· 

Hadithe çë tregojnë jetën e vërtetë të pasusve,të ndjekësve dhe të dashurve të Allahut

 

Kështu pra, të gjithë ata që kanë vendosur të jenë pasuesit, ndjekësit dhe të dashurit e të të nderuarit e Profetëve, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Familjes së tij (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), dhe të shokëve të tyre të ndershem dhe të përzgjedhur, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) duhet të kenë disa cilësi dhe duhet të jenë të pajisur me moral të lartë, sepse ata janë shembull për pjesën tjetër të njerëzve. Për këtë arsye, mund të themi pse një pjesë e madhe e haditheve kanë nisur me shprehjen “Shiatuna”, pasuesit tanë. Në të gjitha këto hadithe janë përmendur përkufizime të qarta rreth sjelljeve dhe moralit të të gjithë atyre që kanë ndjekur Allahun e Madhëruar. Janë përmendur cilësitë dhe karakteristikat e të gjithë atyre që kanë pretenduar dhe e kanë ndjekur me përkushtim e devotshmëri traditën e Profetit Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të atyre që kanë ndjekur shembullin dhe frymën e Kur'anit Famëlartë, e të gjithë atyre që kanë ndjekur shembullin dhe frymëzimin e familjes Profetike, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!) dhe të atyre që kanë ndjekur e pasuar shembullin dhe veprën e shokëve të ndershëm dhe të përzgjedhur të Profetit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

 

Transmetohet prej Imamëve tanë të nderuar, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), që të kenë thënë kështu:

“Janë disa cilësi kryesore, që karakterizojnë shiat, (ndjekësit dhe pasuesit tanë). Ata janë zemërgjerë dhe bujarë të mëdhenj. Ndihmojnë vazhdimisht dhe sakrifikojnë shumë për vëllezërit e tyre. Janë prej njerëzve që brënda një dite dhe nate i falin pesëdhjetë e një rekatë namaz”.

 

Në hadithin e mësipërm vemë re tre dimensione shumë të rëndësishme, të cilat diktojnë drejtpërsëdrejti natyrën e jetës në këtë botë. Dimensioni ekonomik, Dimensioni shoqëror dhe njerëzor dhe dimensioni shpirtëror dhe adhurimor. Këto tre dimensione janë kolonat më të rëndësishme mbi të cilat mund të ndërtohet një jetë e mirë dhe e pranueshme. Në mungesë të tyre nuk është e mundur diçka e tillë. 

 

1. Ata janë zemërgjerë dhe bujarë të mëdhenj

 

Kur flasim për dimensionin ekonomik, nënkuptojmë bujarinë, bamirësinë dhe zemërgjerësinë e tyre të madhe. Kjo bujari është e shtrirë në disa rrafshe. Bujaria e tyre e madhe ofrohet në rrafshin ekonomik, në dhënien e lëmoshës dhe të ndihmës ekonomike në para. Bujaria e tyre është shtrirë në rrafshin e dijes. Ata nuk e kanë kursyer kurrë dijen e tyre dhe ua kanë ofruar atë njerëzve vazhdimisht dhe me shumë durim e bujari.

Ata kanë qënë shumë bujarë me autoritetin dhe me peshën e madhe të përfaqësojnë emrat, mbiemrat dhe prejardhjen e tyre familjare. Bujaria dhe zemërgjerësia janë përfaqësueset e drejtpërdrejta të ekonomisë, sepse ekonomia e mirë, më së shumti,përceptohet në pasjen e parave. Këto dy elementë, bujaria dhe ekonomia janë të lidhur me paranë.

 

Me shpërndatjen dhe ndarjen e saj. Paraja, nga ana e saj, është simbolika e ekonomisë. Për këtë arsye themi se bujaria mund të jetë përfaqësuesja më gjithëpërfshirëse e dimensionit ekonomik. Më pas, në tekstin e mësipërm, përmendet një cilësi tjetër shumë e rëndësishme e tyre:

 

2. Ndihmojnë vazhdimisht dhe sakrifikojnë shumë për vëllezërit e tyre.

 

Ky aspekt, apo kjo cilësi është më shumë e lidhur me dimensionin shoqëror, me dimensionin e solidaritetit njerëzor, me dimensionin e të drejtave të njeriut. Ky dimension është i lidhur me marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin, është i lidhur me raportet ndërmjet bashkësive dhe grupacioneve të ndryshme të bashkësisë njerëzore. Është i lidhur me rrënjosjen e respektit dhe të harmonisë te njerëzit. Ky dimension është i lidhur me rëndësinë e njohjes dhe vëllazërimit për arsye të besimit dhe të fesë. Është i lidhur me rëndësinë e respektit, të njohjes dhe të dashurisë për të gjithë anëtarët e bashkësisë njerëzore që bëjnë pjesë tek umeti: ”La ilahe ila Llah Muhamedun resulullah”, nuk ka Zot tjetër të adhurar me të drejtë, përveç Allahut të Madhëruar dhe Muhamedi, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Lidhur me këtë dimension shumë të rëndësishëm, Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin Famëlartë:

 

“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëritjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është Ai që i frikësohet më shumë Atij. Vertet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për atë asgjë nuk është e fshehtë” (Surja "Huxhurat", ajeti 13)

 

Për këtë arsye, mund të themi se cilësia e dytë e pasuesve të Allahut të Madhëruar dhe e ndjekësve të tij të ndershëm ka më shumë natyrë shoqërore. Gjëja më e shtrenjtë dhe më e vlefshme që mund të ndajmë me anëtarët e bashkësisë njerëzore është dashuria. Ajo është gjëja më e shtrenjtë që mund t‟i dhurojmë dikujt dhe gjëja më e shtrenjtë që mund të na dhurojë dikush. Lidhur me këtë, Imam Xhafer Es-Sadiku, (Paqja qoftë mbi të!!), ka thënë:

“A është vallë feja, diçka tjetër përveç dashurisë?” 

 

E njëjta gjë ndodh edhe kur kemi të bëjmë me llojet dhe format e tjera të bujarisë. Bujaria, dija, paraja, autoriteti, fuqia, me peshën, me njohjet dhe me gjithçka, për të cilën kanë nevojë njerëzit, është shprehje e shkallës superlative të mirësisë, të vëllazërisë, të dashurisë dhe të solidaritetit njerëzor. Raportet dhe marrëdhënient ndërmjet njerëzve, nisin e rriten gradualisht. Në fillim janë raporte njerëzore dhe me pas mund të forcohen pozitivisht për arsye të besimit dhe të Islamit. Këtu, si vlerë e madhe, mund të konsiderohet edhe afrimiteti, lidhja dhe vëllezëria që lind për arsye të kombit dhe të vendit në të cilin jetojnë. Këto kuptime i gjejmë të shpalosura qartë në thënien e prijësit të besimtarëve, Imam Aliut, (Paqja qoftë mbi të!!), në të cilën ai shprehet kështu: 

 

“Njerëzit janë të ndarë në dy kategori. Ose janë vëllezër për arsye të fesë, ose kolegë në krijim e në humanizëm”.

Më pas, në tekstin që flet për cilësitë e pasuesve të Allahut, na paraqitet një cilësi tjetër e tyre.

 

3. “Janë prej njerëzve që brenda një dite dhe nate i falin pesëdhjetë e një rekatë namaz”.

 

Këtu shpaloset një tjetër dimension shumë rëndësishëm. Ai është dimensioni adhurimor i pasuesve dhe i ndjekëse të Allahut. Në këtë dimension, përmblidhen të gjitha adhurimet e detyruara (farz) së bashku me veprat e tjera të pëlqyeshme. Bashkë me to janë edhe veprat e mira dhe adhurimet vullnetare, (nafile), të cilat kërkojnë shumë pak kohë për t‟u vënë në jetë. Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë. Sa më e lartë të jetë dendësia e veprave të mira dhe e adhurimeve, aq më i lidhur është njeriu me Krijuesin e Tij.

