UNITETI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI NJERËZORE
Uniteti është domosdoshmëri njerëzore dhe ardhmëri për ymetin islam. Por uniteti ka nevojë për shumë kohë e për shumë punë, ka nevojë për studime të shumta, për të diagnostikuar të vërtetat, që më pas të kalohet në rrafshin shpirtëror të njerëzve, deri në atë gradë sa i bën ata të përgatiten e të jenë në atë shkallë lartësie që u mundëson njerëzve të realizojnë unitetin.
Por, derisa ky unitet të bëhet realitet, ymeti as nuk mund të lejojë të asgjësohet prej rrezikut që i vjen prej armiqve të tij dhe as nuk mund të lejojë që armiqtë të gëlltisin kapacitetet e ymetit. Dihet se armiqtë synojnë të shkulin rrënjët e Islamit dhe të myslimanëve. Prandaj ymeti islam ka nevojë të ngutshme për bashkëpunim e për unitet të plotë mes myslimanëve.
Ky bashkim, ose nëse dëshiron thuaj: ky bashkëpunim i ndërsjellë nën çadrën e unitetit, është një kërkesë e Islamit, unitet në të gjitha dimensionet, në të gjitha shkallët e tij të ndryshme dhe në të gjitha nivelet. Megjithëkëtë, uniteti nuk është gjithçka që kërkohet. Në të vërtetë, kërkesa për unitet zë vendin e një domosdoshmërie të përkohshme, që patjetër duhet pranuar për të qenë i kënaqur me pritjen, derisa uniteti i vërtetë të bëhet realitet mbi themelet e veta islame dhe konkrete.
Në rrugën e gjatë të unitetit e të bashkimit, në mesin e myslimanëve bëhet nevojë e ngutshme afrimi, njohja e kuptimi i ndërsjellë, shkëmbimi i pikëpamjeve, informimi i ndjekësve të çdo medh‟hebi prej ndjekësve të medh‟hebit tjetër për burimet e tij, bazuar në fjalën e dijetarëve të medh‟hebit përkatës, si dhe informimi për krijimtarinë e dalë prej penave të dijetarëve, larg komplikimit të mureve ndarëse.
Dijetarët e ideologët e sinqertë gjatë shekujve kanë bërë përpjekje të shumta në këtë rrugë. Ne kemi mundësi të përmendin një shembull shumë të rëndësishëm. Është fjala për nismën e ndërmarrë prej Ajetullah Es‟sej‟jid Husejn El Buruxherdij për themelimin e Shtëpisë së Afrimit, në bashkëpunim me dijetarët e universitetit të Ez‟her Sherifit. Gjithashtu kemi edhe fetvatë e shejhut Mahmud Sheltut, në lidhje me lejimin e adhurimit sipas medh‟hebit shi‟it.
Duhet theksuar se ky dijetar i madh është prej pionierëve të afrimit mes medh‟hebeve islame në Kajro, Egjipt. Një ndër themeluesit e kësaj shtëpie është edhe dijetari i dëgjuar iranian, shejhu Muham‟med Tekij El Kummij, miku i shejkhëve të universitetit të Ez‟her Sherifit.
Patjetër duhet të përmendim edhe punën e madhe që ka bërë Ajetull‟lah Es‟sej‟jid Abdulhusejn Sherefud‟dijn El-Amilij, i cili ka shkruar libra shumë të rëndësishëm, si “El Muràxheàt”-“Referime”, “El Fusùlul Muhim‟metu fij te'lijfil-um‟meti”-“Kapituj të rëndësishëm në unifikimin e ymetit”. Në librin e dytë ai ka prekur shumë tema e shembuj që ndihmojnë realizimin e afrimit dhe kuptimin e ndërsjellë mes myslimanëve.
Edhe në rrafshin e mendimeve, përpjekjet janë të shumta e të shumëllojshme, siç është organizimi i disa konferencave, shkrimi i shumë studimeve shkencore, botimi i revistës “Risàletul-Islàm”-“Mesazhi Islam”, që del në Kajro dhe i revistës “Risàletu-t‟takrijb”-“Mesazhi i afrimit”, që del në Teheran, si dhe shumë botime të tjera.
