KAPITULLI I DYTË
ABDULLAH IBN SEBE NË MENDIMIN SYNI
Gjatë këtij rrugëtimi në histori, u bë e qartë se burimi i vetëm për tregimin rreth Abdullah ibn Sebes është “Historia” e Tabrijit, i cili e ka vërtetuar këtë tregim vetëm me rrugën e përcjelljes prej Sejf ibn Omer Et‟temijmijit. Vepra “Historia” e Taberijit konsiderohet burimi i vetëm prej të cilit janë bazuar studiuesit e historianët.
Më sipër pamë se Taberiji ka folur në mënyrë të përgjithshme për Ibn Seben. Dihet se shkrimtarët e autorët që erdhën pas Taberijit shtuan mbi këtë tregim, duke bërë komente të ndryshme. Ata janë zgjeruar, pa u mbështetur në asnjë burim historik që mund të merret në konsideratë.
Është fakt se këto shtesa, me kalimin e kohëve, erdhën duke u shtuar. Nëse duam të flasim me një gjuhë më të qartë, mund të themi se shkrimtarët e autorët e teksteve kanë përdorur gjuhën e akuzave e të shpifjeve, duke u shtuar pak e nga pak gjatë viteve, derisa historia e Abdullah ibn Sebes arriti në ditët tona. Ne shohim se disa prej shkrimtarëve, të gjitha doktrinat e shi‟ave dhe mendimet e tyre ia atribuojnë Abdullah ibn Sebes, sa herë që lëshojnë akuza kundër shi‟ave dhe Shi‟izmit, pa pasur asnjë argument që të vërtetojë deri vetë ekzistencën e Abdullah ibn Sebes.
Më sipër vumë në dukje ato që thuhen për aktivitetet e tij të rreme në shumë treva të mëdha të shtetit islam, shtet të cilin, si bazë, ai e përshkruante si një lojë në shumë prej ngjarjeve që kanë ndodhur në historinë e këtij ymeti.
Krahasimi mes burimit të tregimit, ashtu siç ka ardhur në “Historinë” e Taberijit dhe mes formës që mori ky tregim në burimet e tjera pas Taberijit, për autorin vërtetojnë në një mënyrë që nuk lënë vend për dyshim se të gjitha doktrinat e shi‟ave që i atribuohen Abdullah ibn Sebes, nuk janë gjë tjetër veçse akuza e shpifje të propaganduara prej liderëve të fanatizmit, me qëllim që të ushqejë politikën e përçarjes.
Por e drejta na detyron të themi: Shumë historianë e studiues prej vëllezërve tanë të Ehli Synetit, me studimet e tyre kanë hequr maskën e lojërave të qëllimkëqijve, që lëshojnë vetëm sharje. Këta dijetarë e studiues nuk kanë rënë pre e traditës së verbër të trashëguar dhe mjaft të përhapur. Në të kundërt, objektiviteti ka qenë qëllimi i tyre, për të evidentuar të vërtetën e rrugës së humbjes ku ranë akuzuesit e shpifësit.
Këta dijetarë e studiues janë udhëhequr gjithmonë prej studimit shkencor e objektiv, të zhveshur prej të gjitha mendimeve të kohës së shkuar. E gjithë kjo punë e tyre ka dhënë rezultate të sakta. Në sajë të kësaj rruge studimi, ata kanë vërtetuar shterpësinë e opinioneve, me të cilat është rrethuar figura e Abdullah ibn Sebes, me të cilën stisësit kishin qëllim të mbillnin farën e përçarjes në ymetin islam.
Në vijim do të shpalosim mendimet e disa dijetarëve e studiuesve më në zë prej Ehli Synetit, prej atyre dijetarëve që nuk kanë rënë nën ndikimin e propagandës së thurur rreth këtij të huaji, të quajtur Abdullah ibn Sebe. Në pararojë të këtyre dijetarëve islamë qëndron prof. dr. TaHa Husejn, prof. Hamid Hanefij dhe të tjerë. Po fillojmë me shpalosjen e mendimit të prof. dr. TaHa Husejn: