Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
FJALA E QENDRËS
Pa dyshim që prej llojeve të vështirësive më të mëdha, me të cilat janë ndeshur popujt e kombet, në periudhat e fanatizmit e të gjendjeve të rënduara në jetën e tyre, është urrejtja e ndërsjellë ndaj opinioneve ideore e doktrinore. Kjo urrejtje ka arritur majat më të larta, duke prishur baraspeshën e shoqërisë, madje duke paralizuar edhe lëvizjen e saj, sepse, në një shoqëri të tillë, rëndohet shumë gjendja e individëve të shoqërisë, sa arrin kufirin e mendimit të kriminalitetit, që praktikon njëra palë kundër tjetrës, për rrjedhojë “dhuna” bëhet mjeti i vetëm për të nënshtruar të tjerët.
Çdo njeri e ka të lehtë të përfytyrojë se si do të jetë katastrofa në një gjendje të tillë. Të mposhturit, shumë shpejt, do të pëlqejnë të tërhiqen prapa dhe të hyjnë në një botë, e cila, më e pakta, mund të cilësohet rënie shpirtërore dhe moskokëçarje ndaj vrasësve, kurse triumfuesit bëhen skllevër të forcës së tyre, e cila i drejton ata drejt një bote krenarie e një bote lodhëse, e mbushur me shqetësime e mërzi. Në këtë gjendje, pozicionet mbeten pa burra dhe e gjithë shoqëria s‟ka një forcë që ta mbrojë dhe ta çojë drejt tokës së sigurt.
Në këtë rrjedhë hyn edhe çështja e “studimit” dhe e “shikimit” të ngjarjeve të individëve, si dhe e historisë sonë të gjatë islame, si dhe ndjekja e ndikimeve që ata kishin mbi ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën, pastaj shpallja e rezultateve të studimit, pa i shpjeguar ato qartë e pa i bërë të kuptueshme.
Vetëkuptohet se paraqitja e ngjarjeve, baza e një studimi të këtillë, do të shkaktojë te të tjerët ngurrim, madje edhe zemërimin e tyre. Më pas, prej saj lindin tensione e urrejtje dhe, për rrjedhojë, e gjithë shoqëria, patjetër që do të preket prej rrënimit e bllokimit të veprimtarive.
Por, a do të thotë kjo se duhet të shtetëzohen penat dhe të ndalohet trajtimi i studimeve?
Është e qartë se nuk ka dalë asnjë reformator ose ideolog që të pretendojë këtë mendim. Madje të gjithë ndajnë një fjalë të përbashkët për kryerjen e studimeve historike mbi ngjarjet historike dhe mbi individët që kanë pasur rol në histori. Por ka pasur kundërshtime për këndvështrimin mbi ngjarjet historike.
Pikëpamja e shenjtërisë nuk e pranon trajtimin e ngjarjeve historike, përveçse me fjalë lavdëruese. Të tjerë mendojnë se nuk është e domosdoshme të trajtohet një ngjarje e caktuar, sepse do të pengonim vendosmërinë e reformatorëve. Të tjerë mendojnë se, në studimet historike, të ndiqet parimi i afrimit. Ka edhe të atillë që shprehen se duhet të interesohemi për ndikimet e skllavërisë, që kanë ndodhur në rrugëtimin e ymetit dhe shtojnë se, në këto çështje, nuk do të shihet gjë tjetër veçse një grumbull gabimesh, që ne duhet t‟i ndreqim, për shkak të ndikimit që ato kanë, edhe ashtu siç janë, të përgjumura. Prandaj është shumë negative, nëse do t‟u hiqet pluhuri që i ka mbuluar.
Natyrisht që ka edhe një opinion optimist, që e merr objektivitetin si mjet për zgjidhjen e kësaj urrejtjeje e kontradikte dhe punon shumë për afrimin e “zemrave” para afrimit të “mendimeve”, duke u nisur prej parimit “të respektimit të tjetrit” dhe përpiqen që pretendimin e tjetrit ta kundërshtojnë vetëm me argument, nëse ka argument. Ndryshe s‟ka asnjë dobi prej asaj që dëshirohet të arrihet.
