DOKTRINAT E SHI’AVE
Artikullshkruesi pretendon që shi‟at besojnë se Mehdiu është i mbyllur në një bodrum të nëndheshëm. Gjithashtu, ai pretendon se shi‟at luten me shprehjen: “Allahu e shpejtoftë daljen e tij!”, sepse ai është i mbyllur në një bodrum nën tokë. Për më tepër, artikullshkruesi thotë se shi‟at janë në pritje të Mehdiut, që të luftojnë Ehli Synetin.
Në të vërtetë, kjo fjalë është çmenduri në kokë e përçartje në shpirt. Në këtë fjalë s‟ka asgjë nga e vërteta dhe kjo shpifje e artikullshkruesit s‟ka asnjë gjurmë në çdo burim të shi‟ave. Por artikullshkruesi edhe me këtë shpifje përsërit fjalët e armiqve, citon prej atyre dhe asgjë më shumë. Doktrina e shi‟ave, në lidhje me shfaqjen e Mehdiut në fundin e kohës, në origjinë është e njëjtë me doktrinën e Ehli Synetit. Hadithet e ardhura me varg të pashkëputur përcjellësish gjenden në librat e të dyja grupimeve.
(Shiko librin: “Akijdetu Ehli-s‟sun‟neti uel-etheru fijl-Mehdij Elmuntedhar”-“Doktrina e Ehli Synetit në lidhje me Mehdiun e pritshëm”, autori shejhu Abdulmuhsin Abàdij, zv/rektor i universitetit islam në Medinën e ndritur, shtypur në shtypshkronjën “Err‟rreshijd”, në Medine, në vitin 1402 të Hixhretit; lexo edhe librin e dytë me titull: “Err‟rrd‟du alà men kedh‟dhebe bil-ehàdijthis‟sahijhatil-vàrideti fil-Mehdij”-“Përgjigje për atë që përgënjeshtron hadithet e gradës “Sahijh” që kanë ardhur për Mehdiun”.)
Ndërsa çështjet:
Cili është Mehdiu? Kur do të ndodhë shfaqja e tij?, janë çështje dytësore. Për rrjedhojë, diskutimi rreth këtyre çështjeve nuk është domosdoshmëri, përderisa ndajmë një fjalë të përbashkët në lidhje me origjinën e subjektit. Nuk mund të kërkohet prej shi‟ave që doktrinat e tyre të përputhen në të gjitha gjërat me doktrinat e Ehli Synetit, por edhe kundërta është e drejtë.
Çdo medh‟heb ka komponentët, parimet e burimet e veta mbi të cilat ai mbështetet. Më pas, artikullshkruesi thotë: “Në të vërtetë, kundërshtimi mes nesh e mes shi‟ave është për bazat e fesë dhe për këtë s‟ka asnjë dyshim.” Edhe me këtë shprehje ai gënjen sheshit, sepse bazat e fesë janë të njohura e të përhapura në të gjitha medh‟hebet islame.
Përveç kësaj, në lidhje me bazat, s‟ka asnjë kundërshtim dhe vetëkuptohet që edhe shi‟at nuk mund të jenë besimtarë myslimanë pa këto baza të njohura prej të gjithëve. Këto fjalë të parregullta, nga ana e artikullshkruesit, në fakt dënojnë vetë të vetëquajturit selefij.
Me këto fjalë ai tregon sikur të vetëquajturit selefij kanë baza ndryshe prej bazave të medh‟hebeve të tjera dhe sikur mbi bazat e tyre është ngritur ekzistenca e një feje tjetër, ndryshe prej fesë që kanë medh‟hebet e tjera islame. Është e qartë se për këtë fjalë s‟ka justifikues tjetër përveç faktit se artikullshkruesi beson se Islam ka vetëm te të vetëquajturit selefij dhe se vetëm ata e përfaqësojnë Islamin.