 

Aq më shumë reflekton kjo marrëdhënie në cilësinë e ndjekjes dhe të pasimit të Allahut të Madhëruar, në pasimin dhe në ndjekjen e të Dërguarit të Allahut, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në cilësinë e ndjekjes dhe të pasimit të frymës dhe të udhëzimeve me të cilat ka ardhur Kur'ani Famëlartë dhe në cilësinë e ndjekjes dhe të pasimit të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!). Këto marrëdhënie reflektojnë dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në natyrën dhe cilësinë e pasimit dhe të ndjekjes së shokëve të ndershëm dhe të përzgjedhur të Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

 

 

Hadithi i dytë

 

 

Një tjetër thënie na vjen e transmetuar prej Imamëve tanë të pagabueshëm, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!). “Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë ata të cilët i frikësohen Allahut të tyre dhe përpiqen me të gjitha mundësitë që kanë në rrugën e besimit dhe të Islamit. Ata janë njerëz të fjalës dhe të besës. Ata janë adhurues dhe asketë të mëdhenj. Ata janë prej njerëzve, të cilët i falin brenda një nate dhe një dite pesëdhjetë e një rekatë. Ata janë prej njerëzve që agjërojnë ditën. Ata janë prej njerëzve që i pastrojnë pasuritë e tyre duke e dhënë zekatin. Ata janë prej njerëzve që vizitojnë Qabenë dhe e kryejnë Haxhin. Ata janë prej njerëzve që përpiqen sa të munden të mënjanojnë të gjitha llojet e ndalesave, (të harameve)”.

 

Le të ndalemi dhe të analizojmë me kujdes secilën prej cilësive të përmendura në transmetim, ashtu siç bëmë edhe me transmetimet e mësipërme.

Në fjalinë që vijon thuhet: 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë ata që i frikësohen Allahut të tyre dhe përpiqen me të gjitha mundësitë e tyre në rrugën e besimit dhe të Islamit”.

 

Këtu kemi të bëjmë me frikën që i ndalon njerëzit t‟u afrohen harameve dhe gjërave të cilat i ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Ndërsa pjesa tjetër është e lidhur me përpjekjet që bën njeriu apo besimtari për të qenë sa më korrekt në zbatimin e urdhëresave të Allahut të Madhëruar.

 

Ndërsa kur lexojmë:

“Ata janë njerëz të besës dhe të fjalës”

 

kemi të bëjmë me marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, sikurse kemi të bëjmë më marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe vëllait të tij njeri. Lidhur me këtë segment shumë të rëndësishëm, Allahu i Madhëruar ka thënë në Kur'anin Famëlartë:

“Ata që të janë betuar për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre! Ai që e prish betimin, e prish në dëm të vetes, por, nëse e mban besën ndaj Allahut, Ai do t‟i japë atij shpërblim të madh”. (Surja "Fet'h", ajeti 10.)

 

E vërteta është se ndërmjet njeriut dhe Zotit të tij ekziston një pakt, një marrëveshje dhe një premtim i madh i nënshkruar që në fillim të herës. Kjo marrëvëshje dhe ky pakt, kanë nevojë vazhdimisht për ndjekje dhe për zbatim të përpiktë. Ky pakt ka nevojë për besnikëri të vazhdueshme. Ka nevojë, gjithashtu, për amanet dhe mbajtjen e tij. Amaneti nuk është gjë tjetër, përveçse rezultat i natyrshëm i mbajtjes së premtimit të Allahut. Duke qenë se amaneti është mbajtja e premtimit, kjo bëri që Allahu i Madhëruar ta emërojë njeriun pasardhësin e Tij, apo mëkëmbësin e Tij në tokë.

 

Kjo mbajtje e fjalës dhe e besës së dhënë me Allahun e Madhëruar e bëri njeriun plotësisht të meritueshëm, për të marrë detyrën dhe përgjegjësinë e madhe të mëkëmbësit të Allahut mbi tokë. Allahu i Madhëruar ia ka paraqitur amanetin e Tij, (Kur'anin) qiejve dhe Tokës dhe ato kanë refuzuar ta mbajnë, prej pamundësisë. Ishte njeriu ai që e mori përsipër mbajtjen e amanetit, (në kuadër të përkujdesjes dhe të urtësisë së përgjithshme të vendimeve të Allahut për t‟ia dorëzuar atij amanetin). Amanet i Zotit do të thotë të mbash mbi supe përgjegjësisë e zbatimit dhe të vënies në jetë të Mesazhit Hyjnor.

Amanet i Zotit do të thotë të marrësh mbi supet e tua të brishta përgjegjësinë e vënies në praktikë të Mesazhit hyjnor dhe jo vetëm përkujdesje për përfaqësimin e tij teorik. Duke qenë se Mesazhi hyjnor ka një rëndësi të këtyre përmasave, mund të themi se për ta mbajtur dhe për ta përcjellë atë, njeriu duhet të jetë besnik i fjalës për ta mbajtur mbi supe amanetin e ngarkuar. Për këtë arsye lexojmë në transmetimin e mësipërm:

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë ata që i frikësohen Allahut të tyre dhe përpiqen me të gjitha mundësitë që kanë në rrugën e besimit dhe të Islamit. Ata janë njerëz të fjalës dhe të besës. Ata janë adhurues dhe asketë të mëdhenj”.

 

Prej kuptimeve të fjalës ”zuhd”, “asketizëm” tregon se prania e diçkaje dhe mungesa e saj janë njëlloj. Kuptimet e përafërta të kësaj fjale i gjejmë në ajetin kur'anor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

“Këtë përcaktim e kemi bërë që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë”. (Surja "Hadid", ajeti 23.)

 

Bazuar mbi rregullin e përcaktuar prej vetë Allahut të Madhëruar, në një tjetër ajet kur'anor thuhet:

“Thuaj: „Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu. Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”. (Surja "Teubeh", ajeti 51.)

 

Kështu pra, prania e diçkaje dhe mungesa e saj është njëlloj për këtë kategori njerëzish. Ata janë të kënaqur me Zotin e tyre në të gjitha rrethanat. Ata janë të kënaqur me Zotin e tyre edhe kur e kanë një të mirë edhe kur u mungon ajo. Ata janë njëlloj të kënaqur me Zotin e tyre edhe në vështirësi, edhe në lumturi. Kjo ndodh për arsye se këta njerëz e dinë dhe besojnë fuqimisht se gjithçka ndodh, ndodh për një urtësi që e di vetëm Allahu i Madhëruar. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që njeriu të mos përpiqet të lëvizë, por përfundimi është se në fund fare të gjithë duhet të jemi të bindur se gjithçka që ndodh në ekzistencë,gjithçka që ndodh në jetën e njeriut, ndodh për një arsye dhe për një urtësi që e di Allahu i Madhëruar, Krijuesi i Gjithësisë.

 

Fjala“zuhdit”, asketizmi, tregon se njeriu i dorëzohet gjykimit dhe vendimit të Allahut për të, pasi të ketë bërë të gjitha përpjekjet legjitime për ta përmirësuar atë. Të jesh njeri i kënaqur me atë që të ka caktuar Allahu, pra të jesh asket, nuk do të thotë në asnjë mënyrë që të jesh njeri i varfër, të mos posedosh asgjë. Të jesh asket do të thotë të mos ketë asgjë që mund të posedojë ty. Nuk është e lejuar që zemra dhe shpirti i njeriut të lidhet fort pas diçkaje tjetër, përveç Allahut të Madhëruar, duke u shndërruar në një mënyrë apo në një tjetër në objektin, të cilin e adhuron. I Vetmi që e meriton adhurimin dhe lidhjen e zemrës pas Tij është Allahu i Madhëruar. Ai është Poseduesi dhe Pronari absolut i ekzistencës. Ai është Poseduesi. Ai është Krijuesi i gjithckaje!

 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë ata që i frikësohen Allahut të tyre dhe përpiqen me të gjitha mundësitë që kanë në rrugën e besimit dhe të Islamit. Ata janë njerëz të fjalës dhe të besës. Ata janë adhurues dhe asketë të mëdhenj”.