S‟ka asnjë popull e asnjë komb që, në historinë e tij, të mos ketë gabime. Dikush mund të ushqejë iluzione dhe të mendojë se epërsia e popujve dhe përparimi i kombeve ka ndodhur për shkak se e kaluara e tyre është pa gabime e pa fatkeqësi, ose përparimi i tyre ka ardhur në një pjatancë floriri, pa bërë asnjë lloj pune e mundimi, ose pa pasur asnjë vështirësi prej trajtimit të historisë së tyre me rrugën e kritikës dhe të diskutimit.
Patjetër që e kaluara e kombeve perëndimore ka qenë e mbushur me gabime e urrejtje të ndërsjellë dhe natyrisht që, këto dy elemente, kanë prodhuar vetëm fatkeqësi për shekujt që erdhën më pas, madje në shumë raste, gabimet dhe urrejtja e ndërsjellë, ka arritur deri në kufirin e destabilizimit e të turpit, për shkak të krimeve e delikteve të tjera që janë praktikuar. Është derdhur gjaku i shumë njerëzve dhe me shumë ashpërsi janë ndaluar mendje të mëdha.
Nuk mendojmë se rruga që ndoqën gjykatat e inkuizicionit të frikshëm në Evropë dhe krimet që u bënë prej vendimeve të atyre gjykatave janë të panjohura për ndonjë njeri. Të gjithë e dinë se si i mblidhnin njerëzit në grupe të mëdha dhe si i vinin në rresht në sheshet, ku do të kryheshin ekzekutimet me vdekje.
Natyrisht që kjo bëhej, me qëllim që njerëzit të shihnin si vriteshin kundërshtarët, me gjakftohtësi të plotë dhe jo për ndonjë gjë tjetër, por vetëm për shkak se kishin kundërshtuar kthimin e tokave të tyre në ferma, me të cilat fabrikat e tjerrjes dhe të endjes të plotësonin nevojat që kishin për leshin e bagëtive. Gjithashtu, të gjithë kanë dijeni për historinë e jetës së Galileut dhe për teorinë se Toka ka formë sferike, prandaj s‟është nevoja që ky tregim të përmendet e të komentohet.
Pavarësisht nga ato tmerre që duken të pabesueshme, këta popuj kurrë nuk u dorëzuan para fatit që u ishte caktuar, në të kundërt, vazhduan të rezistojnë me kryelartësi, derisa arritën mundësinë të dalin shëndoshë e mirë prej atyre tmerreve dhe të marrin në dorë frerët për drejtimin e punëve dhe, krahas punëve, të administrojnë edhe mendjet studiuese e reformatore, mendje që ishin larg frymës së hakmarrjes e të fanatizmit, ose mendjeve që përhapnin akuza fals. Ato ishin mendje që filluan të studiojnë të gjitha opinionet, të analizojnë të gjitha problemet me frymë të mirëfilltë shkencore e objektive dhe pastaj, prej studimeve të nxirrnin mësime e koncepte. Të gjitha këto ua paraqitën brezave të ardhshëm, të cilët i përvetësuan mësimet deri në imtësi dhe punuan në anën që e kërkonte interesi i tyre, për rrjedhojë ndikimi i tyre u përhap në të gjitha anët e botës.
Këta popuj e kuptuan se e kaluara e çdo shoqërie është si e tashmja e saj, është pjellë e një mjedisi shoqëror kompleks dhe e lindur nën hijen e kushteve politike dhe ekonomike të ndryshueshme. Megjithëkëtë ishte e pamundur që këtu e atje të mos kishte gabime dhe devijime sa në njërën anë, po aq edhe në anën tjetër. Por kjo nuk do të thotë se ndikimi i gabimeve detyrimisht do të ketë rezultat negativ dhe dëmi i gabimeve të bëra do të bjerë mbi të gjithë njerëzit, ose mbi vetë fenë. Pikërisht kjo është ajo që e hedhin poshtë interesat e larta të Islamit. Përsa u përket atyre që mendojnë ndryshe nga kjo që u tha, ata me të vërtetë janë mendjelehtë.