Pikërisht kjo na çon në rezultatin e sipërm. Nëse artikullshkruesi, me të vërtetë do të ishte prej dijetarëve të devotshëm, që thonë të vërtetën dhe prej burrave të drejtë, ai duhet patjetër të bënte dallimin mes bazave e degëve, mes teksteve e ixhtihadit (arritja e së drejtës për të arsyetuar në mënyrë të pavarur mbi statusin juridiko-fetar të disa problemeve) dhe pastaj, bazuar mbi degët e mbi arsyetimin e pavarur juridiko-fetar, le të adaptojë qëndrimin ndaj shi‟ave. Këtë parregullsi të artikullshkruesit ne e shohim qartë kur ai thotë: “Në të vërtetë, kundërshtimi mes nesh e mes shi‟ave është për bazat e fesë dhe për këtë s‟ka asnjë dyshim.”
Me këtë frazë ai thotë se shi‟at mohojnë cilësitë e Allahut të Lartësuar, nuk besojnë se njerëzit do të shohin Allahun e Lartësuar në Botën Tjetër. Shi‟at besojnë në pagabueshmërinë e Imamëve, besojnë se imamët kanë kompetencë strukturale në grimcat e gjithësisë dhe se Imamët kanë një pozitë më të lartë se Profetët. Gjithashtu, ai thotë se shi‟at e urrejnë Xhibrilin ashtu siç e urrejnë atë jehuditët dhe se shi‟at nuk besojnë as në dy “Sahihët” (në “Sahihun” e Buhariut e në “Sahihun” e Muslimit) e as në ndonjë libër prej librave të Ehli Synetit.” Më poshtë, për secilën prej këtyre punëve, do të flasim shkurtimisht, me qëllim që për ne të bëhet e qartë sa larg shkon neglizhenca e mosnjohja e të vërtetave te ky artikullshkrues, sa shumë i është dorëzuar ai mendësisë së kohës së kaluar dhe deri ku arrin mosnjohja që ai ka për doktrinat e për burimet e shi‟ave.
* * *
Përsa i përket fjalës së artikullshkruesit që shi‟at mohojnë cilësitë e Allahut të Gjithëfuqishëm, padyshim që kjo fjalë është krejtësisht e gabuar. Dihet se lëshimi i akuzave prej disave kundër të tjerëve për shkak se ata kanë adaptuar një pikëpamje ndryshe nga pikëpamja e tyre për cilësitë e Allahut, ka qenë dhe është një e akuzë e përhershme. Pikëpamja e shi‟ave për cilësitë e Allahut, në mënyrë të përmbledhur, është si vijon:
Për Allahun e Lartësuar s‟ka vend të veçantë, ashtu siç besojnë disa se Allahu është në qiell. Shi‟at thonë se nuk është e mundur që Allahu të shihet me sy, sepse kjo është prej gjërave të pamundura. Këtë pamundësi e lexojmë në fjalën e të Lartit:
“La tudrikukul-ebsàru ue huve judrikul-ebsàre ue huve-l’letijful-khabijru”
“Atë (Allahun) nuk e shohin sytë, kurse Ai i përfshinë sytë, Ai është i Buti, Njohësi i çdo hollësie.” (Sure “En‟am”, ajeti 103.)
Shi‟at besojnë se cilësitë e Allahut, si: dituria, fuqia, përhershmëria e të tjera cilësi të ngjashme, janë të mbledhura në vetë Qenien e Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, shi‟at besojnë se cilësitë e Allahut nuk janë si cilësitë e krijesave që janë të pavarura njëra prej tjetrës dhe të ndara prej qenies së krijesave. Kjo pikëpamje është në kundërshtim me pikëpamjen e disa vëllezërve tanë prej Ehli Synetit.
Rezultati i luftërave dhe i përplasjeve ideore e doktrinare që kanë ndodhur mes disave prej vëllezërve tanë e mes armiqve të tyre gjatë kohës së sundimit të abacive, që përkon me kohën e daljes së medh‟hebit e të doktrinave të tyre, ishte një kundërpërgjigje e ashpër nga ana e tyre ndaj armiqve e kundërshtarëve të tyre, prandaj ata gjykuan, për shembull, se është mohues ai që thotë se Kur‟ani është i krijuar dhe se kjo është doktrinë e shi‟ave dhe e muëtezileve.
