Për këtë arsye ai ka qenë vula e profetëve, ka qenë profeti i paqes dhe i Islamit. Ai ka qenë i dërguari i Islamit dhe i njerzillëkut, i humanizmit dhe i mirësisë! Këto janë cilësitë e të gjithë profetëve, (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ata). Paçka se këto janë cilësitë dhe veçoritë e pjesës më të madhe të profetëve, mund të themi me bindje të plotë se ato cilësi dhe këto specifika kanë qenë më të përqëndruara dhe më të theksuara tek Profeti i Islamit, të Muhamed bin Abdullah, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), pasi ai ka qenë vula dhe përmbyllja e misionit profetik në Tokë.
Misioni profetik i Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), është kontakti i fundit ndërmjet Krijuesit të Gjithësisë dhe banorëve të Tokës. Profetësia e Profetit të Islamit do të vazhdojë të jetë e pranishme deri sa të ketë jetë mbi tokë dhe derisa të ekzistojë koha përpara Ditës së Fundit. Me të gjithë respektin dhe vlerësimin për fetë e tjera qiellore, mesazhi i Profetit të Islamit është përmbyllja e komunikimit të Krijuesit me krijesat e Tij.
Nisur nga sa u përmend më sipër mund të themi se, Allahu i Lartësuar ka qenë i pranishëm tek zemra e profetit Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Profeti ynë i dashur e ka ndjerë nevojën për Allahun e Madhëruar, përpara shpalljes së profetësisë. Kjo ka qenë një nevojë e tij e brendshme. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e zemrës dhe e shpirtit të tij, pavarësisht nëse ka mundur ta emërtojë më fjlalët e duhura apo jo. Allahu i Madhëruar nuk ka munguar kurrë në zemrën e Profetit. Profeti është përpjekur vazhdimisht që të gjejë emërtimin e saktë të kësaj ndjenje, të kësaj dëshire, të kësaj dashurie dhe të kësaj nevoje. Ai e ka ndjerë vazhdimisht të nevojshme që të mbërrijë tek Zoti i tij, tek Allahu i Madhërishëm.
Ai e ka ndjerë gjithmonë të nevojshme të qartësojë këtë nevojë, këtë dëshirë, këtë dashuri të zjarrtë që e ka patur vazhdimisht në gji. Ai ka qenë vazhdimisht i interesuar të kornizojë natyrën e raportit të tij me Allahun e Madhëruar, siç është përpjekur vazhdimisht që të përpilojë në mënyrë sa më të saktë (el-mushajeah), hartën e rrugës së pasimit, të ndjekjes, të nënshtrimit dhe të adhurimit të Allahut të Madhëruar.
Profeti Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ka qenë vazhdimisht i interesuar që të konkretizojë nëpërmjet një platforme udhëzuese, të gjitha përpjekjet e tij për të shprehur me hapa dhe me angazhime konkrete të gjithë aktivitetin e vet në rrugën e nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar, si Krijuesi i vetë atij, Krijuesi i ekzistencës dhe i zanafillës së gjithçkaje që noton në këtë ekzistencë. Duke qenë se profeti ynë i dashur ka qenë një prej nxënësve dhe pasuesve më të zellshëm të shkollës dhe të platformës qiellore abrahamite, natyrshëm që do t‟i përkiste grupit të nderuar dhe të përzgjedhur të krijesave të Allahut, të cilët i kanë zemrat e pastra.
Kjo ishte arsyeja përse ai mundi që ta përfshijë atë shkollë të gjithën dhe bashkë me të edhe pjesën tjetër me të cilën e zbukuroi dhe e begatoi Allahu i Madhëruar. Të gjitha këto plotësime të njëpasnjëshme të profetësive dhe të mesazheve hyjnore kanë qenë të lidhura me angazhimin e plotë të Krijuesit të Gjithësisë për të komunikuar me njerëzimin duke u përkujdesur për imtësitë e lidhura me etapat e tij të zhvillimit. Komunikimi periodik i Allahut të Madhëruar me krijesat e tij nëpërmjet platformave të ndryshme profetike ka qenë i lidhur, gjithashtu, me strategjinë e përgjithshme të hyjnores për të ngritur sa më lart njerëzimin.