 

Kuptimi i fjalës “adhurues” tregon se veprat dhe punët e këtyre adhuruesve të mëdhenj janë gjithmonë në përputhje të plotë me kënaqësinë e Allahut dhe ruhen vazhdimisht që të mos ketë në aktivitetin e tyre jetësor shkelje e kundravajtje. Ata përpiqen që të gjitha lëvizjet e jetës së tyre, nga më të voglat e deri tek ato më të mëdhatë, të përputhen më frymën e përgjithshme të udhëzimeve dhe të këshillave të Mesazhit hyjnor. Kjo është një mënyrë, të cilën ata e përzgjedhin për t‟u afruar tek Allahu i Madhëruar dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Kjo është arsyeja kryesore përse të gjitha lëvizjet e jetës së tyre, janë të gjitha lëvizje adhurimore, qartësisht të ndikuara prej udhëzimit tjetër të Allahut të Madhëruar në Kur'anin Famëlartë, në të Cilin Ai urdhëron dhe thotë kështu:

“Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë”. (Surja "Dharijat", ajeti 56.)

 

Më pas, në tekstin e mësipërm lexojmë: “Ata janë prej njerëzve që i falin brenda një nate dhe një dite pesëdhjetë e një rekatë”.

 

Në fillim shpjeguam disa prej fjalëve të tekstit. Më pas u përpoqëm të shpjegojmë kuptimet e lidhura me frikën ndaj Allahut të Madhëruar, përpjekjen, besën, amanetin dhe pjesën më të madhe të kuptimeve që lidhen me ato terma. U përpoqëm shumë shkurtimisht të përshkruajmë asketët dhe cilësitë e tyre. Për ata që falin brenda një nate dhe një dite pesëdhjetë rekatë mund të themi, se ata janë njerëz që i kanë zemrat e tyre fort të lidhura pas Allahut të Madhëruar.

Ekziston një marrëdhënie e fortë dhe e çmuar ndërmjet atyre njerëzve dhe Allahut të Madhëruar. Është një marrëdhënie e vaçantë dhe shumë private, të cilën nuk mund ta kuptojë askush tjetër, veç tyre. Kjo marrëdhënie është e lidhur me raportet që krijojnë me njëri-tjetrin gjatë kryerjes së namazit. Namazi në vetvete është një mënyrë e komunikimit dhe e dialogut me Allahun e Madhëruar nëpërmjet leximit të ajeteve dhe sureve të ndryshme, të cilat i ka zbrit Allahu i Madhëruar në Kur'anin Famëlartë.

 

Një transmetim prej Imamëve të pagabueshëm thotë: 

“Nëse ke dëshirë të komunikosh apo të flasësh me Allahun, atëherë ngrihu dhe falu dhe, nëse dëshiron që Allahu të komunikojë dhe të flasë me ty, atëherë lexo Kur'an!"

 

 Nisur nga sa u përmend më sipër mund të themi se shiat, pasuesit e vërtetë të Allahut të Madhëruar, pasuesit e Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), janë njerëz të cilët e përmendin dhe e kujtojnë vazhdimisht Allahun e Madhëruar. Janë njerëz, të cilët nuk lejojnë që të kalojnë asnjë moment pa u kujtuar Allahu i Madhëruar. Duke qenë të tillë, ata janë vazhdimisht në kërkim të takimit me Allahun e Madhëruar. Janë vazhdimisht në kërkim të një marrëdhënie të veçantë dhe speciale ndërmjet tyre dhe Krijuesit të Gjithësisë. Ata janë njerëz që janë vazhdmisht në pritje të namazit.

 

Janë njerëz që presin me ethe e drithërima takimet me Allahun e Madhëruar. Janë ata njerëz, të cilët i presin namazet e obliguara me namaze nafile, (vullnetare), në mënyrë që të përgatiten shpirtërisht për të qenë sa më të përqëndruar dhe sa më të devotshëm gjatë komunikimit dhe takimit të tyre me Allahun në namaz. Një prej cilësive të veçanta të tyre është se ata falin pesëdhjetë e një rekatë brenda një nate dhe një dite. Prej cilësive të tyre është se namazet dhe adhurimet e tyre kryhen vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe për asnjë arsye tjetër. Allahu, në të vërtetë, nuk ka nevojë për ibadetet dhe adhurimet e njerëzve. Ai është i Vetëmjaftuar për gjithçka.

 

I gjithë synimi i adhurimeve është mbajtja e njerëzve të lidhur pas Allahut të Madhëruar, me qëllim edukimin dhe përkujdesjen për gjëndjen e tyre mendore dhe shpirtërore. Allahu ka për qëllim që nëpërmjet kësaj marrëdhënije dhe nëpërmjet këtij komunikimi të vazhdueshëm ndërmjet Tij dhe krijesave përgjatë gjithë jetës, të furnizojë zemrat e tyre me optimizëm dhe me lumturi, të mbushë qëniet e tyre me shpresë, me qetësi dhe me dashuri. Mënyra më e mirë dhe më e përshtatshme për të dëshmuar sinqeritetin në adhurim janë adhurimet në fshehtësi.

 

Prandaj përmendet në hadithin e mësipërm:

” Ata janë njerëz që agjërojnë ditën.”

 

Kur themi se ata janë prej atyre që agjërojnë ditën, nënkuptojmë pikërisht fshehtësinë në adhurim, pasi agjërimi konsiderohet prej adhurimeve të fshehta. Konsiderohet i tillë, sepse agjërimi nuk ka shenja të qarta. Nuk është e lehtë të kuptohet nëse dikush është duke agjëruar apo nuk është duke e bërë një adhurim të tillë, përveç rasteve kur do t‟u ofrohet diçka për të ngrënë a për të pirë dhe ai mund të refuzojë. Kështu, njerëzit nuk janë në gjëndje ta kuptojnë gjithmonë, nëse je duke adhuruar, apo nuk je duke adhuruar. 

 

Për këtë arsye, (shiat), pasuesit e Allahut të Madhëruar, janë edhe pasuesit dhe ndjekësit e Profetit tonë të nderuar, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), janë njëkohësisht edhe pasuesit e Kur'anit Famëlartë, janë njëkohësisht pasuesit e Ehli Bejtit, Familjes Profetike, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), janë njëkohësisht ndjekësit dhe pasuesit e shokëve të ndershëm dhe të përzgjedhur të Muhamedit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Ata kanë një karakteristikë shumë të veçantë në mungesë të së cilës ndalojnë së qëni të tillë. Ata janë të sinqertë dhe janë të angazhuar maksimalisht që ta kultivojnë dhe ta ruajnë me kujdes këtë marrëdhënie dhe këtë raport ndërmjet tyre dhe Allahut të Madhëruar. Kjo është njëra prej arsyeve që i shtyn ata ta praktikojnë dendësisht agjërimin. Ai është një adhurim i fshehtë dhe një mënyrë e mirë për të ndërtuar lidhjet dhe intimitetin në raport me Krijuesin e Gjithësisë.

 

Më pas, ashtu siç e kemi përmendur në tekstet e mëparshme, theksi bie mbi dimensionin të tyre social, ekonomik dhe të solidaritetit shoqëror. Këtë e gjejmë të qartë në tekstin ku lexuam se ata janë njerëz që i pastrojnë paratë e tyre nëpërmjet   dhënies së zekatit. Pra, ata janë njërëz që nuk qëndrojnë indiferentë ndaj halleve dhe problemeve të tjera të shoqërisë. Janë pjesëmarrës aktivë, në jetën ekonomike të vendit duke u vënë në ndihmë dhe në shërbim të shtresave në nevojë me të gjitha mundësitë që ata kanë.

 

Një tjetër cilësi shumë e rëndësishme e këtyre njerëzve është se ata janë gjithmonë në gadishmëri të plotë për t‟iu përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar. Në përgjithësi besimtari dhe besimtarja është i njohur me arsyet dhe shkaqet përse Allahu i Madhëruar e ka lejuar diçka dhe e ka ndaluar diçka tjetër. Përse Allahu i Madhëruar e ka bërë diçka haram dhe diçka tjetër hallall. Por vjen një moment kur njeriu apo besimtari nuk e ka fort të qartë se cila është arsyeja, apo urtësia pas një urdhërese apo pas një ndalese. Në këtë rast, njerëzit që e kanë besimin të fortë dhe të kultivuar me kujdes thellësive të mendjes, të shpirtit dhe të zemrës, nuk janë të interesuar të dinë arsyen.

