· 

O TI NJERI! BASHKOHU ME NE!

Kërkesa e Zotit është tashmë e qartë për të gjithë. Allahu i Madhëruar e ka adresuar kërkesën e Tij drejtuar njerëzimit nëpërmjet gjuhës së më të nderuarit të profetëve, Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). I Dërguari i Allahut i ka përcjellë mbarë njerëzimit kërkesën për ndjekjen dhe pasimin e Allahut të Madhëruar dhe të Profetit të Tij. Ai i ka kërkuar mbarë njerëzimit që të kapen fort pas Librit të Allahut të Lartësuar dhe pas traditës së Familjes së Profetit të nderuar. Ai ka kërkuar prej tyre të ndjekin rreptësisht dhe me rrigorozitet, me bindje, me devotshmëri dhe me përkushtim të plotë udhëzimet e Kur'anit Famëlartë dhe traditën, (sunetin) e Profetit Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Ishte i dashuri ynë, Muhamedi, ai që e konsideroi Familjen e tij si një anije shpëtimi që do të shpëtojë vetëm ata që do të ngjiten në të dhe do të kërkojnë shpëtim. Sigurisht, shprehja në këtë mënyrë metaforike, pra në formën e një anije, të cilën e drejton një kapiten i zoti, është një mënyrë e zgjedhur prej Profetit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të treguar një mënyrë shpëtimi. Profeti ynë ka dashur të tregojë se këtë anije të shpëtimit e drejton një kapiten hyjnor, ndersa anijen e Dynjasë dhe të kësaj bote e drejton një kapiten shumë larg Zotit dhe hyjnores. Një kapiten shumë larg Zotit. Këta mund të quhen ndryshe kapitenët dhe drejtuesit për në rrugën e djallit.

 

Kjo është kërkesa e qartë e Zotit. Kjo është një kërkesë e ardhur drejtpërsëdrejti prej Allahut të Madhëruar. Është vetë Ai që kërkon prej njerëzimit të hipin dhe të bëhen anëtarë të bordit të kësaj anije hyjnore të shpëtimit, të cilën e drejton kapiteni më i aftë, më i ndershmi dhe më i dhëmbsuri që ka njohur historia e njerëzimit. Ai është më i nderuari i profetëve, Muhamedi, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Drejtuesit e kësaj anijeje janë pasuesit e tij besnikë. Janë ndjekësit e tij të ndershëm dhe të devotshëm, janë shokët e tij të zgjedhur dhe të ndershëm. Të bëhesh pjesë e ekuipazhit të kësaj anije do të thotë të shpëtosh.

 

Të shpëtosh prej dallgëve të kësaj jete të mbrapshtë. Të jesh pjesë e ekuipazhit të kësaj anijeje do të thotë të fitosh lumturinë dhe mirëqënien në këtë botë, të fitosh kënaqësinë dhe qetësinë aq shumë të nevojitur për të gjithë. Të fitosh qetësinë shpirtërore. Të fitosh lumturinë e të dukshmes dhe të padukshmes së qënies. Të gjithë ata njerëz që i fitojnë këto dhurata e mirësi prej Allahut të Madhëruar, janë prej njerëzve që fitojnë Xhenetin e kësaj bote, përpara se të fitojnë Xhenetin në Botën Tjetër. Këto kuptime të shenjta dhe hyjnore i gjejmë të pasqyruara më së miri   tek komentimi i ajetit kur'anor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

“Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet do të ketë dy Xhenete.” Surja "Rrahman", ajeti 46

 

Xheneti i parë, kopështi i parë është kënaqësia që përjeton besimtari në këtë dynja, për sa kohë është i lidhur me Allahun e Madhëruar. Për sa kohë njeriu ka një lidhje të fuqishme me hyjnoren dhe me Krijuesin e Gjithësisë, në duart e të cilit gjëndet gjithçka, marrëdhënia dhe lidhja përkthehet në një harmoni të plotë të njeriut me njerëzit dhe me të gjitha krijesat e tjera që notojnë në ekzistencë. Sa i përket Xhenetit të dytë, kopshtit të dytë, sigurisht që bëhet fjalë për shpërblimin (Xhenetin) e përjetësisë, të cilin e ka premtuar Allahu i Madhëruar për njerëzit e tij të devotshëm.

 

Të ngjitesh në këtë anjije të shpëtimit, do të thotë të jesh pasues i Allahut të Madhëruar dhe i të Dërguarit të Tij. Kjo është forma superlative e shprehjes së “el-mushajeah”. Të ngjitesh në këtë anije do të thotë të kapesh fort pas Kur'anit Famëlartë. Do të thotë të kapesh fort pas anëtarëve të pagabueshëm, trashëgimtarë të Familjes së Profetit. Do të thotë të kapesh fort pas shokëve dhe pasuesve të tij të ndershëm dhe të pastër. Do të thotë të kapesh fort pas udhës së miqve të tij më të sinqertë dhe më besnikë.

Anija e sipërpërmendur, në të cilën janë ftuar të hipin njerëzit, ka për qëllim të orientojë umetin dhe të gjithë bashkësinë njerëzore drejt asaj që quhet shoqëria ideale, apo qyteti ideal i Platonit. Një bashkësi njerëzore ideale, është ajo bashkësi njerëzish, e cila beson tek vlerat, tek normat dhe tek cilësitë më të larta të shoqërisë njerëzore. Kjo bashkësi njerëzish, është ajo që do ta orientojë mbarë njerëzimin nga njohja dhe pranimi i hyjnores qiellore.

 

Është ajo që do t‟i orientojë njerëzit nga pranimi i mesazheve hyjnore të zbritura në periudha të ndryshme të historisë, nëpërmjet profetëve dhe pejgamberëve të ndryshëm.

 

 

Write a comment

Comments: 0