Nisur nga sa u përmend më sipër, mund të themi se shkolla e Profetit Ibrahim, (Paqja qoftë mbi të!), ka qenë shkolla e dorëzimit, e nënshtrimit dhe e pasimit të rrugës së Allahut të Madhërishëm. Ajo është shkolla e pasimit dhe e ndjekjes teorike dhe praktike e kësaj rruge. Ajo është fillimisht, shkolla e pasimit të profetëve ndërmjet njëri-tjetrit dhe më pas shkolla e pasimit të Zotit tonë, Krijuesit të Gjithësisë, i Cili i dërgoi ata mëshirë, dritë, mirësi dhe udhëzim për mbarë njerëzimin në etapat e ndryshme të zhvillimit të tij.
Për këto arsye dhe për të tjera, të cilat nuk mund t‟i përmendim të gjitha këtu, mund të themi të bindur se Profeti Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e ka patur zemrën e tij ngushtësisht të lidhur me Krijuesin e Gjithësisë dhe ajo zemër e bekuar ka qenë vazhdimisht në kërkim të Allahut të Madhëruar, edhe pse në momente të caktuara nuk e ka patur të mundur ta emërtojë saktësisht kërkesën, nevojën dhe dashurinë e saj.
Ajo zemër e bekuar nuk i ka ndërprerë kurrë përpjekjet për të mbërritur tek Krijuesi i saj. Pra, mund të themi, gjithashtu, se Profeti ynë i dashur e ka ndjekur dhe e ka pasuar në mënyrë të pandërprerë Zotin dhe Krijuesin e tij, por nga një ndjekës i zakonshëm ka shpresuar dhe ka vrapuar për t‟u transformuar në një ndjekës dhe pasues të platformës së Krijuesit të tij.
Po të analizojmë me kujdes të gjitha këto procese të mahnitshme të zhvilluara tek zemra e Profetit tonë të dashur, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), mund të themi se pas një periudhe të caktuar të jetës së tij, të vlerësuar si të përshtatshme prej Allahut të Madhëruar, zemra e tij u shndërrua në një enë të pastër dhe të përshtatshme për t‟i shërbyer njerëzimit në gostinë e madhe hyjnore. Me mesazhin e fundit të Allahut për njerëzimit dhe me vulën e profetësisë, zemra e tij u shndërrua në një enë të përshtatshme për të mirëpritur mëshirën e Allahut të Madhëruar dhe begatinë e Tij. Menjëherë pas kësaj periudhe, zbriti Zbulesa Hyjnore në zemrën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kjo ka qenë depoja më e sigurtë njerëzore, e cila e ka mbrojtur, ruajtur dhe shpërndarë me amanet për mbarë njerëzimin, mëshirën e madhe të Allahut të Madhëruar.
Për këtë arsye, lidhur me këtë dimension të Profetit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Allahu i Madhëruar ka thënë kështu:
"Vallë, a nuk ta hapëm ty, (Muhamed), kraharorin për të pranuar besimin? Dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin, dhe ta ngritëm lart emrin?! Me të vërtetë, pas vështirësisë, vjen lehtësimi! Me të vërtetë, me vështirësinë, vjen lehtësimi, prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu.” Surja "Inshirah"
Allahu i Madhëruar e pa se zemra e Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), është plotësisht e hapur ndaj Zotit të tij. Allahu i Madhëruar e pa se zemra e tij ishte e dashuruar me Krijuesin e saj. Ai e ka parë se zemra e tij ka qenë e mbushur me Krijuesin e Gjithësisë dhe kjo ka qenë arsyeja përse ai e vizitonte shpellën Hira herë pas here. Ai shkonte në atë shpellë, sepse kishte nevojë për Krijuesin e tij. Ai shkonte në atë shpellë për të adhuruar Krijuesin e tij sipas mënyrës abrahamike të adhurimit.
Kjo ka qenë asryeja përse ai shkonte në atë vend dhe adhuronte Zotin në vetminë e tij. Kjo ka qenë arsyeja që pikërisht në atë vend dhe në atë gjëndje, në të cilën gjendej Profeti, ka qenë vendi dhe momenti i përshtatshëm për të dërguar Allahu i Madhëruar mesazhin e Tij. Ky ishte momenti i më i rëndësishëm i jetës së tij. Momenti kur e begatoi Allahu me Zbulesën Hyjnore. Ishte momenti kur u shpall dhe u dërgua për mbarë njerëzimin vula e Profetëve, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Allahu i Madhëruar i bëri atij këtë favor të madh.