 

Nuk janë aspak të interesuar të dinë përse ka ardhur kjo urdhëresë, apo kjo ndalesë prej Allahut të Madhërur, por e zbaton atë menjëherë, ashtu siç ka ardhur, ashtu siç është kërkuar prej Tij. Këta besimtarë janë të bindur se ekziston gjithmonë një arsye dhe një shkak përse Allahu i Madhëruar e ka thënë diçka dhe, pavarësisht nëse munden apo nuk munden që ta kuptojnë atë, ata vihen menjëherë në zbatim, sapo të përballen me të.

 

 Më pas, hadithi i nderuar vjen për të na treguar se shiat, (pasuesit dhe ndjekësit) e ndershëm dhe të devotashëm, janë prej atyre që e kryejnë Haxhin dhe e vizitojnë Qabenë, shtëpinë e Allahut dhe vendin e shenjtë të muslimanëve. Kjo do të thotë se pasuesit dhe ndjekësit e Allahut janë prej atyre njërëzve që vazhdimisht e vizitojnë Shtepinë e Allahut, por jo vetëm në kuptimin e kryerjes së peligrinazhit dhe të vizitës së gurëve dhe të vendeve të shenjta, por në kuptimin e vizitës që i bëhet projektit Hyjnor, me të cilin erdhi Muhamedi, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Pelegrinazhi, apo Haxhi, nuk është një vizitë turistike që kryhet për të parë vende të bukura dhe të shenjta, por është pelegrinazh me shpirt dhe me zemër i të gjithë Zbulesës Hyjnore. Është vizitë dhe kapje fort pas projektit që Allahu i Madhëruar e ka sjellë për njerëzimin. Secili prej njerëzve i përjeton të tilla kuptime në varësi të aftësive dhe të mundësive të tij përceptuese në varësi të kulturës dhe të mendësisë së tij, në varësi të cilësisë dhe hapjes së zemrës së tij ndaj Allahut të Madhëruar. Të gjitha këto aspekte ndikojnë drejtpërsëdrejti në sinqeritetin dhe në natyrën e marrëdhënies së njeriut me Allahun e Madhëruar, me Krijuesin e Gjithësië.

 

Në këtë kuptim, në qoftë se njerëzit janë prej atyre që i kryejnë me përkushim, me sinqeritet dhe me devotshmëri, detyrimet që kanë ndaj Allahut të Madhëruar, të gjitha këto do të bëhen shkak që ata të largohen prej harameve dhe të afrohen tek hallalli çdo ditë e më shumë. Prandaj, në hadithin e mësipërm thuhet, se ata janë njerëz që heqin dorë nga haramet, (ndalesat). Për këtë dimension shumë të rëndësishëm të jetës dhe të aktivitetit adhurimor të besimtarit, Profeti ynë i dashur, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), thotë:

 

“Nëse tek dera e shtëpisë së secilit prej jush do të kalonte një lum i rrjedhshëm, në të cilin do të laheni e do të pastroheni pesë herë në ditë, a do të mbetej më papastërti në trupat tuaj?!

Thamë jo!

Më pas, Profeti tha: „Shembulli i namazit është i ngjashëm me shembullin e lumit të rrjedhshëm. Sa herë që besimtari e fal një namaz, i falen gjynahet dhe të metat që ka kryer ndërmjet dy namazeve”

 

Prej këtij hadithi të Profetit tonë të dashur kuptojmë një mesazh shumë të rëndësishëm. Një besimtar, i cili i kryen në mënyrë të pandërprerë, me sinqeritet, përkushtim e devocion, të gjitha këto adhurime, këto detyrime të mëdha që kemi ndaj Allahut të Madhëruar, ai do të krijojë një lloj sistemi imunitar të fortë. Kjo mbrojtje do ta pengojë atë që të afrohet te harami i përcaktuar prej Allahut të Madhëruar. Kur flasim për sistem imunitar, kemi për qëllim të tregojmë se njeriu besimtar mënjanon rënien në harame dhe në ndalesa në mënyrë të shpeshtë dhe nuk kemi për qëllim të tregojmë pagabueshmërinë e tyre. Pagabueshmëria dhe pafajësia është e lidhur me të tjera kushte e kritere, të cilat i kemi përcaktuar në trajtesa të tjera. Lidhur me dimensionin e namazit Allahu i Madhëruar ka thënë në Kur'anin Famëlartë:

 

“Vërtet që namazi ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni”. (Surja "Ankebut", ajeti 45)

 

Nëpërmjet këtij ajeti kur'anor kuptojmë se po të kryhet namazi siç duhet, duke plotësuar kriteret dhe kushtet e një adhurimi normal, ai e ndalon njeriun prej veprave të këqja dhe të shëmtuara. Ai e ndalon njeriun që të afrohet tek ndalesat e caktuara prej Allahut të Madhëruar. Por, në rast se shohim se dikush e fal namazin dhe e kryen atë me përpikëri dhe nga ana tjetër, mos e dhëntë Zoti, vazhdon të jetë i zhytur në botën e të ndaluarës dhe të haramit, kjo do të thotë se namazi dhe adhurimet e tij kanë mangësi të theksuara. Kur'an, namaz dhe adhurim nuk do të thotë edukim i qënies dhe i brendësisë së njeriut. Kur'an,namaz, dhe adhurim do të thotë që edukata e shpirtit, e mendjes dhe e zemrës të reflektojë në veprat dhe në punët e gjymtyrëve.

Ky është kuptimi më i plotë i adhurimit dhe i nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar. Kur'an, namaz dhe adhurim do të thotë që të gjitha kuptimet dhe ngarkesat e tyre të përkthehen në mënyrë jetese. Për këtë arsye thuhet në tekstin e bekuar të mësipërm se ata janë njerëz që i shmangen haramit.

 

Le t‟i kthehemi edhe njëherë thënies, në të cilin thuhet:

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë ata që i frikësohen Allahut të tyre dhe përpiqen me të gjitha mundësitë që kanë në rrugën e besimit dhe të Islamit. Ata janë njerëz të fjalës dhe të besës. Ata janë adhurues dhe asketë të mëdhenj. Ata janë prej njerëzve që i falin brenda një nate dhe një dite pesëdhjetë e një rekatë. Ata janë prej njerëzve që agjërojnë ditën. Ata janë prej njerëzve që i pastrojnë pasuritë e tyre duke dhënë zekatin. Ata janë prej njerëzve që vizitojnë Qabenë dhe e kryejnë Haxhin. Ata janë prej njerëzve që përpiqen sa të munden që të mënjanojnë të gjitha llojet e ndalesave, (të harameve)”

 

Këto janë cilësitë e vërteta dhe kriteret që duhet të plotësojnë të gjithë ata të cilët, e ndjejnë veten pasues dhe ndjekës të devotshëm të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!). Ose të paktën, duhet të jenë prej njerëzve që përpiqen vazhdimisht për t‟i plotësuar këto kritere. Nuk ka dyshim se njerëzit që kanë cilësi dhe vlera të tilla nuk i përkasin të gjithë të njëjtës shkalle, por e rëndësishme është që të jenë prej atyre që i përkasin shkallës dhe gradës së lidhur me këtë dynja. Më pas, me kalimin e kohës, vijnë duke bërë të tjerë hapa cilësorë dhe duke i ngritur shkallët e lartësive njëra pas tjetrës.

 

 

 

  Hadithi i tretë

 

 

 

Transmetohet nga njëri prej dy Imamëve të ndershëm, (Paqja qoftë mbi ta!), që t‟i ketë thënë dikujt prej njerëzve:

“Mos i lejo medh‟hebet, (sektet) të të shpien e të të sjellin, (të të hutojnë). Shiatuna, (pasuesit, ndjekësit tanë), janë të gjithë ata, të cilët i janë bindur Allahut”.

