MBYLLJE

 

Padyshim që deliktet më frikësuese dhe që sjellin më shumë mëri është lejimi për të futur rrenën e shpifjen në historinë islame dhe lëshimin e akuzave pa u menduar, por thjesht në vazhdën e tjerrjes së fantazisë e të trillimeve, duke u bazuar te mitet. Pastaj këto gënjeshtra, shpifje e akuza paraqiten në faqet e historisë si të vërteta. Padyshim që kjo është bërë për qëllime të kësaj bote dhe për interesa personale, në një kohë që për bijtë e së njëjtës fe nuk sjellin gjë tjetër veçse kundërshtime. Janë këto kundërshtime që i kanë çuar në rrugë të gabuar brezat njëri pas tjetrit, kanë futur bijtë e këtij ymeti në ndeshje e në konflikte të atilla që kanë konsumuar kapacitetet, burimet e pasuritë e ymetit islam.

 

Është e qartë se të gjitha këto bëhen prej grabitësve lakmitarë, kolonialistëve e sundimtarëve shtypës, të cilët i lanë trashëgim ymetit poshtërimin, përuljen e prapambetjen. Nisur nga ky realitet, disa bij të këtij ymeti të lavdëruar kanë meritën që të mbajnë barrën e brengave të këtij ymeti dhe janë vënë në pararojë për një të nesërme të ndritshme. Ata kanë marrë nismën për të ndrequr të çarën,  për të mbledhur fuqitë dhe për t‟u ngritur mbi të gjitha kundërshtimet e dukshme dhe të padukshme, që janë të pranishme në të gjithë popujt.

 

Gjithashtu, ata bëjnë shumë mirë kur qëndrojnë larg çdo gjëje që shkakton zhurmë e armiqësi, vënë në qendër të studimeve të tyre ato që kanë të përbashkët dhe shqetësimet e mëdha. Ata bëjnë thirrje të stolisemi me objektivitetin ndaj shprehjeve për të cilat ka kundërshtime dhe të përpiqemi për t‟i trajtuar të gjitha këto në kuadrin e studimit të mirëfilltë shkencor, me qëllim që me këto lloj shprehjesh, sharjesh, cenesh e të metash të mos etiketohet ky grup apo një grup tjetër. Unë dëshiroj që jo vetëm këto fjalë dhe shprehje të dalin jashtë kuadrit studimor, por edhe çështja e Abdullah ibn Sebes dhe e sebijve, që iu ngjiten shi‟ave dhe Shi‟izmit, ashtu siç e pamë qartë nëpërmjet studimeve të shtruara në këtë libër.

 

Në këtë libër, nëpërmjet mendimeve të dijetarëve të ymetit islam vërtetuam se personi, Abdullah ibn Sebe, nuk mund të mbante punët që i atribuohen, si roli i pretenduar që ai gjoja ka luajtur. Janë të shumtë dijetarët e studiuesit e mëparshëm të shi‟ave, të cilët Abdullah ibn Seben e kanë konsideruar të shkarë në rrugën e humbjes, të devijuar prej rrugës së drejtë dhe ekzagjerues. Me rrugët e Ehli Bejtit kanë ardhur transmetime që njoftojnë se ai është i mallkuar dhe se ndaj  atij personi shi‟at nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Kurse një pjesë tjetër prej dijetarëve e studiuesve shi‟a, me studimet e tyre, kanë vërtetuar se ai është thjesht person mitik, i trilluar dhe një legjendë e stisur. Në këto studime ata nuk janë vetëm, pasi me mendimin e tyre është bashkuar edhe një numër i madh dijetarësh e studiuesish prej vëllezërve të tyre të Ehli Synetit.

 

Edhe nëse supozojmë se ka ekzistuar Abdullah ibn Sebe, ai s‟ka as lidhjen më të vogël me shi‟at, as nga afër e as nga larg. Pas këtij deklarimi të hapur për studiuesin e paanshëm, Allahu i Lartësuar i ka hapur të gjitha dritaret e vëzhgimit e i ka hedhur fuqinë e dëgjimit. Ky studiues e shejh mirë këtë fakt, prandaj për një studiues të tillë s‟ka arsye që ai të besojë e të vërtetojë ato që thuhen për këtë gënjeshtër historike dhe ta bëjë atë shkak për ndarje e lëndë të parapërgatitur për të lëshuar fyerje të ndërsjella, për të shkaktuar grindje dhe për t‟i bërë ato një treg ku lëshohen akuza, me qëllim që myslimanët të merren me to.

 

Nisur nga sa u tha, thirrja e sinqertë, drejtuar atyre që u pulson ndërgjegjja dhe të gjithë mendjendriturve është të heqin dorë prej mendimit sipas mendësisë së kohës së kaluar, të ruhen e të bëjnë kujdes prej gjërave që thonë të tjerët, të punojnë për afrim, për vëllazërim e për unitet ndërmjet radhëve të këtij ymeti dhe të bashkojnë fuqitë në të gjitha drejtimet për të përballuar rreziqet që i rrinë mbi kokë botës tonë islame, pasi vetëm kështu nuk e lenë rastin në dorën e armiqve të këtij ymeti. Në vijim do të shpalosim tri kumtesa, të cilat i kemi renditur si shtesë të këtij libri. Ne mendojmë se këto kumtesa jo vetëm meritojnë të lexohen, por edhe të studiohen.