Është e vërtetë se nuk është e drejtë orvatja e atij që përpiqet të bëjë që anija e Islamit të lëvizë larg bregut të sigurisë e të shpëtimit. Gjithashtu është e vërtetë se nuk ka interes të shtyhen të tjerët që të kërcejnë mbi tryezat për të kapur atë grusht fukarenjsh injorantë, për t‟i dëmtuar e për të ndezur zjarrin në mesin e tyre dhe të harrojnë se të gjithë janë në të njëjtën anije. Përmirësuesi xheloz dhe thirrësi fetar, pavarësisht se cilit medh„heb i përket, para se t‟i futet punës së tij, ka detyrë parësore të ketë parasysh dy gjëra:
E para, çdo medh‟heb dhe çdo grupim ka një histori të gjallë, që i kërkon rrënjët e veta në thellësi, madje deri në atë shkallë sa na bën të besojmë se është e vështirë shuarja e atij medh‟hebi apo grupimi. Çdo njeri dëshiron që tjetri ta respektojë dhe që të tjerët të mos vazhdojnë të japin ndihmën e tyre për të pakësuar e për të ulur pozitën dhe shenjtërinë e sukseseve të tij, duke u kapur pas mendimeve e pretendimeve që orvaten ta zhveshin atë prej të gjitha hulumtimeve të tij ideore, letrare e humane që ai ka bërë në rrugën e lartësimit të kësaj feje dhe ngritjen sa më lart të këtij ymeti të madh.
E dyta, e kaluara jonë islame, me të gjitha nuancat e saj, me sukseset dhe me dështimet, është pronë e çdo individi të këtij ymeti dhe asnjë prej nesh s‟ka të drejtë të lavdërohet me të mirën dhe të ndahet prej të keqes. Kjo pronësi mbi historinë vjen prej mendimit se asnjë individ s‟ka mundësi të vërtetojë se të parët e tij gjendeshin në njërën anë dhe nuk ishin në anët që ishin kundër njëra-tjetrës. Bazuar mbi të gjitha këto që u thanë, mendojmë se nuk është në interesin e asnjë individi të mençur të trajtojë historinë e çdo grupimi prej grupimeve më të përhapura, nisur prej këndvështrimeve “mashtruese” e dashakeqe, ndryshe ky studiues do të ishte si ai që merr në trajtim vetveten dhe pështyn mbi fytyrën e vet. Natyrisht që këtë punë nuk e pranon askush veç të çmendurve.
Për të gjitha këto, mendojmë se leximi i së kaluarës patjetër dhe domosdoshmërisht duhet të jetë i stolisur vetëm me objektivitetin shkencor, të zhveshur krejtësisht prej shtysave, për të mbajtur vetëm njërën prej anëve, ndryshe do të shkaktohej zemërimi i të tjerëve. Vetëm rruga e leximit të ngjarjeve e fakteve me objektivitet shkencor është rruga e vetme që siguron ecurinë e procesit plotësues të ymetit tonë të lavdishëm dhe rruga e vetme që i shtyn të gjitha grupimet të marrin pjesë në mënyrë efektive për të ngritur sa më lart fjalën e Islamit.
Libri që kemi në dorë, numërohet ndër librat që i përshkruan kohët me guxim dhe problemet më të ndjeshme i trajton me objektivitetin që ato meritojnë të vlerësohen. Këtë libër e ka shkruar me mjeshtri njohëse profesori e përmirësuesi i mirënjohur Sej‟jid Hadij Khasrushahij. Në këtë libër autori trajton studimin, analizën dhe diskutimin, në njërin prej qëndrimeve më të rëndësishme të historisë së Shi‟izmit. Libri është shkruar me një logjikë të shëndoshë shkencore, me një gjuhë të lartë, që ngrihet mbi metodologjinë e cekët dhe me një mënyrë të përpiktë e objektive që, si bazë, ka respektimin ndaj tjetrit.
