AUTORËT QË E MOHOJNË EKZISTENCËN E TIJ
Grupi i studiuesve e dijetarëve shi‟i, që e mohojnë ekzistencën e Abdullah ibn Sebes janë shprehur se ai është thjesht një figurë legjende, mit dhe se nuk ka ekzistuar mbi këtë tokë. Këta studiues e dijetarë mund të ndahen në dy pjesë: njëra pjesë prej tyre kanë shkruar për figurën e Abdullah ibn Sebes studime të veçanta e të thelluara, kurse pjesa tjetër e ka përmendur atë në përgjithësi dhe shkurtimisht. Prej atyre që kanë marrë përsipër të shpallin të pavërtetë gënjeshtrën e Abdullah ibn Sebe në studimet e tyre rendisim:
1. EL-ALAMEH MURTEDA EL-ASKERIJ…studim historik
Prej studiuesve që e kanë shqyrtuar me hollësi çështjen Ibn Sebe, kanë vërtetuar se tregimi për figurën e Abdullah ibn Seben është një trillim që s‟ka asnjë bazë prej së vërtetës, është edhe dijetari bashkëkohës Es‟sej‟jid Murtedà El-askerij. Es‟sej‟jid El-Askerij ka bërë një vëzhgim të plotë, të bazuar mbi një studim të gjerë për Abdullah ibn Seben. Studimi i këtij dijetari ka rezultuar në një libër me dy vëllime, me titull “Abdullah ibn Sebe dhe legjenda të tjera”.
(Botimi i parë i vëllimit të parë ka dalë në Nexhefi Eshref të Irakut, në vitin 1375 Hixhreti në Irak. Më pas është ribotuar në Kajro; Vëllimi i dytë është botuar në Teheran dhe më pas në Bejrut)
Ky studiues serioz ka vërtetuar me argumente historike, të pakundërshtueshme dhe, në sajë të një studimi konkret, për origjinën e kësaj figure legjendare ka thënë se ai është vetëm një trillim. Por armiqtë e shi‟ave e hedhin mbi shi‟at pa asnjë argument shkencor e pa asnjë dokument historik. Me sipër kemi folur për studimin e Sej‟jid Murtedà El-askerijit, kur kemi trajtuar rrënjët historike të tregimit të Ibn Sebes dhe kemi parë se ky autor bashkëkohës ka shpjeguar se ai që e ka sjellë në skenë Abdullah ibn Seben është Taberiji, me rrugën e përcjellësit vënës njoftimesh, Sejf ibn omer. Gjithashtu, ky autor pohon se rruga e përcjelljes së këtij njoftimi përmblidhet vetëm në Sejfin, për të cilin Es‟sejid El-Askerij ka folur në punimin e tij kushtuar jetëshkrimit të figurës mitike, Abdullah ibn Sebes.
Në këtë punim ai ka vërtetuar se ky përcjellës është prej përcjellësve të gradës “daijf”-“dobët”, është prej përcjellësve që askush nuk i merr në konsideratë njoftimet e ardhura prej tij, ashtu siç janë shprehur për këtë çështje dijetarët e mëdhenj që kanë atakuar modifikimet e ndryshimet dhe kanë vërtetuar se themelet e tregimit për Abdullah ibn Seben janë ndërtuar mbi një mit që rrokulliset në greminë dhe nuk qëndron dot para studimit e diskutimit objektiv, me të cilin ka ardhur talenti i këtij studiuesi të shquar.
Dijetari El-Askerij ka shkruar edhe një studim tjetër rreth këtij subjekti. Deri tani është botuar vetëm vëllimi parë i këtij studimi prej 366 faqesh, “El-usturetus‟seb‟ij‟jetu kemà tekhaj‟jelehà ue ikhtelekahà Sejf ibn Umer”-“Legjenda Sebe, ashtu siç e ka imagjinuar dhe e ka stisur Sejf ibn Omeri”. Ky libër është botuar në vitin 1424 Hixhreti dhe është botim i Fakultetit të Bazave të Fesë, pranë Qendrës Shkencore në qytetin Kom të Iranit.
2. DR. ALI ELVERDIJ… studim i thelluar
Dr. Ali Everdij, pedagog në universitetin e Bagdadit, e fillon tregimin për Abdullah ibn Seben me një ngjarje, të cilën ai e thekson në librin e tij. Ngjarja, në mënyrë të përmbledhur, është si vijon:
“Një ditë dëgjova një prift që vinte në lojë Islamin, duke thënë: “Shikoni këtë fe, që me fitoret e saj, ishte në majat e madhështisë, por menjëherë bëhet pre e lehtë e një jomyslimani, për të cilin historia njeh shumë pak gjëra. Në mësimet e Profetit të tyre shohim një të huaj, shohim një jehudi që hyn në këtë shoqëri, të cilën ai arrin ta shqyejë në mënyrë të frikshme, sa e bën copë-copë. Askush nuk ngre dorën kundër këtij të huaji, askush nuk e dëbon apo ta shtypë.”