Gjithashtu, ata interpretojnë cilësitë e Allahut si metaforë, pa u mbështetur në transmetimet që flasin për cilësitë e Allahut të Lartësuar. Kushdo që i kundërshtonte ata në doktrinat e tyre për këto çështje, ata i konsideruan mohues të cilësive të Allahut të Lartësuar dhe, sipas thënies së tyre, ndër këta kundërshtues janë edhe shi‟at.
* * *
Përsa i përket çështjes se Imamët e Ehli Bejtit janë të pagabueshëm, shi‟at besojnë në pagabueshmërinë e dymbëdhjetë Imamëve. Këtë besim për Imamët e tyre shi‟at e mbështesin në argumente të shumta prej Librit dhe prej hadithit. Në krye të këtyre argumenteve patjetër qëndron fjala e Allahut të Lartësuar, që e lexojmë në suren “El Ahzab”:
“…in’nemà jurijdu-ll’llàhu lijedh’hibe ankumu-rr’rrixhze ehlel-bejti ue jutah’hirekum tathijren”
“…në të vërtetë, Allahu ka qëllim të largojë ndyrësirën prej jush, njerëzve të shtëpisë (së Profetit) dhe t’u pastrojë ju plotësisht.” Sure “ (El Ahzab”, ajeti 33)
Si dhe fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Unë jam njeri dhe pres të më vijë i ngarkuari i Zotit tim, që unë të përgjigjem. Unë kam lënë te ju dy gjëra me peshë të rëndë: e para është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim në rrugën e drejtë dhe dritë, prandaj merreni Librin e Allahut dhe kapuni mirë pas tij.” Dhe, pasi nxiti për Librin e Allahut, që të kishin dëshirë për të, tha: “Kam lënë edhe njerëzit e familjes sime. Ju kujtoj Allahun në të drejtën e familjes sime, ju kujtoj Allahun në të drejtën e familjes sime, ju kujtoj Allahun në të drejtën e familjes sime.”
(“Sahiju” i Muslimit, vëll. 4, f. 1873, prej librit “Virtytet e sahabëve”, K. “Virtytet e Ali ibn Ebu Talibit”, Paragrafi 36, nr. 2408.)
Derisa doktrina është në kuadrin e tekstit, nuk lejohet që rreth asaj doktrine të ngjallen dyshime, edhe pse disa mund të kenë një këndvështrim të kundërt për këto dy tekste. Gjithsesi, ky kundërshtim është thjesht çështje hulumtimi nga ana e tyre.
* * *
Gjithashtu, artikullshkruesi, kur flet për imamët thotë se shi‟at e urrejnë Xhibrilin (Paqja e shpëtimi i Allahut qoftë për të!). Ashtu siç u tha edhe më sipër, kjo është një fjalë krejtësisht e gabuar, që tregon se artikullshkruesi nuk i ka lexuar burimet e shi‟ave. Gjithashtu, kjo fjalë e tij tregon se këto akuza ai i ka marrë prej librave të armiqve të kohës së kaluar.
Ndër burimet e shi‟ave, në lidhje me fushën e doktrinave, nuk gjendet as edhe një burim i vetëm, ku të thuhet për hyjnizimin e Imamëve të Ehli Bejtit, ose për urrejtje ndaj Xhibrilit. Por armiqtë gjithmonë gjurmojnë në transmetimet e shpërndara nëpër disa libra dhe pastaj i interpretojnë ato sipas rrugës që u intereson atyre. Gjithashtu, ata thonë se jo gjithçka që tregohet në librat e shi‟ave është e vërtetë, në një kohë kur ka një rregull që vendos saktësinë e transmetimeve të ardhura prej Imamëve të Ehli Bejtit. Rregulli, në mënyrë të prerë, thotë: Transmetimi që nuk përputhet me Kur‟anin dhe me logjikën, hidhet poshtë.