E nderoi, e begatoi dhe e veçoi prej pjesës tjetër të njerëzimit duke e dërguar atë mëshirë për mbarë njerëzimin. Ishte një nder i madh për Muhamedin, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), fakti që Allahu e bëri bartës dhe përcjellës të mesazhit më të fundit të Tij , tek i cili trupëzohen vlerat më të larta të barazisë, drejtësisë, të vëllazërimit dhe të njerzillëkut.
Allahu i Madhëruar e begatoi atë duke e bërë përfaqësuesin e vlerave më të larta njerëzore, tek të cilat bashkohen nevojat e trupit me nevojat e shpirtit, nevojat e materiales dhe të subjektives emocionale. Ai ishte mesazhi më i rëndësishëm, me të cilin Allahu i Madhëruar bashkoi nevojat e kësaj bote dhe detyrimeve që ka trupi dhe shpirti në raport me Botën dhe Jetën e Përtejme.
Profetësia e Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), erdhi për të ndriçuar me dritën e saj tokën dhe qiejt. Erdhi për të ndriçuar të gjithë jetën njerëzore mbi tokë dhe bashkë me të, të gjithë ekzistencën. Mesazhi i zbritur prej Allahut të Madhëruar erdhi për të nxjerrë njerëzit prej errësirave të mohimit për tek drita e besimit. Përpara se të zbresë Zbulesën Hyjnore tek zemra e Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Allahu i Madhëruar e hapi dhe e përgatiti zemrën e tij për këtë mesazh.
Kjo është një ndodhi e mirënjohur në historinë e Profetit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilën e gjejmë të argumentuar edhe me tekstin e qartë kur'anor, në të cilin Allahu i Madhëruar na njofton se e ka hapur kraharorin e Muhamedit dhe ka hequr gjithçka prej zemrës së tij, duke e përshtatur kështu dhe duke e përgatitur për mesazhin e madh dhe shumë të rëndësishëm të Zotit. Këto ishin prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij profetike. Ishin momente në të cilat Allahu i Madhëruar e zbrazi zemrën e Muhamedit, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe e bëri atë vendbanimin e Tij. E, pra, nuk ka dyshim se ai njeri që e ka Allahun e Madhëruar në zemrën e tij, e do Atë shumë.
Ai njeri që e do Allahun shumë do të dojë domosdoshmërisht edhe mesazhin dhe Zbulesën e Tij Hyjnore. Ai njeri që e do Zbulesën Hyjnore, patjetër që do bashkë me të edhe njerëzimin, për të cilin janë krijuar qiejt edhe Toka dhe ka zbritur Zbulesa Hyjnore. Profeti Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), pati nderin të jetë ndërlidhësi i fundit ndërmjet Qiellit dhe Tokës, ndërlidhësi i fundit ndërmjet njerëzimit dhe Krijuesit të Gjithësisë, ndërmjet njerëzimit dhe Krijuesit të ekzistencës. Gjatë jetës së tij të bekuar ai u përball më vështirësi të jashtzakonshme dhe i përballoi me sukses ato. Sakrifikoi gjithçka të shtrenjtë në shërbim të Shpalljes Hyjnore, me të cilën e nderoi Allahu i Madhëruar. Kjo sepse zemra e tij ishte zbrazur prej gjithçkaje tjetër të kësaj bote, përveçse prej Allahut të Madhëruar!
Kjo është arsyeja përse e zgjodhi Allahu i Madhëruar dhe e ngarkoi atë me detyrën e shenjtë të përcjelljes së Mesazhit të Tij. Kjo është arsyeja përse Allahu i Madhëruar e dërgoi atë si përfaqësues të projektit të paqes, të dashurisë, të mëshirës, të vëllazërimit dhe të begatisë. Kjo është arsyeja përse Allahu i Madhëruar e dërgoi atë me të gjitha të mirat e kësaj bote dhe të Botës Tjetër. Kjo ishte arsyeja përse e dërgoi Allahu i Madhëruar qetësi dhe siguri për zemrat e njerëzve në këtë bote si dhe shpëtim e lumturi për Jetën e Përtejme. Profeti Muhamed, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ka qenë i gjithi në shërbim të njerëzimit dhe në funksion të lumturisë së njerëzimit.
Ai erdhi për të përfaqësuar çdo segment të projektit hyjnor për lumturinë dhe mirëqënien e njerëzimit në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Ky ishte projekti hyjnor, të cilin e dërgoi Allahu i Madhëruar për ta nderuar njerëzimin me të duke i krijuar kushtet dhe klimën e përshtatshme për mirëqënie në këtë jetë dhe për lumturi, e shpëtim në Botën e Përtejme.
Write a comment