(“Vuadh‟dhu-s‟selàtijn”-“Këshilluesit e mbretërve”, f. 96, Botuar në Bagdad, Irak.)
Më pas ky autor shpalos mendimet e studiuesve që mbështesin ekzistencën e një personi të tillë, si dhe mendimet e studiuesve që nuk e pranojnë se ai person ka ekzistuar. Në këtë pikë, autori shtron pyetjen: “Këtu mbetemi të habitur mes dy mendimeve kontradiktore: A ishte Ibn Sebe një person konkret, apo është një iluzion i trilluar?”
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme për cilindo që ka qëllim të studiojë historinë e shoqërisë islame dhe të marrë në konsideratë këshillat e saj të shumta. Për ne është plotësisht e drejtë, që pyetjen ta shtrojmë në një mënyrë tjetër dhe të themi: A kishte nevojë shoqëria islame e asaj kohe për ndonjë person të huaj, i cili të shkaktonte e të nxiste ngatërresa?
Duket se historianët që kanë cituar tregimin e Ibn Sebes, mendojnë se shoqëria islame në atë kohë ishte e kënaqur, e qetë, e sigurt dhe s‟kishte asgjë që mund të sillte shqetësim në atë shoqëri. Prandaj unë mendoj se ata historianë të tipit të këshilluesve, të cilët, në mendimin e tyre, ndjekin logjikën e Talesit të kohës së vjetër, kur shikojnë një lëvizje shoqërore, çuditen dhe pyesin njëri-tjetrin sikur lëvizja, në këndvështrimin e tyre, është parregullsi e natyrës së shoqërisë, ose ajo është një ngjarje kalimtare në atë shoqëri.
Logjika shoqërore moderne thotë se shoqëria është me natyrë lëvizëse origjinale dhe se shoqëria është në ndryshim të përhershëm, apo siç e kanë emërtuar këtë ndryshim në terminologjinë shkencore me fjalën “proces”.
Logjika moderne nuk çuditet kur shejh shoqërinë të lëvizë, në të kundërt, ajo çuditet e pyet kur e shejh shoqërinë në qetësi, pasi qetësia, në pikëpamjen e logjikës moderne, është parregullsi e ardhur, kurse lëvizja, në shumicën e rasteve, është baza mbi të cilën qëndron struktura shoqërore.
Shoqëria islame e periudhës gjatë së cilës Ebu Dherri shfaqi mendimet e tij, vuante prej një krize shoqërore shumë të madhe, për shkak se dallimi mes të pasurit e të varfrit ishte aq i gjerë, sa revoltonte shpirtrat.
Revolta në atë kohë ishte një domosdoshmëri dhe ne nuk kemi nevojë të analizojmë shfaqjen e revoltës, por kemi nevojë të kundërtën, kemi nevojë të analizojmë rastin sikur në atë kohë të mos kishte ndodhur ajo revoltë, ose ajo lëvizje.”
Më pas El-Verdij thotë:
“Për mua mbetet i paqartë fakti se përse ajo lëvizje i atribuohet një personi si Ibn Sebe, që ishte vetëm një trillim e asgjë më shumë, ashtu siç ka thënë për të edhe dr. TàHà Husejn. Duket qartë se kjo figurë është stisur në mënyrë të përkryer prej atyre të pasurve, kundër të cilëve drejtohej revolta.
Dihet se kështu kanë vepruar shtresat që jetojnë në mirëqenie, në të gjitha etapat e historisë, ndaj atyre që ngrenë krye kundër tyre. Për të gjitha revoltat shoqërore armiqtë e revoltave thonë se ato i ka shkaktuar një i huaj, ashtu siç e ka theksuar këtë fakt studiuesi, sociologu i njohur, profesor Smilli.
Në këtë kuadër vlen të theksohet se edhe vetë Muhamedin, në fillimet e thirrjes së tij, kurejshët e akuzuan se merrte mësime prej një djali kristian, të quajtur Xheber."
(Lexo Hasenejn Hejkelin, “Hajàtu Muham‟med”–“Jeta e Muhamedit”, f. 136, Botuar në Kajro)
Më pas, disa të tjerë e akuzuan se ai i merrte mendime prej murgut Behijra, ose prej Selman Farisiut dhe prej të tjerëve. (Lexo Abdurrahman Bedevij, “Shakhsj‟jàtun kalikatun fil-Isàm"– “Personalitete shqetësuese në Islam”, f. 33, Botuar në Kajro.)
Çdo parim të ri, shtresat që jetojnë në mirëqenie ia atribuojnë ndikimit të një rryme të huaj, ose një të huaji dhe, siç e shpjegon prof. Smilli, kështu ka ndodhur në periudha të ndryshme të historisë.”
(“Vuadh‟dhu-selàtijn”–“Këshilltarët e mbretërve”, f. 97-98.)