 

Ndërsa në një tjetër trasnmetim thuhet:

“Shiat, (pasuesit, ndjekësit tanë), janë ata të cilët i janë bindur Allahut dhe kanë vepruar e besuar njëlloj si ne”. 

 

Kjo do të thotë, se ndjekësit tanë të devotshëm dhe të sinqertë janë ata, të cilët pasi i janë bindur Allahut, kanë ndjekur shembullin tonë në adhurim dhe në rrugëtimin për tek kënaqësia e Allahut të Madhëruar. Çështja e shiizmit dhe e ndjekjes sonë, nuk është thjesht çështje teorike, por është mënyrë dhe formë jetese. Në një tjetër tekst të ngjashëm, thuhet gjithashtu:

 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), nuk mund të jenë askush tjetër, përveç atyre që i janë bindur Allahut të Madhëruar dhe i janë frikësuar Atij. Ata nuk mund të njihen dhe as nuk mund të imagjinohen ndryshe, përvçse si njerëz modestë, njerëz që i frikësohen Allahut, njerëz që e mbajnë amanetin dhe njerëz që e kujtojnë vazhdimisht Allahun”.

 

Ndodh shpesh që në shoqëri të caktuara të ketë shenja të caktuara të shtresave të caktuara të shoqërisë. Por këto shenja janë të ndryshme nga shenjat dhe veçoritë tradicionale të mirënjohura. Shtresat që njihen tradicionalisht janë shtresat aristokrate, apo shtresat e ngritura të shoqërisë, shtresat që në raste të caktuara quhen elitat shoqërore, kulturore, shkencore, ekonomike dhe politike të shoqërisë. Përveç tyre, ndonjëherë ka shtresa të mesme dhe ndonjëherë nuk ekziston fare kjo shtresë. Më pas vijnë ato që quhen shtresat e varfëra, të vobekëta dhe të mjeruara të shoqërisë. Në ndryshim nga shenjat që bëjnë dallimin ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë, shenjat për të cilat jemi duke folur lidhur me besimin, janë krejtësisht të ndryshme nga këto. Shenjat dalluese të shtresave të njerëzve të devotshëm nuk kanë lidhje me shenjat që tregojnë klasën aristokrate apo të varfër, por lanë shenja të një natyre krejtësisht tjetër. Këto shenja përshkruhen kështu prej imamëve të Ehli Bejtit:

 

”Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), nuk mund të jenë askush tjetër, përveç atyre që i janë bindur Allahut të Madhëruar dhe i janë frikësuar Atij”.

 

Mënjëherë pas një deklarate si kjo lind pyetja: Cilat janë shenjat dalluese të këtyre njerëzve, apo pasuesve të cilët i janë bindur Allahut dhe i janë frikësuar Atij?!

Edhe përgjigja vjen me të njejtën shpejtësi:

”Ata nuk mund të njihen dhe as nuk mund të imagjinohen ndryshe, përvçse si njerëz modestë, njerëz që i frikësohen Allahut, njerëz që e mbajnë amanetin dhe njerëz që e kujtojnë vazhdimisht Allahun”. 

 

Për karakteristikën e modestisë së shijave kemi diskutuar edhe në hadithet dhe thëniet tjera, të cilat i kemi sjellë më sipër për lexuesin. E kemi hasur edhe më parë se prej shenjave të pasuesve dhe ndjekësve të devotshëm të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), ka qenë modestia. Ashtu siç është përmendur edhe tek hadithet e mësipërme, është thënë se (shiatuna, pasuesit dhe ndjekësit tanë) duhet të jenë patjetër, njerëz që i karakterizon modestia. Ata sillen me urtësi dhe butësi me njerëzit. Janë gjithmonë bujarë dhe ndihmues të njerëzve në nevojë dhe bëjnë të pamundurën që të gjenden pranë atyre në vështirësi. Mënyra se si sillen me njerëzit nuk të krijon asnjë mundësi të mendosh se ata janë mendjemëdhenj. Janë gjithmonë të qetë, të urtë dhe të përulur. Përkundrazi, njihen dhe dallohen lehtësisht për shenjat e tyre të larta të modestisë. Për ta bërë më të qartë këtë kuptim, le të sjellim për lexuesin një ajet kur'anor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

 

“Sikur këtë Kur'an t‟ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë”. (Surja "Hashr", ajeti 21.)

 

Fjala “përulje” përdoret me kuptimin e ndërveprimit të vazhdueshëm me cilësinë, e cila shfaqet te njeriu. Të gjithë ata njerëz që ndërveprojnë me përulje me Kur'anin dhe me gjithçka është zbritur prej Krijuesit të Gjithësisë, konsiderohen prej njerëzve të përulur dhe të dorëzuar ndaj autoritetit të Zbulesës së Zotit dhe të frymës së saj, duke e shndërruar atë në mënyrë jetese.

 

“Ata nuk mund të njihen dhe as nuk mund të imagjinohen ndryshe, përvçse si njerëz modestë, njerëz që i frikësohen Allahut, njerëz që e mbajnë amanetin."

 

Amaneti është ai të cilin Allahu i Madhëruar ia paraqiti qiejve dhe tokës dhe nuk e pranuan, nuk morën përsipër ta mbajnë, por doli njeriu dhe e mori përsipër këtë përgjegjësi kaq të madhe. Ky është amaneti më i madh që ka lënë Allahu i Madhëruar për njerëzimin. Ky është amaneti më i madh që ka lënë Allahu i Madhëruar për umetin islam. Nisur nga kjo, të gjithë ata që kanë marrë përsipër të mbajnë mbi supet e tyre amanetin e Allahut, minimalisht duhet të jenë të sinqertë dhe besnikë me njerëzit. Për këtë arsye, menjëherë pas përmendjes së amanetit, në tekstin e nderuar përmendet:

“Njerëz që e kujtojnë vazhdimisht Allahun”.

 

Në fakt, asnjë nder nuk mund të jetë më i madh se ky. Asnjë qëllim nuk mund të jetë më i madh se ky. Nëpërmjet kujtimit të vazhdueshëm dhe të shpeshtë të Allahut të madhëruar synohet edukimi i individit dhe zbukurimi i moralit të tij me sjelljet më të bukura të Islamit dhe të besimit. Ky nuk është vetëm qëllim, por është njëkohësisht edhe mjet. Njeriu fillon ta ushtrojë atë adhurim me qëllim edukimin e shpirtit.

Pasi të jetë edukuar me sjelljet që përfaqësojnë edukatën dhe moralin e Islamit, me sjelljet që përfaqësojnë frymën e udhëzimeve të Allahut të Madhëruar, nis t‟i reflektojë jashtë qënies. Pasi të jenë bërë pjesë e pazëvendësueshme e qënies së tij, ato fillojnë të rreflektojnë tek sjelljet e njeriut me habitatin që e rrethon. Fillojnë të reflektojnë tek sjelljet e njeriut në umetin islam, por edhe me umetin njerëzor në përgjithësi.

 

 Kur themi që Allahu i Madhëruar është i Mëshirshëm, duhet të kuptojmë se edhe ne duhet të punojmë me veten tonë që të jemi të mëshirshëm. Duhet të përpiqemi vazhdimisht që të jetë mëshira dhe falja ajo që mbizotëron në sjelljet tona me pjesën tjetër të njerëzve. Kur themi që Allahu është i dashuri ynë sipas rregullit kur'anor, në të cilin thuhet: “Ai, (Allahu) i do ata dhe ata e duan Atë (Allahun)” (Surja "Maideh", ajeti 54.) duhet medoemos që njeriu besimtar të punojë me veten në mënyrë që ta

reflektojë këtë dashuri fillimisht në raport me Allahun e Madhëruar dhe pastaj me njerëzit, me të cilët ka të bëjë në jetën e tij. Kur themi se Allahu i Lartësuar është i Dhëmbshur, duhet të punojmë fort që të edukojmë veten me këtë cilësi, duke bërë të pamundurën që të jemi të dhembshur edhe ne me krijesat e tjera, apo me vëllain dhe motrën tonë në besim, apo në humanizëm. Këto janë disa prej qëllimeve kryesore të përmendjes së Allahut të Madhëruar.