Ky libër është ndikues, sepse trajton një anë shumë të ndjeshme, sa herë që atë e kanë ngacmuar armiqtë e fesë dhe të Ehli Bejtit, por autori ka fituar një ndikim akoma më të madh me mënyrën e mbrojtjes që ka përdorur dhe në përgjigjet që ka dhënë me penën e tij, e cila ka aftësinë të bëjë që zemrat të pulsojnë para se mendjet të reagojnë me respekt e gjallëri.
Shkrimtari përqendrohet rreth aksit kryesor që mban titulli i librit dhe punës së madhe, në sajë të së cilës mundësohet të bëhen sa më të dallueshme rrënjët historike të kësaj “legjende”, edhe pse çështja është paraqitur në mënyrë të shkurtër. Libri shpalos edhe disa anë të tjera që kanë lidhje me aksin kryesor, si një studim i shkurtër rreth unitetit dhe afrimit dhe si një orvatje për t‟u njohur me hapin e parë në rrugën e vëllazërimit të ngrohtë. Më pas vjen seria e përgjigjeve të shkurtra, që autori i këtij libri ka dhënë ndaj disa dyshimeve të ngritura nga disa gazeta. Këto përgjigje ai i ka vënë si shtojcë në këtë libër, por që janë shumë tërheqëse e të dobishme në vendet përkatëse, duke shtuar edhe rrugën elegante me të cilën janë paraqitur.
Me këtë libër lexuesi kalon nga njëri vendqëndrim në një tjetër, duke përshkuar ngjarje që i takojnë kohëve shumë të largëta, por që për një pjesë të madhe lexuesish, mund të jenë shumë të reja. Autori ka përdorur mënyrë elegante në shkrimin e studimit të tij, të këndshëm e të mbushur me ngrohtësinë e dashurisë për të tjerët. Ai “troket” në teorinë e afrimit dhe nënvizon dëshirën e tij për forcimin e lidhjeve të gjakut në mesin e këtij ymeti, me gjithë grupimet e tij, veçanërisht tani që ymeti po kalon në një etapë shumë të rrezikshme me ndikime të mëdha. Kjo është edhe ajo për të cilën bën thirrje Asambleja Botërore për Afrim mes Medh‟hebeve Islame, e cila, në mënyrë të veçantë, i drejtohet kujtdo që ka dëshirë të furnizojë ymetin me studime e dashamirësi, duke e ndihmuar kështu ymetin me forcën që rezulton prej qëndrimit në krah të njëri-tjetrit dhe forcimin e unitetit në radhët e ymetit tonë të mëshiruar.
S‟na mbetet gjë tjetër veçse të falënderojmë autorin dhe të lutemi që Allahu ta bëjë sa më të gjatë vlerësimin për punën e tij. Duhet të theksojmë edhe një pikë shumë të rëndësishme, të cilën, për nga rëndësia e madhe që ka, ne myslimanët duhet ta ruajmë me qetësinë tonë, pasi jemi ne ata që ndeshemi me lloje të shumta pretendimesh prej çdo ane që na vijnë. Prandaj të përpiqemi që mendjet tona të punojnë e të diagnostikojnë me hollësi akuzat që lëshohen kundër nesh, por që prekin dinjitetin e çdo njërit prej medh‟hebeve islame që gëzojnë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë. Gjithashtu, të përpiqemi të nxjerrim mësim prej pësimeve dhe të veprojmë ashtu siç kanë vepruar kombet e tjera, të cilat e kapërcyen me sukses këtë etapë dhe hodhëm një hap madhor në fushën e përparimit. Vetëm Allahu sjell mbarësi dhe vetëm Allahu është Ndihmuesi.
Qendra e Vërtetimit dhe e Studimeve Shkencore Pranë
Asamblesë Botërore për Afrimin mes Medh’hebeve Islame.