RUAJTJA DHE MARTESA ME KOHË TË CAKTUAR

 

Akuzë tjetër që artikullshkruesi hedh mbi shi‟at është “ruajtja”, e cila, në mënyrë të përmbledhur, konsiston në zbatimin e parimit të sekretit për fshejhjen e doktrinave përballë valëve të dhunës e të prangosjes me të cilat janë përballur shi‟at gjatë shekujve të kaluar, siç ishin shekujt e sundimit të emeviteve e të abasiteve. Në të vërtetë, parimi i ruajtjes është parim i natyrshëm, është parim për të cilin nxit vetë Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nëpërmjet fjalës së të Lartit: 

 

“…përveçse kur qëllimi është për t’u ruajtur prej të keqes së tyre…” (Sure “Ali Imran”, ajeti 28)  dhe fjala tjetër e Allahut të Lartësuar: 

“…il’là men ukrihe ue kalbuhù mut,ein’nun bil-imjàni…” “…me përjashtim të atij që imponohet (të mohojë), por zemra e tij është e bindur plotësisht në besimin…”  (Sure “En Nahl”, ajeti 106.)

 

Me ruajtjen nuk është qëllim fshejhja e doktrinave ideore dhe shfaqja e Islamit, ashtu siç pandeh artikullshkruesi e të ngjashmit me këtë prej armiqve të shi‟ave. Pas Revolucionit Islamik në Iran, Imam Humejnij nxori fetvanë e tij në lidhje me përfundimin e kohës së ruajtjes dhe shpjegoi se ruajtja nuk është më e nevojshme në kohën tonë të hapur, në të cilën çdo njeri e ka shumë të vështirë të mbajë të fshejhtë doktrinën që ai ndjek. Sot shi‟at nuk i vret askush për shkak se deklarojnë se ata janë dashamirës të Ehli Bejtit, kurse ajo që ndodhi me shi‟at në Irak, me dorën e tiranit Sadam Husejn dhe ajo që ndodh tani në Pakistan me shi‟at, është vetëm një qëndrim anormal, që nuk e bën detyrim ruajtjen.

 

 Shumë prej ndjekësve të Ehli Synetit kanë adaptuar pikëpamjet e doktrinat e veta në lidhje me çështjen e ruajtjes dhe, kjo bëhet shumë e qartë për cilindo që lexon librat e burimet e tyre të mbështetura në argumente.

 

 

* * * 

 

Edhe për martesën me kohë të caktuar, i gjithë ymeti islam me medh‟hebet e veta të ndryshme ndajnë një fjalë të përbashkët për ligjshmërinë e kësaj martese. Madje e kanë konsideruar prej domosdoshmërive të vërtetuara prej Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në lidhje me martesën me kohë të caktuar, myslimanët padyshim ndajnë një fjalë të përbashkët se kundërshtimi në mesin e juristëve të së drejtës islame (fukahave) për martesën me kohë të caktuar është përqendruar nëse kjo dispozitë vazhdon të jetë vepruese, apo është anuluar.

 

 Shi‟at besojnë se dispozita ligjore për martesën me kohë të caktuar nuk është anuluar, se argumentet për këtë janë dhe punohet sipas këtyre argumenteve. Në lidhje me këtë çështje mund të lexoni librat e fik‟hut që kanë në përdorim shi‟at. Është pa kuptim thënia e Ehli Synetit se kjo lloj martese është e ndaluar në mënyrë të prerë (është haram) dhe se të tjerët janë të detyruar të ndjekin mendimin e tyre, që kjo lloj martese është e ndaluar rreptësisht. Në të vërtetë, secila prej dy palëve ka rrugën e pavarur të studimit të vet, në lidhje me statusin juridiko-fetar të këtij problemi. Për studiuesin që ka arritur të drejtën, ka dy shpërblime dhe për studiuesin që nuk ka arritur të drejtën, ka vetëm një shpërblim.

 

Përsa i përket “kthimit”, nuk është prej çështjeve që kanë të bëjnë me besimin. Prandaj nuk është problem që të gjithë shi‟at duhet të ndajnë një fjalë të përbashkët për këtë çështje. Në të vërtetë, për këtë çështje janë shprehur disa që janë mbështetur në një numër hadithesh. Gjithsesi, çështja e kthimit te shi‟at nuk është prej bazave të besimit dhe, për të njohur të vërtetën e kësaj pune, mund të lexoni në librat e besimit që qarkullojnë në mesin e shi‟ave.