Sa mirë është që dijetarët islamë kanë marrë nisma për formimin e komisioneve të përbashkëta për studimin e temave, që paraprakisht janë marrë vesh. Pastaj klasifikojnë temat. Në fund, studimi me frymë shkencore i çështjeve të kundërshtueshme. Në radhë të parë, me këto studime synohet fitimi i kënaqësisë së Allahut të Gjithëfuqishëm, për t‟i shërbyer njeriut e njerëzimit, pasi ato janë studime të mbështetura mbi besueshmërinë e ndërsjellë dhe të kryera me ndjenjën e përgjegjësisë ligjore e me vetëdije.
Bazuar mbi këto që u thanë, detyra jonë është të trajtojmë e të njohim shkaqet e kundërshtimeve. Ky është hapi i parë dhe më kryesori për shërimin e gjendjes, ashtu siç veprohet edhe me të sëmurin, për të cilin diagnostikimi i sëmundjes përbën hapin e parë shumë të rëndësishëm për shërimin e tij.
Por, ka mundësi që shkaqet kryesore të kthehen në dëshira, në fanatizëm të urryer, në prapambetje morale, në rrafshin e trajtimit të problemeve, në aktivitet armiqësor ndaj Islamit, aktivitet që punon rrënimin e myslimanëve dhe shpartallimin e radhëve të tyre nëpërmjet nxitjes së ngatërresave, ose nëpërmjet blerjes së atyre me zemra të sëmura, që t‟i vënë ata të kryejnë punën e rrënimit të myslimanëve, ose me rrugën e mospasjes dijeni për gjendjen e myslimanëve dhe besimeve të tyre.
Natyrisht që për këto punë të mbrapshta armiqtë e Islamit mbështeten në njohjen e mirë që kanë rreth akuzave të përhapura dhe për transmetimet e për thëniet jonormale të këtij apo atij medh‟hebi. Jo vetëm kaq, por armiqtë kanë dijeni të shumta edhe për rrugët e vërtetimit të tekstit ligjor të treguar prej Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ose prej imamëve, ose prej dijetarëve të njërit medh‟heb apo të një medh‟hebi tjetër.
Ky është shkaku që studimet e armiqve të Islamit janë të maskuara me rrobën e karakterit objektiv e shkencor. Natyrisht që kundërshtimi në këtë fushë vjen për shkak të largësisë së madhe në kohë, që nga dalja e tekstit deri në ditët e sotme. Gjatë kësaj kohe, në lidhje me tekstet, kanë ndodhur kundërshtime e janë bërë falsifikime, por ka edhe gabime e dyshime për përcjelljen e tekstit, për rrjedhojë ka kundërshtime në kuptimin e tekstit dhe në fushën e krahasimit të një teksti me tekstet e tjera, sepse në Kur‟anin Kerim, (tekst i vërtetuar hap pas hapi) ka ajete muhkemàt-të padiskutueshme dhe muteshàbihàt-të diskutueshme, ka ajete anuluese e ajete të anuluara-nàsikhun ue mensùkhun; ka ajete përgjithësuese e specifike-àmetun ue khàs’satu. Këto i mësojmë prej atyre që quhen esbàbu-n’nuzùli-shkaqet e zbritjes së ajeteve. Janë këto shkaqe të zbritjes që hedhin dritë për kuptimin e për interpretimin e Kur‟an Kerimit. E njëjta gjendje është edhe për tekstet e transmetuara prej Sun’netiat-Praktikës e fjalës së Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Padyshim që edhe trajtimi i këtyre shkaqeve ndryshon për nga rrugët e nga mënyra e trajtimit, prandaj patjetër duhet të studiohet çdo shkak: edukimi moral i lartë, devotshmëria, besimi me përkushtim të plotë në Allahun e Lartësuar, kujdesi për ruajtjen e interesave të Islamit, dallimi i qartë i armiqve, ruajtja prej komploteve të armiqve dhe prej punëve e aktivitetit të tyre, studimi rreth doktrinave e adaptimeve të medh‟hebeve islame prej burimeve të fik‟hut që ata zbatojnë, duke u mbështetur në fjalët e imamëve të medh‟hebeve përkatëse të njohura.
Padyshim që imamët dhe dijetarët, në fjalët e tyre për vërtetimin e teksteve janë nisur vetëm prej vëllazërisë islame, mirëbesimit, frymës së mirëkuptimit, dashurisë, vënies së rregullave dhe kritereve të duhura, të nxjerra prej Kur‟an Kerimit dhe prej Synetit të Profetit. Gjithashtu, ndjekja e një programi dialogimi shkencor konkret dhe diskutimi të qetë, shoqëruar me argumente logjike e ligjore, është rruga më e mirë e më e preferuar për shërimin e gjendjes dhe për trajtimin e problemeve.