 

Kujtesa e Tij është qëllimi dhe nderi më i madh. Sa më shumë të kujtohet dhe të përmendet Allahu i Madhëruar, aq më e madhe është mundësia që njeriu të edukohet dhe të ketë moral hyjnor. Kjo është e vetmja mënyrë, për të qenë i dashur, për të qenë i pranuar dhe për të qenë mirë me njerëzit. Për këtë arsye, në hadith thuhet:

 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), nuk mund të jenë askush tjetër, përveç atyre që i janë bindur Allahut të Madhëruar dhe i janë frikësuar Atij. Ata nuk mund të njihen dhe as nuk mund të imagjinohen ndryshe, përvçse si njerëz modestë, njerëz që i frikësohen Allahut, si njerëz që e mbajnë amanetin dhe njerëz që e kujtojnë vazhdimisht Allahun!”

 

 Kjo është një shkollë dhe një frymë me të cilën njeriu, besimtari dhe besimtarja është vazhdimisht në kontakt, gjatë gjithë jetës së tij. Kjo është një shkollë dhe një frymë hyjnore, e cila përfaqëson denjësisht kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Kjo është një shkollë dhe një edukatë, e cila e ndihmon njeriun që ta jetojë thellësisht dhe gjatë gjithë jetës së tij, frymën me të cilën ka ardhur dhe është zbritur Shpallja e Zotit.

 

 

Hadithi i katërt

 

 

Në një tjetër thënie të bekuar të transmetuar prej imamëve të nderuar, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!!), thuhet kështu:

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë të gjithë ata që veprojnë ato punë që i vlerësojnë si të mira. Janë ata të cilët nuk i kryejnë ato vepra që i vlerësojnë si të këqija. Janë ata, të cilët shfaqin sjelljet më të bukura. Janë ata që shpejtojnë për tek veprat e rëndësishme, për të fituar kënaqësinë dhe mëshirën e më të rëndësishmit, Allahut të Madhëruar. Këta janë ata njerëz që na ndjekin e na pasojnë. Janë ata që gjënden me ne kudo që të jemi”. 

 

Për sa kohë njeriu lëviz dhe vepron, i nënshtruar ndaj frymës së udhëzimeve hyjnore, kuptojmë se janë shiat ata që lëvizin të orientuar sipas kësaj fryme, sipas këtyre orientimeve dhe sipas këtij vullneti. Në fakt, vlerësimi dhe pëlqimi që ata japin për një vepër të caktuar nuk është i lidhur me qëndrimin apo vlerësimin e tyre personal, por me kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ata janë të vetëdijshëm se ky pëlqim dhe ky vlerësim i tyre, gëzon gjithashtu, miratimin dhe pëlqimin e Allahut të Madhëruar. Kjo çështje mund të jetë në një lloj mënyre e lidhur me gjërat e pëlqyera fetarisht, por nuk mund të themi me siguri se është vërtet çështje e pëlqyer, në kuptimin e gjykimit fetar.

 

Çështja e punëve të pëlqyera në gjykim fetar ka nevojë për argumentim me tekst të drejtpërdrejtë fetar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një kategori tjetër të punëve dhe veprave të pëlqyera. Mund të themi me bindje se, njeriu që është fort i lidhur pas Allahut të Madhëruar dhe pas Profetit Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), edhe mendjen, edhe shpirtin edhe zemrën i ka ngushtësisht të lidhura me Krijuesin e Tyre. Për këtë asrye, mund të themi se në gjëndje si kjo,njeriu nis e pëlqen ato gjëra që i pëlqen dhe i do Allahu i Madhëruar.

 

Gjithashtu, urren dhe qëndron larg gjërave të cilat i urren Allahu i Madhëruar. Për këtë arsye kam dëshirë të ritheksoj se përputhshmëria e njeriut, apo më saktë përputhshmëria e dëshirave të tij, me ato të Krijuesit të botërave, ndodh për arsye të integrimit shpirtëror të njeriut tek fryma e sheriatit, tek fryma e fesë, tek shpirti i projektit hyjnor për njerëzimin, tek shpirti i marrëdhënies ndërmjet tij dhe Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye, lexojmë që Imami i nderuar, (Paqja qoftë mbi të!), të ketë thënë:

 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë të gjithë ata që veprojnë ato punë që i vlerësojnë si të mira. Janë ata të cilët nuk i kryejnë ato vepra që i vlerësojnë si të këqija. Janë ata të cilët shfaqin më të bukurat ndër sjelljet”.

 

Nga ana tjetër, gjithçka që kjo kategori njerëzish sheh, e sheh nën optikën e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Gjithçka e sheh nën optikën e frymës së sheriatit. Këta njerëz heqin dorë prej gjithçkaje, sapo të kuptojnë se një vepër apo veprim i caktuar nuk është në të njëjtën interval dhe frymë me orientimet e Allahut të Madhëruar, edhe nëse nuk ekziston një tekst fetar që ta ndalojë atë vëpër. Këto sjellje dhe këto gjykime, vijnë si rezultat i ndikimit të tyre të fortë dhe për një kohë të gjatë, prej Dërguesit, prej Mesazhit të Dërguesit dhe të Dërguarit të Tij.

Ky është një rezultat i natyrshëm që lind si rezultat i kapjes së besimtarit pas Librit të Allahut dhe pas traditës së Familjes Profetike, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). (Sipas një transmetimi tjetër, edhe “Pas librit të Allahut dhe traditës sime.”).

 

Më sipër thamë se nuk ka asnjë përplasje apo kundërshti ndërmjet dy versioneve të mësipërme. Këto sjellje janë fryt dhe rezultat i natyrshëm i ndjekjes së Allahut të Madhëruar dhe i Profetit të dërguar prej Tij, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Të gjitha këto sjellje dhe veprime të besimtarit janë rezultat dhe fryt i natyrshëm i orientimit dhe i trajnimit të qënies në mënyrë të pandërprerë duke ia nënshtruar atë qëllimeve dhe frymës së përgjithshme të sheriatit, orientimeve dhe frymës së përgjithshme të Kur'anit Famëlartë, orientimeve dhe frymës së përgjithshme të traditës profetike. Për këtë arsye në tekstin e më sipër lexuam:

 

“Shiat, (pasuesit dhe ndjekësit tanë), janë të gjithë ata që veprojnë ato punë që i vlerësojnë si të mira. Janë ata, të cilët nuk i kryejnë ato vepra që i vlerësojnë si të këqija. Janë ata, të cilët shfaqin më të bukurat ndër sjelljet”.

 

Fjalia: ”Veprojnë ato punë që i vlerësojnë si të mira” do të thotë se ata janë njerëz që shprehin gjithmonë pjesën e tyre më të mirë. Ata janë njerëz që venë në pah ajkën e aktivitetit të tyre shpirtëror. Ata janë njerëz që venë vazhdimisht në pah ajkën e aktivitetit të zemrave dhe të mendjeve të tyre të lidhura me Allahun e Madhëruar. Ata duhet të sillen sipas frymës së udhëzimeve të Allahut të Madhëruar dhe traditës profetike që sjelljet dhe adhurimet e tyre të jenë të mbushura me jetë dhe me frymë, që jeta të jetë e mbushur me frymë dhe me shpirt, që jeta dhe i gjithë aktiviteti njerëzor të jetë i kuptimtë.

 

Të gjithë ata njerëz që janë të armatosur me sjellje të vyera dhe të vlefshme hyjnore, kanë për t‟i reflektuar ato sjellje në raportet dhe në marrëdhëniet që kanë me pjesën tjetër të njerëzve. Një njeri që e ka ndjekur Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nuk ka asnjë mundësi që të mos e reflektojë mirësjelljen dhe moralin e tij të lartë të thithur prej pjalmit të trashëgimisë së Familjes Profetike, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Këta njerëz do ta venë në jetë dhe në zbatim shkollën dhe frymën që përfaqëson Familja e Profetit. Këto janë veprat dhe sjelljet e të gjithë atyre që kanë ndjekur Allahun e Madhëruar.

