndjek gjurmët e së ëmës.

Çdo ditë do më rrefente si një flamur ndonjë nga vetitë e tij të larta e do më tregonte si ta bëja timen. E kishte zakon të shkonte çdo vit i vetmuar në kodrën e Hiras, ku vetëm unë mund ta shikoja. Ato ditë Islami  s‟ekzistonte ende në asnjë familje, veç atij të Profetit të Zotit e Hatixhes. Kurse unë kam qenë i treti pas atyre të dyve. Isha mësuar ta shikoja e ta kundroja ndriçimin gjatë zbritjes së Mesazhit Hyjnor dhe të merrja frymë nga aroma e profetësisë. Kur zbriti Zbulesa tek Profeti i Zotit, dëgjova ofshamën e Shejtanit. E pyeta: „O Profet i Zotit, ç'është kjo ofshamë?‟ Ai m‟u përgjigj: „Ky është Shejtani që i ka humbur të gjitha shpresat për të qenë i adhuruar. O Ali, ti shikon çdo gjë që shoh unë dhe dëgjon çdo gjë që dëgjoj unë, ndonëse nuk je profet. Por ti je ndihmës i tij dhe je në rrugën e virtytit, e për këtë s‟ka dyshim.‟  

(Nehxhul Belaga, ligjërata 192 (El Kasiatu).)

 

I është thënë Aliut (Paqja qoftë mbi të!):

“Pse ti di më shumë hadithe prej as‟habëve të të Dërguarit të Allahut? Tha: “Nëse e pyesja  atë, më lajmëronte dhe nëse heshtja, fillonte të më fliste.”   (Tabakat ibn Sa‟ad, 2: 338, Ensabul Eshraf, 2: 98.)

 

Në një hadith, Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Hyja tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) çdo ditë e ai më lejonte mua. Shkoja me të kudo që shkonte. As‟habët e Muhamedit e dinin se ai nuk e bënte këtë me asnjë njeri tjetër, përveçse me mua… Kur hyja tek ai, i nxirrte gratë e tij dhe nuk mbetej tek ai askush tjetër, përveç meje. Kur vinte tek unë në shtëpinë time, nuk ngrihej prej meje Fatimeja dhe asnjëri prej dy djemve të mi. Nëse e pyesja, më përgjigjej. Nëse heshtja, bisedonte me mua. Çdo ajet që i zbriste të Dërguarit të Allahut, ma lexonte mua dhe unë e shkruaja atë me shkrimin tim. Më mësoi mua kuptimin dhe komentimin e tyre, abroguesin dhe të abroguarin, ato me kuptim të qartë dhe  të tërthortë, të përgjithshmet dhe të veçantat e tyre. E luste Allahun që të më jepte mua kuptimin dhe ngulitje e tyre në mendje. Që kur iu lut Allahut, nuk harrova asnjë ajet prej Librit të Allahut dhe asnjë dituri që kumtonte e që e shkruaja. Çdo gjë që ia mësoi Allahu atij prej të lejuarës e të ndaluarës, urdhrit e ndalesës, që ka qenë apo që do të jetë, bindjes apo mosbindjes, veçse ma ka mësuar atë, e kam ngulitur në mendje dhe nuk kam harruar asnjë germë. Pastaj e vendosi dorën e tij mbi gjoksin tim dhe e luti Allahun për mua që ta mbushte zemrën time me dituri, kuptim, mençuri e dritë. Unë i thashë: „O i Dërguari i Allahut, ti je babai dhe nëna ime, qëkur e lute Allahun për mua, për atë që e lute, nuk kam harruar asgjë dhe nuk më ka shpëtuar asgjë pa e shkruar. Vallë, a frikësohesh nga harresa ime në të ardhmen?‟ Ai më tha: „Jo, nuk i frikësohem as harresës e as paditurisë tënde.‟  (El-Kafij, 1: 64.)

 

Gjithashtu, Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Pasha Allahun. Nuk ka zbritur asnjë ajet, që të mos e kem ditur se për çfarë ka zbritur dhe për cilin ka zbritur. Vërtet, Zoti im më ka dhuruar zemër logjikuese dhe gjuhë artikuluese.”  (1 Et-Tabakat El-Kubra, 2: 348)

 

Prej këtyre haditheve nxjerrim si përfundim se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka treguar një kujdes të veçantë në mësimin dhe edukimin e Ali ibn Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) e për këtë arsye, e afroi pranë tij. Çdo gjë që i vinte atij prej Allahut, nëpërmjet Shpalljes, e vendoste nën kompetencat e Aliut. Profeti i kërkoi Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar që ta bënte Aliun ngulitës të të gjitha dijeve dhe që të mos harronte asgjë prej tyre. Allahu ia pranoi atij kërkesën. Kjo është arsyeja që imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) nuk harroi asgjë.