MENDIMI I PROF. AHMED AB’BAS SALIH

 

Profesori Ahmed Ab‟bas Salih thotë:

“Këtu përsëritet emri i Abdullah ibn Sebes dhe thuhet se ai ishte një jehudi që kishte pranuar Islamin. Këtë person librat e historisë e përshkruajnë si shejtan, që qëndronte prapa ngatërresës në të cilën u vra Uthmani, madje ishte shejtani që qëndronte prapa të gjitha ngjarjeve. Ndaj këtij personi autorët e librave mbajnë qëndrime të kundërta. Ka autorë që e mohojnë ekzistencën e tij, autorë të tjerë e konsiderojnë atë shkakun e të gjitha ngjarjeve të rënda që ndodhën, madje e konsiderojnë themelin e çdo devijimi që hyri në Islam, përfshirë edhe daljen e medh‟hebeve të çuditshme. 

S‟ka dyshim që Abdullah ibn Sebe është person mitik. Ku është ai ndaj të gjitha ngjarjeve? Ku është ai ndaj luftërave të ndryshme që janë bërë në këtë botë të madhe? Sa mundësi ka një person i vetëm, sado e madhe të jetë vlera e tij që të ketë rol në këto rryma që përleshen njëra me tjetrën me egërsi?

 

Ngjarjet e shpejta, të ashpra e të njëpasnjëshme nuk kishin nevojë vetëm për një person, qoftë ai edhe vetë   shejtani, sepse bazat e ngjarjeve shtriheshin në largësi të mëdha dhe ishin shumë të thella, gjithashtu edhe fuqinë e vrullit të atyre ngjarjeve është e pamundur ta vërë nën kontroll ose ta orientojë vetëm një person, pa folur se ato ngjarje ishin të gërshetuara njëra me tjetrën dhe ishin aq të shumta, sa asnjë lloj force nuk i bënte dot më të komplikuara nga sa ishin.

Padyshim që është shumë naiv mendimi që synon të krijojë një person mitik dhe pastaj t‟i japë këtij personi çdo lloj roli në ngjarjet që kanë ndodhur, por akoma më naiv është ai që mendon se ky burrë kishte një lloj ndikimi edhe mbi sahabët e mëdhenj, ndër të cilët mbi vetë Ebu Dherr Elgaf‟farijin, i cili nuk pranoi as diskutimin e përcjellësit të njohur të haditheve, Ebu Hurejre dhe jo më të pranonte fjalët e një personi, të quajtur Abdullh ibn Sebe, të cilin, sipas tregimeve të Ebu Dherrit, e goditi dhe madje i shkaktoi edhe një të çarë, duke i thënë me përçmim: “Ti do të na e mësosh fenë tonë, o biri i çifutes?!”

Nuk ka asnjë dyshim se tregimet që janë thurur rreth Abdullah ibn Sebes, të gjitha janë fjalë të vëna prej të mëvonshmëve, për faktin e thjeshtë se në burimet e vjetra s‟ka asnjë argument që vërteton se ai person ka ekzistuar, duke shtuar edhe sa mendjelehtësi është të mendohet se ai ka ekzistuar me të vërtetë."

(“Eljemijnu ueljesàru fil-Islàm”–“E djathta dhe e majta në Islam”, f. 95)