 

Këto janë veprat dhe sjelljet e të gjithë atyre që kanë ndjekur Profetin Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Këto janë veprat dhe sjelljet e të gjithë atyre që kanë ndjekur me përkushtim dhe devotshmëri trashëgiminë e Familjes Profetike, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Këto janë sjelljet dhe veprat e të gjithë atyre që kanë ndjekur traditën e shkëlqyer të shokëve të ndershëm dhe të përzgjedhur të Muhamedit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Këto janë sjelljet dhe veprat e të gjithë atyre që pasojnë Imamët tanë të pagabueshëm, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Këta janë njerëz që kanë marrë dhe kanë përfituar shumë prej burimeve të shenjta të mësipërme, prandaj dhe i reflektojnë këto mirësi kudo që janë dhe kudo që lëvizin mes shoqërisë ku jetojnë.

 

Një tjetër kuptim i lidhur me shprehjen e mësipërme të shkëputur prej hadithit, është se këta njerëz, pasues të Allahut, janë prej njerëzve të cilët i njohin dhe i vlerësojnë veprat e mira të njerëzve të tjerë. Pra, nuk janë mosmirënjohës. Nga ana tjetër, të gjithë njerëzit kanë anët e errëta dhe anët e ndriçuara të sjelljeve të tyre. Këta besimtarë, të rritur dhe të edukuar me frymën e trashëgimisë profetike, me frymën e trashëgimisë së Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!), të rritur dhe të formuar me frymën e shokëve dhe pasuesve të ndershëm të Profetit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), janë të prirur të shohin anën e mirë të gjërave. Janë të prirur të shohin dimensionin pozitiv të sjelljeve të njerëzve.

 

  Janë të prirur të kujtojnë dhe të flasin për atë që duket mirë dhe të heshtin e të mbulojnë gjithçka tjetër që nuk duket dhe nuk reflekton si e tillë.

Një prej cilësive të rëndësishme dhe shumë të vyera të pasuesve të Allahut, siç e kemi përmendur në mënyrë të përsëritur edhe më sipër, është lidhja e fortë e tyre me Allahun e Madhëruar dhe hapja e shpirtërave të tyre ndaj frymës dhe orientimeve të përgjithshme hyjnore. Ata janë njerëz që e kanë vendosur Allahun në zemrat e tyre. Ata janë njerëz, tek zemrat e të cilëve Allahu i Madhëruar ka zgjedhur. Për këtë arsye ata shndërrohen në njerëz të rëndësishëm, të cilët vihen në kërkim të punëve dhe të veprave të rëndësishme. Nuk merren me punë dhe me angazhime që nuk kanë vlerë.

 

Janë njerëz që përpiqen vazhdimisht, të kërkojnë afrimitetin me Allahun e Madhëruar nëpërmjet punëve dhe veprave që zgjedhin për të bërë. Qëllimi i tyre më i madh është Allahu i Madhëruar dhe asgjë tjetër e parëndësishme që i përket kësaj bote mashtruese dhe kalimtare. Qëllimi i tyre më i madh është të jenë njerëz dhe të kenë komunikim human, njerëzor me pjesën tjetër të njerëzve.

 

Kjo është një prej arsyeve që i nxit ata të jenë të interesuar për vepra dhe për punë të mira në jetët e tyre. Ata nuk interesohen vetëm për punë e vepra të lidhura me edukimin dhe trajtimin e brendësive të tyre, por edhe me ndikimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë. Të gjitha zgjedhjet e tyre më të rëndësishme në jetë janë të lidhura me ndikimin që ato duhet të kenë në jetën e shoqërisë njerëzore. Janë të lidhura me ndikimin që duhet të kenë në përmirësimin e shoqërisë islame. Janë të lidhura me ndikimim që duhet të kenë, në nivel global, pavarësisht përkatësive të ndryshme fetare të popujve të ndryshëm të njerëzimit. Këto janë arsye të mjaftueshme që ata të konsiderohen si njerëz që:

 

“…veprojnë ato punë që i vlerësojnë si të mira. Janë ata, ta cilët nuk i kryejnë ato vepra që i vlerësojnë si të këqija. Janë ata, të cilët shfaqin më të bukurat ndër sjelljet”.

 

Të gjitha këto cilësi vijnë për të shpalosur dhe për të reflektuar anën e brendshme të edukatës hyjnore. Të gjitha këto përpjekje të këtyre njerëzve vijnë për të vërtetuar hapjen e tyre ndaj Allahut të Madhëruar në mënyrë që fryma e përcjellë prej Tij të nisë e të bëhet pjesë e sjelljeve dhe e normave të përcaktuara prej vetë Atij. Në qoftë se ky proces realizohet me sukses, atëherë ndodh që zemra e njeriut të ndriçohet. Mendja dhe shpirti i tij të ndriçohen. Ndodh që ky njeri besimtar të zgjedhë gjithmonë për të bërë vepra të rëndësishme dhe me vlerë, të lejuara dhe të pëlqyera. “Janë ata që shpejtojnë për tek veprat e rëndësishme, për të fituar kenaqësine dhe mëshirën e më të Rëndësishmit, Allahut të Madhëruar”.

 

Për thënien: “Mëshirën e më të rëndësishmit”, mund të themi se:

Njeriut i vjen menjëherë në ndihmë asistenca hyjnore, pasi të ketë shpejtuar dhe t‟i jetë përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar, pasi t‟i jetë nënshtruar plotësisht Atij dhe të ketë nisur përpjekjet për të marrë mbi supe përgjegjësitë e mëdha të adhurimit të Allahut dhe të fesë së Tij, pasi të ketë nisur rrugëtimin e tij për të fituar kënaqësinë e përjetshme të Allahut të Madhëruar, pasi të ketë nisur përpjekjet e tij për të arritur qëllimin madhor, që është njeriu. Pasi t‟i ketë kryer këto përgatitje, njeriut i vjen menjëherë në ndihmë ndihma dhe mbështetja bujare e Allahut të Madhëruar. Vjen kjo ndihmesë dhe kjo mbështëtje për të forcuar besimin e tij. Vjen për të përfocuar gjunjët e tij.

 

Vjen për  të mbështetur dhe për të nxjerrë në pah njerëzoren e tij. Vjen për ta bërë atë akoma më të aftë për të mbajtur mbi supe amanetin e rëndësishëm të Allahut të Madhëruar, përgjegjësinë e të cilit njeriu e mori që në fillim të herës. Këta janë shiat e vërtetë, sipas versionit të përmendur në hadithin e Imamit, (Paqja qoftë mbi të!). Në një tjetër hadith dhe trasnmetim të ardhur prej Imamit, (Paqja qoftë mbi të!), ai i cilëson shiat, (pasuesit e tij), si njerëz që janë të gatshëm të shkrihen dhe të vetësakrifikohen për të mbajtur me sukses amanetin, për ta përcjellë me sukses Mesazhin e Zotit, të zbritur për më të dashurën krijesë të Allahut, për Muhamedin, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ata janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka dhe të shkrihen, në mënyrë që të vihen në kërkim të veprave dhe të punëve të rëndësishme, të dobishme për ta dhe për pjesën tjetër të njerëzimit.

 

Të gjitha këto aktivitete dhe sakrifica, besimtari dhe besimtarja i kryen për disa qëllime të rëndësishme. I kryen për fitimin e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, për afrimin sa më shumë pranë Tij, për ndriçimin e mendjes dhe të zemrës në mënyrë që të mundet të mbartë dhe të përcjellë me sukses amanetin, (Mesazhin e Allahut), për t‟ia përcjellë atë më pas të gjithë pjesës tjetër të njerëzimit që ka nevojë të njohë Allahun e Madhëruar, që ka nevojë të njohë Krijuesin e saj.