Dr. El-Verdij, gjithashtu, thotë:
“Historianët, shkakun kryesor në atë ngatërresë të madhe, ia atribuojnë Abdullah ibn Sebes, një të huaji jehudi që hyri në Islam, me qëllim që të bëjë mashtrime e makinacione në të. Duket qartë se zotëruesit e pronave të mëdha, që dolën në kohën e Uthmanit, panë se zemërimi i masës ndaj pasurive të tyre, për të cilat është pak të quhen të mëdha, po u gërryente tokën nën këmbë, prandaj ata quajtën shkaktar të atij zemërimi një jehudi të huaj, që kishte qëllim të mbillte mashtrime e trillime në Islam e ndër myslimanët.
Natyrisht që me atë stisje ata kishin qëllim të mbulonin shkakun origjinal të revoltës ulëritëse kundër tyre. Punët e mëdha që i atribuohen Abdullah ibn Sebes, mund t‟i bëjë vetëm një gjeni, ose një magjistar, ose ndonjë person i një kallëpi të shquar, që ka fuqi magnetizuese gjumëvënëse, i cili, patjetër duhet të ketë sy me fuqi magnetizuese aq të fuqishme, sa të thyejë edhe gurët, ose ai ka një fuqi shpirtërore aq të madhe, sa i bën njerëzit që ka përpara si të ishin dhenë dhe që ndikohen prej fjalëve të tij, pa e ndier se nga i vjen ai ndikim.
Sikur në kohën e Uthmanit të ishte shfaqur një burrë i tillë, me siguri që në një mënyrë a në një tjetër, do të kishte arritur te ne përshkrimi i tij. Por e çuditshme është se nuk gjejmë që Ibn Sebe të përmendet në burimet e rëndësishme që flasin për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë hilafetit të Uthmanit. Unë nuk kam gjetur në histori ndonjë tregim të trilluar, që të trumbetohet e të mbetet gjatë gjithë kohëve si tregimi i këtij personi, por gjejmë se Ibn Sebe ka trazuar mendjet e shumë dijetarëve. Sikur Ibn Sebe të ishte një person i vërtetë, patjetër që ai do të qante shumë e do të hidhte poshtë këto akuza të shumta që hidhen mbi të.” (Burimi i sipërm, f. 111.)
Në fundin e kapitullit të pestë të librit të tij, dr. El-Verdij, shkurtimisht ka regjistruar rezultatin:
“Abdullah ibn Sebe gjendet në çdo kohë e në çdo vend. Pas çdo lëvizjeje të re mund të jetë një Ibn Sebe. Nëse ajo lëvizje del me sukses, emri i Ibn Sebes fshihet prej historisë së asaj lëvizjeje dhe ajo lëvizje bëhet e lavdëruar. Por, kur lëvizja dështon, mjerimi do të bjerë mbi kokën e Ibn Sebes dhe nga të gjitha anët do të hidhet pluhur mbi cilësitë e tij. Në të vërtetë Ibn Sebe nuk është i qetë në asnjë gjendje. Në çdo rrugë ai gjithmonë përfiton prej rastit dhe, derisa padrejtësia të jetë e pranishme, Allahu na ruajttë, çdo njeri mund të jetë sebi, mund të jetë ndjekës i Abdullah ibn Sebes.” (“Vuadh‟dhu-s‟selàtijn”, f. 115.)
A ËSHTË AMAR IBN JASERI IBN SEUDA?
Autori është ndikuar prej fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili, duke përmendur sahabiun e nderuar, Amar ibn Jaser, ka thënë se atë do ta vrasë grupi i padrejtë. Në të vërtetë, Amari u vra në Luftën e Sifijnit prej ushtrisë së Muavijes. Në njoftimet e transmetuara thuhet se Ibn Arebij, në librin e tij ka përmendur se një herë Amari ka thënë: Uthmani është “errësirë nate tullace”. Por, kur Aliu e dëgjoi Amarin të shprehet kështu për Uthmanin, e qortoi rëndë. Pikërisht kjo i ka shtyrë historianët të thonë se sebijtë u lidhën me Amarin dhe u takuan me të që ta bënin për vete.
(“El-avàsimu uelkavàsimu”, f. 150-151)
Dr. El-Verdij, pasi citon fjalët e mësipërme të Ibn Arebijit, thotë:
“Këta historinë nuk kanë thënë se Amari ishte sebij dhe duket se ata s‟kanë guxuar të lëshojnë mbi Amarin këtë epitet të përçmuar, sepse ai është një sahab shumë i nderuar, është prej atyre që janë torturuar shumë në rrugën e Allahut, madje vetë Profeti ka folur shpesh për virtytin e tij. Realisht Amari ishte sebij, në kuptimin e plotë gjuhësor që ka kjo fjalë dhe ai vazhdoi të ishte sebij derisa vdiq. Unë kam idenë se ai ishte lideri më i madh i sebijve, pasi me të vërtetë është biri i vetë Sebeit.” (“Vuadh‟dhu-s‟selàtij”, f. 172 dhe f. 174.)
