SUPLEMENTI I TRETË
JO, O VËLLEZËRIT TANË NË FE!
(Këtë artikull autori i librit që kemi në dorë e shkroi në Kajro, si përgjigje ndaj protestës së revistës “Et‟teuhijd” dhe sulmeve që ndërmori kjo revistë kundër Konferencës për afrimin, që u mbajt me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së Profetit, në vitin 1422 të Hixhretit. Këtë artikull autori i librit ia dërgoi administratës së revistës së lartpërmendur, por ajo natyrisht nuk e botoi. Këtë revistë e boton forumi “Ndihmuesit e praktikës muhamedane”. Anëtarët e këtij forumi janë të njohur në Egjipt për përkatësinë e tyre në rrymën ekstreme selefiste, madje ata kanë edhe xhami të veçanta dhe libra e botime të tjera.)
Të respektuarit, z. kryeredaktor i revistës “Et‟teuhijd”
Es‟selami alejkum ue rahmetull‟llàhi ue berekàtuhù (Paqja, mëshira e begatitë e Allahut qofshin për ju!).
Më parë, në dy numrat, shtatë e tetë të revistës suaj, keni botuar një artikull me titull “O thirrës të afrimit”.
Më pas, në numrin dhjetë keni botuar një artikull tjetër me titull “Grup prej të cilat dijetarët kanë paralajmëruar: “Ruhuni, shi‟at e dymbëdhjetë imamëve!”
Në këto artikuj autori ka dalë jashtë kufijve të moralit e të edukatës, diturisë e devotshmërisë morale që Islami i ka bërë detyrim për myslimanët në sjelljen e tyre me të tjerët, sidomos në sjelljen e në bashkëpunimin me vëllezërit në fe. Prandaj autori të mos përhapë fjalë të kota, si ato nisur prej fanatizmit për medh‟hebin e tij dhe të rrijë në përgjim të të tjerëve sipas mendësisë së kohës së kaluar dhe jo të kohës së tanishme.
Ne jetojmë në një shekull të hapur, jetojmë në një kohë kur njeriu ose grupi e ka të vështirë të fshejhë doktrinat e veta dhe të adaptojë doktrina sekrete. Autori i artikujve të lartpërmendur, bazuar në burimet e armiqve, këto doktrina sekrete ia adreson shi‟ave imamij, pa i vënë vetes detyrim të marrë mundimin e të studiojë edhe në burimet e shi‟ave, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me objektivitet të mirëfilltë.
Këtu do t‟i përgjigjemi në përgjithësi e shkurtimisht atakimeve e dyshimeve që ka shkaktuar artikullshkruesi rreth grupit të shi‟ave imamij, atakime e dyshime, që në brendinë e vet nuk janë të reja, pasi në të vërtetë ato janë pjellë e mendësisë së kohës së kaluar.
Dihet se dijetarët e shi‟ave e kanë kundërshtuar këtë mendësi, i kanë dhënë përgjigje dhe e kanë bërë pa asnjë vlerë. Për artikullshkruesin do të ishte shumë më mirë sikur të stolisej me objektivitet, me maturi dhe të njihej me këto përgjigje të dijetarëve shi‟a, para se të lëshonte shigjetën e tij të akuzave mbi fytyrën e shi‟ave. Duket qartë se artikullshkruesi, me këtë shkrim, ka qëllim të pakësojë sa më shumë rëndësinë, kapacitetet dhe rolin e shi‟ave, pavarësisht se shi‟at përfaqësojnë një të tretën e myslimanëve në nivel botëror.
Sikur të ndiqnin rrugën e këtij artikullshkruesi përballë doktrinave të disa vëllezërve tanë prej Ehli Synetit dhe, kam qëllim ata që e quajnë veten “selefij”, patjetër që do të kishin të njëjtin rezultat. Trashëgimia e atyre që e emërtojnë veten “selefij”, është e mbushur me të meta, por ata i hedhin mbi shi‟at. Këtu nuk kemi qëllim të numërojmë të metat që ata hedhin mbi shi‟at dhe që janë të shkruara në shumë libra. Por ata nuk kufizohen të flasin vetëm kundër shi‟ave. Me të meta të tilla ata kanë sulmuar edhe armiqtë e tyre mutezilet e të tjerë.