* * *
Përsa i përket thënies së artikullshkruesit se shi‟at nuk besojnë në “Sahihun” e Buhariut, në “Sahihun” e Muslimit e në librat e “Suneneve”, nuk do të thotë mohim i Synetit, ose kundërshtim i burimeve të Ehli Synetit, pasi edhe shi‟at kanë librat e tyre të haditheve, të cilat vazhdimisht i nënshtrohen shoshitjes, prandaj nuk është e logjikshme që Ehli Syneti të kërkojë prej shi‟ave që të besojnë në transmetimet e tyre. Gjithashtu, edhe shi‟at, si bazë, nuk kërkojnë prej Ehli Synetit që të besojnë në transmetimet e shi‟ave. Ehli Syneti e trajton hadithin me disa rrugë, por edhe shi‟at e trajtojnë hadithin me rrugë të tjera. Pikërisht këtu ka dalë kundërshtimi për hadithet, për faktin se hadithe të Ehli Synetit nuk gjenden te shi‟at. Po kështu, hadithe të shi‟ave nuk gjenden te Ehli Syneti. Por kjo nuk e ndalon që në shumë hadithe të gjenden të përbashkëta te të dyja grupimet, (Qendra shkencore pranë kompleksit botëror për afrimin mes medh‟hebeve islame, në kuadrin e botimit të një serie të gjatë librash, ka botuar edhe libra ku përmenden hadithe që janë të përbashkëta në të dyja grupimet, në të gjitha fushat: në kapitujt e së drejtës islame (fik‟hut), adhurimet, shkëmbimet e ndërsjella, historinë, librat e jetëshkrimit të personaliteteve dhe në lidhje me shkencat kur‟anore e të hadithit. Në kuadrin e kësaj serie të artë janë botuar libra të veçantë për namazin, agjërimin, faljen e namazit të Xhumasë, luftën në rrugën e Allahut, ndalimin e punës së keqe dhe urdhërimin e punës së mirë, zekatin, lutjen, hadithin kudsij, libra me ajete të Kur‟anit e hadithe që flasin për ekonominë, libra me hadithe që trajtojnë moralin, hadithe që kanë ardhur për Ehli Bejtin e libra të tjerë. E gjitha kjo thekson fuqishëm praninë e të përbashkëtave të shumta e të llojeve të ndryshme mes shi‟ave dhe Ehli Synetit, çka dëshmon për unitetin e bazave dhe pastërtinë e burimit ku janë marrë) siç është për shembull hadithi që u përmend më lart për Librin dhe për njerëzit e familjes Profetike.
Gjithsesi, kundërshtimi për hadithet dhe dhënia e gjykimit rreth haditheve, nuk është në kundërshtim me bazat e fesë, pasi vetëm kundërshtimi i Kur‟anit sjell përplasje në bazat e fesë.
Kur artikullshkruesi ynë thotë se besimi në cilësitë e Allahut sipas medh‟hebit të Ehli Synetit dhe se besimi për shikimin e Allahut me sy është prej bazave, se besimi në librat e Buhariut, Muslimit dhe në librat e tjerë të hadithe të Ehli Synetit është prej bazave, kjo është vetë injoranca. Në këto fjalë të artikullshkruesit s‟ka asgjë nga e vërteta, gjithashtu s‟ka asgjë nga e vërteta, as pretendimi i tij se vetëm ai është brenda kufirit të fesë.
Në të vërtetë, brenda kufirit të medh‟hebit të Ehli Synetit janë edhe ata myslimanë për të cilët artikullshkruesi s‟ka dijeni për qëndrimin e tyre të qartë, kur shpallin mohues kundërshtarin dhe, është e qartë se ky është qëndrim refuzues Ibn Tejmijeh ka thënë: “Prej stisjeve të urryera është shpallja mohues e grupeve të myslimanëve dhe lejimi që ata të vriten e t‟u merret pasuria.”
(“Mexhmù‟ul-fetàvà”-“Tubë fetash”, vëll. 7, f. 684.)