Më pas El-Verdij, duke pyetur, thotë:
“Këtu mund të dalë dikush e të pyesë: Ku shkoi Ibn Sebe në ato trazira luftërash të mëdha? Por më e çuditshme është se ne e gjejmë Ibn Seben në të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me revoltën kundër Uthmanit, si dhe në ngjarjet që ndodhën pas tij. Më pas shikojmë se ai mungon në betejën e Sifijnit, ditën kur u vra Amar ibn Jaseri. Përse u fshejh ky dinak demagog në atë luftë të tmerrshme dhe ku u fshejh? Historianët nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje trullosëse, as pak e as shumë. Realisht Ibn Sebe nuk është fshejhur gjatë luftës së Sifijnit. Në të kundërt, ai nuk ka ekzistuar fare që të fshihej, pasi ai është vetëm një trillim, ashtu siç e thamë në kapitullin e mëparshëm. Në të vërtetë, trillimi vjen e shkon sipas qëllimit të atyre që e kanë stisur trillimin.”
Më pas El-Verdij shton:
“Mua më duket se tregimi për Ibn Seben, nga fillimi deri në fund, është një rrëfenjë e thurur në mënyrë të përsosur dhe me mjeshtri të lartë përfytyrimi. Është fakt se kurejshët nuk dalloheshin për mençuri vetëm në fushën e politikës, por ata ishin mjeshtra edhe në artin e tregimeve. Duket se kurejshët, gjatë kohës së Uthmanit, flisnin për Amar ibn Jaserin në mbledhjet e tyre të veçanta dhe në fshejhtësi e shanin atë, por mendonin se në atë kohë nuk ishte në interesin e tyre që të shpallnin para njerëzve sharjet që ata lakonin në adresë të tij.
Mbase ndonjëri prej përcjellësve të njoftimeve i ka dëgjuar kurejshët të përmendnin Ibn Seudan dhe ta shanin atë. Por ky përcjellës ka menduar se fjala Ibn Seuda, për të cilin flisnin kurejshët, është për ndonjë person tjetër dhe jo për Amar ibn Jaserin. Ka të ngjarë që tregimi për Ibn Seben, në fillim mund të ketë lindur prej këtij mendimi të gabuar dhe më pas, rreth tij, pak e nga pak, janë thurur legjenda të shumta. Prej çudirave të historisë është kur shikojmë se shumë prej punëve që i atribuohen Ibn Sebes, në një formë ose në një tjetër, i gjejmë edhe në jetëshkrimin e Amar ibn Jaserit. Natyrisht që ky fakt bën që të mendohet mbi të. Në vijim do të shpalos për lexuesin disa prej atyre punëve që janë të përbashkëta për Amarin e për Ibn Seben dhe lexuesi le të japë mendimin e tij për to.
1- Ibn Sebe, njihej me epitetin Ibn Seuda dhe ne pamë se edhe Amari, në shprehjet e kurejshëve, thirrej me epitetin përçmues Ibn Seuda."
(Në fillim të këtij kapitulli dr. El-Verdij ka theksuar fjalët e kurejshëve. Ne pamë se ata e thërrisnin Amarin skllav dhe biri i zezakes)
2- Babai i Amarit ishte nga Jemeni. Kjo do të thotë se ai ishte prej bijve të Sebeit dhe çdo jemenas shpreh të vërtetën, kur thotë se ai është bir i Sebeit, pasi të gjithë banorët e Jemenit e kanë origjinën te Sebe ibn Jashxheb ibn Jareb ibn Kahtan. Në Kur‟anin Famëlartë tregohet se shpendi hudhud i tha Sulejmanit (Paqja e shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) se ai kishte ardhur prej Sebeit dhe me Sebein, qëllimi ishte për Jemenin.
3- Veç kësaj, Amari kishte një dashuri shumë të madhe për Ali ibn Ebu Talibin. Bënte thirrje për të ndihmuar Aliun me të gjitha rrugët dhe i nxiste njerëzit të jepnin besën për të.
El-alusiji tregon: “Një burrë erdhi te Amari dhe i kërkoi t‟i shpjegojë ajetin 82 të sures “En Neml” të Kur‟anit:
“Ue idhà veka’al-kaulu akhrexhnà lehum dàb’beten minel-erdi tukel’limuhum…”
“Dhe kur mbi ata fjala (dënimi) të bëhet realitet, Ne do të nxjerrim një gjallesë prej tokës që do t’i flasë atyre…” Amari, për gjallesën që përmendet në këtë ajet, thotë: “Ajo gjallesë është Ali ibn Ebu Talibi.”
( “Ruhul Meànij”, vëll. 6, f. 312.)
Kjo fjalë që thuhet prej Amarit është e ngjashme me fjalën që thotë Ibn Sebe, për të cilin thonë se besonte në kthimin e Aliut në jetë, pas vdekjes së tij.
