Nuk ka pasim, nuk ka ndjekje, nuk ka “tesheju’u” kur zemra nuk është e pastër. Lexojmë ajetin kur'anor në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
“Pa dyshim që një nga ithtarët e besimit të tij, (të Nuhut), ishte Ibrahimi, kur erdhi tek Zoti i tij me zemër të pastër." (Surja "Saffat", ajeti 83-84.)
Në këtë ajet kur'anor na shfaqet qartë një tjetër kuptim shumë i rëndësishëm i lidhur me kuptimet e tjera të fjalës “ettesheju‟u”. Këtu vihet theksi mbi një kusht shumë të rëndësishëm të pasimit dhe të ndjekjes së urdhëresave në rrugën e Allahut të Madhëruar. Që të konsiderohesh prej pasuesve dhe prej ndjekësve të rrugës së Allahut, duhet plotësuar më parë një kusht shumë i rëndësishëm. Ai është pastërtia e zemrës! Këtë kusht e lexojmë të qartë në ajetin e mësipërm, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
“Kur erdhi tek Zoti i tij me zemër të pastër”.
Zemra e pastër, në këtë rast, nënkupton trasferimin e plotë të qënies tek natyrshmëria e saj e parë, në të cilën e ka krijuar Allahu i Madhëruar. Është trasnferimi i qënies dhe orientimi i saj nga mësimet e të dërguarve të Allahut. Në një farë mënyre, zemra e pastër në ajetin e sipërpërmendur nënkupton lidhjen e mendjes nëpërmjet proceseve të mendimit dhe të meditimit me “fitren” natyrshmërinë. Kështu, gjithmonë kemi pranuar dhe kemi thënë se mendja është fabrika e mendimit. Mendimi prodhon formën dhe tërësinë e proceseve të të menduarit dhe këto të fundit janë garante që ta drejtojnë njeriun në mënyrë të padiskutueshme për tek natyrshmëria fillestare, në të cilën e ka krijuar Allahu i Madhëruar.
Natyrshmëria, në të cilën Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun, përfaqëson, në një farë mënyre, një lloj profetizmi të brendshëm te njeriu. Kjo natyrshmëri është natyrshmëria e besimit tek Allahu i Madhëruar. Lidhur me segment shumë të rëndësishëm kuptimor, Allahu i Madhëruar na drejtohet me një ajet kur'anor duke na thënë kështu:
“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S‟ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë”.
(Surja "Ruum", ajeti 30)
Sapo të kosntatojë dhe të ndjejë një përputhje ndërmjet natyrshmërisë dhe mendjes, ndërmjet natyrshmërisë dhe llogjikës, njeriu e ndjen të nevojshëm legjislacionin, ligjin dhe projektin e Allahut për njerëzimin. Kjo është një ndjesi dhe një nevojë e pashmangshme. Sapo të unifikohet rrugëtimi i logjikës dhe i natyrshmërisë së qënies së njeriut, mund të themi me plot gojën se njeriu e ndjen të nevojshme të programojë marrëdhënien e tij me Allahun e Madhëruar. Kjo është një ndjenjë dhe një përjetim që ndodh në zemër, gatuhet dhe stacionohet aty. Për sa kohë gjëndet në zemër dhe banon aty, është e pakonkurueshme dhe e pazëvendësueshme.
Kjo është një ndjesi e forte, e cila formësohet dalëngadalë në thellësitë e zemrës dhe sa vjen e rritet me kalimin e kohës. Një ndjenjë e tillë e fortë është rezultat i natyrshëm i një koordinimi të brendshëm shpirtëtor, thellësisht të ndjerë, ndërmjet aktivitetit intensiv të disa profetëve, të cilët Allahu i Madhëruar i ka instaluar në mendjen dhe në zemrën e njeriut.
Ata janë: mendja, natyrshmëria dhe thirrja e herëpashershme e qënies për të besuar Krijuesin. Pas një kohe të caktuar, kjo ndjenjë do të përfshijë të gjithë zemrën, do ta pushtojë atë në kuptimin më paqësor të mundshëm të fjalës „pushtim‟. Sapo ndjenja të ngrihet në të tilla nivele, e gjithë qënia i dorëzohet Allahut të Madhëruar dhe i përkushtohet plotësisht Atij. Në këtë rast, zemra shndërrohet në një gjenerator që ndriçon duke djegur prej karburantit të besimit në Zot. Që një zemër t‟i përkasë plotësisht Zotit të saj, Krijuesit të saj, do të thotë që gjithçka që ka, gjithçka që posedon, gjithçka që mundet të bëjë, gjithçka që mundet të ofrojë, gjithë aktiviteti i saj të jetë për Allahun e Madhëruar, për Krijuesin e Gjithësisë.
Ky është prej atyre rasteve, në të cilat Zoti bëhet i pranishëm (sipas mënyrës që i Takon Madhështisë së Tij) në zemrën e njeriut. Për këtë arsye mund të themi se zemra e krijesës bëhet vendbanimi i Krijuesit të Gjithësisë, (gjithmonë sipas mënyrës që i përshtatet dhe i takon Atij). Këto kuptime i gjejmë në një hadith kudsijj, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë kështu:
“As Toka as qiejt nuk më kanë nxënë, por më nxuri zemra e besimtarit!”
Write a comment