Bismillahir-rahmanir-rahim

Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. 58:22

Çfarë lamtumire për të Dërguarin e Allahut (s)!

 

   “Më lejoni t’ju shkruaj diçka që do t’ju mbrojë përgjithmonë nga të rrëshqiturit, pas meje.”

‘Umeri tha: “I Dërguari i Allahut është nën ndikimin e dhimbjeve dhe ju keni me vete Librin e Allahut; ndaj, na mjafton Libri i Allahut.”

Të pranishmit debatuan mes njëri tjetrit e debati i tyre u kthye në grindje. Disa prej tyre thanë: “Ejani pranë Profetit (s) që ai t’ju shkruajë diçka që do t’ju mbrojë nga rrëshqitja pas tij”, ndërsa të tjerët përsëritën ç’kishte thënë ‘Umeri.

Kur debati dhe grindja në praninë e Profetit u dendësua, i Dërguari i Allahut (s) u tha atyre: “Largohuni prej meje.”

Ibn ‘Abbāsi e kishte zakon të thonte: “Katastrofa, katastrofa e vërtetë, është ajo që e bëri të Dërguarin e Allahut (s) të hiqte dorë nga ajo që dëshironte të shkruante, për shkak të debatit dhe grindjes mes tyre.”

 

Kulme Të Fjalës

 

Është her’e parë që lexuesi shqiptar njihet drejtpërdrejt në gjuhën e tij me veprën dhe mendimin e Imam Aliut. Kjo është, pa dyshim, nga ato njohje që përfundojnë me dashuri, me një nga ato dashuri që flakërojnë tërë jetën dhe që me zjarrminë e tyre djegin të keqen, duke pastruar e përsosur. Shkaku është i thjeshtë: Imam Aliu është në çdo vështrim vepër mjeshtërore e një mjeshtri që s’e kalon dot kush: Zotit. Kur njeriu futet në librat e shenjta e njihet me fjalën e shenjtorëve të mirëfilltë, siç është Imam Aliu, ndjen se ajo është nga Fjal’ e Zotit.

Gjuha në të cilën ajo është shkruar e koha kur është thënë mund të jenë të ndryshme, e kjo është e natyrshme, sepse u është dërguar popujve të ndryshëm, me zakone dhe probleme të ndryshme e në epoka të ndryshme. Por mesazhi i saj mbetet përherë i njëjtë dhe i pandryshuar. Është ai mesazh, pikërisht, që jep një bazë reale për bashkëjetesë vëllazërore të besimeve të ndryshme. Njeriu dhe besimtari bindet se kjo fjalë është e pastër si kristal dhe e kupton menjëherë se, nëse ndonjëherë ka dyshuar në të, kjo ka ndodhur ngaqë njerëzit që ia kanë prurë, nuk i kanë patur kurdoherë kapacitetet apo virtytet që do duheshin për këtë punë, por u janë përshtatur interesave të kohës apo atyre vetiake, si dhe të njerëzve të pushtetshëm të kësaj bote.