4- Gjatë kohës kur Uthmani ishte në krye të hilafetit, Amari shkoi në Egjipt dhe filloi të nxisë njerëzit kundër Uthmanit. Gjithashtu thuhet se për këto aktivitete të Amarit, guvernatori bëri zhurmë dhe ishte i vendosur të vinte dorë mbi të.” (Lexo dr. TàHà Husejn, “Elfitnetul-kubrà”, vëll. 1, f. 128.)
Ky njoftim është i ngjashëm me atë që thuhet edhe për Ibn Seben, se edhe ai u vendos në Egjipt. Pastaj qytetin Fustat e bëri qendër të thirrjes së tij dhe prej aty ai filloi të mbajë korrespondencë me përkrahësit e vet.
5- Ibn Sebes i atribuohet kjo thënie: “Uthmani e mori hilafetin me pa të drejtë dhe se personi ligjor të cilit i takon hilafeti është Ali ibn Ebu Talibi.
Në të vërtetë, kjo është fjala e vetë Amar ibn Jaserit, i cili është dëgjuar ditën e bësëdhënies për Uthmanin të thërrasë me zë të lartë në xhami: “O kurejsh! Nëse ju e hiqni këtë punë prej shtëpisë së Profetit tuaj, duke ia dhënë herë njërit e herë tjetrit, unë nuk kam më siguri që Allahu nuk do ta heqë këtë detyrë prej dorës suaj dhe do t‟ua japë të tjerëve, ashtu siç e hoqët ju prej familjes së tij dhe e vutë në të tjerë që s‟janë të familjes së tij.”
(Lexo Abdulhamijd Es‟she‟hàr , “Ehlul-Bejti”, f. 66, Botuar në Kajro)
6- Ibn Sebes i atribuohet se pengoi orvatjet e Aliut për të arritur paqen mes tij e mes Aishes në pragun e Betejës së Basras. Kushdo që lexon hollësi që kanë të bëjnë me Betejën e Basras, do të gjejë se Amari ka një rol shumë aktiv në atë betejë dhe është Amari ai që shkoi së bashku me Hasanin e me Malik Eshterin, në Kufe për të nxitur njerëzit që të bashkoheshin me ushtrinë e Aliut. 7- Edhe për Ibn Seben kanë thënë: “Ai është personi që nxiti Ebu Dherrin të ngrihej në lëvizjen e tij sociale.” Sikur ne të studiojmë lidhjen e Amarit me Ebu Dherrin, do të gjejmë se ajo ishte një lidhje shumë e fortë, të dy ishin prej të njëjtës shkollë, prej shkollës së Ali ibn Ebu Talibit.
Ebu Dherri s‟kishte nevojë ta mësonte Ibn Sebe, se plaçka e luftës është pasuri e myslimanëve, ose nuk është e drejtë që plaçka e luftës të quhet pasuri e Allahut. Dy shokët e Ebu Dherrit, Amari dhe Aliu, qëndrojnë më lart se kushdo tjetër, që t‟i mësonin atij këtë çështje, nëse ai me të vërtetë nuk e dinte.” Në fund, dr. El-Verdij arrin në përfundimin: “Nga e gjithë kjo që u tha më lart, del se Ibn Sebe nuk është askush tjetër përveçse Amar ibn Jaseri. Kurejshët e konsideronin Amarin kreun e revoltës kundër Uthmanit.
Në fillim të asaj pune nuk deshën ta thoshin hapur emrin e tij, por e thanë me emrin Ibn Sebe, ose me epitetin Ibn Seuda. Përcjellësit e njoftimeve e përcollën këtë epitet krejtësisht të shkujdesur,sepse ata, në të vërtetë, nuk kishin dijeni për punët që bëheshin prapa perdes.” (“Vuàdhu-s‟selàtijn”, f. 176-180.)
3- PROF. ABDULLAH ES’SEBIJTIJ… studim historik
Profesori, dijetari i shquar, shejhu Abdull‟llah Es‟sebijtij është prej dijetarëve të shi‟ave në Irak dhe autor i shumë librave: “Tahte ràjetul-hak‟k”-“Nën flamurin e së vërtetës”, “Elmubàheleh”-“Mallkimi i ndërsjellë”, “Haxhx‟hetul-vedàë”-“Haxhi i lamtumirës”, “Selmàn Elfàrisij”-“Selman Farisiu”, “Ebù Dherr Elgaf‟fàrij”-“Ebu Dherr Gafariu”, “Am‟màr ibn Jàser”-“Amar ibn Jaseri” dhe “Hixhr ibn Adij”- “Hixhr ibn Adij”.
Ndër veprat e prof. Es‟sebijtijit është edhe një libër tjetër i tij me vlera të larta, të cilin e shkroi në përgjigje të librit “Eljehudij‟jetu fil-Islàm”-“Jehudizmi në Islam”, me autor njërin prej shejhëve të universitetit të Ez‟herit. Ky libër i profesorit ka një rëndësi të veçantë për disa arsye. Në këtë libër ai i përgjigjet trazirës që shkaktoi Sad Muham‟med Hasen në tregimin për jetën dhe veprën e Ibn Sebes. Në këtë gjendje, prof. Es‟sebijtijin i dilte detyra që çështjen ta trajtonte në mënyrë të detajuar, nëpërmjet një studimi shtesë, ku përmend legjendën e sebijve, bazuar në argumente të shumta historike. Që në fillim të studimit të tij, (Lexo: “Ilà meshijkhatil-ez‟her”, f. 110-118) prof. Es‟sebijtij thekson:
“Sebijzmi, si rrymë, as nuk ekziston e as nuk ka ndonjë ndikim, përveçse në botën e iluzioneve dhe në fantazinë e armiqve të shi‟ave, të cilët kanë nevojë për një ekzistencë të jashtme. Më pas profesori shpjegon qartë se kjo legjendë është vetëm një pjesë e akuzave që armiqtë kanë hedhur mbi Shi‟izmin gjatë gjithë historisë së këtij medh‟hebi. Legjenda e Sebijzimit ashtu siç shkruan prof. Es‟sebijtij, është një stisje e çuditshme, që nuk qëndron para studimit të hollësishëm. Kushdo që i nënshtrohet logjikës së studimit, nuk e vërteton e nuk e beson këtë legjendë. Mjeti i vetëm i kohëve të hershme për mbulimin e së vërtetës ishte lëshimi i akuzave që ata i përhapnin për të sulmuar armiqtë dhe kjo është ajo që ka ndodhur me shi‟at, kundër të cilëve armiqtë e tyre stisën Sebijzmin dhe Abdullah ibn Seben. Pastaj këtë stisje të tyre e hodhën mbi cilindo që përkrahte Ali ibn Ebu Talibin, ndryshe çështja e Ibn Sebes, ashtu siç flasin tregimet historike, do të shkaktonte vetëm tallje e do t‟i bënte njerëzit të qeshnin.
Si është e mundur që Ibn Sebe e sebijtë të ngriheshin në mënyrë kaq të befasishme kundër jetës së myslimanëve në kohën e Uthmanit? Si e gjeti më pas Ibn Sebe mundësinë që, brenda një kohe fare të shkurtër, të ngrihet kundër halifes dhe ta vrasë atë, me qëllim që pas vrasjes së tij të shkaktonte ngatërresa në mesin e myslimanëve, për më tepër kjo ngatërresë (Sebijzmi) të dalë gjatë brezave e të rilindë gjatë shekujve?
Rrëfenjat flasin për një fuqi të padukshme të Ibn Sebes, i cili pati mundësi të fusë i vetëm në dorën e tij botën islame, edhe pse ajo ishte aq e gjerë dhe në kulmin e forcës e të fuqisë së saj. Këtë ai e arriti me anë të ushtës jehude, asaj ushte magjike, të fshejhtë, e cila hapi një plagë në fe, u sul mbi moralet e myslimanëve dhe i bëri ato copëcopë. Realisht njeriut nuk i mbetet asgjë veçse të pyesë: Si ka mundësi që jehudiu Abdullah ibn Sebe, i cili nga ana e mashtrimeve politike ia kalon edhe Ben Gurionit, nuk filloi pushtimin e Palestinës, të cilën jehuditët dëshirojnë që ajo të jetë “shteti i tyre kombëtar”, megjithëse të gjithë të tjerët e dinë mirë se jehuditë kanë qarë për tokën e premtuar, Palestinën, që ditën e parë?!
Në të vërtetë, fijet e politikës, nën nxitjen e imagjinatës e të fantazisë kanë endur një person legjendë, të paqartë, me emrin Abdullah ibn Sebe dhe gjithnjë, nëpërmjet fantazisë, u përshkrua për këtë person një rol i planifikuar, me qëllim që të shkatërronte Islamin dhe të fliste hapur kundër tij. S‟ka dyshim se e gjithë kjo është vetëm për qëllime politike. A është detyrë të studiojmë në këtë person identitetin e asaj dore mëkatare, që pati guximin të stisë e ta përhapë këtë legjendë?! Përgjigjen për këtë pyetje është e pamundur ta gjejmë në vorbullën e fanatizmit e të injorancës, pasi një përgjigje e dalë prej një mjedisi të tillë s‟ka vlerë në peshoren e logjikës. Në të vërtetë, ajo që është në të gjithë prapavijën e çështjes qëndron në kundërshtimin që lindi rreth hilafetit. Është pikërisht ky kundërshtim që e lindi Ibn Seben dhe që çoi në tjerrjen e legjendës së Sebijzmit, të cilin më pas e përdorën si akuzë që hidhej mbi çdo kundërshtar të linjës zyrtare dhe ky person asgjësohej me argumentin se është ndjekës i Ibn Sebes.