Përsa i përket fillimit, kjo nuk është në kuptimin që t‟i tregohet Allahut të Lartësuar një punë për të cilën Ai s‟kishte dijeni. Padyshim që kjo thënie e artikullshkruesit është injoranca më e shëmtuar e mohim kategorik. Kjo shprehje e tij do të thotë se Allahu s‟ka dituri, se Allahu kalon nëpër ngjarje e pëson ndryshime dhe, ajo që ka cituar artikullshkruesi prej librit Elkamij‟jit nuk është e vërtetë, sepse artikullshkruesi nuk ka dijeni fare për librin e Elkamij‟jit, por ka cituar fjalët e një armiku, i cili në të vërtetë i ka tjetërsuar fjalët e tij.
* * *
Edhe shpifja tjetër e artikullshkruesit që shi‟at kanë revizionuar Kur‟anin është thjesht rrenë. Shi‟at s‟kanë Kur‟an tjetër përveç Kur‟anit që është në dorën e të gjithë myslimanëve dhe, përsa i përket faktit që disa prej armiqve kanë cituar prej disa librave të shi‟ave, në lidhje me Kur‟anin, ato janë fjalë të marra në kundërshtim me qëllimin e autorit të librit. Por edhe nëse atje ka ndonjë transmetim të shkallës “daijf”–“dobët”, dijetarët e shi‟ave nuk punojnë sipas këtij transmetimi. Përveç kësaj, transmetime të tilla, që kanë lidhje me Kur‟anin dhe njoftojnë se Kur‟ani ishte më shumë ose është pakësuar, janë të shumta edhe në librat e Ehli Synetit, kur flasin për sure që më parë janë lexuar e pastaj janë hequr e u ruajtën dhe më pas u fshejhën, ose u ngritën, siç thuhet për shembull, në lidhje me ajetin e rexhmit (ekzekutimit me gjuajtje me gur) dhe me ajetin e mëkimit të fëmijës me gji.
Për më shumë shpjegime për këto çështje, shiko librin “El-itkàn”, librat e historisë, shiko librin “Fet‟hulBàrij; ( “Fethul-Bàrij”, Komenti i “Sahihut” të Buhariut.) “Sahihun” e Muslimit, lexo librin “Zekati”, K. “Sikur njeriu të kishte dy lugina, do të dëshironte të kishte edhe një të tretë”, lexo edhe librat e Taberaniut, Bejhekiut dhe “Musnedin” e Ahmedit.
* * *
Edhe akuza tjetër e artikullshkruesit për qëndrimin e shi‟ave ndaj sahabëve, theksojmë se qëndrimi ndaj sahabëve nuk përbën mohim, ashtu siç deklaron artikullshkruesi. Shi‟at kurrë nuk thonë për sahabët e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ata janë mohues. Por shi‟at mbajnë qëndrim ndaj disa sahabëve. Gjithashtu, është e vërtetë që shi‟at kanë transmetuar vetëm prej disa sahabëve, kanë transmetuar vetëm prej atyre, për të cilët ata mendojnë se ishin të përkushtuar në shoqërimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe vetëm prej atyre që ishin më të vendosur për të ecur në rrugën e tij. Këto qëndrime shi‟at i kanë mbështetur me tekste të shumta, të nxjerra prej ajeteve të Kur‟anit dhe prej librave të hadithe të Ehli Synetit.
Këtu s‟është vendi të përmenden. Lexo librin “Aslu-sh‟shij‟ati ue usùluhà”-“Origjina e shi‟ave dhe bazat e tyre”, të autorit, shejhut Kàshiful-Gitài, botuar në Kajro prej shtëpisë botuese “Dàru-n‟nexhàhi”- “Shtëpia e suksesit”, lexo edhe librin me titull “Meàlimulmedresetejni” –“Shenjat dalluese të dy shkollave” e autorit Murtedà El-askerij, botuar në Bejrut, si dhe libra të tjerë të shi‟ave që janë në treg.