LUFTA DHE XHIHADI

 

Përsa u përket fjalëve që thotë artikullshkruesi për luftën e Irakut kundër Iranit mysliman, është e mjaftueshme të thuhet se Iraku, nën udhëheqjen e Partisë “Baëth” (Ringjallja arabe socialiste laike), e filloi luftën me qëllim pushtimin e tokave të Iranit dhe se ata që e mbështetën Irakun në atë luftë dhe që i jepnin atij bekimet, ishin perëndimorët, lindorët dhe injorantët e rinj arabë, agjentë të dy superfuqive, të Perëndimit e të Lindjes, por që ishin armiq të shi‟ave e të synive. Këtë të vërtetë e dinë jo vetëm ata që jetojnë afër, por edhe ata që jetojnë larg. Megjithëkëtë artikullshkruesi merr përsipër të bëjë vlerësimin e asaj lufte, pa ditur asgjë se si ishte e vërteta e saj.

 

Më pas, artikullshkruesi i vazhdon shpifjet e lajthitjet e tij dhe mashtron kur pretendon se shi‟at luftuan vetëm për të ruajtur tokën e për fanatizëm dhe, përsa i përket luftës në rrugën e Allahut, sipas këtij artikullshkruesi, shi‟at thonë se lufta në rrugën e Allahut (xhihadi) do të shtyhet për më vonë, atëherë kur do të shfaqet Imam Mehdiu.

 

 Në përgjigje të kësaj fjale të gabuar, mjafton të themi se juristët e ligjit të fesë islame (fukahàtë) të Ehli Synetit dhe institucionet e tyre qëndruan në një radhë të vetme përkrah Kuvajtit, që punonte me të gjitha rrugët për rikthimin e tokave të veta të pushtuara prej partisë sunduese “Baëth” të Irakut pushtues, madje pati edhe disa prej dijetarëve të Gadishullit Arabik që nxorën fetva të veçanta, me të cilat argumentonin se, për të çliruar Kuvajtin, lejohet të kërkohet ndihmë edhe prej idhujtarëve dhe, e gjitha kjo bëhej për tokën.

 

Nëse lufta e Hizbu-ll‟llàut në Libanin e Jugut kundër armikut sionist bëhet në emër të fanatizmit dhe jo në rrugën e Allahut, si do të ishte gjykimi i këtij artikullshkruesi për kryengritjen e për luftën që zhvillohet brenda Palestinës së pushtuar me mbështetjen e myslimanëve të sinqertë?

 

Mos vallë edhe kjo luftë bëhet në emër të tokës? Realisht, në këndvështrimin e artikullshkruesit, lufta për të mbrojtur tokën islame është çështje fanatizmi e çështje medh‟hebi si të kohës së injorancës para Islamit dhe ka për qëllim përçarjen e myslimanëve. Por kjo do të thotë se artikullshkruesi as në këtë luftë nuk e njeh pjesëmarrjen e shi‟ave, pavarësisht nga sa kanë bërë e sa kanë sakrifikuar shi‟at në rrugën e Allahut e në të gjithë botën.

 

Nëse lufta në rrugën e Allahut te shi‟at do të ishte braktisur, përse shi‟at luftuan në Libanin e jugut dhe përse shi‟at bënë revolucionin në Iran? Si duhet ta emërtojmë luftën që u zhvillua në Afganistan kundër rusëve pushtues? A nuk ishte ajo luftë për tokën? Në të vërtetë, dijetarët e fesë e të fushës të së drejtës islame (fukahàtë) prej Ehli Synetit dhe institucionet që ishin prapa tyre, e mbështetën dhe e bekuan atë luftë.

 

Ky këndvështrim i artikullshkruesit tregon qartë se ai nuk ka qenë i vëmendshëm ndaj faktit që në luftën e zhvilluar në Afganistan nuk luftuan kundër rusëve vetëm synitë, pasi në atë luftë kanë marrë pjesë edhe shi‟at e Heratit. Në përfytyrimin e artikullshkruesit lufta e zhvilluar në Afganistan nuk ishte luftë në rrugën e Allahut (xhihad), sepse e gjithë lufta u bë për të çliruar tokat.

 

Ku është ky artikullshkrues ndaj fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Kush vritet për të mbrojtur pasurinë ose tokën e vet, ai është dëshmor.”?! Artikullshkruesi ka nxjerrë rezultate dhe ka mbajtur qëndrime që nuk përputhen as me fenë, as me moralin dhe as me shkencën. Nga e di artikullshkruesi, kur shpall  hapur se shi‟at, në të vërtetë, e duan unitetin për të zhdukur Islamin?

 

Dhe pastaj me mendjemadhësi deklaron: “Bazuar mbi këtë që u tha, edhe sikur shi‟at të bëjnë betimin më të madh se ata e duan unitetin për të eliminuar armiqtë e Islamit, kjo nuk do të ndodhë. Historia e tyre dihet, dihet se me kë kanë bashkëpunuar shi‟at.” Allahu na ruajtprej këtij fanatizmi të verbër të kohës së injorancës para Islamit.

 

 Artikullshkruesi flet sikur ai ka në dorë të ndalojë arritjen e unitetit e afrimin mes shi‟ave e synive. Atë e ka verbuar fanatizmi i vet dhe në rrugën e fanatizmit ka arritur deri aty sa të harrojë edhe fuqinë e mundësinë e tij. Do të ishte shumë më mirë për këtë artikullshkrues sikur në artikujt që ka shkruar për të bindur të tjerët të nisej nga baza të mirëfillta shkencore dhe fjalëve të tij t‟i bashkëngjiste argumente e dokumente që shpjegojnë qartë historinë e shi‟ave dhe të nënvizonte dyshimet që e shqetësojnë atë. Dihet se rruga e lëshimit të fjalëve e pretendimeve të pambështetura me argumente e me dokumente, s‟ka asgjë të përbashkët as me diturinë, as me të vërtetën e as me kuptimin.