Dr. TàHà Husejn thotë:
“Janë të shumta argumentet që mbështesin këtë mendim të prof. Abdullah Es‟sebijtij. Më sipër ne pamë se akuza e bashkëpunimit me Ibn Seben është shtrirë deri edhe te sahabët e nderuar, madje deri te sahabët që ishin afër te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), si Ebu Dherri dhe Amar ibn Jaseri.” (“Alij‟jun ue benùhu” – “Aliu dhe djemtë e tij”, f. 115)
Nga ajo që ka shkruar dr. TàHà Husejn kuptohet se akuza mbi ndjekësit e Ibn Sebes është shtrirë deri edhe mbi Malik El-Eshterin. Prej dëshmive të tjera që ne po sjellim për të shpjeguar se kjo akuzë u shndërrua në një mjet për të folur keq për armiqtë e pushtetit dhe shkak për t‟i luftuar ata, është letra që guvernatori i Basras e i Kufes i shkroi Zijad ibn Ebijhit për Muavijen, kur arrestoi Hixhrin me shokët e tij, ndaj të cilëve u tregua shumë i ashpër. Pastaj, së bashku me letrën, i çoi ata te Muavija.
Në atë letër lexojmë se si Zijadi e përshkruan sahabiun Hixhr dhe shokët e tij:
“Djajtë e kësaj toke (në tekst: turàbijeh, fjalë që ka lidhje me togfjalëshin “ebù turàb”, që ishte epiteti i Prijësit të besimtarëve, Imam Ali ibn Ebu Talibit), si dhe “seb’ij”-të , kreu i të cilëve është Hixhr ibn Adij, kundërshtuan Prijësin e besimtarëve (do të thotë kundërshtuan Muavijen), përçanë bashkësinë e myslimanëve dhe filluan luftën kundër nesh, por Allahu na nxori ne të jemi kundër tyre."
(Lexo librin “Hixhr ibn Adij” të autorit, dijetarit të dëgjuar, Ekemraij, f. 66-67, botuar në Teheran, Iran)
Le t‟i rikthemi atyre që shejhu Es‟sebijtij ka shkuar në fillim të studimit të tij, ku përmend se studiuesi objektiv, kur studion faktet me të cilat është rrethuar tregimi i Ibn Sebes, nuk gjen fushë që të bindet për të vërtetën se ai person ka ekzistuar, se ai ka një aktivitet e një pamje të jashtme. Prandaj ky studiues ka plotësisht të drejtë të pyesë për fuqinë e madhe që i atribuohet Ibn Sebes: Prej nga i erdhi atij kjo fuqi?
Si mundi ai të fillojë lëvizjen e tij, kur ishte nën vëzhgimin e njerëzve të Uthmanit, të qeveritarëve e të guvernatorëve të Uthmanit?
Si mundi ai të ketë aq fuqi, sa të mbizotërojë mbi shoqërinë islame?
Cili ishte Ibn Sebe?
Si kishte mundësi të lëvizë e të qarkullojë në të gjitha trevat e botës islame për të përhapur thirrjen e tij, pa e bërë të heshtë shpata e emevive, ose që atë ta kapte ndonjë prej guvernatorëve të Uthmanit, ose, më e pakta, ta internonin, ta largonin, ose edhe ta arrestonin?
Gjithashtu, për studiuesin lind e drejta të pyesë edhe për ndjekësit e Ibn Sebes. Cilët ishin ata?
Ne e dimë mirë se përkrahës të Aliut ishin vetëm sahabët më të afërm të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Atëherë, nëse me të vërtetë Ibn Sebe ka ekzistuar, duhej që ndjekësit e tij të ishin prej Ehli Synetit Veç kësaj, kur Ibn Sebe kishte kaq shumë talente dhe kaq shumë kapacitet politik, ku janë jehuditët që nuk flasin për të?
Përse emri i tij nuk përmendet në historinë e tyre? Si qe puna e tij dhe si qe e ardhmja e tij?
Ç‟u bë me ndjekësit e tij dhe si qe përfundimi i tyre?
Këto dhe pyetje të tjera nuk e lënë studiuesin e paanshëm të mos i shtrojë dhe të kërkojë përgjigje të qarta.
(“Ilà meshijkhatil-Ez‟her”– drejtuar meshihatit të Ez‟herit, f. 115-118, Botuar në Bagdad në vitin 1375 të Hixhretit.)
* * * *
Është edhe një grup tjetër dijetarësh e ideologë shi‟a që e mohojnë ekzistencën e Abdullah ibn Sebes, por që e nënvizojnë atë në përgjithësi e shkurtimisht dhe nuk kanë shkruar ndonjë studim për atë. Prej këtij grupi dijetarësh përmendim:
1- SHEJHU MUAHM’MED HUSEJN KÀSHIFUL-GITÀI
Në librin e tij “Aslu-sh‟shij‟ati ue usùluhà”–“Origjina e Shi‟izmit dhe bazat e tij”, shejhu i nderuar, për Abdullah ibn Seben, thotë:
“Nuk është larg mendimi i atij që thotë se tregimet rreth Abdullah ibn Sebes dhe rreth të marrit të tribusë beni Amir dhe të tribusë Ebu Hilal… dhe të ngjashëm me ata burra e me ata heronj, të gjitha këto tregime, janë njoftime mitike, të vëna prej autorëve të tregimeve, si dhe prej atyre që tregojnë përralla natën e prej atyre që bëjnë shaka.”
