BINDJA NDAJ ALLAHUT ËSHTË SHIIZMI I VËRTETË

 

Të gjitha urdhëresat dhe udhëzimet e ardhura prej Allahut të Madhëruar detyrojnë besimtarët në çdo vend dhe në çdo kohë që t‟i binden Profetit të nderuar, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ashtu siç e kemi bërë të qartë më sipër, kur kemi shpjeguar ajetin kur'anor:

“Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij, (të Nuhut), ishte Ibrahimi”, kemi thënë se “el mushajeah”, pasimi dhe ndjekja në rastin konkret, nuk janë të lidhura me personazhe apo me individë të caktuar, por me ndjekjen e rrugës së Allahut dhe platformën qiellore të zbritur dhe të diktuar prej Tij.

 

Kështu, ndjekja dhe pasimi i më të nderuarit të Profetëve, i vulës së profetëve, i Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nënshtrimi i plotë ndaj urdhëresave dhe ndalesave të tij, do të thotë ndjekje dhe nënshtrim ndaj vetë Allahut të Madhëruar. Dashuria e shprehur ndaj tij është dashuri e shprehur ndaj Allahut të Madhëruar, respekti i shprehur ndaj tij është respekt i shprehur ndaj Allahut të Madhëruar. Kjo ka qenë e gjithë jeta e të Dërguarit të Allahut.

 

Ai ka përcjellë me devocion dhe përkushtim mesazhin e Krijuesit për mbarë njerëzimin. Ai ka përcjellë për mbarë njerëzimin të gjitha dimensionet e platformës hyjnore, qoftë atë shpirtëror, adhurimor, moral dhe të gjitha aspektet e tjera të rëndësishme të jetës njerëzore. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar ka thënë në Kur'anin Famëlartë:

“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit,” (Surja "Nisa‟a", ajeti 59) ndërsa në një tjetër ajet kur'anor thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut!” (Surja "Nisa‟a", ajeti 80.)

 

Këto dy ajete kur'anore tregojnë qartësisht se ndjekja dhe pasimi nuk janë të lidhura me një individ të caktuar, por janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Krijuesin, me Absolutin. Lidhur me këtë pjesë dhe në mbështetje të shpjegimit të mësipërm vjen ajeti tjetër kur'anor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

“Çfarëdo që t‟ju japë i Dërguari merreni atë, e çfarëdo që t‟ju ndalojë, hiqni dorë prej asaj”.

(Surja "Hashr", ajeti 7)

 

 

Write a comment

Comments: 0