 

Lidhur me këtë kategori njerëzish Imam Aliu, (Paqja qoftë mbi të!) thotë:

“Ata janë tanët, janë prej nesh dhe janë me ne.” që do të thotë se të gjithë ata që kanë cilësitë e njerëzve të përmendur më sipër,janë njerëzit tanë. Do të thotë se janë njerëzit që na ndjekin dhe na pasojnë ne, që na mbështesin dhe na përkrahin ne, janë shiat tanë. “Janë prej nesh” do të thotë se punojnë hapur dhe janë në mbështetje të fesë së Allahut në të gjitha kushtet dhe rrethanat. Ata e kanë marrë fenë e Allahut dhe e kanë trashëguar prej Profetit dhe Familjes së Tij, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Për këtë arsye konsiderohen prej njerëzve tanë të afërm. Prej njerëzve të lidhur ngushtësisht me ne. “Janë me ne” do të thotë që na shoqërojnë ne në të gjitha kushtet dhe rrethanat. Na ndjekin dhe na qëndrojnë pranë në rrugëtimin tonë, në strategjinë dhe në përpjekjet tona për ta përhapur Mesazhin e Allahut te Madheruar.

 

Në qoftë se do t‟i referohemi bashkëkohësisë së Profetit, mund të themi se shokë, apo bashkëkohës që e kanë takuar dhe kanë jetuar me Profetin nuk janë vetëm ata që kanë jetuar në kohën e tij. Bashkëkohësia, shoqërimi dhe ndjekja e Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk është e lidhur me një kohë, apo me një vend të caktuar. Ajo është një dimension akoma më i madh, akoma më i shenjtë dhe akoma më i zgjeruar. Miq, shokë, apo bashkëkohës të Profetit mund të konsiderohen të gjithë ata njerëz që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara prej Allahut të Madhëruar në Kur'anin Famëlartë. I Madhërishmi Allah thotë në një ajet kur'anor:

 

“Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shëmbulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t‟i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh”.

(Surja "Fet'h", ajeti 29.)

  

Kështu pra, të gjithë ata që e kanë ndjekur, e kanë zbatuar dhe e kanë praktikuar traditën e Profetit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), janë njerëz të ndershëm dhe të nderuar, të cilët mund të konsiderohen prej miqve dhe shokëve të Profetit, edhe pse nuk kanë jetuar në të njëjtën kohë me të. Kjo është arsyeja përse Imami i nderuar, (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Ata janë tanët, janë prej nesh dhe janë me ne”.

 

 jo shprehje e Imamit është e lidhur edhe me këtë botë edhe me Botën Tjetër. Sa e bukur është kjo shprehje! Të gjithë ata që e kanë pasuar Allahun e Madhëruar, që e kanë pasuar dhe mbështetur fenë islame, që e kanë ndjekur rrugën dhe frymën me të cilën ka ardhur Zbulesa hyjnore, që e kanë zbatuar dhe e kanë vënë në praktikë atë, që e kanë pasuar Allahun e Madhëruar, nuk ka dyshim se janë prej atyre që e pasojnë dhe e ndjekin të Dërguarin e Tij, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Të githë ata që e kanë ndjekur Allahun e Madhëruar janë pa diskutim prej atyre që e kanë ndjekur traditën dhe trashëgiminë e Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Ata që e ndjekin, e pasojnë dhe e përkrahin çështjen e Allahut të Madhëruar, janë prej atyre që ndjekin dhe pasojnë traditën e Imamëve të ndershëm dhe të pagabueshëm.

 

Në tekstin e bekuar thuhet:

Të gjithë ata që kanë ndjekur Allahun e Madhëruar, që kanë qenë të përkushtuar dhe të vendosur në rrugën e të Dërguarit të Tij, që e kanë ndjekur dhe e kanë pasuar me vendosmëri, me përpikëri dhe me besnikëri, strukturën hierarkike të urdhëresave të Allahut të Madhëruar, janë padyshim prej shiave, prej pasuesve dhe prej mbështetësve të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!).

Kjo është vërtetë një mrekulli!

 

Të gjithë anëtarët e umetit janë pasues dhe mbështetës të Muhamedit dhe të Familjes së Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ata!). Gjithashtu, shokët e ndershëm dhe të pagabueshëm të Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), janë prej ndjekësve, prej pasuesve dhe prej mbështetësve të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi ta!). Prej thënies së Imamit të nderuar, (Paqja qoftë mbi të!), kuptohet qartë se pasuesit e Imamit janë njerëz që kanë synime të njëjta me synimet e tij, kanë qëllime të njëjta me qëllimet e tij, kanë qëllime dhe synime të njëjta frymën e trashëgimisë së Profetit të nderuar dhe anëtarëve të Familjes së Tij, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!).

 

Ata janë njerëz që e kanë orientuar jetën e tyre sipas frymës së Zbulesës hyjnore. Ata janë njerëz që e kanë strukturuar jetën e tyre sipas frymës dhe udhëzimeve të Muhamedit dhe Familjes së Muhamedit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Ata janë njerëz, jetët e të cilëve frymëzohen prej trashëgimisë më të nderuar të shokëve të ndershëm dhe të përzgjedhur të Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Për këtë arsye mund të themi se motivet e jetës së tyre, arsyet e jetës së tyre dhe gjithçka është e lidhur me arsyet e tyre të ekzistencës, janë të lidhura vetëm me Allahun e Madhëruar. Janë të lidhura vetëm me

Krijuesin e Botërave. Janë të lidhura me Profetin dhe Familjen e Profetit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të gjithë ata!). Për këtë arsye Imami i nderuar i ka konsideruar prej njerëzve më të afërt duke thënë se ata janë njerëzit tanë. Janë prej nesh. Janë me ne!

 

  Më pas, në të njejtin tekst, këta pasues dhe ndjekës konsiderohen gjithashtu, si “prej nesh”. Në një mënyrë, apo në një tjetër, kjo shprehje është e lidhur me strategjinë dhe qëllimin që këta ndjekës dhe mbështetës i kanë vënë jetës së tyre. Imami i nderuar do të thotë se “Ne”, pra, Ehli Bejti, jemi arsyeja përse ata rrojnë, jemi arsyeja përse ata frymojnë, jemi arsyeja përse ata e jetojnë jetën. Ne jemi qëllimi më i madh i jetës së tyre. Kjo do të thotë gjithashtu, se “ne”, pra, Ehli Bejti, jemi pika e tyre më e madhe e referencës. Kur themi “janë tanët” jemi duke cilësuar arsyen e tyre të ekzistencës. Pra, në një farë mënyre, mund të themi se ne jemi arsyeja për të cilën ata jetojnë dhe e kryejnë aktivitetin e tyre jetësor.

 

Më pas, kur themi janë me ne dhe prej nesh, kemi përcaktuar qëllimin e tyre të madh. Pra, qëllimi i jetës së tyre dhe arsyeja përse ata jetojnë është të venë në zbatim dhe në praktikë trashëgiminë e bekuar dhe të nderuar të Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Kur themi, janë me ne dhe në krahun tonë, kudo që të jemi dhe të gjendemi, do të thotë se janë ndjekës besnikë të frymës dhe të shkollës së mendimit që ne përfaqësojmë. Kjo është e lidhur, ashtu siç e sqaruam më lart, me ndjekje dhe besnikëri të frymës, të shkollës, të mendimit dhe të orientimeve të tyre, pa qenë nevoja për të qënë me ta në të njëjtën kohë apo në të njëjtin vend.

 

E thënë në një mënyrë tjetër, fjalia e fundit ka për qëllim të tregojë se të qenit bashkëkohës në një vend të caktuar pa e ndjekur frymën, mendimin dhe shkollën e tyre, nuk ka asnjë lloj efekti pozitiv, nuk të bën domosdoshmërisht, njeri të mirë apo të ndershëm. Njerëz të mirë dhe të ndershëm, janë ata që kanë jetuar në të njëjtën kohë, kanë pasuar dhe mbështetur në çdo vend traditën e Ehli Bejtit, (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!) dhe e kanë shndërruar atë në mnyrë dhe orientim të përgjithshëm të jetës.

 

 

 

Write a comment

Comments: 0