( “Aslu-sh‟shij‟ati ue usùluhà”–“Origjina e Shi‟izmit dhe bazat e tij”, f. 57-58, Botimi i 8-të, Kajro.)
2- ÀJETULL’LLAHUL-UDHMA ELMUHAK’KIKU ES’SEJ’JID EBÙL-KÀSIM EKHÙIJ
Në enciklopedinë e tij, shejhu i nderuar, Elkhuij thotë:
“Legjenda Abdullah ibn Sebe dhe tregimet e shumta rreth turbullirave që ai ka shkaktuar, janë stisje të vëna. Të gjitha janë të stisura prej gënjeshtarit demagog e vënësit të njoftimeve Sejf ibn Omerit. Ne nuk na premton vendi të zgjatemi e të sjellim argumente për këtë, por na mjafton, madje është shumë ajo që ka sjellë për ne dijetari i shquar dhe studiuesi i mirënjohur Es‟sej‟jid Murtedà El-Askerij me studimet e tij të thella e të detajuara rreth këtyre tregimeve mitike dhe rreth Sejfit e njoftimeve të vëna prej tij.”
Të gjitha këto shejhu i nderuar i ka paraqitur në librin e tij me dy vëllime “Abdullah ibn Sebe dhe legjenda të tjera”, si dhe në librin tjetër të tij: “Njëqind e pesëdhjetë sahabë të stisur”
(Të dy librat janë botuar e janë shpërndarë disa herë në: Nexhefi Eshref, Bejrut, Teheran dhe Kajro. “Muëxhemu rixhàlul-hadijth”–“Enciklopedia e burrave të hadithit”, vëll. 11, f. 207; lexo librin “Abdull‟llàh ibn Sebe diràsetun ue tahlijlun”– “Abdullah ibn Sebe”, studim dhe analizë, autori, shejhu Ali Al Muhsin, Botuar prej “Dàrul-hàdij” , Bejrut, në vitin 1423 të Hixhretit.)
3- ELALÀMEH ES’SEJ’JID MUHAM’MED HUSEJN ET’TABÀTÀIJ
Profesori dhe dijetari ynë i madh, Et‟tabàtàij, në tefsirin e tij “El Mijzan” ka thënë:
“Këta dy persona, për të cilët njofton Taberiji dhe që kanë përcjellë njoftime të shumta rreth Uthmanit, e kam fjalën për Shuajbin e për Sejfin, janë gënjeshtarë e vënës njoftimesh dhe të njohur si mashtrues. Dijetarët që kanë shkruar biografitë e përcjellësve të njoftimeve, i kanë atakuar të dy për stisjet që ata bënë për Ibn Seudan, të cilin e kanë quajtur Abdullah ibn Sebe. Dihet se njoftimi i ardhur prej këtyre të dyve, si të gjitha njoftimet e tjera të vëna, përfundon vetëm në këta të dy. Kohët e fundit studiuesit kanë dalë me mendimin e prerë se Ibn Seuda është prej stistjeve mitike, që s‟kanë asnjë bazë nga realiteti."
(“Emijzànu fij tefsijril-Kur‟àn”–“Peshorja në interpretimin e Kur‟anit”, vëll. 9, f. 260)
4- DR. KÀMIL MUSTAFÀ ESH’SHEJBIJ
Ky dijetar ka shkruar se Abdullah ibn Sebe është sahabiu i nderuar Amar ibn Jaser dhe se këto dy emra janë vetëm një burrë dhe jo dy vetë. Në vijim, doktori i nderuar thotë:
“Mbi këtë bazë sebijtë janë një grup që e ka drejtuar Amar ibn Jaseri dhe janë kurejshët ata që ia kanë vënë atij këtë epitet dhe janë po kurejshët ata që kanë shtuar mbi mendimet e tij teprime e gjëra të gabuara. Të gjitha këto i kanë shtuar mbi mendimet e Amarit, me qëllim që t‟i nxjerrin jashtë logjikës, të heqin prej mendimeve të tij fuqinë bindëse dhe të hedhin mbi mendimet e tij vellon e dyshimit e të pavlefshmërisë. E gjitha, kjo me qëllim që njerëzit të largoheshin prej mendimeve të tij e prej parimeve të tij në lidhje me të drejtën e virtytin e tij mbi të gjithë myslimanët e tjerë bashkëkohës të tij në kohën e Uthmanit.”
(“Es‟siletu bejne-t‟tesav‟vufi uet‟teshej‟jui”–“Lidhja mes Sufizmit e Shi‟izmit”, vëll. 1, f. 89, Botuar në Kajro)